Lidhje


Mark Rutte: KFOR-i do të mbetet i fuqishëm për të përmbushur misionin në Kosovë

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se misioni paqeruajtës në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm dhe i gatshëm për misionin e tij”.

 

Duke folur për rolin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të aleancës, gjatë vizitës së sotshme në Shkup, Rutte tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n.

 

Ai falënderoi Shkupin zyrtar për kontributin në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se ky mision “vazhdon të luajë rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”.

 

“Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur misionin”, tha ai, duke shtuar se bashkëpunimi mes aleatëve është thelbësor për sigurinë e përbashkët.

 

Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai mbetet operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s.

 

Fillimisht, forca shumëkombëshe numëronte mbi 50.000 trupa, ndërsa sot ka rreth 4.700 ushtarë. Rreth 590 prej tyre janë nga Shtetet e Bashkuara.

 

Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai mbetet operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s.

 

Fillimisht, forca shumëkombëshe numëronte mbi 50.000 trupa, ndërsa sot ka rreth 4.700 ushtarë. Rreth 590 prej tyre janë nga Shtetet e Bashkuara. /rel


Afati për presidentin drejt fundit - Në Kosovë partitë ende pa marrëveshje

 

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri po shkon drejt fundit, ndërkohë që partitë politike parlamentare ende nuk kanë një marrëveshje që do t’i siguronte 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e tij.

 

Takimi i zhvilluar të hënën në mes të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar rezultat.

 

Pas takimit, Abdixhiku tha se e sheh shumë të vështirë konsensusin politik mes partive për emrin e presidentit të ri, tek theksoi se nuk ka qëndrim refuzues ndaj presidentes Vjosa Osmani.

 

“Neve nuk na ka ardhur askush me 15 nënshkrime për t’i kërkuar edhe 15 të tjera. Neve nuk na është propozuar asnjë emër për t’i kërkuar votat tona. Pra, në këtë fazë, nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt. Aq më pak ndaj zonjës Osmani”, ka thënë Abdixhiku.

 

Kurti dhe Abdixhiku janë takuar për të njëjtën çështje edhe të hënën e shkuar.


Abdixhiku tha se nëse edhe Vetëvendosja, edhe Partia Demokratike hyjnë në garë me nga një nominim për president, atëherë vendi shkon në zgjedhje. Me 66 votat e koalicionit qeverisës dhe 15 deputetët e LDK-së do të siguroheshin 81 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri, që afat kushtetues ka deri më 5 mars.

 

“Pra në qoftë se vendosë Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja të ketë garë, atëherë shkojmë në zgjedhje sipas të gjitha gjasave, sepse nuk e di se si do t’i bëjnë 80 vota por konsensusi bën president. LDK-ja ka qenë e angazhuar të gjejë president. Pra të gjejë një emër konsesual, jo zgjatim të qeverisë, mos të jetë vazhdimësi e qeverisë, e sidomos e një qeverie që i ka 51 për qind të votave, presidenti duhej të ishte një kundër balancë”, ka deklaruar lideri i LDK-së.

 

Kryeministri Kurti tha se nuk i ka 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe se krejt çfarë mund të bëjë me numrat aktualë është t’i sigurojë nënshkrimet për dy kandidatë.

 

“Si Lëvizje Vetëvendosje ne kemi mundësi që ta nxjerrim një kandidat sepse i bëjmë 30 nënshkrime, sepse nevojiten 30 nënshkrime për të pasur kandidaturë. Bashkë edhe me pakicat që i kemi në mazhorancë mund t’i nxjerrim dy kandidatë. Për shkak se me 66 veta i kemi 60 nënshkrime. Tash edhe opozita, nëse nuk e përfshijmë Listën Serbe, janë 43 deputetë, 22 PDK-ja, 15 LDK-ja dhe 6 AAK-ja gjithsej bëjnë 43. Pra edhe opozita mund të nxjerrë kandidat. Kushtetuta na obligon që t’i evitojmë zgjedhjet, që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta thotë që ne duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje”, është shprehur Kurti.


Presidenti ose Zgjedhje! Kurti zbulon skenarin e dy ditëve kritike

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet angazhuar maksimalisht që të evitohen zgjedhjet e parakohshme. Kurti ka thënë, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se atmosfera me opozitën kurrë s’ka qenë më konstruktive.

 

Ai ka thënë se janë mundësitë për t’i evituar zgjedhjet dhe se në dy ditët në vijim do të intensifikohen diskutimet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 4 marsi. Ai ka thënë se si Lëvizje Vetëvendosje me 30 nënshkrime mund ta nominojnë vetëm një kandidat për president dhe se nëse i përfshin edhe votat e pakicave, që janë në mazhorancë, atëherë mund të propozohen dy kandidatë.

 

Ai tha se partitë opozitare mund të propozojnë një kandidat të vetin. “Kushtetuta na obligon t’i evitojmë zgjedhjet, të mos shkojmë në zgjedhje. Të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta i obligon deputetët të votojnë. Kushtet janë ideale t’i kemi tre kandidatë, e aktualisht s’e kemi asnjë. Pasi mundësitë janë, do të vazhdojë të komunikojë”, tha Kurti.

