Lufta e mundshme me Sirinë do të sjellë kolapsin e regjimit s.ionist të I.zraelit
Një vit pas rënies së regjimit të Asadit, strategjia rajonale gjithnjë e më agresive e Tel Avivit, e ka lënë atë të zhytur në konflikte në disa fronte në rajon. Por këmbëngulja për të mos u larguar nga një pjesë e Sirisë, do t’i hapë regjimit të Netanjahut shumë më tepër probleme sesa Gaza…
Nga David Hearst “Middle East Eye”
Tashmë është mbushur një vit që nga rënia e udhëheqësit sirian Bashar Al-Asad. Shumë nga aktorët e huaj të përfshirë në luftën civile atje po merrnin pjesë në Forumin e Dohas, ndërsa Alepo, Homsi, Hama dhe Damasku ranë si një shtëpi prej letrash në duart e forcave rebele që po përparonin me shpejtësi.
Në atë moment po e shikoja me vëmendje Ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, teksa ndiqte lajmet nga ekrani i televizorit. As fytyra e çuditshme e shefit të diplomacisë më jetëgjatë në botë, nuk mundi ta fshihte atë që po mendonte. Lavrov u shfaq shumë nervoz edhe në konferencën për mediat.
Refuzoi të komentonte lajmet mbi Sirinë duke kërkuar që të fliste vetëm për Ukrainën. Sapo Abu Mohammad Al-Jolani hoqi uniformën e tij ushtarake dhe u bë Ahmed Al-Shara, presidenti i përkohshëm sirian filloi të predikonte paqen.
I vetëdijshëm për faktin se e kishte modeluar nofkën e tij luftarake sipas historisë së të atit, një refugjat nga Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli, dhe për faktin se si luftëtar ishte shprehur: “Ne jo vetëm që do të hyjmë në Damask; po na pret edhe Jerusalemi”, Shara nxitoi të sinjalizonte se administrata e tij nuk do të përbënte asnjë kërcënim për Izraelin.
Guvernatori i ri i Damaskut, Maher Maruan, shkoi më tej, duke deklaruar në një intervistë për radion amerikane NPR:”Ne nuk kemi frikë nga Izraeli dhe problemi ynë nuk është me Izraelin. Dhe ne nuk duam të ndërhyjmë në asgjë që do të kërcënojë sigurinë e Izraelit ose sigurinë e ndonjë vendi tjetër...Duam paqe dhe s’mund të jemi kundërshtarë të Izraelit ose të askujt”.
Këto deklarata u bënë në kulmin e gjenocidit në Gaza dhe i dekurajuan palestinezët, të cilët prisnin që Siria t’i mbështeste. Por regjimi i ri pasqyronte lodhjen e vërtetë të një populli që kishte kaluar nëpër luftën civile më të përgjakshme në rajon gjatë 14 viteve të fundit.
Një vit më vonë, gjendja shpirtërore e popullit sirian ka ndryshuar drastikisht. Në një paradë ushtarake të kohëve të fundit ku mori pjesë Shara, trupat siriane brohoritën në kor: “Gaza, Gaza, Gaza, slogani ynë, natë e ditë, bombardime dhe shkatërrime. Po vijmë për ju, armiku ynë, po vijmë”.
Menjëherë pas këtij momenti, një ministër i qeverisë izraelite la të nënkuptohej mundësinë e një lufte të mundshme me Sirinë. Disa ditë më parë, një sulm para agimit në një fshat në jug të Damaskut për pak sa nuk u shndërrua në një katastrofë ushtarake për Izraelin.
Sipas mediave lokale, në fund të nëntorit, helikopterët dhe artileria izraelite goditën Beit Xhin, 50 km në jugperëndim të Damaskut, ndërsa ushtarët sulmuan shtëpitë dhe rrëmbyen 3 fshatarë.
Më pas pati një shkëmbim zjarri, ndërsa i gjithë fshati iu bashkua përpjekjeve për të sprapsur pushtuesit izraelitë. Avionë luftarakë u vunë në gatishmëri, ndërsa izraelitët u rrethuan. Kur ata u tërhoqën, 13 sirianë ishin vrarë dhe 25 të tjerë ishin plagosur, ndërsa 6 ushtarë izraelitë u plagosën, tre prej të cilëve rëndë.
Po çfarë ndodhi brenda një viti, që e ndryshoi atmosferën në Siri? Izraeli kishte një zgjedhje kur Shara erdhi në pushtet: mund të kishte përshëndetur ndryshimin e regjimit dhe të kishte krijuar një aleat të ri në Siri, sidomos nëse do të ishte ofruar të ndihmonte Al-Shara të afrohej me Uashingtonin.
Në vend të kësaj, Izraeli nisi një bombardim masiv, që brenda pak ditësh shkatërroi forcën ajrore të Sirisë, fundosi flotën e saj dhe rrafshoi radarët e mbrojtjes ajrore. Menjëherë pas kësaj, forcat izraelite filluan një inkursion tokësor në Sirinë Jugore.
Objektivi i tij i parë ishte të pushtonte Malin Hermon , por më vonë mori kontrollin e një zone më të madhe se sa Gaza. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e ka mbrojtur pushtimin si “të domosdoshëm për të mbrojtur komunitetet e Golanit dhe Galilesë nga kërcënimet”, duke përmendur si motiv kryesor sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023.
