Plani djallëzor i Donald Trumpit pas goditjes ndaj Vëllazërisë Myslimane
Futja e kësaj organizate në listën e organizatave terroriste, vetëm sa do të forcojë represionin në Lindjen e Mesme dhe në Shtetet e Bashkuara. Ekzistojnë të gjitha arsyet për të pasur frikë se administrata Trump do ta përdorë këtë përcaktim si një mjet për të goditur armiqtë e saj politikë. Rezultati do të jetë përshpejtimi i një goditjeje tashmë të rrezikshme ndaj emigrantëve, shoqërisë civile me prirje të majta si dhe opozitës politike.
Nga Marc Lynch “Foreign Policy”
Më 24 nëntor, administrata e Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv që nisi procesin e përcaktimit si “organizata terroriste të huaja” të degëve të caktuara të Vëllazërisë Myslimane. Vetë urdhri ekzekutiv, ofron pak prova ose arsyetime bindëse për këtë përcaktim. Në përgjithësi baza përbëhet nga një retorikë nxitëse nga udhëheqësit e Vëllazërisë Jordaneze dhe Egjiptiane pas sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe rolit modest që dyshohet se ka luajtur dega e Vëllazërisë Myslimane në Liban në sulmet me raketa ndaj Izraelit.
Siç sugjeron edhe prezantimi i dobët i administratës, nuk ka asnjë provë të fortë dhe të re se “Vëllazëria Myslimane është një organizatë terroriste”. Por nxitja për t’i detyruar Shtetet e Bashkuara ta caktojnë Vëllazërinë Myslimane si një “organizatë terroriste”, është një ide e keqe dhe me një histori të gjatë që daton të paktën që nga 11 shtatori 2001.
Ajo është shtyrë vazhdimisht nga grupet e krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara dhe nga aleatët kundër vëllazërisë në Lindjen e Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Izraelin. Dhe është refuzuar vazhdimisht.
Siç e kuptoi drejt edhe ish-presidenti Xhorxh ë. Bush, ndër shumë të tjerë, ky përcaktim jo vetëm që do të ishte i pasaktë, por do të minonte të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë Lindjen e Mesme. Megjithatë, administrata Trump nuk interesohet as për të vërtetën dhe as për demokracinë.
Për më tepër, ajo ka pushuar nga puna shumë profesionistë në shërbimin civil që mund të ofrojnë analiza të informuara. Për pasojë, tani po përgatitet të hedhë këtë hap që do të jetë gjithnjë e më i parëndësishëm në rajon dhe gjithnjë e më dëmtues në vend.
Në Lindjen e Mesme, aleatët e Amerikës kanë kaluar më shumë se një dekadë duke shfryrë tërbimin e plotë të aparateve të tyre të sigurisë mbi Vëllazërinë Myslimane (dhe të gjitha forcat e tjera të shoqërisë civile ose opozitare). Për këtë arsye, Vëllazëria Myslimane është shkatërruar kryesisht si një forcë popullore, dhe mbështetësit kryesorë rajonalë si Katari dhe Turqia nuk interesohen më aq shumë për ta mbrojtur atë.
Megjithatë, në Amerikë, ekzistojnë të gjitha arsyet për të pasur frikë se administrata Trump do ta përdorë përcaktimin si “terroriste” të Vëllazërisë Myslimane, si një mjet për të goditur armiqtë e saj politikë. Rezultati do të jetë përshpejtimi i një goditjeje tashmë të rrezikshme ndaj emigrantëve, shoqërisë civile me prirje të majta si dhe opozitës politike vendase. Vëllazëria Myslimane, ka qenë objekt i shumë teorive konspirativ që nga 11 shtatori 2001, sidomos midis elektoratit të ekstremit të djathtë që e dominon administratën aktuale Trump.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që të ndahen mitet nga realiteti. Nuk ka një Vëllazëri Myslimane Globale të vetme - diçka që e pranon edhe urdhri ekzekutiv i presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke specifikuar degë individuale të Vëllazërisë, në vend të një përcaktimi më global.
Vëllazëria Myslimane u themelua në Egjipt në vitin 1928, dhe u përhap shpejt në të gjithë rajonin por edhe globalisht. Çdo degë kombëtare, kishte angazhime gjithëpërfshirëse organizative dhe ideologjike, por secila evoluoi kryesisht në përgjigje të kushteve lokale, dhe asnjëra nuk i merrte urdhrat e saj nga një zyrë qendrore në Kajro, Evropë ose diku tjetër.