 

Ai tha se nuk ka ndonjë të re dhe se nuk është arritur ndonjë dakordim për ndonjë figurë konsensuale e po ashtu edhe një marrëveshje politike me ndonjë parti nga opozita nuk ka. “Figurë konsensuale s’kemi e as marrëveshje politike, sidomos prej se nga PDK-ja u tha se propozimi duhet të jetë partiak, kjo e bën çështjen më të ndërlikuar. Na ngelet nesër e pasnesër të shohim se çfarë mund të bëjmë për të bërë hapin para. Na duhen të kemi 80 vetë që qëndrojnë në sallë minimalisht, por s’mund të shkojmë në votim me 80 vetë pasi në fund nëse mbesin shkon vendi automatikisht në zgjedhje. E kemi prioritet absolut në situatën aktuale politike evitimin e zgjedhjeve...Kurrë atmosfera s’ka qenë më konstruktive me opozitën. Por, nuk nënkupton automatikisht se kjo përkthehet në hapa konkret”, tha Kurti.

 

Ai shtoi se mundësitë janë për t’i evituar zgjedhjet e parakohshme, por tha se nuk do të ishte hera e parë që në Kosovë të ndodhin gjëra të paarsyeshme.


Peleshi Takon Krerët e Kosovës: Koordinim i Ri Politik dhe Euroatlantik

 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, më 02.03.2026, ka takuar në Prishtinë krerët e shtetit. Në të tre takimet, u folë për bashkëpunimin mes dy shteteve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.Fillimisht, në Kuvendin e Kosovës u prit nga homologia e tij, Albulena Haxhiu.“Ky takim, që u zhvillua në një ditë historike si Dita e Besëlidhjes së Lezhës, na dha mundësinë të kujtojmë bashkëpunimin vëllazëror mes dy Republikave tona dhe përkushtimin tonë në shërbim të qytetarëve. Ndamë ide për shkëmbimin e grupeve të deputetëve dhe komisioneve parlamentare, për të përfituar nga përvojat dhe praktikat më të mira mes dy shteteve tona”, ka shkruar ajo.Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit folën për rëndësinë e marrëveshjeve të miratuara në Kuvendet përkatëse, për rolin mbikëqyrës dhe për nevojën për të shtuar marrëveshje të reja që forcojnë bashkëpunimin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.

 

Më pas, Peleshi u drejtua për në Presidencë për një takim me presidenten Vjosa Osmani.“Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e natyrshme, strategjike dhe e pathyeshme.Uniteti ynë është forcë, koordinimi ynë është garanci, ndërsa vizioni ynë është paqja, stabiliteti dhe e ardhmja e përbashkët euroatlantike. Në kohë sfidash globale, qëndrimi ynë i përbashkët është forca dhe siguria jonë”- ka shkruar Osmani në Facebook.

 

Krejt në fund, Peleshi zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme, si dhe për avancimin e agjendës së integrimit drejt Bashkimit Evropian. “Në këtë datë historike, që shënon bashkimin e princërve shqiptarë në vitin 1444, theksuam rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete me aspirata të përbashkëta kombëtare për rritje ekonomike, forcim të demokracisë dhe integrim euroatlantik”- ka shkruar Kurti në Facebook.Kurti vlerësoi se Kosova dhe Shqipëria mbështesin dhe shtyjnë përpara njëra-tjetrën në proceset zhvillimore dhe integruese, duke i konsideruar arritjet si të përbashkëta dhe duke punuar me përkushtim për të ardhmen evropiane të qytetarëve të të dy vendeve./ Kallxo.com


Abdixhiku, pas takimit me Kurtin: Nuk kemi arritur konsensus për postin e presidentit

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ku kanë folur për çështjen e presidentit, ka thënë se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e sidomos ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani.

 

Ka shtuar se aktualisht nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.

 

“Ne nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit”, ka thënë ai.

 

Tutje ka deklaruar se e sheh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare, duke shtuar se nuk ka ndonjë kandidat specifik i cili u është prezantuar.

 

Ka shtuar se herën e kaluar në takim me Kurtin, në tavolinë kanë pasur imponim, për çka thotë se e kanë hequr nga tavolina.

 

“Më pas ka qenë marrëveshja politike dhe konsensusi. Kurti ka kërkuar 85 vota, pra nuk pas parakushte e as diskutime për marrëveshje politike. Le ta provojnë garën, por LDK-ja sugjeron që ta provojnë konsensusin para garës. Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kemi apo nuk kemi votë për Vjosa Osmani”, ka thënë ai.

 

Abdixhiku ka thënë se nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.

 


Ka paralajmëruar se do t’i kthehet grupit parlamentar të LDK-së për të raportuar lidhur me diskutimet.

 

“E shoh të vështirë konsensusin, nuk ka ndonjë emër që na është prezantuar, e as nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë nuk mund të caktojë emër e as të nominojë dikë”, ka thënë ai.

 

Abdixhiku ka shtuar se do duhej të kishte unitet popullor lidhur me këtë çështje.

 

Ai ka thënë se për garë nuk beson që ka zgjidhje dhe sipas tij nëse PDK-ja dhe VV-ja vendosin për garë atëherë shkohet në zgjedhje./ Koha.net

XS
SM
MD
LG