Por arsyetime të tilla janë vetëm për konsum publik. Izraeli ka kohë që ka plane për të dobësuar përgjithmonë Sirinë duke e ndarë atë në kantone, dhe duke e shndërruar në një version të Libisë së sotme. Siç raportova në kohën e rrëzimit të Asadit në dhjetorin e vitit të kaluar, shpejtësia me të cilën u shemb regjimi i tij i kapi në befasi si miqtë ashtu dhe armiqtë.
Kjo i pengoi planet e Tel Avivit për të vendosur lidhje ushtarake dhe strategjike me kurdët në veri dhe druzët në jug, duke e lënë Asadin të dobësuar dhe nën kontrollin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Pushtimi i Sirisë Jugore nga Izraeli dhe bombardimet e tij - më shumë se 600 që kur Sharaa është ngjitur në pushtet - janë përballur me mosveprim ushtarak si nga Damasku ashtu edhe nga Ankaraja, inteligjenca ushtarake e të cilës i ndihmoi forcat rebele të pushtonin Alepon.
Përgjigja e parë e Shara ndaj kërcënimit izraelit ishte diplomatike. Ai iu drejtua për ndihmë Arabisë Saudite. Muhamed Bin Salman i tha se mbretëria e kishte humbur njëherë Sirinë, dhe nuk do ta bënte më këtë gabim. Bin Salman e prezantoi Shara me presidentin e SHBA-së Donald Trump, dhe kjo i hapi rrugën një vizite në Shtëpinë e Bardhë dhe heqjes së sanksioneve ekonomike.
Që nga ajo kohë, idetë e Trumpit mbi Sirinë, dhe ato të të dërguarit të tij Tom Barak, kanë qenë fuqimisht pro kreut aktual të Sirisë. Fundjavën e kaluar, mbështetja e Trump për Shara u vu nën një provë të fortë kur dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil u vranë në një sulm të Shtetit Islamik (ISIS) në Sirinë Qendrore.
Por Trump nuk u kthye kundër ish-luftëtarit të Al-Kaedës. Ai i besoi indinjatës së udhëheqësit sirian për sulmin dhe faktin se Damasku nuk e kontrollonte zonën ku ndodhi ngjarja. Trump u zotua për një përgjigje të ashpër - por kundër ISIS-it, dhe jo, siç mund të kishte qenë dikur e lehtë, kundër Damaskut.
I pa kundërshtuar në frontin ushtarak, Izraeli ndihet gjithnjë e më i frustruar nga Trump në frontin diplomatik. Një tregues i qartë i kësaj, është deklarata e fundit e nënkolonelit Amit Jagur, i cili shkroi së fundmi në gazetën “Maariv”, se Barrak nuk duhej të besohej sepse është shumë i ndikuar nga vendi ku jeton aktualisht, Turqia.
Jagur tha se Siria “nuk ishte një shtet historik”, por më tepër një “mbledhje sektesh të bashkuara për t’i shërbyer nevojave të mandatit francez”. Në praktikë, theksoi ai, Shara ishte kryetari i bashkisë së Damaskut dhe periferive të tij. Nga ana tjetër, edhe Shara e ka përshkallëzuar retorikën.
Në Forumin e Dohas të këtij viti, presidenti i përkohshëm i Sirisë, e akuzoi Izraelin se po eksporton kriza në vendet përreth rajonit për të shkëputur vëmendjen nga masakrat e tij të tmerrshme në Gaza. Por ai mbështetet ende tek Trump për të ndërmjetësuar një tërheqje të Izraelit nga pjesa jugore e Sirisë.
Vetë Netanjahu është zotuar të mos tërhiqet nga Siria Jugore.Madje shkoi më tej në një fjalim në Samitin DealBook të New York Times, ku i përshkroi si “të pafundme” luftërat që ka nisur.
“E fituam këtë luftë, por ajo nuk mbaron kurrë. Është sikur nëse ke kancer dhe e heq, ai mund të kthehet prapë. Tek disa lloje kanceri, nëse nuk e heq masën kanceroze vdes”- tha Netanyahu.
Kjo është një metaforë shumë demaskuese për planet e tij djallëzore. Sepse siç do t’ju thotë çdo mjek, kanceri mund të rishfaqet sepse qelizat kancerogjene bëhen më të forta dhe më rezistente ndaj trajtimit, dhe pacienti dobësohet. Në fund, trajtimi i përdorur për të luftuar kancerin mund ta vrasë pacientin.
Sipas kësaj analogjie, Netanyahu po e pranon se Izraeli nuk do ta fitojë kurrë këtë konflikt dhe në fund do t’i nënshtrohet atij. Duke menduar se e ka mundur Hezbollahun, Iranin dhe tani Hamasin; duke shkelur hapur marrëveshjet e armëpushimit që ka nënshkruar; dhe duke dominuar Libanin jugor dhe Sirinë jugore, forcat ushtarake të Izraelit janë dukshëm në pikën e sfilitjes, sidomos nëse të gjitha këto fronte do të jenë përgjithmonë aktive.
Për këtë arsye, Siria mund të jetë pika e kthesës së ambicieve ushtarake gjithnjë e më agresive të Izraelit. Profecia e Netanyahut mund të bëhet vetëpërmbushëse, dhe kur të ndodhë kjo, situata do të dalë jashtë kontrollit të tij.
Shënim:David Hearst, është bashkëthemelues dhe kryeredaktor i “Middle East Eye”.