Mashtrimi më i madh i Izraelit
Izraeli ka krijuar një debat të rremë mbi numrin e të vdekurve, që lidhet vetëm me ata që janë vrarë drejtpërdrejt nga bombat dhe armët e tij, dhe jo me gjenocidin që po kryen me mjete të tjera në Gaza...
Nga Jonathan Cook “Consortium News”
Mashtrimi më i madh që Izraeli ka arritur të realizojë gjatë 2 viteve të fundit, është vendosja e parametrave krejtësisht të rremë në një “debat” në Perëndim në lidhje me besueshmërinë e numrit të të vdekurve në Gaza, që sot është zyrtarisht mbi 70.000.
Problemi nuk është se kemi qenë të zhytur në debate të pafundme, nëse autoritetet mjekësore të Gazës mund të jenë apo jo të besueshme, apo se sa nga të vdekurit janë luftëtarë të Hamasit. (Pavarësisht fushatave izraelite të dezinformimit, vetë ushtria izraelite beson se më shumë se 80 për qind e të vdekurve janë civilë.)
Apo edhe që këto “debate” e shpërfillin gjithmonë faktin se që në fillim, Izraeli e shkatërroi aftësinë e Gazës për të numëruar të vdekurit e saj, përmes shkatërrimit të zyrave qeveritare të enklavës dhe spitaleve të saj. Shifra prej 70.000 të vrarësh, ka të ngjarë të jetë një nënvlerësim drastik.
Jo, mashtrimi më i madh është se Izraeli na ka futur të gjithëve në një “debat” të shkëputur krejtësisht nga realiteti, që lidhet vetëm me ata që janë vrarë drejtpërdrejt nga bombat dhe të shtënat e ushtrisë së tij.
E vërteta është se një numër shumë, shumë më i madh njerëzish në Gaza, janë vrarë në mënyrë aktive nga Izraeli, jo përmes këtyre mjeteve të drejtpërdrejta, por përmes atyreqë statisticienët i quajnë metoda “të tërthorta”.
Këta njerëz u vranë nga Izraeli që ua shkatërroi shtëpitë dhe i la të pastrehë. Duke u shkatërruar linjat e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, si dhe sistemet e tyre të kanalizimeve. Duke ua shembur spitalet. Duke i lënë të uritur. Duke krijuar kushtet e përsosura për përhapjen e sëmundjeve.
Lista e mënyrave se si Izraeli po vret njerëz në Gaza është shumë e gjatë. Imagjinojini për një moment shoqëritë në vendet tuaja të rrafshohen siç ka ndodhur aktualisht me Gazën. Sa gjatë do të mbijetonin prindërit tuaj të moshuar në këtë Ferr?
Sa mirë do të ishte fëmija juaj diabetik, motra juaj me astmë, apo vëllai juaj me kancer? Sa mirë do ta përballonit ju infektimin me pneumoni, apo edhe një ftohje të zakonshme, nëse nuk do të kishit ngrënë më shumë se sa një vakt të vogël ushqimor në ditë për muaj të tërë?
Si do ta përballonte gruaja juaj një lindje të vështirë, nëse nuk do të kishte anestezi, një spital aty pranë apo një spital që mezi funksionon të mbipopulluar me viktima nga bombardimet e fundit të ushtrisë së Izraelit.
Dhe cilat do të ishin shanset që të mbijetonte foshnja juaj, në rast se nëna e saj nuk do të mund të prodhonte dot qumësht për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm? Po nëse nuk do të mundeshit t’i jepnit foshnjës as edhe një ushqim formule në biberon, sepse Izraeli bllokon ndihmat humanitare nga hyrja në enklavë?
Por nëse arrin ta sigurosh qumështin formulë, por furnizimi me ujë të ndotur nuk ta lejon përzierjen? Asnjë nga këto lloje vdekjesh nuk përfshihet në shifrën zyrtare 70.000. Dhe të gjithë precedentët, tregojnë se më shumë njerëz vriten përmes këtyre metodave indirekte, se sa drejtpërdrejt përmes lëndimeve fatale nga bombat dhe plumbat.
