Historia e një jeniçeri osman i cili u bë një legjendë italiane
Moena: Një qytet i fshehur "turk" mes ultësirave të Alpeve Italiane
I vendosur në provincën veriore italiane të Trentino, një fshat i vogël i quajtur Moena, i cili njihet edhe si "La Turchia" nga vendasit, ka një histori interesante që filloi kur një jeniçer osman u arratis në këtë fshat në vitin 1683 gjatë fushatës për të pushtuar Vjenën. Gjurmët e Perandorisë Osmane, një nga perandoritë më të pasura kulturalisht dhe më jetëgjata, ende vërehen në pjesë të ndryshme të botës. E përhapur në një hapësirë të gjerë toke nga Anadolli, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme deri në Ballkan, kultura e trashëguar dhe mënyra e jetesës së perandorisë ndikuan në tokat që ajo qeverisi.
Prandaj, nuk është çudi të shohësh xhami, bujtina apo medrese osmane në Ballkan apo në rajone të caktuara të Afrikës. Megjithatë, një qytet italian që mban festivale turke dhe var flamujt turq në dritare mund të ndikojë edhe tek më skeptikët. I vendosur pranë kufirit italo-austriak, qyteti malor italian i quajtur Moena, i njohur gjithashtu si "Rione Turchia" (rajoni turk), vazhdon të mbajë gjallë folklorin turk përmes festivalit që ata mbajnë çdo gusht, edhe pse shumica e vendasve të tij nuk e kanë parë kurrë Turqinë më parë. Kjo histori e pabesueshme dhe e çuditshme filloi me një jeniçer të plagosur osman, i cili mbeti i vetëm në një tokë të huaj, larg shtëpisë së tij.
Siç tregon historia, një jeniçer osman i quajtur Hasan u caktua si oficer zbulimi në ushtrinë osmane falë njohurive të tij në rusisht, italisht dhe gjermanisht. Dhuntitë e tij u zbuluan gjatë epokës Köprülü dhe ai u dallua mes jeniçerëve, forcave elitare të këmbësorisë në ushtrinë osmane dhe bëri emër. Sipas librit “El Turco” të autorit turk Orhan Yeniaras, Hasani vizitoi shumë herë Venedikun, Vjenën, Berlinin dhe Romën, zakonisht i maskuar si prift i krishterë, për të mbledhur informacione.
Jeta dhe karriera e Hasanit ndryshoi plotësisht kur Veziri i Madh Kara Mustafa Pasha i kërkoi atij të mblidhte informacione për 12 agjentët osmanë që ishin zhdukur përpara se të niseshin për rrethimin e dytë të Vjenës në 1683. Megjithatë, ndërsa veziri i madh vonoi sulmin ndaj Austrisë, osmanët përfundimisht humbën të gjitha shanset për të fituar betejën. Hasani u përball me vezirin e madh dhe kritikoi vendimet e tij për sulmin dhe kohën e rrethimit. Megjithatë, përballja e guximshme e Hasanit pati një çmim; veziri i madh urdhëroi ekzekutuesit t'i prisnin kokën pasi nuk ishte e përshtatshme që një jeniçer të vinte në dyshim vendimet e një pashai në ushtrinë osmane. Nga frika për jetën e tij, Hasani arriti të shpëtonte me pak ndihmë nga kreu i trupave jeniçere udhëtoi për gati 200 kilometra përpara se të arrinte një vend të sigurt: Moena.
Ata që janë të njohur me italianët dhe kulturën e tyre ndoshta e dinë shprehjen "Mamma Mia li Turchi" (O nëna ime, turqit!). Italianët e kanë përdorur këtë shprehje që kur Mehmeti II pushtoi Otranton, një qytet bregdetar italian. Megjithëse italianët kishin frikë nga osmanët në atë kohë - në fund të fundit, Perandoria Osmane po zgjeronte territorin e saj në të gjithë Evropën - populli i Moenës i ofroi ndihme jeniçerit të plagosur dhe të vetmuar osman pa vënë në dyshim qëllimet e tij. Dyert e shtëpive të tyre u hapën për të pritur Hasanin deri në ditën kur u shërua. Hasani, një i përhumbur, nuk kishte ku të shkonte dhe kujt t'i drejtohej përveç këtyre njerëzve të sjellshëm që treguan mëshirë për këtë të huaj. Larg shtëpisë, Hasani, i njohur nga qyteti si "Il Turco", u bë njëri prej tyre dhe madje u martua me një italiane vendase. Duke qenë se fliste italisht, Hasanit u përshtat mirë me vendasit dhe ndante me ta përvojat dhe traditat e tij turke. Një ditë, qyteti i qetë i Il Turco u vu në telashe me Dukatin e Augsburgut, i cili kërkonte taksa të larta prej tyre. Hasani, një turk që ishte i interesuar për lirinë e tij, kundërshtoi kërkesën për më shumë para dhe inkurajoi vendasit të revoltohen. Kjo bëri që njerëzit e Moenës të luftojnë dhe të mposhtin Augsburgët, ndërsa Hasani u shpall hero i qytetit.
Pas vdekjes së Hasanit, fëmijët dhe nipërit e tij e mbajtën të gjallë kujtimin e tij në këtë qytet të vogël italian. Kujtimi i tij dhe historia magjepsëse ka frymëzuar edhe shumë të tjerë më pas. Kjo legjendë është përcjelllë nga një brez në tjetrin ndërsa akoma edhe sot festohet "Festivalit Turk Moena". Festivali zhvillohet çdo vit në javën e parë të gushtit. Vendasit vishen si jeniçerë osmanë, varen flamuj turq në dritaret e tyre si dhe në rrugë dhe më i madhi i qytetit kurorëzohet si sulltan, duke mishëruar Il Turco.
Duke përqafuar kulturën dhe traditat turke, sot banorët e Moenës e konsiderojnë veten turq, pavarësisht se nuk flasin asnjë fjalë turqisht. Ata e përvetësuan kulturën turke në mënyrë kaq holistike saqë kërkojnë edhe prikë për nuset e ardhshme. Për më tepër, nëse një grua dëshiron të martohet me një burrë nga një fshat tjetër, ajo ka nevojë për miratimin e sulltanit, i cili quhet "Alabastia".
Siç shkruante dikur J. P. Roux, kultura dhe gjuha turke kanë një gravitet unik; kjo forcë i tërheq njerëzit drejt vetes sado të ndryshëm të jenë nga turqit. Banorët e Moena kanë mbi 300 vjet që jetojnë si turq. Ata vazhdojnë të kryejnë traditat osmane që kanë humbur prej kohësh për popullin e Anadollit. Nga ana e tyre, ata shprehin mirënjohjen e tyre për heroin e tyre vendas që erdhi nga një tokë e huaj tre shekuj më parë përmes këtyre traditave dhe festivalit që ata organizojnë çdo vit.