Lidhje


SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës bashkojnë forcat: ekipe të përbashkëta hetimore kundër krimit

 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokuroria Speciale e Kosovës do të krijojnë ekipe të përbashkëta hetimore për çështje penale.

 

Marrëveshja për krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore u firmos sot në Prishtinë gjatë një takimi mes delegacionit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës.

 

Ekipi i SPAK kryesohej nga Klodjan Braho, dhe përbëhej nga ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, si dhe prokurorja në EUROJUST, Fatjona Memçaj.

 

Delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i shoqëruar nga prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe Laura Pula si dhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

 

Gjatë bisedës, të dyja palët konfirmuan angazhimin e përbashkët institucional në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në të dyja anët e kufurit, si dhe diskutuan për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, koordinimin dhe efikasitetin në luftën kundër krimit në të dyja vendet.

 

Në fokus ishte edhe bashkëpunimi mes dy prokurorive për hetimet penale dhe çështjet që prekin të dy vendet.


Rashiq tërhiqet pas deklaratës për Deçanin: “Kam bërë gabim, e ngatërrova me rastin e Patriarkut Porfirije”

 

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Kosovë, Nenad Rashiq, është tërhequr nga deklarata e tij e mëparshme lidhur me vendimin për bartjen e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit, duke pranuar se kishte bërë një ngatërresë në interpretimin e ngjarjeve.

 

Në një përgjigje telefonike për KALLXO.com, Rashiq tha se kishte ngatërruar rastin e tokës së Manastirit me një tjetër vendim të qeverisë që lidhej me vizitën e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023.

 

“E vërteta është që, me keqardhje po them, i kam ngatërruar këto dy ngjarje që kanë qenë afër njëra-tjetrës dhe tani kanë kaluar tri vjet apo më shumë. Gabimisht kam thënë që lidhet me kthimin e tokës së Deçanit. Gabimisht kam bërë një permutacion duke përdorë fjalët e kryeministrit për vizitën e patriarkut në Kosovë”, deklaroi Rashiq, duke shtuar se i vjen keq nëse deklarata e tij ka krijuar konfuzion dhe se nuk e ka bërë këtë qëllimisht.

 

Deklarata e tij fillestare u bë në një intervistë për Radio Gorazhdec, ku Rashiq kishte thënë se këmbëngulja e tij kishte ndikuar që Qeveria e Kosovës të zbatonte vendimin për transferimin e tokës te Manastiri i Deçanit. Ai kishte treguar madje se kryeministri Albin Kurti i kishte thënë: “Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd.”

 

Pas kësaj deklarate pati reagime të forta nga opozita në Kosovë. Ish-kryeministri Avdullah Hoti (LDK) tha se deklarata e Rashiqit “e zhvesh plotësisht” Kurtin nga retorika e tij politike.

 

“Për vite u fol për ‘tradhti’ dhe ‘falje të tokës për manastirin’. Sot ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: ‘Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, shkroi Hoti.

 

Edhe Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës reagoi ashpër, duke deklaruar se nëse Kurti nuk e demanton një deklaratë të tillë, ajo përbën “më shumë se tradhti kombëtare”.

 

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, theksoi se për vite me radhë opinioni publik kishte dëgjuar akuza për “tradhti” lidhur me tokën e Manastirit të Deçanit.

 

“Sot ministri Nenad Rashiq tregon se si u mor vendimi: Albin Kurti i kishte thënë ‘Do ta bëjmë, por ta dish, për shkakun tënd’. Ajo që dikur përdorej për dramë politike, në pushtet u bë një vendim i thjeshtë”, shkroi ajo.

 

Edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, reagoi më 8 mars 2026, duke theksuar se Rashiq kishte ngatërruar rastin e tokës së Manastirit me pranimin e kërkesës për vizitën e Patriarkut Porfirije.