Ato kishin ngjashmëri por jo një komandë dhe kontroll qendror. Organizatat kryesore islamike si Ennahda në Tunizi, mohuan se ishin pjesë e Vëllazërisë Myslimane edhe pse ndiqnin strategji të ngjashme organizative dhe ideologjike.
Degët e Vëllazërisë Muslimane në vende të ndryshme, ndanin referenca ideologjike si Hasan Al-Bana dhe Sajid Kutb dhe ndiqnin një grup të përbashkët autoritetesh fetare bashkëkohore si Jusuf Al-Karadaui. Por dega e secilit vend, zhvilloi udhëheqësit politikë dhe udhëzuesit e vet fetarë.
Në mbarë rajonin, degët e Vëllazërisë Muslimane punuan për të pasur shoqëri më fetare dhe politika sociale konservatore. Megjithatë, në përgjithësi ato nuk e përdornin aq shumë teologjinë e tyre. Në kontrast me lëvizjet salafiste ose qarqet e Shtetit Islamik (ISIS), figurat e Vëllazërisë Muslimane kishin tendencën ta mbanin teologjinë e tyre të thjeshtë dhe të përqendroheshin në aspektet praktike të pushtetit politik dhe organizimit shoqëror.
Prandaj gjatë dekadave para vitit 2011, Vëllazëria i ngjante më shumë të djathtës ungjillore amerikane të krishterë sesa Al-Kaedës. Ajo ishte një lëvizje e gjerë dhe e përhapur, e orientuar drejt ndërtimit të një shoqërie më fetare përmes prozelitizmit, ofrimit të shërbimeve sociale dhe angazhimit në një konkurrencë politike të hapur.
Shumica e organizatave të Vëllazërisë, kishin një rrjet shërbimesh sociale dhe bamirësie dhe vepronin hapur edhe në vendet ku teknikisht ishin të paligjshme. Kuadrot e Vëllazërisë prireshin të ishin profesionistë urbanë të klasës së mesme, dhe jo të rinj të privuar nga të drejtat e votës dhe të varfër që anonin drejt organizatave më të dhunshme xhihadiste ose më doktrinare selefiste.
Organizatat e Vëllazërisë merrnin pjesë vazhdimisht në zgjedhje kur u jepej mundësia - dhe fitonin vazhdimisht. Kur kjo ndodhi, Vëllazëria Myslimane u përball me akuza se angazhimi i saj ndaj demokracisë ishte thjesht instrumental: “një njeri, një votë, një herë”.
Pavarësisht nëse ishin të drejta apo jo këto akuza, grupit nuk iu dha kurrë mundësia që ta hidhte poshtë këtë akuzë. Në Egjipt, Vëllazëria Myslimane fitoi zgjedhjet pas vitit 2011 vetëm për t’u rrëzuar nga grushti ushtarak i shtetit i vitit 2013 i gjeneralit Abdel Fatah Al-Sisi. Në Tunizi, Ennahda fitoi zgjedhjet pas vitit 2011, vetëm për t’u kriminalizuar një dekadë më vonë nga presidenti populist laik Kais Saied.
Kjo nuk do të thotë që Vëllazëria Myslimane nuk është përfshirë kurrë në dhunë. Ndërsa retorika zyrtare e Vëllazërisë Myslimane e hedh poshtë përdorimin e dhunës dhe ka kundërshtuar me zë të lartë rivalët e dhunshëm xhihadistë si Al-Kaeda, organizatat e saj janë angazhuar në dhunë, veçanërisht përballë shtypjes së dhunshme shtetërore.
Vëllazëria Myslimane e Egjiptit u nda në vitet 1960, pjesërisht për shkak të çështjes së dhunës dhe u rishfaq në skenë vetëm në vitet 1970 pasi hoqi dorë nga krahu i saj ekstremist. Ndërkohë Vëllazëria Myslimane Siriane, përdori një retorikë dhe praktika shumë më ekstreme e të dhunshme në vitet 1970 përballë shtypjes së regjimit të Asadit. Më vonë pjesëtarët e saj, kryesisht në mërgim, luajtën një rol kyç në lehtësimin e ndërhyrjes së jashtme në luftën civile pas vitit 2011.
Hamasi doli nga një organizatë e stilit të Vëllazërisë Myslimane në Gaza në kontekstin e Intifadës Palestineze të vitit 1987, dhe ishte pioniere e sulmeve kundër izraelitëve gjatë viteve të Marrëveshjeve Oslos. Dhe organizatat e Vëllazërisë Myslimane Irakiane luajtën një rol kyç në kryengritjen sunite irakiane kundër pushtimit amerikan pas vitit 2003.
