Rindërtimi i Gazës nuk duhet ta zgjerojë pushtimin e I.zraelit
Politika amerikane po e lejon Izraelin të minojë armëpushimin dhe të degradojë më tej situatën humanitare në Rripin e Gazës.
Nga Alexander Langlois “National Interest”
Thuhet se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ecën përpara me planet e tij problematike të rindërtimit dhe ndihmës humanitare ndaj Gazës, të cilat po çojnë në zgjerimin e pushtimit izraelit në kurriz të palestinezëve.
Mjerisht, kjo ka qenë tendenca që nga tetori i vitit 2023, teksa administratat Trump dhe ish-administrata Biden, janë angazhuar vazhdimisht në strategji që dështuan të adresojnë krizën e vazhdueshme humanitare të Rripit.
Nëse Uashingtoni shpreson vërtet ta zgjidhë këtë krizë dhe konfliktin më të gjerë Izrael-Palestinë, ai duhet ta riorientojë qasjen e tij për të marrë në konsideratë nevojat e palestinezëve dhe njohur rolin e Izraelit si sabotues të paqes, duke e përafruar interesin e tij në pakësimin e pranisë së tij ushtarake në Lindjen e Mesme me përpjekjet për armëpushim dhe paqe.
Për fat të keq, administrata Trump po bën të kundërtën. Lidhur me planin e rindërtimit, thuhet se ajo po synon të rindërtojë vetëm atë pjesë të Rripit të Gazës të kontrolluar nga ushtria izraelite, teksa pjesën tjetër ka zgjedhur ta riemërtojë si “komunitete të sigurta alternative” (ASC), duke planifikuar të sistemojë aty afro 2.2 milion palestinezë.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut, aktivistët e misioneve humanitare, palestinezët në Gaza dhe madje edhe ish-kryeministrat izraelitë e kanë përshkruar ASC-në si asgjë më shumë sesa një përpjekje për t’i vendosur palestinezët në Gaza në kampe përqendrimi, sepse ata nuk do të ishin në gjendje të largoheshin për shkak të një bllokimi nga forcat izraelite ose Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila pritet të formohet, e miratuar së fundmi nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në një rezolutë që mbështet planin e paqes prej 20 pikash të Trump për Gazën.
Që të jemi të qartë, ndryshimi i qasjes së Uashingtonit muajt e fundit nuk buron nga altruizmi. Përkundrazi, qëllimi i dukshëm i rindërtimit të pjesëve të Gazës që nuk janë në dispozicion të palestinezëve, duke i lënë ata të vuajnë në më pak se gjysmën e territorit tjetër të Rripit që jeton sot midis rrënojave dhe ndihmës së kufizuar humanitare që ende bllokohet kryesisht nga Izraeli, në shkelje të armëpushimit dhe të drejtës ndërkombëtare, është të ushtrojë presion mbi Hamasin që të çarmatoset.
Ka të ngjarë që Uashingtoni dhe Tel Avivi shpresojnë që ta rrisin presionin mbi fraksionin palestinez, teksa udhëheqësit izraelitë e çimentojnë kontrollin e tyre në territorin që pushtojnë.
Në fakt, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar hapur se forcat e tij nuk do të largohen nga Gaza pa çarmatimin e Hamasit, në kundërshtim me armëpushimin.
Që kur Izraeli filloi për herë të parë zbatimin e “Planit të Gjeneralëve” në tetor 2024, vazhdon të dominojë ideja e detyrimit të zhvendosjes së palestinezëve në zona jo të kontrolluara nga Hamasi, duke e përdorur si armë ndihmën humanitare dhe strehimin.
ASC shihet si një zgjatim i këtij koncepti. Kohët e fundit, ideja u la në dorë të zbatohet nga bandat e mbështetura nga Izraeli, të cilat kontrollonin të ashtuquajturat “zona të sigurta”, duke krijuar mundësinë për fushata bombardimi edhe më të pakontrolluara në territorin e kontrolluar nga Hamasi.
Supozimi bazë pas zhvendosjes së palestinezëve në zona të sigurta ka qenë gjithmonë çarmatosja dhe zhdukja e Hamasit. Javët e fundit, kanë vazhduar të qarkullojnë thashetheme se Shtetet e Bashkuara po ngurrojnë të pranojnë çarmatimin e Hamasit, duke pasur parasysh vështirësinë e krijimit të Forcave Ndërkombëtare të Sigurisë (ISF), pasi vendet pjesëmarrëse potenciale kanë frikë se do të duhet të bëjnë çdo lloj përpjekje për të arritur çarmatimin.
Tek e fundit, kjo ka të ngjarë të çojë në luftime të drejtpërdrejta me Hamasin. Në lidhje me flukset e ndihmës humanitare, raportet e reja sugjerojnë se kompania kontraktore që qëndron pas Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), UG Solutions me seli në Karolinën e Veriut, po rekruton staf për një zgjerim të operacioneve të tij në Rripin e Gazës.
Më herët, ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, tha se GHF do të zgjerohej në 16 pika. Ndërsa grupi njoftoi më 24 nëntor se do të ndërpriste operacionet në Gaza, duke mbetur një organizatë humanitare funksionale, dhe duke sugjeruar se mund të rifillonte punën në Rrip në të ardhmen, në varësi të fushatës përkatëse të rekrutimit.
Si një mekanizëm ndihme privat i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli, dhe i drejtuar nga kontraktorë amerikanë, së bashku me biznesmenë izraelitë dhe ish-zyrtarë të mbrojtjes, GHF arriti të hapë vetëm 4 pika shpërndarjeje ndihmash në fund të majit, nën maskën e “parandalimit të vjedhjes së ndihmave nga Hamasi”.
