Lidhje


Evropa e ka humbur të gjithë besueshmërinë, por ja si mund të rikthehet në Lindjen e Mesme

Roli i Evropës në Lindjen e Mesme është dëmtuar rëndë nga qëndrimi i saj imoral ndaj luftës në Gaza dhe nga vetë-përjashtimi nga diplomacia bërthamore e Iranit. Një qëndrim më i zëshëm ndaj procesit të paqes në Rrip por dhe ndaj zhvillimeve në Siri, Liban dhe Irak.

 

Nga Nathalie Tocci “The Guardian”

 

Një vit pas rrëzimit së diktatorit të Sirisë, Bashar Al-Asad, presidenti i ri, Ahmed Al-Shara, mbajti një fjalim në Forumin e Dohas në fillim të këtij muaji, duke iu përgjigjur me shkathtësi pyetjeve rreth të kaluarës së tij të debatueshme, dhe duke përshkruar udhëtimin kompleks të vendit të tij drejt një sistemi demokratik dhe të bazuar në rregulla.

 

Ndërsa po e dëgjoja, më ra në sy se ndërsa roli i Evropës në Lindjen e Mesme është dëmtuar rëndë nga qëndrimi i saj imoral ndaj luftës në Gaza dhe nga përjashtimi i vetë-shkaktuar nga diplomacia bërthamore e Iranit, evropianët kanë ende një rol për të luajtur kur bëhet fjalë për fqinjët e tyre në Mesdheun Lindor.

 

Roli i Evropës është dëmtuar shumë nga afrimi i Uashingtonit me Moskën në lidhje me luftën e Ukrainës dhe përçarja transatlantike, ndërsa administrata Trump po e trajton Evropën si një kundërshtare. Një dimension tjetër, është mungesa e rëndësisë në rritje të Evropës në Lindjen e Mesme.

 

Vetëm nëse evropianët e pranojnë se e kaluara është pas tyre, mund të shpresojnë që të rifitojnë një rol konstruktiv e më të pavarur në rajon. Pas krizës së Suezit në vitin 1956, e cila shënoi fundin e dominimit kolonial evropian në Lindjen e Mesme, evropianët u dorëzuan duke luajtur rolin e “violinës së dytë” pas SHBA-së.

 

Uashingtoni i merrte vendimet dhe qeveritë dhe opinioni publik evropian nuk ishin gjithmonë dakord, veçanërisht gjatë luftës në Irak në vitin 2003. Megjithatë, zakonisht SHBA-ja e ftonte Evropën të mbështeste iniciativat e saj dhe fund ajo bindej ta bënte këtë.

 

Kontrata sociale që mbështeste marrëdhënien transatlantike, me Evropën e mbrojtur nën ombrellën e sigurisë së SHBA-së, e bënte të vlefshme atë marrëveshje. Kjo nuk do të thoshte se qeverive evropiane u mungonte ndikimi në Lindjen e Mesme.

 

Ato luajtën role vendimtare gjatë procesit të paqes së Oslos, duke mbështetur Organizatën për Çlirimin e Palestinës si embrionin e një shteti në formim e sipër. Për më tepër, diplomacia evropiane çoi përpara me durim përpjekjet shumëpalëshe që çuan përfundimisht në marrëveshjen bërthamore të Iranit.

 

Megjithatë në çdo rast, roli i Evropës - edhe kur ishte në kundërshtim me atë të Uashingtonit - synonte të mbështeste lidershipin e SHBA-së në rajon, duke zbutur teprimet e saj hegjemonike. Ndonjëherë ia doli mbanë; por shpesh dështoi. Megjithatë kuadri politik mbeti i pandryshuar.

 

Sot ky kuadër nuk ekziston më. Evropa është tërhequr nga Lindja e Mesme, e konsumuar nga lufta në kontinentin e saj. Konflikti në Ukrainë, jo vetëm që ka përthithur pjesën më të madhe të vëmendjes së politikës së jashtme të Evropës, por edhe e ka shtrembëruar perspektivën e saj politike mbi Lindjen e Mesme.

 

Sigurimi i mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, veçanërisht nën Donald Trumpin, ka kërkuar pranimin pa kritikë të politikave rajonale të Uashingtonit, përfshirë edhe bombardimin e paligjshëm të Iranit.

 

Irani, i parë prej kohësh si problematik për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, forcave të ndërmjetme dhe programit bërthamor, papritmas u bë një kundërshtar në sytë e Evropës për shkak të lidhjes së tij strategjike me Rusinë.

 

Nga ana e saj, SHBA-të nuk e shohin më Evropën si partneren e tyre kryesore në Lindjen e Mesme. Me forcimin e aktorëve rajonalë - veçanërisht shteteve të Gjirit dhe Turqisë - Uashingtoni po angazhohet tani drejtpërdrejt me Riadin, Dohën, Abu Dabin ose Ankaranë. Anashkalimi i Evropës, ishte tashmë i dukshëm që gjatë administratës së Xho Bajden, kryesisht për shkak të mungesës së rëndësisë së saj të vetë-shkaktuar. Nën Trumpin, ky përjashtim është bërë refleksiv, pasi administrata e tij kërkon ta shtyjë Evropën akoma më tej në periferi.

