Nga normalizimi tek dyshimi: Pse shtetet arabe po rishikojnë aleancat me I.zraelin?
Pas ngjarjeve të 7 tetorit, demaskimi i strategjive izraelite në Detin e Kuq dhe Bririn e Afrikës, po i detyron vendet arabe të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me Tel Avivin dhe të rikalibrojnë ekuilibrat e fuqisë në rajon...
Nga Sania Faisal El-Husseini “Middle East Monitor”
Rezultati më i rëndësishëm i ngjarjeve të 7 tetorit 2023, është demaskimi i strategjive izraelite dhe shembja e një fasade dekadente që u mbajt në këmbë për dekada në Lindjen e Mesme.
Izraeli nuk shihet më thjesht si një fuqi pushtuese në Palestinë, por si një aktor rajonal shkatërrues, i cili punon qëllimisht për të dobësuar qendrat e fuqisë arabe, në ndjekje të synimit të tij për të dominuar dhe pasur një kontroll absolut mbi rajonin.
Për vite me radhë, SHBA-ja dhe Izraeli investuan shumë në portretizimin e Iranit si kundërshtari i tyre i vetëm strategjik. Kjo narrativë e shndërroi Izraelin në një “partner sigurie” të domosodoshëm për shtetet e Gjirit, duke i tërhequr ato në një përballje të gjatë me Teheranin.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë për një ndërgjegjësim të ri të shteteve arabe mbi rreziqet e këtij depërtimi, duke e kuptuar më në fund se izolimi i Iranit i shërbeu kryesisht hegjemonisë izraelite dhe jo stabilitetit të tyre.
Rikalibrimi i Arabisë Saudite dhe roli i Emirateve
Ndryshimi u shfaq qartë gjatë luftës në Jemen. Sulmi saudit kundër forcave të mbështetura nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) sinjalizoi vendimin e prerë të Riadit për të frenuar ndikimin e Abu Dhabit në pikat bregdetare strategjike.
Marrëdhënia Izrael-Emirate, e zyrtarizuar me Marrëveshjet e Abrahamit në vitin 2020,
ka shërbyer si mjet për çuarjen përpara të objektivave izraelite, shpesh në kurriz të interesave të aleatëve arabë.
Tani Arabia Saudite e percepton këtë bosht si një kërcënim më të madh gjeopolitik sesa vetë Irani, veçanërisht në një kohë kur Riadi po ndjek një rrugë diplomatike për shtensionimin e marrëdhënieve me Teheranin.
Beteja për Detin e Kuq: Sudani dhe Etiopia
Zhvillimet e fundit, lidhen ngushtë edhe me luftën civile në Sudan. Nga perspektiva izraelite, kontrolli i vijës bregdetare të Sudanit në Detin e Kuq është një prioritet ekzistencial.
Në këtë konflikt, Emiratet e Bashkuara Arabe ka mbështetur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kundër institucioneve zyrtare, duke sfiduar ushtrinë që njihet nga Egjipti dhe Arabia Saudite. Kjo ka çuar në tensione të paprecedenta, ku qeveria sudaneze ka ngritur padi në Gjykatën Ndërkombëtare kundër Abu Dhabit për furnizimin me armë të rebelëve.
E njëjta logjikë vlen për mbështetjen e EBA-së për Etiopinë gjatë mosmarrëveshjes për Digën e Madhe të Rilindjes (GERD), një lëvizje që godet drejtpërdrejt sigurinë ujore të Egjiptit. Lidhjet Izrael-Etiopi janë zgjeruar në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, duke e pozicionuar Adis Abeba-n si “portën e sigurisë” së Izraelit në Afrikë.
Përfshirja teknike e Izraelit në menaxhimin e burimeve ujore të Etiopisë, shihet si një mjet presioni mbi Kajron zyrtar.
Somalilandi dhe sfidimi i Turqisë
Hapi më i fundit i Izraelit është njohja e Somalilandit separatist, duke u bërë shteti i parë në botë që e bën këtë veprim. Somalilandi zotëron një vijë bregdetare kritike pranë pikës më delikate detare në botë, Bab El-Mandab.
Ky veprim synon krijimin e një platforme për të kundërshtuar Huthët, por njëkohësisht e sfidon drejtpërdrejt ndikimin e Turqisë, e cila është aleati kryesor i Somalisë dhe ka atje bazën e saj më të madhe ushtarake jashtë vendit, TURKSOM.
Një prani izraelite në Somaliland, ndërhyn në një zonë që Ankaraja e konsideron zgjatim të rëndësishëm të fuqisë së saj detare. Kjo lëvizje, përkon me përpjekjet izraelite për të formuar një aleancë trepalëshe me Greqinë dhe Qipron në Mesdheun Lindur, duke krijuar një rrethim strategjik ndaj Turqisë dhe burimeve të saj të gazit.
Siria dhe taktika e copëtimit të shteteve
Përplasjet po përshkallëzohen edhe në Siri, ku Izraeli po mbështet grupet minoritare kurde dhe druze për të nxitur fragmentimin e shtetit të dobësuar shumë nga lufta e gjatë civile. Kjo politikë bie ndesh me interesat e Turqisë dhe Arabisë Saudite, të cilat aspirojnë për një Siri të bashkuar dhe të qëndrueshme.
Vendosja e radarëve dhe sistemeve mbrojtëse turke në veri të Sirisë, ka krijuar një fërkim të ri me aviacionin izraelit, duke e kthyer këtë teatër në një fushëbetejë të ndërlikuar për ndikim.
Dominimi përmes dobësimit të fqinjëve
Realiteti që shtetet rajonale e injoruan për dekada po bëhet tani më se i qartë: Izraeli vepron si një entitet që e siguron dominimin e vet duke mbajtur mjedisin rrethues në gjendje dobësie dhe përçarjeje.
Çarmatimi i grupeve në Liban dhe Palestinë, apo mbështetja e milicive separatiste në Siri dhe Afrikë, i shërbejnë vetëm sigurisë izraelite, në kurriz të sovranitetit të fqinjëve. Sot, nuk është Izraeli ai që po ndryshon doktrinë, por shtetet arabe që po zgjohen përballë një strategjie që rrezikon t’i lërë ato pa fuqi mbrojtëse dhe pa unitet rajonal.
Shënim: Sania Faisal El-Husseini është profesore e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Arabo-Amerikan në Palestinë. Ajo ka punuar me Autoritetin Kombëtar Palestinez për më shumë se dy dekada si gazetare dhe diplomate, dhe ka qenë lektore në disa universitete në Palestinë që nga viti 2008, si Universiteti Birzeit dhe Universiteti Al-Quds.