Lidhje


I.zraeli po “shpërthen”

Në heshtje, por në mënyrë të qëndrueshme, ndikimi gjeopolitik i Izraelit po tkurret, ndërsa shteti po shkon drejt kolapsit të plotë...

                                                                                                             

Nga Ori Goldberg “Al Jazeera”

 

Izraeli mund t’u duket shumë njerëzve si një fitues, një hegjemon de facto në Lindjen e Mesme. Ai ka zhvilluar luftë në disa fronte njëkohësisht, duke u dhënë goditje vdekjeprurëse armiqve të tij. Paralelisht, ai vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë nga grupe dhe udhëheqës të ndryshëm perëndimorë, veçanërisht nga ata që përballen me sfida të vërteta prej të djathtës ekstreme në vendet e tyre.

 

Por nën sipërfaqe, Izraeli po shpërthen. Një koalicion ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara me pjesëmarrjen e Katarit, Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Turqisë, po e heq gradualisht Gazën nga kontrolli i Izraelit, si dhe po ushtron presion mbi të që të heqë dorë nga aventurat territoriale në Siri dhe Liban.

 

Kjo po kundërshtohet publikisht nga qeveria izraelite, por duket se po kryhet me pranimin e heshtur të kryeministrit Benjamin Netanjahu, i cili tani e ka kuptuar se kërcënimi i luftës i shërben më mirë sesa vetë lufta.

 

Kjo ndodh veçanërisht pasi ai dështoi të arrinte “qëllimet e tij të luftës” - shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve të gjallë; duket se ushtria izraelite mund të ketë vrarë shumë më tepër pengje sesa supozohej fillimisht.

 

Mbështetja pa kushte që Izraeli merrte dikur nga SHBA-ja dhe Evropa po pakësohet, e po ashtu edhe bashkëpunimi me shtetet e Gjirit. Palestinezët, ashtu si Vëllazëria Myslimane, për dekada të tëra janë perceptuar si një kërcënim më i madh për statuskuo-në rajonale sesa izraelitët. Ndërkohë që dikur udhëheqësit perëndimorë garonin se kush do të dënonte më shpejt Hamasin dhe do të lavdëronte luftën e Izraelit për “vlerat perëndimore”, të njëjtët udhëheqës janë shumë më të qetë tani që provat e vazhdueshme të gjenocidit izraelit po vijnë nga Gaza. Edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shumë më pak për të thënë për Hamasin sesa dikur.

 

Është qartësisht e vështirë për udhëheqësit perëndimorë të pranojnë se Izraeli është bërë një agjent i kaosit rajonal. Është shumë më e lehtë që gradualisht, në mënyrë të fshehtë, t’i hiqen levat e tij të fuqisë, dhe ta detyrojnë të përballet me realitetin e ri, pa i bërë udhëheqësit izraelitë të humbasin publikisht fytyrën.

 

S’ka nevojë për një përballje të drejtpërdrejtë me Izraelin. Mjafton t’i tregosh herë pas herë një qëndrim të ftohtë dhe ta lësh në pritje. Pavarësisht protestave për të kundërtën, Izraeli ka nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar për të sulmuar dhe pushtuar Sirinë, Libanin, Jemenin dhe Iranin.

 

Kjo është edhe arsyeja pse operacionet e tij po pakësohen gradualisht. Tani ushtria izraelite është e zënë duke “gjuajtur” individë që dikur morën pjesë në sulme ndaj izraelitëve, në vend se të angazhohet në një zgjerim strategjik të radhëve të saj.

 

Këto janë aftësitë e Izraelit në këtë rend të ri. Ndërkohë, Izraeli mund të jetë duke humbur edhe në frontin diplomatik. Hamasi po negocion ndërsa qeveria izraelite po ngec. Nëse kjo gjë vazhdon, Izraeli do të përballet me një realitet që nuk e ka formësuar vetë.


Për shembull, flitet për izraelitët që detyrohen të paguajnë për heqjen e rrënojave që ushtria krijoi gjatë më shumë se dy viteve shkatërrim në Gaza. Ndërkohë që Izraeli mund të jetë në rrugën e humbjes së statusit të tij si hegjemon i Lindjes së Mesme, shoqëria izraelite po ia kushton të gjithë energjinë e saj grindjeve të brendshme “për shpirtin e Izraelit” dhe intensifikimit të pushtimit të paligjshëm të territorit palestinez.

 

Izraelitët po e humbasin besimin në ekzistencën e një bote jashtë kufijve të tyre. Nëse ekziston një botë e tillë, shumë besojnë se ajo e urren Izraelin me shumë pasion, pavarësisht veprimeve të tij. Diskursi izraelit, po përqendrohet gjithnjë e më shumë në çështje që variojnë nga kërcënimet ndaj hebrenjve deri tek populli i izraelit, duke braktisur bisedat për trazirat “gjeostrategjike” që ishin të zakonshme vetëm 6 muaj më parë.

