Lidhje


Presidenca e gatshme t’i dërgojë në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të presidentit nga populli

 

Shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka thënë se janë të gatshëm që nesër t’i dërgojnë për votim në Kuvend amendamentet kushtetuese që parashohin zgjedhjen e presidentit nga populli.

Ajo ka thënë se Osmani hyn në këtë garë vetëm për t’u rizgjedhur, por meqë sipas saj po flitet për garë, atëherë ajo ka thënë se gara e vërtetë është ajo te populli.

“Për të hyrë në këtë garë presidentja Osmani hyn për t’u rizgjedhur, e nëse flasim për garë, atëherë garë për garë po kthehemi aty ku gara është e vërtetë, është te qytetarët e Republikës së Kosovës, ne kemi kohë, janë edhe 24 orë afat, dhe ne jemi të gatshëm që në ora 8 në mëngjes që të dorëzojmë amendamentet në Kushtetuese dhe të kthehemi te sovrani, ku është problemi, matemi dhe pastaj kuptojmë se cila është përgjigja”, është shprehur Hollaj në “Interaktiv” të KTV-së./ Koha,net


Raportet ndërkombëtare: Grupet kurde mobilizohen në kufirin me Iranin, flitet për ofensivë të mundshme tokësore

 

Grupet kurde iraniane janë mobilizuar përgjatë kufirit Iran-Irak dhe po përgatiten për operacione kundër regjimit në Teheran, ndërsa disa raportime flasin edhe për një ofensivë të mundshme tokësore. Zhvillimi është raportuar nga disa prej mediave më serioze ndërkombëtare, përfshirë Reuters, Associated Press dhe The Guardian.

 

Sipas burimeve të cituara nga Reuters, përfaqësues të disa organizatave të armatosura kurde kanë zhvilluar diskutime me zyrtarë amerikanë për mundësinë e operacioneve ushtarake kundër forcave iraniane në rajonet kurde të Iranit. Këto grupe përfshijnë organizata si Partia Demokratike e Kurdistanit të Iranit (KDPI), Kurdistan Freedom Party (PAK), Komala dhe PJAK, të cilat kanë luftuar prej dekadash kundër regjimit iranian dhe kanë baza kryesisht në territorin e Kurdistanit të Irakut.

 

Associated Press raporton se njësi të këtyre organizatave janë vendosur pranë kufirit dhe janë në gjendje gatishmërie, ndërsa analistët e sigurisë thonë se kjo mund të hapë një front të ri kundër Iranit në veriperëndim të vendit.

 

Disa raportime mediatike pretendojnë se qindra ose mijëra luftëtarë kurdë mund të kenë kaluar kufirin dhe të kenë nisur operacione të kufizuara brenda territorit iranian. Sipas një zyrtari të një koalicioni kurd të cituar nga media ndërkombëtare, “lëvizjet tokësore kundër Iranit mund të kenë nisur që nga mesnata e 2 marsit”.

 

Megjithatë, këto raportime mbeten të diskutueshme. Zyrtarë të administratës së Kurdistanit të Irakut kanë deklaruar se nuk ka prova që forcat kurde nga territori i tyre kanë hyrë në Iran, ndërsa disa burime kurde kanë mohuar ekzistencën e një ofensivë të madhe tokësore.

 

Analiza e mediave ndërkombëtare sugjeron se strategjia e SHBA dhe Izraelit mund të përfshijë hapjen e një fronti të ri përmes pakicave etnike në Iran, veçanërisht në rajonet kurde. The Guardian raportoi se sulmet ajrore në zonat kufitare mund të kenë për qëllim krijimin e kushteve për një operacion të mundshëm tokësor të forcave kurde.

 

Sipas analistëve të sigurisë, një front kurd do të ishte një sfidë serioze për Teheranin, pasi Irani ka një popullsi të madhe kurde dhe rajonet ku ata jetojnë janë malore dhe të vështira për kontroll ushtarak.

 

Megjithatë, një zhvillim i tillë mbart edhe rreziqe të mëdha gjeopolitike, pasi mund të destabilizojë më tej rajonin dhe të provokojë reagime nga shtete si Turqia, e cila është tradicionalisht kundër forcimit të grupeve të armatosura kurde.

 

Për momentin, burimet ndërkombëtare konfirmojnë mobilizimin e forcave kurde dhe përgatitjet për operacione, por nuk ka ende prova të qarta që një ofensivë e madhe tokësore kundër Iranit ka nisur plotësisht.


LDK: Qasja e VV-së nuk reflekton përpjekje serioze për konsensus, vendi drejt zgjedhjeve

 

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.

 

Në një postim në Facebook, pasi që VV-ja e propozoi Glauk Konjufcën për president, kjo parti ka vlerësuar se për shkak qasjejes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.

 

“Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

 


Hamza: Pa marrëveshje paraprake politike nuk ka votë nga PDK-ja

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai përfaqëson nuk do të japë votë për president pa një marrëveshje paraprake politike.

 

Hamza për Kosovapress tha se qëndrimi i PDK-së ka qenë konsistent.

 

“Qëndrimi është i njëjti, Partia Demokratike e Kosovës ka konsistencë, s’kemi pas vija të kuqe, kemi pas vullnet të plotë me votuar një kandidat, po nëse do të kishte qenë dikush prej familjes Jashari, flas me respekt, me respekt deri në përulje e vlerësojmë vendimin e familjes. Kemi thanë që duhet të ketë marrëveshje politike, që paraprakisht t’i paraprijë marrëveshja politike që të kemi president të zgjedhur, të propozuarin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha kryetari i PDK-së.

 

Ai u shpreh se nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti në Kuvend lidhur me këtë çështje.


Hamza thotë se nuk ka një qëndrim për Andin Hoti i përmendur në media si kandidat i mundshëm i Vetëvendosjes për president.

 

“S’kemi qëndrim se s’ka kandidaturë zyrtare, mirëpo pa marrëveshje paraprake nuk ka votë prej Partisë Demokratike”, tha Hamza.


Lëvizja Vetëvendosje e propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës

 

 


Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca për pozitën e presidentit.

 

Në një postim në rrjetin social Facebook partia në pushtet ka shkruar se në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.

 

“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme. Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca”, thuhet në postim.

 

Vetëvendosja i ka ftuar subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat dhe ka njoftuar se nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese do t’i ndihmojnë nga grupi i tyre parlamentar. 

 

 
“Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në postim.

 

Tutje thuhet se gjatë takimeve të zhvilluara me krerët e partive opozitare por se nga to nuk kanë marrë një propozim konkret për një kandidat konsesual për president.

 

“Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë. Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar”, thuhet në postim.

XS
SM
MD
LG