 

As lojtarët rajonalë nuk po e kërkojnë me ngulm rikthimin e Evropës. Por ç’është më e rëndësishmja, refuzimi i saj kokëfortë dhe imoral për të mos e përdorur ndikimin e saj për t’i dhënë fund luftës shkatërruese të Izraelit në Gaza, e ka shkatërruar atë pak besueshmëri që i kishte mbetur.

 

Kur kancelari gjerman, Friedrih Merc, deklaroi hapur se Izraeli po bënte “punën e pistë” të Evropës duke sulmuar Iranin, u duk se Evropa preku fundin. Tani ajo nuk akuzohej më për standarde të dyfishta; me pak përjashtime - si Spanja, Norvegjia, Irlanda dhe herë pas here Franca - por po shihej sikur s’kishte fare standarde.

 

Pra nuk kishte as ndikim dhe as parime: Evropa thjesht ishte fshirë nga harta. Sot, çdo shpresë për një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, apo edhe për përparim drejt një shteti palestinez, nuk buron nga përpjekjet diplomatike evropiane.

 

Në fakt, udhëheqësit evropianë vazhdojnë të fshihen pas planit të paqes të Trump, duke shmangur çdo ndikim që mund të ushtrojnë mbi Izraelin. Edhe një lloj shprese që ekziston, vjen nga ndërmjetësimi i Katarit, me Turqinë, Arabinë Saudite dhe Egjiptin që po luajnë një rol shumë të rëndësishëm.

 

Ngjashëm, nëse diplomacia SHBA-Iran do të rifillojë në të ardhmen, është e sigurt që qeveritë evropiane nuk do ta udhëheqin këtë proces. Grupi E3 - Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe - e minoi pozicionin e vet duke shkaktuar “rikthimin” e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit, dhe duke i dhënë fund marrëveshjes bërthamore, Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, të cilin ata kishin ndihmuar dikur për ta arritur përmes ndërmjetësimit në negociata.

 

Tani çdo përparim varet nga dakordësia midis shteteve të Gjirit dhe Iranit, dhe veçanërisht nga roli i mundshëm i Arabisë Saudite në lehtësimin e bisedimeve midis Uashingtonit dhe Teheranit. Me pak fjalë për çështjet më urgjente të Lindjes së Mesme - konflikti izraelito-palestinez dhe Irani - qeveritë e Evropës, mund të mbështesin në rastin më të mirë përpjekjet e vendeve të Gjirit për të ndikuar tek Trump.

 

Kjo mbështetje ka rëndësi, veçanërisht për Gazën, ku një armëpushim i brishtë mund të dështojë nëse ngec plani i Trump. Por roli i Evropës në këtë rajon, është reduktuar në një status të nivelit të tretë.

 

Gjithsesi, Lindja e Mesme mbetet fqinja e Evropës dhe do të ishte naive të supozohej se evropianët mund të mbeten të shkëputur për një kohë të pacaktuar. Me një hapësirë të zvogëluar për manovrim, Evropa duhet të përqendrohet në Levant dhe konkretisht në Liban, Irak dhe Siri. Këto vende janë jashtëzakonisht të brishta. Libani po përballet me një proces kompleks reformash, me kërcënimin e vazhdueshëm të luftës, ndërsa Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuar 5 zona në pjesën jugore të vendit.

 

Iraku ka arritur të qëndrojë jashtë krizave më të fundit të rajonit, duke u përpjekur të ruajë një ekuilibër delikat, ndërsa po synon të arrijë një autonomi më të madhe pa u armiqësuar me Teheranin. Edhe Siria mbetet e brishtë, teksa përpiqet të pajtojë drejtësinë dhe kohezionin shoqëror dhe teksa përballet me një Izrael ekspansionist dhe agresiv.

 

Me përjashtim të Sirisë, ku Donald Trump ka treguar njëfarë interesi - duke kulmuar me vizitën e presidentit Al-Shara në Uashington - SHBA nuk është shumë e angazhuar në Liban apo Irak.

 

Dhe ndërsa aktorët rajonalë janë thelbësorë, qoftë për ndikimin e tyre në fushën e sigurisë (si rasti i Turqisë në Siri) apo mbështetjen ekonomike (si ai i vendeve të Gjirit), ekziston një boshllëk, të cilën Evropa mund të ndihmojë që ta mbushë.

 

Ndërsa rendi liberal ndërkombëtar është në kaos, mbështetja për qeverisjen e mirë mund të mos jetë më në modë, por po kërkohet me ngulm në Levant. Pikërisht këtu është vendi ku Evropa mund të japë ende një kontribut pozitiv.

XS
SM
MD
LG