Lidhje


Fundi i “çekut të bardhë”: Pse po lëkundet mbështetja amerikane për I.zraelin

Ndërsa lëvizja MAGA po ushqen një izolacionizëm të ri dhe pavarësia energjetike e SHBA-së po e zbeh rëndësinë strategjike të Lindjes së Mesme, aleanca historike mes Uashingtonit dhe Tel Avivit po kalon drejt një faze transaksionale. Muajin e kaluar, britanikja “Financial Times” raportoi se Trump i kishte thënë në konfidencë një donatori republikan: “Populli im po fillon ta urrejë Izraelin!”…

 

Nga Patrick Hess “Unherd”

 

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, vizitoi pardje presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Florida, në atë që po shihet si një konsolidim i mëtejshëm i marrëdhënieve midis dy vendeve. Siç pritej, dy udhëheqësit i thurën lëvdata njëri-tjetrit. Trump e quajti Netanjahun një “hero”, ndërsa kryeministri izraelit njoftoi se Trump do të nderohej me “Çmimin e Izraelit”. Megjithatë, ky entuziazëm i ndërsjellë fsheh një pasiguri të afërt për të ardhmen e mbështetjes së SHBA-së ndaj aleatit të saj më të ngushtë në Lindjen e Mesme.

 

Në Amerikë, mbështetja për Izraelin nuk është aspak aq e palëkundur sa dikur. Mosbesimi po rritet, veçanërisht brenda lëvizjes MAGA dhe brenda Partisë Republikane, teksa frika nga përfshirja e SHBA-së në “luftëra të huaja” po ngjall pakënaqësi ndaj Izraelit. Në një konferencë të mbajtur në fillim të këtij muaji për Turning Point USA, gazetari i njohur konservator Taker Karlson e vuri theksin te “vrasja e dhjetëra mijëra fëmijëve” gjatë luftës Izrael-Hamas, ndërsa gazetarja tjetër e njohur në SHBA, Megin Kelli, vuri në dukje përçarjen e thellë në të djathtën amerikane lidhur me Izraelin.

 

Ka që tani shenja se këto ndjenja po ndikojnë shumë në politikën e jashtme në Uashington. Në gusht, kongresmenja republikane Merxhori Tejlor Grin shkroi në platformën X: “Unë nuk dua të paguaj për gjenocidin në një vend të huaj, kundër një populli të huaj, për një luftë të huaj me të cilën nuk kam pasur të bëj fare!”.

 

Muajin e kaluar, britanikja “Financial Times” raportoi se Trump i kishte thënë një donatori republikan: “Populli im po fillon ta urrejë Izraelin!”. Argumentet morale dhe humanitare rreth luftës në Gaza po maskojnë në fakt një shqetësim më të thellë gjeostrategjik brenda aleancës.

 

Rëndësia e Lindjes së Mesme për Amerikën po zbehet, ashtu si edhe vlera e investimit në një shtet që shërben si një përfaqësues i saj atje. Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e administratës Trump, e publikuar këtë muaj, deklaron se “ditët kur Lindja e Mesme dominonte politikën e jashtme amerikane, si në planifikimin afatgjatë ashtu edhe në përditshmëri, për fat të mirë kanë mbaruar”.

 

Arsyet për këtë ndryshim janë të dyfishta. Së pari, rajoni nuk mban më monopolin mbi furnizimet globale të energjisë. Kjo vjen si pasojë e revolucionit të fracking-ut (nxjerrjes së naftës nga shtresat argjilore), i cili e ka bërë Amerikën kryesisht të pavarur në aspektin energjetik.

 

Por edhe prej diversifikimit të viteve të fundit drejt burimeve alternative si energjia bërthamore dhe ajo e rinovueshme, një tendencë kjo që pritet të vazhdojë. Së dyti, kërcënimi i sigurisë nga terrorizmi, që e kishte origjinën kryesisht në Lindjen e Mesme, është zvogëluar brenda SHBA-së dhe është zëvendësuar nga rreziku i konflikteve gjeopolitike mes shteteve dhe përshkallëzimi bërthamor.

 

Sado që Netanjahu po përpiqet t’i paraqesë betejat e vendit të tij si “vijën e parë të një lufte qytetëruese kundër islamit radikal”, shumë amerikanë sot janë më të bindur nga karakterizimi i Grnsi “luftëra të huaja”. Kjo nuk do të thotë që SHBA-ja do ta braktisë papritur Izraelin. Megjithatë, marrëdhënia mes vendeve ka të ngjarë të bëhet më transaksionale dhe mbështetja më e kushtëzuar. Memorandumi i Mirëkuptimit mbi të cilin u ra dakord në vitin 2016, sipas të cilit Izraeli merr 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit, skadon në vitin 2028 dhe mund të rinegociohet për të qenë më i favorshëm për Uashingtonin.

 

Thelbi është se garancia de facto e sigurisë që ka gëzuar deri më sot Izraeli mund të zbehet gradualisht. Në një luftë hipotetike në të ardhmen, paketat e ndihmës amerikane - për të mos përmendur kërcënimin e ndërhyrjes ushtarake - nuk do të ishin kaq lehtësisht të disponueshme.

 

Në planin afatshkurtër, kjo nuk përbën një shqetësim madhor, duke pasur parasysh dominimin rajonal të Izraelit. Megjithatë, një pjesë e madhe e aftësisë parandaluese të vendit ka qenë e varur nga garancitë e sigurisë dhe burimet ushtarake të SHBA-së.

 

Në planin afatgjatë, nëse këto burime shterojnë, Izraeli mund të detyrohet të mbështetet më shumë tek aleancat e tij rajonale. Fakti që Marrëveshjet e Abrahamit i kanë mbijetuar ndoshta krizës më të madhe të marrëdhënieve me publikun në historinë e Izraelit, dëshmon për qëndrueshmërinë e këtyre aleancave.

 

Kompani të mëdha izraelite në fushën e mbrojtjes po hapin degë në Marok dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Raportohet se këto të fundit kanë nënshkruar një marrëveshje prej 2.3 miliardë dollarësh me kompaninë izraelite ”Elbit” për sisteme strategjike të sigurisë. Bashkëpunimi rajonal i sigurisë midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë - përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin - është zgjeruar edhe gjatë luftës në Gaza.

 

Pavarësisht kësaj, ndonëse Izraeli është i lidhur me aleatët e tij arabë përmes një urrejtjeje të përbashkët ndaj Iranit, këto vende nuk i ndajnë shqetësimet “ekzistenciale” të Izraelit dhe janë më të gatshme të angazhohen diplomatikisht me Teheranin.

 

Izraeli do të jetë në gjendje të punojë me fqinjët e tij për të penguar ambiciet e Iranit për hegjemoni rajonale. Megjithatë, shteti hebre mund të duhet të përgatitet që përfundimisht t'i përballojë shqetësimet e tij më urgjente të sigurisë kryesisht, nëse mos tërësisht i vetëm.

 

Shënim: Patrick Hess, është publicist me banim në Londër që mbulon politikën, kulturën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

 

*Ky material është ripublikuar nga burime të hapura dhe shërben vetëm për informim. Qëndrimet e shprehura nuk janë domosdoshmërisht të redaksisë.

XS
SM
MD
LG