Besimi i sionistëve për "Mbretërinë e Madhe Hebraike" dhe "Tokën e Premtuar", bien ndesh me gjetjet arkeologjike

Gjetjet arkeologjike dhe historike zbulojnë se nuk ka prova mbështetëse për "Mbretërinë e Madhe Hebraike" dhe "Tokën e Premtuar" që formojnë bazën e tregimeve (narrativave) sioniste në lidhje me territoret palestineze dhe se një mbretëri hebraike, siç përshkruhet në këto narrativa, ose nuk është themeluar kurrë ose nuk është themeluar në këtë rajon. Dr. Abdulrezzak Matani i cili ka hulumtime mbi identitetin dhe arkeologjinë palestineze dhe heton proceset e judaizmit dhe shkatërrimit të trashëgimisë historike në një prononcim për Agjencinë Anadolu (AA) foli për vlefshmërinë shkencore të narrativës sioniste duke u bazuar në gjetjet arkeologjike dhe përdorimin e arkeologjisë nga Izraeli për t'i shërbyer ideologjisë së tij.
Matani tha se kur shihet në aspektin historik, narrativa biblike është përdorur shpesh për të legjitimuar politikat e kolonizimit dhe me qëllimin për të treguar si të drejtë ideologjikisht sovranitetin mbi tokën.
"Në këtë proces, trashëgimia arabe dhe islame është injoruar kryesisht ose është fshirë sistematikisht. Narrativa biblike pretendon se një Mbretëri e bashkuar dhe e fuqishme e Izraelit u krijua në Palestinë nën sundimin e Davidit dhe Solomonit në shekullin e 10-të p.e.s., se kjo mbretëri shtrihej nga Nili në Eufrat dhe se Kudsi u bë një qendër e madhe politike dhe fetare gjatë kësaj periudhe", thotë Matani duke shtuar se:
"Ky rrëfim përbën një nga gurët themelorë të tezës së diskursit modern sionist për 'të drejtën historike të hebrenjve në Palestinë'. Megjithatë, pavarësisht mbi një shekulli gërmimesh intensive arkeologjike në dhe përreth Kudsit, nuk janë zbuluar mbetje të mëdha arkitekturore, mbishkrime ose dokumente nga burime të jashtme që do të konfirmonin ekzistencën e një Mbretërie të bashkuar dhe të lavdishme të Izraelit, siç përshkruhet në tekstin biblik".
Sipas tij, shumica e të dhënave arkeologjike të zbuluara datojnë në periudha të mëvonshme ose në qytetërimet e Jebusejve, Kananejve, Romakëve, Bizantinëve dhe qytetërimeve islame. "Në bazë të gjetjeve arkeologjike, Kudsi në shekullin e 10-të p.e.s. ishte vendbanim i vogël i rrethuar me mure dhe larg të qenit kryeqyteti i një perandorie të madhe. Edhe në zonën e njohur si 'Qyteti i Davidit', nuk janë gjetur gjurmë pallatesh ose strukturash të mëdha mbretërore që i atribuohen Davidit ose Solomonit", shpjegon Matani.
Ai nënvizon se shumë studiues, si izraelitë ashtu edhe perëndimorë, kanë argumentuar se datimi i këtyre gjetjeve është i gabuar ose se atribuimi i tyre mbretërve biblikë bazohet në supozime ideologjike. Matani tha se prania hebraike në Palestinë në kohët e lashta ishte e kufizuar dhe kalimtare ndërsa identiteti arab Kanani dhe ai islam i rajonit kanë lënë gjurmë shumë më të thella dhe të qëndrueshme.
Matani thekson se edhe nëse ka ekzistuar një Mbretëri Izraelite, mendohet se kjo me shumë mundësi ka qenë një entitet i vogël fisnor, larg një perandorie rajonale. Ai tha se vlerësimet shkencore dhe të paanshme arkeologjike-historike nuk ofrojnë prova të forta ose përfundimtare për ekzistencën e një Mbretërie Izraelite të bashkuar dhe të fuqishme nën udhëheqjen e Davidit dhe Solomonit.
- Me narrativën e "Tokës së Premtuar" u ndërtua lidhja tokësore e hebrenjve të diasporës
Matani deklaroi se mungesa e provave arkeologjike përfundimtare për ekzistencën e një Mbretërie të bashkuar dhe të fuqishme të Izraelit gjatë kohës së profetëve David dhe Solomon tregon se kjo narrativë është në thelb më shumë legjendare dhe teologjike sesa historike. Ai shpjegoi se kjo narrativë u formua kryesisht përmes teksteve biblike të shkruara gjatë ose pas mërgimit babilonas dhe u shkrua për të forcuar kujtesën kolektive dhe përkatësinë e identitetit-fetare të një komuniteti të shpërndarë.
Me shfaqjen e lëvizjes sioniste në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të, narrativa e Torës filloi të përdoret intensivisht si një mjet ideologjik dhe politik, shpjegon Matani.
