Lidhje


Si e ndryshoi hartën e Europës ura më e lartë në botë?

E shtrirë në një peizazh përrallor, ajo është pa diskutim një prej urave më të bukura në botë. Shpesh e mbështjellë nga mjegulla, aq sa të duket sikur po kalon mes reve, është aq e famshme sa që ka një qendër vizitorësh të veten dhe njerëzit planifikojnë udhëtime turistike vetëm e vetëm që të kalojnë mbi të. Madje, ura mund të shihet lehtësisht edhe nga hapësira.Bëhet fjalë për “Millau Viaduct”, shembulli i përsosur i bashkimit të inxhinierisë me artin. E ngritur mbi grykën Tarn në Francën e jugut, e gjatë 2460 metra, Millau Viaduct është ura më e lartë në botë, plot 336,4 metra.

 

Por këto shifra nuk mjaftojnë për të përmbledhur madhështinë e saj.

 

Ndryshe nga ura të tjera të famshme, që zakonisht lidhin dy pika të së njëjtës lartësi, Millau Viaduct luhatet nëpër luginë teksa toka poshtë këmbëve të saj merr forma të ndryshme.

 

Shtatë kalatat e saj kanë lartësi të ndryshme, duke nisur nga 78 e deri në 245 metra lartësi, secila e llogaritur me përpikëri milimetrike për ta niveluar urën në përsosmëri. Ato përforcohen nga shtatë shtylla çeliku, secila 87 metra e lartë, të kapura me nga 11 kabuj nga secila anë. E gjithë kjo mban rrugën - 4,2 metra e trashë dhe me peshë 36 mijë tonë -  tërësisht të qëndrueshme.

 

Por përveç se një vepër e precizonit të lartë, ura është gjithashtu e bukur. Edhe pse është ngritur në një zonë të mbrojtur, ura vetëm sa e amplifikon bukurinë e saj.

 

Sipas David Knight, drejtor i dizajnit dhe inxhinierisë në kompaninë Cacke Industries, thotë se ura është “një prej mrekullive të botës moderne” dhe “mrekulli inxhinierike”.

 

Ata që jetojnë në luginën poshtë saj shohin lart me adhurim, ata që kalojnë anash saj në një prej autostradave kryesore që lidh jugun me veriun e Francës. Por si ndodhi që kjo mrekulli e botës moderne të ndërtohet në mes të Francës. Pse u deshën dy dekada për ta planifikuar, para se të hapej për kalim në dhjetor 2004? Dhe si arriti kjo urë ta ndryshojë hartën e Europës?

 

Sfidat e ndërtimit

 

Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve është gjeografia. Masivi Qendror është një zonë e madhe malore që ndahet nga lugina dhe gryka të thepisura, që zënë afërsisht 15% të sipërfaqes totale të Francës. I kufizuar nga Alpet në lindje, është një prej zonave më të vështira për të udhëtuar për këdo që kërkon të përshkojë Francën nga veriu në jug, apo për këdo që dëshiron të udhëtojë nga veriu i Europës për në Spanjë.

 

Kaq i rëndësishëm është ky rrugëkalim, por gjithashtu aq i vështirë, saqë u deshën dy dekada për ta planifikuar e ngritur në këmbë, të paktën sipas Michel Virlogeux, inxhinierit që drejtoi punimet që nga nisja e tyre, në vitin 1987. “Problemi i parë nuk ishte se ura duhej ndërtuar, por ku do të kalonte ajo”, thotë ai për CNN.

 

Asokohe, Masivi Qendror ishte një zonë e largët, pavarësisht se ndodhej në qendër të vendit. Kishte një hekurudhë të vetme që e përshkonte dhe rrugët e tjera ishin në gjendje të keqe. “E gjitha pjesa qendrore e Francës nuk do të mund të zhvillohej për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore”, thotë Virlogeux.

 

Kështu që në vitet 1980, qeveria franceze vendosi të modernizojë rrjetin rrugor, për të shmangur trafikun e rënduar që krijohej aty nga rrugët e ngushta dhe radhët kilometrike të makinave që kërkonin të zbrisnin në luginë. “Ishte si një njollë e zezë për turistët”, thotë Emmanuelle Gazel, kryebashkiakja e sotme e qytezës Millau. “Kishte bllokime në trafik, me kilometra. Një imazh shumë i shëmtuar për zonën tonë. Edhe vendasit mezi arrinin të lëviznin”.

 

Virlogeux thotë se vendimi për të ndërtuar një urë aty u mor në shtator 1986, por kishte një problem, gjeografia e zonës nuk linte shteg për një zgjidhje të lehtë. “Na u deshën 3 vjet për të gjetur një zgjidhje”, thotë ai.

 

Ekspertët u vunë në punë. Gjeologë, gjeoteknologë, inxhinierë rrugësh dhe Virlogeux, i cili deri atëherë kishte në CV-në e tij urën këmbësore të Normandisë, që kalonte mbi lumin Senë në krahinën me të njëjtin emër.

 

Por edhe pse detajet teknike u zgjidhën, qeveria franceze kërkonte që dizajni të ishte gjithashtu i nivelit të parë. Për këtë u hap një konkurs dhe në vitin 1996 atë e fitoi grupi i drejtuar nga Virlogeux dhe arkitekti britanik Lord Norman Foster.

 

Puna më e vështirë ishte bindja e banorëve vendas se ura nuk do të shkatërronte zonën e tyre të mbrojtur, por madje do ta zbukuronte edhe më shumë atë. Pasi u zgjidh edhe ky problem, puna për ndërtimin e urës nisi në tetor 2001. Projekti kushtoi 400 milionë euro dhe u përdorën 290 mijë tonë çelik e beton, ndërsa punuan 600 punëtorë.

 

Ura që lidhi Francën dhe kontinentin

 

Kur lindi ideja për projektin, banorët vendas nuk ishin dakord, por qëndrimi i tyre ndryshoi pasi e panë se si do të dukej ura e re. “Njerëzit mendonin se krijimi i këtij bypass-i do të bënte që turistët të shmangnin qytetin”, thotë Gazel. “Të tjerë thoshin se do të prishë panoramë, por në fakt e bëri edhe më tërheqëse”. Dhe vizitorët nuk e shmangën, madje u shtuan. Vetëm në vitin e parë 10 mijë makina do të ndalonin çdo fundjavë në zonë, për të parë atë që ishte ndërtuar.

 

Krejt papritur, udhëtimi nga veriu në jug të Francës dhe nga veriu i Europës në Spanjë (apo anasjelltas) ishte një gjë e lehtë për t’u bërë.

 

“Sot, turistët vijnë për urën, por zbulojnë edhe gjëra të tjera të mrekullueshme që ne kemi këtu në Millau”, thotë kryebashkiakja. “Nuk jemi më një pikë e zezë në hartë. Jemi një destinacion turistik që njerëzit zgjedhin ta vizitojnë. Pra qyteza nuk u boshatis, përkundrazi”/gazetatema

XS
SM
MD
LG