Lidhje


Paralajmërimi i fortë amerikan për Serbinë: Qëndroni larg Rusisë!

 

Një paralajmërim shumë i fortë Amerikan i është dorëzuar Serbisë. Kjo gjë ndodhi gjatë takimit të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, me presidentin Aleksandër Vuçiç.

 

“Ambasadori Whitaker ishte i qartë: Bashkëpunimi i mbrojtjes dhe sigurisë i Serbisë me partnerë të pabesueshëm krijon varësi strategjike afatgjatë që është e vështirë të çmontohet dhe ndërlikon bashkëpunimin në të ardhmen.

 

Për një partneritet modern dhe me vizion, drejtimi strategjik i Serbisë duhet të jetë në përputhje me Perëndimin. Siguria varet nga zgjedhja e partnerëve të duhur”, lexohet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Beograd.

 

Nga ana tjetër, presidenti serb foli për rrethana të vështira gjeopolitike dhe pretendoi se dëshiron të ruajë paqen në Ballkan, pavarësisht se është i vetmi që e kërcënon atë.

 

“Theksova veçanërisht se për Serbinë, ruajtja e sigurisë së popullit tonë në Kosovë është me rëndësi thelbësore, si dhe vazhdimi i një politike të përgjegjshme dhe serioze që përfshin si dialogun ashtu edhe këmbënguljen në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe detyrimeve të ndërmarra”, shkruan Vuçiç në Instagram.


Vëllai i Netanyahut mbërrin fshehurazi në Zagreb – ligjëratë sekrete në fakultet nën masa të forta sigurie!

 

Iddo Netanyahu, vëllai i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ka mbërritur këtë të enjte në Zagreb, ku ka mbajtur një leksion për studentët në Fakultetin e Shkencave Politike.

 

Ai ishte i ftuar si ligjërues nga profesori Boris Havel, në kuadër të lëndës “Hebrenjtë Orientalë dhe Arabët në kohën e Sionizmit”, një kurs që trajton marrëdhëniet mes hebrenjve dhe arabëve në Lindjen e Mesme, nga emigrimi i parë hebre në Palestinë deri në ditët e sotme.

 

Ajo që ka tërhequr vëmendje është fakti se ligjërata nuk ishte njoftuar në faqet zyrtare të fakultetit dhe as në rrjetet sociale, gjë që nuk është praktikë e zakonshme për aktivitete të tilla akademike.

 

Iddo Netanyahu nuk mbërriti vetëm. Ai u shoqërua nga truproja sigurie dhe, pas përfundimit të ligjëratës, u largua me një Mercedes të zi luksoz. Së bashku me të ishte edhe ambasadori izraelit në Kroaci, Gary Koren, raportojnë mediat kroate.

 

Mikpritësi i tij, profesori Boris Havel, ndodhet gjithashtu në qendër të polemikave, pasi ka marrë paralajmërim për largim nga puna pas një incidenti vitin e kaluar lidhur me fyerjen e gazetares Maja Sever.

 

Iddo Netanyahu nuk është një emër i panjohur për rajonin. Vitin e kaluar ai ishte në Banja Luka, ku promovoi romanin e tij “Itamar K.”, por vizita e tij u shoqërua me një moment të sikletshëm.

 

“Jam shumë i lumtur që jam këtu, është hera e parë që vij në shtetin tuaj, në qytetin e Novi Sadit…”, deklaroi ai atëherë, duke shkaktuar konfuzion mes gazetarëve dhe përkthyesve, pasi ndodhej në Bosnje dhe jo në Serbi.

 

Përveçse shkrimtar, Iddo Netanyahu është edhe mjek dhe dramaturg. Gjatë vizitës së tij në Banja Luka, ai foli edhe për kërcënimet globale, duke theksuar atë që e quajti “lufta kundër forcave radikale myslimane”, si sunite ashtu edhe shiite, të cilat sipas tij “po përpiqen të pushtojnë botën”.


Non Grata me çmim? Si u “shpëtua” Milorad Dodik pas milionave në Uashington dhe lidhjeve me njerëzit e Trump!

 

Nga Lapsi.al

 

Që kur lideri historik i opozitës Sali Berisha u shpall Non Grata nga administrata amerikane e demokratëve, me një vendim të Sekretarit të shtetit Blinken, në Shqipëri është rihapur në mënyrë ciklike një debat: A është ky instrument saknsionesh një vendim që merret në bazë të fakteve apo falë lobimeve të ndryshme? Dhe më pas: A mund të hiqet falë parave dhe ndërhyrjeve një sanksion tashmë i shpallur?

 

Pikërisht një nga shembujt që mund ti shërbejë këtij debati është ai i liderit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik.

 

Ky lider pro rus, mik i Putinit dhe i akuzuar se do të minojë me tendencat e tij separatiste marëveshjen e Dejtonit, u shpall Non Grata nga Uashingtoni në 2022, me motivacionin për “Korrupsion të rëndësishëm” dhe për “Retorikë nacionaliste përçarëse”. Por në tetorin e vitit të kaluar, në mënyrë të habitshme administrata Trump e hoqi sanksionin ndaj liderit të serbëve të Bosnjës.