"Palestina u paraqit si 'Toka e premtuar' dhe 'Atdheu i paraardhësve'. Përmes këtij rrëfimi, u krijua histori e përbashkët dhe lidhje territoriale për hebrenjtë që vinin nga diaspora. Kështu, rrëfimi i Torës u bë një nga gurët e themelit të ndërtimit të identitetit kombëtar modern. Që nga fillimi, arkeologjia biblike, larg të qenit disiplinë shkencore neutrale, u përdor më shumë për të përforcuar rrëfimin sionist, për të pretenduar tokë dhe për të injoruar ose fshirë praninë arabo-islame në Palestinë", u shpreh ai.
Matani tha se në këtë pikë, është thelbësore të bëhet një dallim i qartë midis rrëfimeve fetare dhe transformimit të tyre në mjete ideologjike-politike. "Rrëfimi i Torës mund të konsiderohet pjesë e besimit dhe trashëgimisë kulturore hebraike, dhe ky besim duhet të respektohet. Por, shfaqen probleme serioze kur ky rrëfim përdoret për të shpërfillur të drejtat e popujve të tjerë, për të legjitimuar politikat e vendbanimeve ose për të shpërfillur realitetin historik", tha ai.
"Rrëfimi biblik i Mbretërisë së Bashkuar të Izraelit në Palestinë është në thelb strukturë e ndërthurur me legjendat fetare dhe ndërtimin modern të identitetit. Mungesa e provave arkeologjike forcon dyshimet shkencore në lidhje me saktësinë historike të këtij rrëfimi dhe thekson rëndësinë e dallimit midis besimit dhe ideologjisë", tha Matani.
- Epokat islame ishin periudhat më të shkëlqyera dhe më me ndikim për rajonin
Matani tha se ka studime dhe botime të shumta që dokumentojnë shkeljet kundër trashëgimisë palestineze, që analizojnë politikat arkeologjike koloniale dhe që shqyrtojnë se si arkeologjia i shërben narrativave koloniale dhe sioniste. Ai thekson se Izraeli mban kontroll të plotë mbi gërmimet dhe kërkimet arkeologjike dhe jep në mënyrë selektive leje gërmimi vetëm për t'i shërbyer axhendës së vet politike.
Pasi tërhoqi vëmendjen se një arkeolog palestinez përballet me vështirësi shumë serioze nën politikat izraelite dhe se kjo lidhet me shkatërrimin sistematik të trashëgimisë arkeologjike dhe kulturore të Palestinës që nga Nakba në vitin 1948, Matani tha se studimet arkeologjike dhe akademike po drejtohen në mënyrë që ato t‘i shërbejnë narrativës sioniste, se historia po rishkruhet për të provuar "të drejtën hebraike për tokën" dhe se në këtë proces, gjetjet arabe dhe islame ose injorohen ose shkatërrohen sistematikisht.
Ai thotë se Palestina ka rëndësi të jashtëzakonshme në aspektin gjeografik dhe fetar dhe për shkak se ndodhet në pozicionin e një ure që lidh kontinentet e botës së lashtë, ajo ka qenë një qendër qytetërimesh dhe ndërveprimi njerëzor gjatë gjithë historisë njerëzore.
"Palestina ka qenë vendi i vendbanimeve njerëzore që nga kohërat shumë të hershme. Jericho, i konsideruar si një nga qytetet më të vjetra në botë, ndodhet në këtë tokë. Gjatë historisë, Palestina ka përjetuar shumë periudha prosperiteti, por epoka islame ishte një nga periudhat më të shkëlqyera dhe me ndikim në aspektin e urbanizimit dhe zhvillimit të rajonit. Ky zhvillim vazhdoi gjatë periudhës osmane dhe Palestina përjetoi një ringjallje të madhe arkitekturore", tha Matani duke shtuar:
"U ndërtuan struktura të ndryshme, nga shtëpitë rurale deri te pallatet madhështore dhe lulëzuan pazare, hane dhe hamame. Palestina është një qendër e kujtesës fetare-historike, si në aspektin e trashëgimisë islame ashtu edhe të autenticitetit arkeologjik. Shkenca nuk duhet të përdoret as për të mohuar gjithçka dhe as për të vërtetuar dogmat ideologjike. Mungesa e gërmimeve arkeologjike, politizimi ose shtrembërimi i qëllimshëm i tyre nuk duhet të na çojë në mohimin e të gjitha rrëfimeve të shenjta".
Matani thotë se besimet fetare janë një sistem besimi të vlefshme dhe të respektuara pa patur nevojë për prova materiale. "Ajo që duhet bërë vërtet është të sigurohet që kërkimi shkencor të kryhet në mënyrë të pavarur, të paanshëm dhe të lirë nga manipulimi ideologjik. Detyra jonë sot është të bashkojmë dhe të intensifikojmë përpjekjet për të ruajtur, dokumentuar dhe ngulitur këtë trashëgimi në ndërgjegjen publike. Në këtë mënyrë, kjo trashëgimi do të vazhdojë të jetojë si një dëshmi e gjallë e historisë së thellë të Palestinës, diversitetit kulturor dhe rolit të rëndësishëm që kanë luajtur turqit dhe osmanët", tha ai./AA