Lidhje


Kriza morale dhe politike e S.ionizmit

Një shtet që vret fëmijë për të shpallur fitoren, është tashmë moralisht i mundur. Ajo që mbetet, është që bota ta transformojë atë edhe në një disfatë politike dhe ligjore. Dhuna sioniste nuk është shenjë force, por dëshpërimi. Fitorja e vërtetë nuk do të vijë nga shkatërrimi, por nga njohja e plotë e dinjitetit njerëzor të popullit palestinez, rikthimit  të të drejtave të tyre dhe fundit të pushtimit. Palestina do të mbijetojë.

 

Nga Sayid Marcos Tenorio “Middle East Monitor”

 

Qeveria e Benjamin Netanjahut ka arritur një nivel të atillë brutaliteti, që e vendos Izraelin dhe sionizmin përpara humnerës së tyre morale, politike dhe ligjore. Për dekada të tëra, projekti sionist është denoncuar për karakterin e tij kolonial, supremacist dhe të dhunshëm.

 

Sot, nën sundimin e Netanjahut dhe koalicionin e tij të ekstremit të djathtë, kjo dhunë ka arritur nivele që nuk mund të përshkruhen më si diçka tjetër, përveçse si strukturore dhe thellësisht shkatërruese, duke krijuar një realitet dominimi, spastrimi etnik dhe ndëshkimi kolektiv.

 

Regjimi sionist, beson se shkatërrimi i të gjithë infrastrukturës civile, vrasja e familjeve të tëra dhe dëbimi i një populli autokton nga toka e tyre, përfaqëson një fitore ushtarake. Por ajo që ata e quajnë “sukses”, nuk është gjë tjetër veçse shenjtërimi i gjenocidit si një politikë shtetërore.

 

Asnjë person minimalisht i kthjellët mendërisht, nuk e konsideron këtë një fitore: ai është një krim lufte, një krim kundër njerëzimit, është një gjenocid i transmetuar drejtpërdrejt në media, me të gjithë botën si dëshmitare dhe bashkëpunëtore të pavullnetshme.

 

Izraeli nuk ka fituar në Gaza. Dhe nuk do të fitojë. Rezistenca palestineze vazhdon të ekzistojë, pikërisht sepse është e ankoruar në legjitimitet moral, historik dhe politik, ndërsa projekti sionist mbështetet vetëm përmes shkatërrimit fizik dhe simbolik të Palestinës.

 

Një shtet që duhet të vrasë fëmijë për të shpallur fitoren, është tashmë moralisht i mundur. E gjithë fuqia e tij ushtarake, zbulon në mënyrë paradoksale brishtësinë e tij historike, paaftësinë e tij për të ofruar ndonjë horizont tjetër përveç dhunës së përhershme.

 

Por çfarë e lejon këtë sistem terrori të vazhdojë? Përse, edhe përballë imazheve të padiskutueshme, fuqitë globale vazhdojnë të garantojnë imunitet ndaj regjimit gjenocidal izraelit? Përgjigja është e thjeshtë: në lojë nuk është drejtësia, por pushteti.

 

Sistemi ndërkombëtar që doli pas Luftës së Dytë Botërore, iu shit botës si një mbrojtës i paqes, i ekuilibrit midis kombeve dhe i dinjitetit njerëzor. Traktatet, konventat, gjykatat dhe rezolutat u krijuan në një arkitekturë ligjore që synonte të parandalonte masakrat dhe të ndëshkonte tiranitë.Megjithatë, kur autori i këtyre shkeljeve është Izraeli, një aleat strategjik i Perëndimit, e gjithë kjo strukturë shpërbëhet në fjalime boshe dhe veto automatike në mbrojtje të agresorit. Lëshimi i urdhër-arresteve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale kundër Netanjahut dhe Ministrit të tij të Luftës, Israel Katz, është një hap përpara që e thyen pjesërisht mbrojtjen historike të Izraelit.

 

Por është ende i pamjaftueshëm. Benjamin Netanjahu dhe koalicioni i tij i ekstremit të djathtë, duhet të mbahen përgjegjës ligjërisht për atë që kanë bërë, jo nga hakmarrja, por për shkak të një parimi themelor: asnjë udhëheqës i asnjë kombi nuk mund të jetë mbi ligjin.

 

Për krimet e kryera në Gaza nën përgjegjësinë e tij, dënimi i vetëm në përpjesëtim me shkallën e barbarisë, do të ishte dënimi me vdekje për Benjamin Netanyahun dhe udhëheqësit kriminelë të regjimit sionist.

 

Në rast se bota dëshiron të parandalojë që të ndodhin përsëri mizori të ngjashme, është thelbësore që krimet e kryera kundër popullit palestinez të marrin të njëjtën peshë morale dhe ligjore, si edhe krimet e kryera kudo tjetër në botë.

 

Ndërkohë, Gaza vazhdon të bombardohet, spitalet sulmohen, universitetet shkatërrohen dhe numri i të vdekurve është me mijëra. Shkatërrimi i shkaktuar kundër Gazës që nga viti 2023 nuk mund të quhet luftë. Përkundrazi, kjo është një përpjekje e qëllimshme për të zhdukur një shoqëri të tërë.

 

Përdorimi i urisë si armë, pengimi i ndihmës humanitare dhe vrasja e gazetarëve dhe punonjësve humanitarë, përbëjnë një tablo që tejkalon çdo kufi etik të imagjinueshëm. Megjithatë, rezistenca vazhdon dhe madje po rritet përballë diçkaje edhe më vendimtare: izolimit ndërkombëtar të Izraelit.

 

Opinioni publik botëror ka ndryshuar. Tani turma të mëdha njerëzish po marshojnë në rrugët e kryeqyteteve të mëdha duke e denoncuar gjenocidin. Vendet evropiane e njohin shtetin e Palestinës.

 

Universitetet, sindikatat, artistët dhe lëvizjet shoqërore, po e thyejnë njëra pra tjetrës heshtjen historike dhe po i bashkohen bojkotit ndaj Izraelit. Për herë të parë ndër dekada, Izraeli nuk shihet më si një viktimë e përjetshme, por si një fuqi pushtuese dhe agresore. Imazhi i tij global po shembet dhe narrativa sioniste - dikur dominuese - po e humbet besueshmërinë në të gjitha kontinentet. Arroganca e sektorëve më ekstremistë të sionizmit, të cilët besonin se shndërrimi i Gazës në rrënoja do të sillte fitoren, nuk zbulon gjë tjetër veçse paaftësinë e tyre për të kuptuar natyrën e luftërave anti-koloniale: popujt e vendosur për të mbijetuar, e gjejnë gjithmonë mënyrën për të rezistuar.

 

Dhuna sioniste nuk është shenjë force por dëshpërimi. Fitorja e vërtetë nuk do të vijë nga shkatërrimi, por nga njohja e plotë e dinjitetit njerëzor të popullit palestinez, rikthimit të të drejtave të tyre dhe fundit të pushtimit izraelit. Palestina do të mbijetojë.

 

Megjithatë, Netanjahu dhe bashkëpunëtorët e tij do të duhet të përballen një ditë me historinë. Disfata morale e sionizmit është tashmë duke ndodhur. Ajo që mbetet, është që bota ta transformojë atë edhe në një disfatë politike dhe ligjore.

 

 

 

XS
SM
MD
LG