Hoxhallarë patriotë në shërbim të atdheut...
Në kohë të vështira dalin në pah gjithmonë njerëz të mëdhenj që i shërbejnë vendit dhe atdheut me përkushtimin e tyre, ashtu siç edhe ka ndodhur në të vërtetë edhe me hoxhallarët. Hoxhallarët shqiptarë i kanë shërbyer me shumë devotshmëri këtij vendi, duke i edukuar brezat me ndershmëri dhe sinqeritet në shërbim të familjes dhe shoqërisë. Këtu duam të përkujtojmë tre hoxhallarë tashmë të mirënjohur si emra nga i gjithë publiku shqiptar, Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun dhe Ismail Efendi Ndroqin. Në momente kyçe për atdheun tonë e sidomos në vitin e pavarësisë ata kanë shërbyer edhe me armë.
Hafiz Ali Korça me çetën e luftëtarëve të tij u hodh në luftë për pavarësinë e Shqipërisë dhe nga dëmet që po pësonte nga politikat dritëshkurtra të xhonturqve, partia më e madhe për kohën në Perandorinë Osmane dhe që kishte marrë frenat e pushtetit asokohe. Xhonturqit asokohe po silleshin ashpërsisht me Shqiptarët, duke i konsideruar si element armiqësor, mirëpo hasën në rezistencën dhe shpirtin luftarak të shqiptarëve.