Lidhje


Gje.nocid me mjete të tjera: Foshnjat palestineze po v.riten tani jo nga bombat, por nga ekspozimi i detyruar ndaj kushteve të egra të dimrit

Në fillim, Izraeli e shndërroi ushqimin në një armë për të thyer rezistencën palestineze; ndërsa tani e ka shndërruar natyrën në një armë të re lufte. 16 fëmijë kanë vdekur javët e fundit nga përmbytjet, të ftohtit apo shembja e strukturave gjysmë të rrënuara ku janë strehuar mijëra familje. “Paqja” e bërë mbi varret e foshnjave të ngrira do të qëndrojë si një padi, jo ndaj motit, por ndaj njerëzimit. Kjo nuk është paqe; ky është një gjenocid me mjete të tjera.

 

Nga Jamal Kanj “Middle East Monitor”

 

Bombardimet në Gaza mund të jenë pakësuar, por fëmijët palestinezë vazhdojnë të vdesin. Këtë herë, jo nga sulmet ajrore izraelite, por nga të ftohtit dhe shembja e strukturave të dëmtuara nga lufta.

 

Izraeli e ka shkelur marrëveshjen e armëpushimit duke penguar hyrjen e shërbimeve jetike për fëmijët dhe strehimoreve thelbësore për të mbrojtur civilët, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan nga dy vjet gjenocid.

 

Pra, Tel Avivi po kryen një krim lufte me mjete të tjera: vdekje më e ngadaltë, më pak e dukshme, por më torturuese, e shkaktuar përmes privimit dhe ekspozimit ndaj kushteve vdekjeprurëse.

 

Shirat e rrëmbyeshëm të javëve të fundit kanë përmbytur kampet me tenda në Gaza, duke shkatërruar strehimoret e improvizuara dhe duke shkaktuar shembjen e ndërtesave të dëmtuara mbi familjet që ndodheshin brenda.

 

Për banorët e Gazës nuk ka një strehim të përshtatshëm, sepse Izraeli e ka bllokuar enkas hyrjen e tij në vendkalimin kufitar në Rafah. Të paktën 16 palestinezë, përfshirë foshnja, kanë vdekur si pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre kushteve.

 

Amnesty International i përshkroi me të drejtë këto vdekje si një “tragjedi krejtësisht të parandalueshme”. Sepse nuk ishte moti i keq që vrau këta fëmijë, por shkelja e kushteve të armëpushimit nga ana e Izraelit.

 

Pas më shumë se dy muajsh mosrespektimi të armëpushimit, Izraeli ka vrarë dhe plagosur më shumë se 1,400 palestinezë dhe vazhdon të kufizojë pjesën më të madhe të ndihmës humanitare dhe furnizimet jetike të nevojshme për të riparuar sistemin e infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve.

 

Kjo sjellje kriminale vazhdon pavarësisht një opinioni këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që rikujton detyrimet që ka Izraeli si një fuqi pushtuese, por edhe një rezolute të fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që kërkon nga Tel Avivi zbatimin e detyrimeve që burojnë nga ligjet ndërkombëtare.

 

Por realiteti në terren tregon një histori tjetër: vetëm UNRWA ka në dispozicion sasi të mëdha mjetesh strehimi për deri në 1.3 milion njerëz, të cilat presin jashtë Gazës sepse u ndalohet hyrja në zonë.

 

Pas zhvendosjeve të përsëritura, shkatërrimit ose dëmtimit të të paktën 92 për qind të strukturave të Gazës dhe përcaktimit të gati 58 për qind të territorit si zona të ndaluara, shumica e palestinezëve jetojnë tani në tenda të rrënuara ose strehohen nën pllaka betoni të varura që janë gati të shemben në çdo moment.

 

Në fillim, Izraeli e shndërroi ushqimin në një armë për të thyer rezistencën palestineze; ndërsa tani e ka shndërruar natyrën në një armë të re lufte. Hetuesit e Amnesty dokumentuan ndërtesat që u shembën në kampet e refugjatëve Xhabalia, Al-Rimal, Sheikh Radwan dhe Al-Shati, duke dërmuar familje të tëra.

 

Muhamed Nassar humbi dy fëmijë, Linën dhe Gazin, kur ndërtesa e tyre e dëmtuar 5-katëshe u shemb nga stuhia. Ata ishin zhvendosur dy herë për shkak të sulmeve ajrore izraelite.