Sipas një letre nga ekspertë të kësaj fushe drejtuar revistës “The Lancet”, studimet e luftërave të tjera - shumica e të cilave shumë më pak shkatërruese se ajo e Izraelit në enklavën e vogël - tregojnë se 3-15 herë më shumë njerëz vriten nga metodat indirekte të luftës, në vend të atyre të drejtpërdrejta.
Autorët vlerësojnë në mënyrë konservative një numër të tërthortë vdekjesh, që është 4 herë më të madh se sa numri i të vdekurve direkt nga lufta. Kjo do të thotë se të paktën 280.000 palestinezë janë vrarë në Gaza përmes veprimeve kriminale të Izraelit.
Realiteti ka të ngjarë të jetë edhe më i hidhur. Kjo pa përmendur qindra mijëra palestinezë që kanë pësuar lëndime të tmerrshme dhe trauma psikologjike. Planifikuesit e luftës së Izraelit, e dinë saktësisht se si funksionon ky raport midis viktimave direkte dhe indirekte.
Dhe kjo është arsyeja pse ata zgjodhën të shkatërrojnë pothuajse çdo shtëpi në Gaza, të bombardojnë nënstacionet dhe kabinat e energjisë elektrike, sistemin e kanalizimeve dhe ujit, të shkatërrojnë spitalet dhe të bllokojnë ndihmat muaj pas muaji.
Ata e dinin se kjo do të ishte mënyra se si Izraeli mund të kryente një gjenocid, ndërkohë që u ofronte aleatëve të tij - qeverive perëndimore dhe ushtrisë së lobistëve të saj - një “amnisti” ndaj bashkëpunimit të tyre aktiv.
I ashtuquajturi armëpushim i presidentit të SHBA-së Donald Trump, është vetëm një tjetër mashtrim në këtë lojë të pafundme tymi dhe pasqyrash. Agjencia e OKB-së për mbrojtjen e fëmijëve, UNICEF, raporton se më pak se një e katërta e kamionëve me ndihma po hyjnë në Gaza për shkak të bllokadës së vazhdueshme të Izraelit, pavarësisht angazhimeve formale të tij si pjesë e “armëpushimit”.
Me sa duket, kjo sjellje kriminale nuk regjistrohet si një shkelje e rëndë e armëpushimit.
Ajo po kalon pa u vënë re. UNICEF raporton më tej se vetëm në tetor, në fillim të të ashtuquajturit “armëpushim”, gati 18.000 nëna dhe foshnje të reja u desh të shtroheshinnë spital në Gaza për shkak të kequshqyerjes akute.
Pra siç po e shohim të gjithë, gjenocidi në Gaza nuk ka mbaruar. Izraeli mund ta ketë ngadalësuar shkallën e vrasjeve të drejtpërdrejta që po kryen duke bombarduar Rripin, por vrasjet indirekte vazhdojnë pa u pakësuar.
Dhe kështu vazhdon edhe “debati” i sajuar nga Izraeli në Perëndim, i projektuar enkas për të lënë në hije dhe justifikuar vrasjen masive të popullsisë së Gazës.
Shënim: Jonathan Cook, është një gazetar britanik i vlerësuar me shumë çmime. Ai jetoi në Nazaret të Izraelit për 20 vjet dhe u rikthye në vitin 2021 në Mbretërinë e Bashkuar. Është autor i 3 librave mbi konfliktin Izrael-Palestinë: “Gjaku dhe feja: Demaskimi i shtetit hebraik” (2006), Izraeli dhe përplasja e qytetërimeve: Iraku, Irani dhe plani për ta riformatuar Lindjen e Mesme” (2008) dhe “Palestina që zhduket: Eksperimentet e Izraelit me dëshpërimin njerëzor” (2008).