Natyra komplekse e Vëllazërisë Myslimane, është reflektuar në debatin politik në zhvillim e sipër në SHBA. Në vitet 1990 dhe 2000, kritikët u përqendruan në dhunën e Hamasit dhe kryengritjen irakiane, si dhe në origjinën e figurave kryesore të Al-Kaedës, si Abdullah Azam dhe Ajman Al-Zauahiri nga Vëllazëria Myslimane.
Por të tjerë e panë Vëllazërinë më shumë si një mur mbrojtës kundër radikalizimit, duke përdorur organizimin e saj të fortë dhe të palëkundur, si dhe indoktrinimin ideologjik, për të rekrutuar dhe mbajtur nën kontroll radikalë të mundshëm. Qasja e administratës Bush ndaj Vëllazërisë Myslimane i ilustron këto kontradikta.
Shumë ideologë agresivë në atë kohë, e mbështetën shënjestrimin e Vëllazërisë Myslimane, duke pretenduar se ajo dukej e moderuar, por ishte në fakt një trampolinë e rrezikshme në rrugën drejt radikalizimit.
Të tjerë, përfshirë neokonservatorët kryesorë, preferuan përfshirjen e Vëllazërisë Myslimane brenda institucioneve demokratike, me shpresën e moderimit të organizatës dhe forcimit të praktikave demokratike në të gjitha shoqëritë arabe.
Kjo është arsyeja pse anëtarët kryesorë të administratës mbështetën pjesëmarrjen e Vëllazërisë Myslimane në zgjedhjet egjiptiane të vitit 2005 dhe përfshirjen e Hamasit në zgjedhjet palestineze të vitit 2006. Pas vitit 2011, si debati ashtu edhe realitetet ndryshuan me shpejtësi.
Vëllazëria Myslimane, u shfaq si një forcë e fuqishme gjatë kryengritjeve arabe që përfshiu rajonin në vitin 2011 dhe që rrëzoi shumë regjime. Këto të fundit ishin shumë të frikësuara, dhe e veçuan Vëllazërinë Muslimane si kërcënimin më të madh për mbijetesën e tyre - jo sepse ata ishin terroristë, por sepse ishin një lëvizje shoqërore popullore dhe efektive.
Ato u zemëruan nga gatishmëria e administratës Obama për t’i dhënë Vëllazërisë Muslimane një shans, veçanërisht në Egjipt, si dhe nga mbështetja që Katari dhe Turqia i ofruan grupit.
Reagimi erdhi shpejt, pasi dy vjet përparime politike të Vëllazërisë Myslimane, çuan në shtypje të fortë nga regjimet autoritare në të gjithë Lindjen e Mesme.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishte në krye, duke mbështetur grushtin ushtarak të shtetit në Egjipt në korrik 2013 dhe mbrojtur masakrën ndaj protestave islamike në Raba një muaj më vonë. Shtypja brutale që pasoi, përfshinte arrestimin e rreth 60.000 të burgosurve politikë dhe sekuestrimin e pothuajse të gjitha aseteve financiare dhe fizike të identifikueshme të Vëllazërisë Myslimane.
Po ashtu, u shoqërua me nisjen e një fushate ndërkombëtare propagandistike që synonte ta paraqiste Vëllazërinë Myslimane si ekuivalenten e Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik. Shqetësime specifike nxitën përqafimin e kësaj fushate nga secili vend rajonal.
Shtypja e Vëllazërisë Myslimane në Arabi, erdhi si pjesë e sulmit të shpejtë të Princit të Kurorës Saudite Mohammed Bin Salman ndaj pushtetit të establishmentit fetar islamik të mbretërisë. Një bashkim midis teologjisë salafiste dhe politikës së Vëllazërisë kishte qenë nxitësi kryesor i Sahua-s Saudite (Zgjimit).
Kjo ishte një lëvizje popullore simpatizante ndaj Vëllazërisë, e cila përfshinte figura të njohura të mediave sociale si Salman Al-Auda, të cilët përdorën platformën e tyre fetare për të kritikuar politikat saudite brenda dhe jashtë vendit.
Shumica e figurave të saj kryesore tani janë në burg ose në varreza, pavarësisht se nuk kanë lidhje me terrorizmin. Po ashtu, Jordania veproi kundër Vëllazërisë Myslimane, e cila kishte evoluar nga një shtyllë kryesore mbështetëse për monarkinë në opozitën e saj kryesore politike të organizuar.
