Pro dhe kundër “Paqes Fiskale”

Për disa nga ekspertët, propozimi i nismës për faljen e borxheve tatimore mbi 10 vjet synon pastrimin e regjistrave dhe lehtësimin e barrës për biznesin. Auditues të tjerë ngrenë shqetësimin për drejtësinë fiskale dhe mundësinë e përfitimit prej saj vetëm nga bizneset e mëdha që kanë shmangur sistemin. Detyrimet e papaguara tatimore mbi 5 vjet deri në vitin 2024 arritën 1 miliard euro.
Nisma e shpallur nga mazhoranca për “Paqen Fiskale”, që parashikon fshirjen e detyrimeve tatimore të akumuluara prej më shumë se 10 vitesh dhe faljen e pjesshme të detyrimeve 5 deri në 10-vjeçare, ka hapur debat mes ekspertëve për shanset e përfitimit të bizneseve dhe për efektet në sistemin fiskal.