Lidhje


Gramatika e mbijetesës: Pse në Lindjen e Mesme askush nuk po kërkon më zgjidhje

Më shumë se reforma, rajoni po përjeton një proces brutal filtrimi ku mbijetojnë vetëm elitat dhe sistemet që mbeten të dobishme. Gjuha e diplomacisë perëndimore është zëvendësuar nga një gramatikë e re e mbijetesës, ku krizat nuk shërbejnë për reflektim, por për izolim të rrezikut. Lindja e Mesme nuk po kërkon më zgjidhje për problemet e vjetra, por po mëson të jetojë brenda një qetësie të detyruar e me kushte shumë më të ashpra...

 

Nga Yassin K.Fawaz “Arab Weekly”

 

Për më shumë se një dekadë, Lindja e Mesme është përshkruar si një rajon në kolaps të përhershëm. Revolucionet dështuan. Shtetet u rrënuan. Luftërat u përhapën si epidemi dhe institucionet u gërryen deri në palcë.

 

Fjalori i përdorur ishte i njohur për të gjithë: brishtësi, tranzicion, reformë. Diplomatët perëndimorë hartonin “udhërrëfyes” dhe përcaktonin objektiva, ndërsa elitat lokale premtonin plane shpëtimi që nuk vinin kurrë. Por “shembja” nuk është më fjala e duhur.

 

Ajo që po përjeton tani Lindja e Mesme është diçka më e përllogaritur ftohtë, më e qetë dhe më përfundimtare: përzgjedhja. Rajoni nuk po reformohet. Ai po bën një lloj “inventari” brutal, duke ndarë sistemet që ende funksionojnë nga ato që kanë vdekur; elitat që mbeten të dobishme nga ato që janë kthyer në barrë; dhe kufijtë që ende imponojnë rend nga ata që ekzistojnë vetëm si vija në letër.

 

Ky nuk është një proces i negociuar. Nuk udhëhiqet as nga konsensusi, as nga vizioni. Ai po imponohet nga lodhja e skajshme. Nëse epoka e kolapsit ishte e zhurmshme, epoka e “renditjes” së përparësive është kirurgjikale.

 

Fundi i iluzionit të reformave

 

Ideja se kriza prodhon domosdoshmërisht reformë ka qenë një iluzion ngushëllues. Në teori, kolapsi ekonomik duhet të sillte llogaridhënie; lufta duhet të forconte institucionet; zemërimi popullor duhet të nxirrte udhëheqës të rinj. Në praktikë, ka ndodhur e kundërta.

Kriza është kthyer në një mekanizëm filtrimi. Shtetet nuk gjykohen më nga legjitimiteti, ideologjia apo sovraniteti. Ato gjykohen nga dobia: për popullsinë e tyre, për fuqitë rajonale dhe për aktorët e jashtëm, të cilët nuk pretendojnë më se besojnë te transformimi demokratik. Në këtë peizazh të ri, po lindin tri kategori të qarta:

 

Shtetet e forta: Vende me struktura të qarta komanduese dhe aftësi për t’u bërë ballë goditjeve. Izraeli bën pjesë këtu, pavarësisht polarizimit të brendshëm. Edhe Irani po ashtu, pavarësisht sanksioneve. Këto shtete mund të sulmohen, por mbeten rezistente.

 

Shtetet transaksionale: Janë kryesisht vendet e Gjirit. Fuqia e tyre nuk është ideologjike, por menaxheriale. Ato e shkëmbejnë stabilitetin dhe kapitalin me ndikim. Nuk synojnë të ndryshojnë rajonin, por të izolohen prej tij. Suksesi i tyre buron pikërisht nga refuzimi për të moralizuar.

 

Shtetet pa bosht: Libani, Iraku, Jemeni, Libia. Vende ku institucionet ekzistojnë si emra, por autoriteti i tyre është zhdukur. Këto sisteme nuk janë shembur plotësisht. Ato thjesht “qëndrojnë” në këmbë, por pa marrë asnjë vendim, duke pritur që fati i tyre të përcaktohet nga jashtë.

 

Lindja e Mesme pa zgjidhje

 

Gjuha e reformës nuk është zhdukur, por është zhvlerësuar. Tani ajo shërben si dekor diplomatik dhe jo më si një ambicie politike. Pyetja kryesore është shumë e thjeshtë: A mund të prodhojë ky sistem rezultate me një kosto të pranueshme?

 

Nëse përgjigjja është jo, zgjidhja nuk është më shpëtimi, por “izolimi i rrezikut”. Libani është shembulli më i qartë. Për vite me radhë, kriza e tij u trajtua si një mosfunksionim i përkohshëm që mund të rregullohej me një program të FMN-së apo një dialog kombëtar.

 

Sot, askush nuk beson më te rregullimi. Synimi nuk është më si të shpëtohet shteti, por si të parandalohet përhapja e paralizës së tij tek fqinjët. Rajoni po mëson të jetojë pa zgjidhje përfundimtare. Edhe milicitë po ndryshojnë rol.

 

Ato nuk po zhduken, por po bëhen tepër të kushtueshme për t’u mbajtur. Ndërsa shtetet sponsore përballen me vështirësi financiare, milicitë detyrohen të vetë-justifikohen: disa institucionalizohen, të tjerat ngurtësohen ose lihen në harresë.

 

Gaza dhe pasqyra e realitetit

 

Asgjë nuk e ilustron më mirë këtë rirenditje prioritetesh sesa lufta në Gaza. Shkalla e shkatërrimit ishte traumatike, por përgjigjja strategjike e botës arabe ishte habitshmërisht e përmbajtur. Sigurisht, pati samite dhe deklarata, por asnjë ndryshim rrënjësor të raporteve.

 

Mësimi ishte i hidhur: kauza palestineze nuk e mbledh dhe nuk e organizon më rajonin.

 

Ky nuk është një gjykim moral, por strukturor. Shtetet arabe kanë rirenditur prioritetet: mbijetesa e regjimit, mbrojtja e ekonomisë dhe në fund diplomacia e kujdesshme. Mjerisht, Gaza nuk e riorganizoi Lindjen e Mesme; ajo thjesht ekspozoi se kush ka ende fuqi për të vendosur dhe kush është kthyer në “zhurmë sfondi” në dramën e paqëndrueshmërisë rajonale.

 

Një stabilitet i shëmtuar

 

Ajo që po lind nuk është paqja dhe as zhvillimi. Është diçka më pak aspiruese, por më jetëgjatë: stabiliteti i shëmtuar. Kufijtë qëndrojnë, por pa koherencë. Qeveritë vazhdojnë të sundojnë, por pa legjitimitet. Konfliktet mbahen nën një temperaturë të kontrolluar që të mos vlojnë.

 

Ky stabilitet nuk vjen nga forca e një fuqie të madhe, por nga lodhja kolektive. Pas një dekade luftërash, rajoni e ka kuptuar se stanjacioni i menaxhuar është më pak i rrezikshëm se kriza e pafundme. Lindja e Mesme nuk po bëhet më e lirë.

 

Po bëhet më e qetë, por me kushte shumë më të ashpra. Në këtë epokë të re, mbijetesa nuk është më një e drejtë e garantuar. Është një provë që duhet kaluar çdo ditë. Reforma ishte gjuha e së shkuarës dhe për fat të keq mbijetesa është bërë gramatika e së tashmes.

 

Shënim: Yassin K.Fawaz, është drejtues biznesi, botues dhe ekspert i sigurisë dhe antiterrorizmit.

XS
SM
MD
LG