 

Pas dy vitesh gjenocidi, ata u kthyen në shtëpinë e tyre të shkatërruar, duke besuar se çatia e saj e varur prej betoni do të ishte më e sigurt sesa një tendë e përmbytur nga shiu. Por ajo u shemb duke i zënë poshtë. Ai vajtoi fëmijët e tij që i kishin mbijetuar bombardimeve,për t’u vrarë nga një stuhi.

 

UNRWA kishte paralajmëruar më shumë se një muaj më parë për dimrin e ashpër që po vinte: “Nevojitet urgjentisht më shumë strehim për njerëzit e Gazës. UNRWA i ka në kufi të gjitha mjetet e nevojshme, pret vetëm dritën jeshile për t’u futur”.

 

Por këto paralajmërime ranë në vesh të shurdhër dhe në ndërgjegje njerëzish të pamëshirshëm. Ja pra se si duket armëpushimi i ndërmjetësuar nga Trump kur bllokada mbetet e paprekur.

 

Përfundimi i Amnesty International ishte i qartë: Izraeli po vazhdon të shkaktojë qëllimisht kushte jetese të llogaritura enkas për të shkaktuar asgjësimin fizik të palestinezëve në Gaza. Objektivat e Izraelit mbetën të pandryshuara.

 

Nëse bombat dhe shkatërrimi nuk e bëjnë Gazën të pajetueshme, atëherë do të lihet natyra që ta përfundojë punën. Në mesin e një tragjedie që po zhvillohet kudo në Gaza dhe foshnjave që po ngrijnë për vdekje, presidenti i SHBA-së Donald Trump flet për sjelljen e “paqes” në Lindjen e Mesme “për herë të parë në 3.000 vjet”.

 

Edhe pse në pamje të parë duket absurde, kjo deklaratë është shumë zbuluese. Për Trumpin dhe për një kulturë më të gjerë politike që po e pranon një logjikë të tillë, “paqja” mbizotëron për sa kohë që viktimat nuk janë hebrenj izraelitë.

 

Foshnjat që ngrijnë për vdekje në Gaza nuk e shqetësojnë narrativën e rreme të “paqes”. As vrasja e ushtarëve amerikanë - të dërguar në Siri me urdhër të turmës që mendonte “Izraeli në radhë të parë” - nuk e shqetëson “paqen” iluzive të Trumpit. Vetëm jetët e hebrenjve izraelitë duket se llogariten si masë e qëndrueshmërisë. Vdekja bëhet e padukshme kur ndodh në anën tjetër, dhe paqja ripërcaktohet si mungesa e shqetësimit vetëm për izraelitët.

 

E njëjta egërsi sioniste është në veprim në Bregun Perëndimor të pushtuar prej tyre. Ndërsa Gaza po përmbytet, buldozerët shkatërrojnë kampet e refugjatëve palestinezë dhe turmat hebraike u vënë flakën shtëpive dhe ullinjve në të gjithë Bregun Perëndimor.

 

Në kampin Nur Shams, pranë Tulkaremit, ushtria izraelite ka lëshuar urdhra të rinj për të shembur 25 shtëpi të tjera palestinezësh. Udhëheqësit palestinezë dhe UNRWA paralajmërojnë se qindra njerëz përballen me zhvendosje të detyruar të menjëhershme, 77 vjet pas dëbimit të tyre të parë nga shtëpitë e tyre origjinale në Palestinën historike. Prishja e shtëpive palestineze përkon me miratimin e kolonive të reja vetëm për hebrenjtë. Po ku pritet të shkojnë këta refugjatë? Toka e tyre u grabit që në vitin 1948 dhe ata nuk kanë as mjetet financiare dhe as aftësinë për t'u zhvendosur diku tjetër në Palestinë.

 

Ndërkohë, qeveria izraelite vazhdon të shpronësojë edhe atë pak tokë që u ka mbetur për t’ua dhënë hebrenjve, ndërsa u mohon sistematikisht lejet e ndërtimit jo-hebrenjve. Në Gaza, zhvendosja imponohet nga rrethimi; në Bregun Perëndimor, nga prishja dhe grabitja e tokës, të dyja të kryera nga e njëjta fuqi keqdashëse.


Në secilin rast, vetëm palestinezët e paguajnë çmimin nën të ashtuquajturën “paqe”. 

XS
SM
MD
LG