Një krim i heshtur kolonial: Kampet britanike të përqendrimit ndaj boerëve
Autoritetet britanike përdorën në mënyrë shumë të debatueshme kampe përqendrimi për civilët gjatë Luftës së Boerëve (1899–1902) në Afrikën Jugore. Qëllimi kryesor ishte t’u hiqej luftëtarëve boerë (kolonë me prejardhje kryesisht holandeze, por edhe gjermane e franceze, të vendosur në Afrikën Jugore) mbështetja logjistike si ushqimi, furnizimet dhe strehimi. Në të njëjtën kohë, autoritetet britanike pretendonin se këto kampe shërbenin si strehim për familjet boere që kishin humbur shtëpitë dhe jetesën e tyre për shkak të luftës.
Lufta e Boerëve (1899–1902) ishte një konflikt mes Perandorisë Britanike dhe boerëve (kolonë me prejardhje kryesisht holandeze të vendosur në Afrikën Jugore), i nxitur nga dëshira britanike për të kontrolluar territoret dhe pasuritë e mëdha minerare si ari dhe diamantet. Boerët rezistuan me luftë guerile, ndërsa britanikët iu përgjigjën me politikën e “tokës së djegur”, duke djegur ferma, konfiskuar bagëti dhe internuar civilë në kampe përqendrimi. Në këto kampe u mbyllën gra, fëmijë dhe pleq boerë, si edhe afrikanë të zinj në kampe të ndara, ku kushtet çnjerëzore, uria dhe sëmundjet shkaktuan vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, kryesisht fëmijë.
Megjithatë, mungesa e planifikimit dhe menaxhimi i dobët krijuan kushte katastrofike. Kampet u mbipopulluan shpejt, ushqimi ishte i pamjaftueshëm dhe kushtet higjieno-sanitare ishin shumë të rënda. Për pasojë, u përhapën epidemi të sëmundjeve si tifoja, dizenteria dhe fruthi.
Gjatë luftës, deri në 28 mijë boerë humbën jetën në këto kampe – rreth 80% e tyre ishin fëmijë. Përveç tyre, vdiqën edhe rreth 20 mijë afrikanë të zinj, kryesisht për shkak të kequshqyerjes dhe sëmundjeve.
Këto kampe konsiderohen një nga episodet më të errëta të historisë koloniale britanike dhe një nga përdorimet e para moderne të asaj që më vonë u quajt “kamp përqendrimi”, shumë kohë përpara përdorimit famëkeq të tyre në Luftën e Dytë Botërore.