Duke u përballur me një krizë politike të brendshme në përshkallëzim dhe presion në rritje nga mbështetësit e saj financiarë në Gjirin Persik, Jordania ndërmori hapa të paprecedentë për të shkatërruar Vëllazërinë Myslimane, duke sponsorizuar një udhëheqje alternative, duke i zhveshur asetet e saj financiare dhe në fund duke e kriminalizuar atë.
Fushata rajonale kundër Vëllazërisë Muslimane, arriti kulmin në vitin 2017 kur Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite bllokuan Katarin dhe kërkuan që Doha të ndërpriste mbështetjen e saj rajonale për grupin. Presioni u shtri deri në Uashington, ku një sërë grupesh ekspertësh dhe kompanish të marrëdhënieve me publikun, lobuan që administrata e parë e Trump ta shpallte Vëllazërinë Muslimane një organizatë terroriste.
Ndërsa baza e MAGA-s u entuziazmua nga teoritë e konspiracionit anti-myslimane, të ashtuquajturit të “rriturit në dhomë” kundërshtuan. Kur ish-presidenti Xho Bajden mori detyrën në vitin 2021, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite i dhanë fund në heshtje bojkotit të Katarit, rregulluan marrëdhëniet me Turqinë dhe e zbehën fushatën rajonale kundër Vëllazërisë Myslimane.
Por dëmi ishte bërë. Sot Vëllazëria Myslimane, është një hijes e vetes së saj të dikurshme. Në pjesën më të madhe të rajonit, asaj i janë hequr me forcë shërbimet sociale dhe prania publike që e mbështeste pushtetin e saj politik. Reputacioni i saj është dëmtuar rëndë nga fushatat e pamëshirshme propagandistike.
Rrjedhimisht, ajo nuk përfaqëson më një forcë të rëndësishme politike - edhe pse regjimet e shqetësuara për një raund tjetër protestash, kanë ende frikë nga ringjallja e saj. Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, intensifikuan shqyrtimin e lidhjeve historike të Vëllazërisë Myslimane me Hamasin dhe mbështetjen për të.
Ky është shkaku i drejtpërdrejtë për shtysën e re për të bindur Uashingtonin të pajtohet me përcaktimin e tij si “organizatë terroriste”. Izraeli e sheh këtë si pjesë të luftës së tij të plotë kundër Hamasit, dhe asaj që e sheh si bazën globale të mbështetjes së grupit.
Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, shpresojnë a sigurojnë këtë lëshim në këmbim të dhënies së mbështetjes së tyre për planin e Trump për Gazën. Dhe Katari dhe Turqia, mbrojtësit tradicionalë të Vëllazërisë Myslimane, tani janë më pak të interesuar për të sakrifikuar në emër të saj.
Nëse miratohet, ky akt do të intensifikojë tendencat ekzistuese drejt represionit në rajon, ndërsa do ta shtyjë më tej në hije atë që ka mbetur nga Vëllazëria Myslimane. Por ndikimi i vërtetë parësor i urdhrit ekzekutiv të Trump mund të jetë në politikën amerikane.
Përcaktimi i Vëllazërisë si një organizatë terroriste, mund t’i japë forcë zyrtare përpjekjeve të administratës Trump për të demonizuar, ushtruar presion dhe kriminalizuar kundërshtarët e saj.
Për teoricienët e konspiracionit të ekstremit të djathtë, Vëllazëria Myslimane ofron një objektiv të lirshëm për t’u goditur, dhe këtu përfshihen edhe organizatat myslimane amerikane, si Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, qendrat e arsimit të lartë dhe studimeve të Lindjes së Mesme, organizatat joqeveritare dhe madje edhe studentët hebrenj që protestojnë kundër gjenocidit në Gaza.
Përcaktimi i Vëllazërisë nga Trump si “organizatë terroriste”, mund të krijojë një bazë ligjore për shqyrtimin e financimit, licencimit dhe anëtarësisë së këtyre organizatave. Po ashtu, ai mund të bëhet bazë për një shqyrtim edhe më agresiv të Departamentit të Shtetit të aplikantëve për viza, si dhe për ngacmime dhe dëbime nga Zyrat e Imigracionit dhe Doganave.
Përcaktimi i Vëllazërisë Myslimane si një “organizatë terroriste”, nuk ka të bëjë me adresimin e një kërcënimi për sigurinë. Ai përbën një tjetër hap përshkallëues drejt autoritarizmit si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.
Shënim:Marc Lynch, është profesor i shkencave politike dhe çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Xhorxh Uashington, dhe drejtor i Projektit mbi Shkencën Politike në Lindjen e Mesme.