Lidhje


Si mbijeton Netanyahu: Përça dhe sundo në Gaza dhe I.zrael

Nga Aluf Benn “Foreign Affairs”

 

Më 13 tetor, izraelitët ishin rreshtuar pas ekranit të televizorit. Armëpushimi në Gaza sapo kishte hyrë në fuqi dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump po i drejtohej me një fjalim parlamentit vendas, Knesset. Në sallë ishte ulur mikpritësi i Trump, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. “Dua të shpreh mirënjohjen time për një njeri me guxim dhe patriotizëm të jashtëzakonshëm”- tha Trump, duke i kërkuar Netanyahut të ngrihej në këmbë. Ishte një moment i jashtëzakonshëm. Kur Hamasi kreu sulmin më të rëndë në historinë e Izraelit më 7 tetor 2023, pak analistë prisnin që Netanyahu do të ishte ende në pushtet dy vjet më vonë.

 

Por ai mohoi çdo lloj përgjegjësie dhe refuzoi të dorëhiqej. Në vend të kësaj, fajësoi ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës, bllokoi një hetim dhe nisi luftën e përgjakshme në Gaza. Ndërsa Trump e lavdëronte nga podiumi, Netanyahu ishte i zënë me planifikimin e betejës së tij të radhës: zgjedhjet e ardhshme të Izraelit në tetor 2026.

 

Dhe për ta bërë këtë, ai po përpiqet ta paraqesë luftën në Gaza si një fitore të madhe, duke i ndëshkuar kritikët e tij si armiq të brendshëm dhe duke rinisur përpjekjet për ta kthyer vendin në një autokraci.

 

Polarizimi si mjet i pushtetit

 

Ta quash Netanyahun një politikan polarizues është më e pakta. Për mbështetësit, ai është një shpëtimtar në luftën kulturore që në fakt po e përçan shoqërinë hebraike. Për kundërshtarët, ai është një demagog thellësisht i korruptuar. Kjo ndarje i ka paraprirë sundimit të tij, por në vitet e fundit është thelluar akomë më shumë.

 

Në nëntorin e vitit 2022, koalicioni i Netanyahut siguroi një shumicë të fortë prej 64 nga 120 vende në Parlament, duke e lejuar të ecte përpara me politikat e tij më të diskutueshme.

 

Qeveria deklaroi se “populli hebre ka një të drejtë ekskluzive në të gjitha territoret e Izraelit”, duke përfshirë Bregun Perëndimor që mbahet i pushtuar. Megjithatë, shumica e izraelitëve hebrenj ishin më të shqetësuar për krizën që po zhvillohej midis tyre sesa për palestinezët. 

 

Në janarin e vitit 2023, qeveria prezantoi ligje që do të uzurponin pavarësinë e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Të propaganduara si “reforma të nevojshme”, këto ligje u hartuan në të vërtetë për të ndërtuar një teokraci autokratike. Reformat u përballën me lëvizjen më të fortë protestuese në historinë e Izraelit.


Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë dhe mijëra rezervistë ushtarakë refuzuan shërbimin. Por Netanyahu vazhdoi me nismat e tij deri më 7 tetor 2023, kur u detyrua të pezullonte projektligjet dhe të formonte një kabinet lufte më të gjerë.

 

“Armiku i armikut tim

 

Edhe pas sulmit të 7 tetorit, Netanyahu nuk u pozicionua si ai që do t’i jepte fund përçarjes kombëtare. Në vend të kësaj, ai u mor me kërkimin e fajtorëve, duke shënjestruar establishmentin e sigurisë kombëtare.

 

Ai e nxiti kreun e Shin Bet, Ronen Bar, të jepte dorëheqjen duke e zëvendëssuar  atë me David Zini, një ish-gjeneral i vetëshpallur një “hebre mesianik”. 

 

Prirja autokratike e Netanyahut e ka pakësuar ndjeshëm mbështetjen e tij.

 

Sondazhet e televizionit Channel 12, tregojnë se mbështetja për koalicionin e tij ra nga 52 vende në maj 2023 në 44 në dhjetor 2023, por u rikthye në 52 për qind pas vrasjes së udhëheqësit të Hezbollahut Hassan Nasrallah në vitin 2024.

 

Megjithatë, Netanyahu hyn në fushatën e afërt zgjedhore me përparësi të rëndësishme. Qëndrimi në detyrë i jep kontroll mbi luftën, buxhetet dhe taksat. Ekonomia e Izraelit ka treguar qëndrueshmëri, pavarësisht kostove të larta të luftës. Mbështetësit e tij ndajnë një vizion të përbashkët: supremacinë hebraike, një Izrael më të madh dhe kundërshtimin e idesë së një shteti palestinez.