Sistemi i ndihmës i OKB-së operonte mbi 400 pika shpërndarjeje në të gjithë Gazën dhe në përgjithësi konsiderohej funksional. GHF nuk ishte dhe nuk është një organizatë humanitare. Ajo nuk i respekton parimet thelbësore të humanizmit siç përcaktohen në të drejtën ndërkombëtare: humanizmin, paanshmërinë, neutralitetin dhe pavarësinë.
Organizatat kryesore humanitare dhe zyrtarët e OKB-së, së bashku me drejtorin ekzekutiv fillestar të GHF dhe ish-punonjësit e UG Solutions, e kanë akuzuar organizatën se nuk ka vepruar sipas këtyre parimeve thelbësore.
Në fakt, disa raporte nxjerrin në pah shkelje të qarta të të drejtave të njeriut nga ana e kontraktorëve të sigurisë që mbështesin operacionin e GHF. Duke vepruar në koordinim të ngushtë me ushtrinë izraelite në zona të mbyllura ushtarake - zona ku çdo gjë që lëviz shkatërrohet - GHF shkeli parimet themelore humanitare duke i vënë palestinezët në rrezik, duke mbështetur pikat izraelite në lidhje me ndihmën dhe duke mbledhur të dhëna për palestinezët përmes inteligjencës artificiale në bashkëpunim me shërbimet sekrete izraelite.
Thuhet se UG Solutions punësoi kontraktorë të shumtë sigurie me lidhje me një bandë motoçiklistësh islamofobë në Shtetet e Bashkuara. Izraeli vrau mbi 2.000 palestinezë pranë pikave të ndihmës humanitare, teksa GHF i justifikoi vrasjet si të palidhura me operacionet e tij, ndërsa fajësoi Hamasin për viktimat.
Kjo nuk është paanshmëri apo neutralitet por bashkëpunim në kurriz të jetës së civilëve. Po ashtu, fondacioni dështoi të ofrojë ndihmë të mjaftueshme për palestinezët. Grupimi synonte shpërndarjen e 300 milion “vakteve” në 90 ditët e para të ekzistencës së tij, ose afërsisht 1.6 vakte për person në Gaza.
Teksa nuk e arriti atë objektiv, edhe pretendimi i tij për shpërndarjen e vetëm 135 milion vakteve deri më 23 gusht - 90 ditë pas fillimit të operacioneve të tij - flet vetë. Zia e bukës e goditi Gazën sepse ky mekanizëm ishte një katastrofë.
Dështime të tilla, janë jo shumë të ndryshme nga ato të operacioneve të ndihmës nga ish-presidenti amerikan Joe Biden apo praktika e vazhdueshme e lëshimit të ushqimit nga avionët. Përpjekja e parë mezi solli njëfarë ndihme me ndikim në Rrip, duke sjellë plagosjen e shumë ushtarëve amerikanë, ndërsa hodhi themelet për injorimin dhe anashkalimin e sistemeve të paanshme të ndihmës në Gaza.
Metoda e dytë vrau disa palestinezë, ndërsa dështoi të ndikonte seriozisht në krizën e urisë në Gaza, e cila u shndërrua në një zi buke nën sytë e GHF-së të mbështetur nga administrata Trump. Tek e fundit, është marrëdhënia toksike SHBA-Izrael, ajo që vazhdon ta shtyjë Uashingtonin drejt politikave të tilla.
Është paaftësia e klasës politike për të pranuar se interesat amerikane - dhe jo ato izraelite - duhet ta nxisin politikën e jashtme amerikane. Është burracakëria e administratave amerikane ndër dekada, për ta pranuar se pranimi i tekave të një partneri të vogël në një konflikt, që duhej të kishte mbaruar shumë kohë më parë, e ka implikuar Uashingtonin në shkelje brutale të të drejtave të njeriut, dëmtim të imazhit dhe në shpërdorim të burimeve, gjë që nuk ishte asgjë
në krahasim me atë që palestinezët kanë përjetuar dhe vazhdojnë të vuajnë çdo ditë.
Shtetet e Bashkuara nuk duhet të investojnë fondet e taksapaguesve të tyre në asnjë përpjekje që nuk arrin objektivin e deklaruar të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe të sigurt, përmirësimit të masave humanitare dhe paqes më të gjerë në Gaza, për të mos folur pastaj për angazhimin në një përpjekje që çon përpara interesat e një vendi tjetër në kurriz të gjithçkaje tjetër, përfshirë jetën e njerëzve të pafajshëm.
Zgjidhja e vërtetë, është të ushtrohet presion mbi Izraelin që t’i përmbahet armëpushimit dhe të respektojë planin 20-pikësh. Edhe kjo qasje është shumë larg asaj që është vërtet e nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit: një tërheqje e menjëhershme e Izraelit dhe përpjekja për të krijuar pa parakushte një shtet palestinez.
Forcimi i “vijës së verdhë” aktuale, që ndan territorin e kontrolluar nga Hamasi nga ai i kontrolluar nga Izraeli në Gaza është një recetë për një luftë të mëtejshme të përhershme, e cila nuk është në interesin e SHBA-së.
Kjo do të nxiste një përfshirje më të thellë në Lindjen e Mesme, duke e larguar vëmendjen e Uashingtonit nga shqetësimet kryesore në vend dhe në rajone të tjera të botës. Çdo vendim për ta thelluar përfshirjen e SHBA-së në Gaza dhe treguar një mbështetje haptazi të njëanshme për Izraelin, veçanërisht kur kjo përpjekje mbështet politika të dështuara dhe të paligjshme që vrasin civilë, nuk pasqyron sjelljen e një presidenti seriozisht të interesuar për paqen.
Shënim: Alexander Langlois, analist i politikës së jashtme, redaktor në portalin DAëN dhe bashkëpunëtor në Defense Priorities.