 

Që nga ky moment alibia “Non Grata nuk hiqet” u rrëzua dhe filluan spekullimet për arsyet që e shpëtuan Dodikun nga “mallkimi amerikan”. Një prej tyre ishte se ai kishte ditur të përzgjidhte lobistët e duhur. Ai u lidh me Michael Flynn që shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare i Trump gjatë mandatit të tij të parë. Në vitin 2017, Flynn u dënua se gënjeu FBI-në në lidhje me marrëdhëniet e tij me Rusinë, por Trump e fali atë në vitin 2020. Madje galaksia rrotull Trump shkoi deri aty sa ta quante Dodikun një mbrojtes të krishtërimit.

 

Por, afersia me sa duket nuk ka qenë vetëm ideologjike. Ka gjasa që pas të gjithë kësaj të fshihen interesa të mëdha financiare. Dhe kjo duket qartë në një artikull të botuar këtë të enjte nga e përditshmja Britanike The Guardian ku flitet për konfiktin mes BE dhe SHBA-së, për ndërtimin e një gazoduku amerikan në Bosnjë, që do të mundësonte kalimin e gazit të lëngshëm amerikan nga Kroacia drejt Bosnjes. Dhe cilët janë personazhet që po lobojnë pranë Sarajevës për këtë projekt? Dy figura të afërta të presidentit Trump, Jesse Binnall, avokati që e mbrojti atë nga akuzat për nxitje të trazirave në Kapitol pas humbjes së tij, dhe Joe Flynn, vëllai i ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit, Michael Flynn. Ndonëse këtu lidhja me Mirolad Dodikun fillon të përvijohet, ajo bëhet edhe më e fortë po të shihet se ç’ndodh më pas.

 

Si njeri i njohur pro Moskës, Dodiku duhet të ishte pro vijimit të furnizimit të vendit me gaz rus, që perëndimi e ndërpreu pas luftës në Ukrainë. Ndonëse gazoduku nuk kalonte gjeografikisht në territorin e Republika serbska, ai mund të bëhej pengesë për ndërtimin e atij ivenstimi 200 milionë dollarësh nga kompania pranë njerëzve të Trumpit, AAFS Infrastructure and Energy.

 

Por lideri e serbëve të Bosnjës bëri një piruetë të fortë. Ai e përkrahu ndërtimin e gazsjellsit Southern Interconnection.

 

A ka ndikuar kjo lëvizje e lidhur drejtpërdrejt me interesat e Vëllezërve Flynn në heqjen e sanksioneve amerikane ndaj tij?

 

Ndonëse askush se pohon zyrtarisht kjo hipotezë po qarkullon në mënyrë gjithnjë e më bindëse. Gjatë këtij prilli djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr., kreu i perandorisë së biznesit familjar, shkoi personalisht në Banja Luka, qytetin kryesor të Republika Srpsksa në Bosnje Hercegovinë, në një udhëtim që u pa si mbështetje e hapur për familjen Dodik pasi u bë me ftesë të të birit të liderit lokal të serbëve.

 

Aty Dodiku e mbështeti publikisht investimin amerikan për gazsjellësin dhe ndonëse askush nuk i di arsyet, ato mund të lidhen me shplarjen e tij nga Non Grata, që më sa duket nuk është punë parimesh, por një mall si gjithë të tjerët.

 


Kurti emëron Agron Bajramin si kryenegociator në dialogun teknik me Serbinë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron Bajramin në postin e kryenegociatorit në dialogun teknik për normalizim të raporteve me Serbinë.

 

Përveç postit të ri, Bajrami është edhe ambasador i Kosovës në Belgjikë, në kryeqytetin e të cilës, Bruksel, Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi.

 

Në muajin shkurt, disa ditë pas votimit të Qeverisë së re të Kosovës, numri dy në ekzekutivin kosovar, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se procesi i dialogut do të udhëhiqet nga kjo ministri.

 

Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bisilimi.

 

Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.

 

I fundit ishte dialogu në nivel të lartë që u zhvillua pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës. Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon të jetë përfshirje.

 

Përgjatë vitesh të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.


Shuhet në moshën 89-vjeçare akademik Rexhep Qosja - Ideolog i bashkimit kombëtar të shqiptarëve

 

Ndërron jetë akademiku i njohur shqiptar, Rexhep Qosja. Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta në moshën 89-vjeccare e ka dhënë nipi i tij, përmes një postimi në rrjetet sociale.

 

Mësohet se Qosja është përcjellë për në banesën e fundit pa zhurma dhe ceremoni institucionale, amanet që siç duket akademiku e kishte dhënë për familjarët më herët.

 

Këta të fundit kanë plotësuar dëshirën e fundit të akademikut, duke organizuar një ceremoni të ngushtë familjare, për të çuar në vend amanetin e lënë.

 

Rexhep Qosja, një mendje e ndritur e kombit shqiptar, la pas vepra dhe mendime të vyera që do të shërbejnë brez pas brezi.

 

Postimi:

 

Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja.
Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja.
Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na
mundësohet të mbajmë zi në qetësi!

 

Kush ishte Rexhep Qosja!

 

Qosja u lind më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, ku e kreu shkollën fillore, para se të shpërngulej në Kosovë, ku e mbaroi shkollën normale në Prishtinë në vitin 1959, ndërsa më 1964 i përfundoi studimet në Degën e Gju­hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa­kultetit Filozofik të Prishtinës.

 

Gjatë viteve 1967-‘68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit.

 

Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981.

 

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike.

 

Ai gjithashtu ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

 

Qosja ishte marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë.

 

Ai ishte kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, si dhe anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.

 

Po ashtu, më 2000 ai shërbeu si anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës ndërkohë që kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.

 

Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

XS
SM
MD
LG