 

Në të kundërt, opozita është e përçarë. Partitë e ndryshme jashtë qeverisë, janë nga i gjithë spektri politik dhe shumica refuzojnë të bashkëpunojnë me partitë arabe, pa të cilat nuk arrijnë dot shumicën. Po ashtu, opozita hebraike i ka lëshuar terren Netanyahut në çështjen e luftës, duke e mbështetur me gjithë zemër ofensivën kundër Hezbollahut dhe Iranit.

 

Strategjia e luftës dhe pengjet

 

Stili agresiv i luftës së Netanyahut gjeti mbështetje të gjerë. Shkatërrimi i Gazës, u pa si përgjigje e justifikuar ndaj mizorive të Hamasit. E vetmja çështje që ndau opinionin publik ishte gjendja e pengjeve izraelite. Gjatë vitit të dytë të konfliktit, shumica e izraelitëve favorizuan një armëpushim për t’i kthyer pengjet në shtëpi. 

 

Por Netanyahu, i nxitur nga aleatët e tij të ekstremit të djathtë, zgjodhi që ta përshkallëzonte luftën. Pengjet e fundit, u kthyen vetëm kur Trump i imponoi Netanyahut armëpushimin. Për kryeministrin izraelit, ky ishte një rezultat i mirë - ai përmbushi kërkesat e protestuesve, duke e fajësuar Trumpin dhe shmangur zemërimin e partnerëve të tij në koalicionin qeverisës.

 

Kundërshtari: Naftali Bennett

 

Kundërshtari më i rëndësishëm i Netanyahut është ish-kryeministri Naftali Bennett, i cili gjatë viteve 2021-2022, ndërpreu e tij mbretërimin 15-vjeçar në krye të vendit. Bennett është ambicioz, pa akuza për korrupsion dhe e kupton se çelësi i pushtetit në sistemin shumëpartiak është bashkëpunimi me të gjithë rrymat.

 

Qeveria e tij tregoi se ai di si të bashkojë të djathtën dhe të majtën, hebrenjtë dhe arabët, fetarët dhe laikët. Megjithatë, Bennet nuk ka ndërtuar ende një ekip politik dhe i ka përjashtuar partitë arabe dhe ultra-ortodoksët nga koalicioni i mundshëm.

 

Demografia i ofron Bennettit një rast që mund ta përçajë koalicionin e Netanyahut: rekrutimin ushtarak. Studentët ultra-ortodoksë, kanë qenë të përjashtuar nga shërbimi ushtarak, por Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshme këtë masë. Pas 7 tetorit 2023, pjesa tjetër e shoqërisë u zemërua kur mësoi se të rinjtë e tyre duhej të shërbenin në ushtri ndërsa ultra-ortodoksët jo.

 

Autokracia në marshim

 

Ndërsa Bennett po përgatitet për fushatën, Netanyahu ka rinisur përpjekjet për ta bërë Izraelin një autokraci. Qeveria e ka mbyllur zyrën e ekspertëve ligjorë të ushtrisë, dhe ka njoftuar mbështetjen për ekzekutimin e atyre që i quan terroristë.

 

Ajo po përpiqet të shkarkojë Prokurorin e Përgjithshëm dhe po përgatitet të miratojë ligje për një kontroll të fortë mbi median dhe zgjerimin e kompetencave të gjykatave rabinike. Netanyahu përballet me akuzat për korrupsion dhe hetime për marrëveshje të dyshimta me Katarin.

 

Por mbështetësit e tij i shohin këto hetime si komplot nga ana e “shtetit të thellë” (deep state). Ata nuk ndryshojnë shumë nga votuesit e Donald Trump, dhe Benjamin Netanyahu gëzon mbështetjen e plotë të presidentit amerikan.

 

Beteja e radhës

 

Për te gjitha ato arsye, Netanyahu kishte çdo lloj arsyeje për të buzëqeshur ndërsa Trump po fliste në parlamentin izraelit. Rizgjedhja në detyrë mund të jetë më e vështirë sesa lufta Hamasit, por kjo është një betejë e njohur për të mbijetuarin e madh të skenës politike të Izraelit.

 

 Me një bazë të bashkuar të mbështetësve të tij, një opozitë të përçarë dhe një kontroll mbi institucionet shtetërore, Netanyahu ka shanse të mira për të dalë sërish fitimtar, duke e vazhduar strategjinë e tij të provuar “përça dhe sundo”.

 

Marrë me shkurtime

 

Shënim: Aluf Benn, kryeredaktor i gazetës izraelite Haaretz dhe bashkëpunëtor i Qendrën Bill Graham për Histori Ndërkombëtare Bashkëkohore në Universitetin e Torontos, Kanada.

 

 

XS
SM
MD
LG