Lidhje


Erdoğan: Izraeli nuk shënjestron vetëm palestinezët, Gazën por edhe njerëzimin

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan ka theksuar se Izraeli nuk shënjestron vetëm palestinezët, Gazën por edhe njerëzimin.

 

Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në avion, në kthim pas vizitës së tij në Hungari.

 

Duke folur për thirrjet për armëpushim në Gaza, ai kërkoi nga SHBA-ja që të ndalojë së bëri vesh shurdhër ndaj këtyre thirrjeve. "Izraeli nuk shënjestron vetëm palestinezët, Gazën por edhe njerëzimin", tha ai.

 

"Në bisedën me (presidentin amerikan Joe) Bidenin ia rikujtova SHBA-së përgjegjësinë historike. Si duhet të bërtasë bota për të ndaluar Izraelin", u shpreh presidenti turk.

 

Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, kanë vrarë të paktën 19.453 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

 

Anëtarësimi i Suedisë në NATO

 

Duke folur për anëtarësimin e Suedisë në NATO, Erdoğan tha se Suedia u ka bërë premtime në Samitin e Liderëve të NATO-s në Vilnius të Lituanisë në korrik. "Presim plotësimin e këtyre dhe ndjekim nga afër zhvillimet", tha ai duke shtuar:

 

"(Presidenti Biden) theksoi se 'Ju kaloni këtë (anëtarësimin e Suedisë në NATO) nga Kuvendi, në të njëjtën mënyrë edhe unë e kaloj këtë (F-16) nga Kongresi'".

 

Ai tha se zhvillimet pozitive qoftë nga SHBA-ja në drejtim të F-16 e qoftë për premtimet që Kanadaja duhet t'i mbajë, do të përshpejtonte edhe qasjen pozitive të Kuvendit turk ndaj kësaj çështjeje.

 

Për t'u bashkuar me aleancën, të cilën Suedia e kërkoi pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, Stockholmi duhet të ketë miratimin e të gjithë anëtarëve aktual të NATO-s, përfshirë të Türkiyes e cila është anëtare e aleancës për më shumë se 70 vjet me ushtrinë e dytë më të madhe pas SHBA-së.

 

Türkiye ka kërkuar nga autoritetet suedeze të ndërmarrin hapa konkrete për të zbutur shqetësimet e sigurisë së Ankarasë, veçanërisht në lidhje me mbështetjen për organizatën terroriste PKK, sulmet e të cilës prej dekadash kanë marrë rreth 40 mijë jetë njerëzisht në Türkiye.

 

Türkiye kërkon të blejë nga SHBA-ja avionët e modelit më të fundit ‘F-16 Block 70’ si dhe 79 pjesë të modernizuara për të përmirësuar avionët F-16 të mbetur në nivelin e ‘Block 70’.

 

Erdoğan nënshkroi protokollin e pranimit të Suedisë në NATO dhe e dorëzoi atë në parlament më 23 tetor. Më 26 nëntor, Komisioni i Punëve të Jashtme në parlamentin turk e prolongoi shqyrtimin e protokollit.

 

Korridori i Drithit

 

Mes tjerash, në vlerësimin e tij për gazetarët, Erdoğan njoftoi se së shpejti do të zhvillojë një bisedë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. "Do t'i them 'Të bëjmë gjithçka për të vënë në funksion Korridorin e Drithit'. Shpresoj vazhdimin e rrugëtimit me përgjigje pozitive", tha presidenti turk.

 

Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Türkiye dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndaluan pasi filloi "operacioni ushtarak special" i Moskës në muajin shkurt të vitit 2022.

 

Moska vazhdimisht është ankuar se Perëndimi nuk i ka përmbushur detyrimet sipas marrëveshjes dhe se ka kufizime në pagesat, logjistikën dhe sigurimin e dërgesave të eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave bujqësore.

 

Ndërsa për anëtarësimin e vendit të tij në BE, presidenti Erdoğan tha: "Është gabim mbajtja e Türkiyes në derë me vite për shkak të pengesave politike. BE tashmë duhet të heqë dorë nga ky gabim".

 

Burimi: AA

 

 

XS
SM
MD
LG