 

Ekziston gjithashtu një shpërfillje e madhe për realitetet globale dhe opinionin publik. Për shembull, marrim skandalin e ri që ka prekur Forcat Ajrore Izraelite (IAF). Pilotët e ardhshëm luftarakë, në prag të diplomimit pas 2 viteve trajnim, iu nënshtruan një “simulimi burgimi” 1-javor, që konsiderohet si pjesa më e vështirë e stërvitjes.

 

Më pas, ata u dërguan në një hotel në një vend sekret për të marrë veten. Kadetët ua zbuluan vendndodhjen familjeve të tyre, të cilat i vizituan gjatë fundjavës. Disa prej tyre pinin alkool. Madje oficeri i tyre i lejoi ta bënin këtë. Kadetët do të përballen që të gjithë me masa disiplinore.

 

Komandanti i IAF-së, Tomer Bar, sqaroi se “nuk do të jepet asnjë masë lehtësuese për çështje që prekin vlerat që janë themeli i etikës të korpusit”. Ky është një kolaps i shtetit. Forcat Ajrore Izraelite, janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të shkatërrimit në Gaza, përfshirë bombardimin e banesave dhe infrastrukturës civile, gjë që ka tmerruar botën dhe e ka zhveshur ushtrinë izraelite nga pretendimi i saj si “më e moralshmja”.

 

E megjithatë, ironikisht, IAF flet ende për “vlera” dhe “etikë”. Pilotët janë krahu kryesor i gjenocidit, por ajo që ka rëndësi për udhëheqjen është konsumi i paautorizuar i alkoolit.

 

Kadetët dhe pilotët në përgjithësi, u paraqitën nga media si përfaqësues të elitave të vjetra izraelite, moralisht të falimentuara dhe pa busull, të degraduara në krahasim me elitat e rejaqë rrafshuan Gazën dhe që, sipas propagandës së Tel Avivit, vdiqën për “Popullin e Izraelit”.

 

Në kundërpërgjigje, pilotët si kolektiv vlerësuan besnikërinë e tyre ndaj qeverisë dhe sigurisë së shtetit, si dhe angazhimin për të vazhduar operacionet në Gaza për aq kohë sa “qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike” - kundër së cilës ata vetë kanë protestuar vazhdimisht - i udhëzon ta bëjnë këtë.

 

Ndoshta edhe më e rëndësishme: Izraeli po humbet koherencën e tij të brendshme. Fëmijët e pa vaksinuar po vdesin nga fruthi dhe gripi. Bandat e adoleshentëve endacakë po sulmojnë palestinezët që drejtojnë autobusë ose pastrojnë rrugët.

 

Qytetarët palestinezë të Izraelit po vriten në shkëmbime zjarri nga bandat kriminale. Veteranët e “luftës” në Gaza, po kryejnë vetëvrasje në numra të paparë. Sistemi publik i spitaleve të shëndetit mendor është shembur nën këtë barrë të jashtëzakonshme, teksa vizitat planifikohen më shumë se një vit përpara.

 

Mësimet në shkollat shtetërore po anulohen çdo ditë, pasi mësuesit e gjejnë veten duke u kujdesur për fëmijët e tyre, të cilët po ashtu kanë mbetur pa mësues. Ministria e Arsimit ka pranuar dorëheqjen e 25 udhëheqësve të nivelit të lartë gjatë qeverisjes aktuale të Netanjahut, shumica e të cilëve përmendin si shkak ndërhyrjen politike në punën e tyre profesionale.

 

Në Tel Aviv, punonjësit bashkiakë inkurajohen të punojnë vullnetarisht një herë në javë në kopshtet dhe çerdhet e qytetit, sepse nuk ka një personel të kualifikuar. Ndërkaq, ka një mungesë të theksuar gjyqtarësh në sistemin gjyqësor, pasi Ministri i Drejtësisë ka ndërprerë komunikimin institucional me kryetarin e Gjykatës së Lartë, ndërkohë që miratimi i të dyve është i nevojshëm për emërimet e reja.

 

Dy ministra në qeverinë aktuale mbajnë 9 portofole ministrore, sepse partitë ultra-ortodokse u larguan nga koalicioni dhe nuk kthehen pa u tërhequr ligji për rekrutimin e detyrueshëm ushtarak të hebrenjve Haredi. Shteti izraelit po shndërrohet me shpejtësi në një guackë të zbrazët.

 

Institucionet po dështojnë, nëpunësit publikë po largohen dhe të emëruarit politikë që u shërbejnë padronëve të tyre, janë të vetmit që kanë mbetur për të mbushur boshllëqet. Izraeli i sotëm, është i destinuar të shkojë drejt mjerimit institucional, financiar dhe kulturor, ose drejt shembjes si shtet.

 

Shënim: Ori Goldberg është analist izraelit për çështjet e Lindjes së Mesme.

XS
SM
MD
LG