Kryeministrja daneze rënien e regjimit të Asadit e quan “fundi i epokës së t.iranëve”
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka shprehur mbështetje të fortë për rënien e regjimit të Asadit në Siri, duke e quajtur atë “fundin e një epoke të tiranëve”, transmeton Anadolu. Në platformën sociale X, kryeministrja daneze theksoi rëndësinë e rënies së regjimit dhe nevojën që popullsia e Sirisë të shmangë nënshtrimin e një qeverie tjetër shtypëse.
“Për më shumë se 10 vjet, Asadi me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit ka shkaktuar vuajtje të paimagjinueshme njerëzore mbi popullin sirian. Tani është koha për të mbrojtur civilët dhe më e rëndësishmja, populli sirian duhet të lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij”, shkroi kryeministrja Frederiksen.
Më herët, Kopenhaga njoftoi se do të ndalojë përkohësisht përpunimin e 69 rasteve në vazhdim që përfshijnë individë nga Siria. Ky vendim vjen në mes të pasigurisë që rrethon të ardhmen politike të Sirisë pas rënies së regjimit të Asadit gjatë fundjavës.
Komiteti Koordinues i Bordit të Apelimit të Refugjatëve përmendi situatën e paqëndrueshme në Siri si arsye kryesore për pauzën e përpunimit të rasteve.
“Duke marrë parasysh situatën në zhvillim në Siri, ne kemi vendosur të ndalojmë përpunimin e rasteve që përfshijnë shtetas sirianë. Komiteti Koordinues do të rivlerësojë situatën në janar të vitit 2025 dhe do të marrë vendime bazuar në zhvillimet e fundit”, tha komiteti danez.
Komiteti gjithashtu tha se do të vonojë afatet për individët nga Siria që aktualisht po përballen me dëbim. Kjo përfshin rastet kur Bordi i Apelimit të Refugjatëve ka lënë në fuqi vendimet për refuzimin e lejeve të qëndrimit sipas nenit 7 të Ligjit për të Huajt ose kur lejet janë revokuar, refuzuar për zgjatje ose kanë skaduar./AA