 

“Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, e vendosur si kusht nga Këshilli i Evropës gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në vitin 2024, është sqaruar qartë në mbledhjen e Qeverisë dhe në konferencën për media në kohën kur u mor vendimi”, deklaroi Manxhuka.

 

Vendimi për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit u bë publik më 13 mars 2024, kur kryeministri Albin Kurti njoftoi se kishte kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës transferimin e pronës në emër të manastirit. Ai atëherë deklaroi se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ishte i rëndësishëm për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, një proces që megjithatë nuk u finalizua me sukses.

 

Toka në fjalë ndodhet rreth Manastirit të Deçanit dhe në kadastër ishte e regjistruar më parë në emër të dy ndërmarrjeve, “Iliria” (hotel) dhe “Apiko” (fabrikë mjalti). Pronësia e Manastirit mbi këtë sipërfaqe u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.

 

Megjithatë, autoritetet lokale në Deçan për vite me radhë kishin refuzuar ta zbatonin këtë vendim, duke argumentuar se toka ishte marrë me dhunë gjatë viteve ’90 nga regjimi i atëhershëm serb i Sllobodan Millosheviqit.


Veton Surroi: Asnjë kriter kushtetues nuk u përmbush për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës!

 

Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se asnjë nga kushtet e parapara për shpërndarje të Kuvendit nuk është përmbushur, ditën kur presidentja Vjosa Osmani e nxori dekretin.

 

Në një postim në Facebook ai ka thënë se presidenti/ja ka autorizime kushtetuese, të përcaktuara shprehimisht, për të shpërndarë Kuvendin e Republikës së Kosovës në tri raste.

 

“Nëse nuk formohet Qeveria brenda 60 ditëve nga emërimi i kandidatit për Kryeministër, nëse dy të tretat e deputetëve votojnë për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëse Presidenti/ja nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e tij/saj. Këtyre tri u shtohet edhe votimi i suksesshëm i mosbesimit të Qeverisë. Asnjë nga këto kushte nuk ishte përmbushur më 6 mars, kur u shpall dekreti për shpërndarjen e Kuvendit”, ka shkruar Surroi.

 

Ai ka vlerësuar se presidenti/ja nuk ka kompetencë diskrecionale për të interpretuar kompetencat e veta përtej asaj që përcakton Kushtetuta dhe për të ndërhyrë në proceset e pushteteve të tjera.

 

“Deklarimet për ekzistencën e një bllokimi institucional, për veprime të ‘njerëzve të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme’, apo për një detyrim të pretenduar për të vepruar në mbrojtje të rendit kushtetues, nuk krijojnë kompetenca të reja kushtetuese dhe nuk mund të zëvendësojnë kushtet e përcaktuara në Kushtetutë për ushtrimin e një kompetence të caktuar”, ka shkruar Surroi.

 

Ai ka thënë se edhe në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti nuk vepron i vetëm.

 

“Dekreti i dakorduar me kryeministrin anulohet nëse nuk miratohet nga Kuvendi brenda 48 orësh. Kosova nuk është në gjendje të jashtëzakonshme dhe edhe sikur të ishte, veprimet e Presidentit mbeten të kufizuara nga kontrolli kushtetues i Kuvendit”, ka shkruar Surroi.

 

Sipas tij kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit është një nga kompetencat më të fuqishme në sistemin kushtetues, sepse ajo siç ka thënë ai, ndërpret mandatin e përfaqësimit popullor, ndryshon rendin institucional dhe çon në zgjedhje të reja parlamentare. Ushtrimi i kësaj kompetence pa u përmbushur kushtet kushtetuese përkatëse, sipas Surroit, përbën cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues.

 

“Dekreti i shpallur më 6 mars përbën ndërhyrje në funksionimin e pushtetit legjislativ dhe në baraspeshën institucionale të përcaktuar nga Kushtetuta. Rrjedhimisht ka pritshmëri të arsyeshme që dekreti të përcaktohet si akt në kundërshtim me Kushtetutën”, ka shkruar Surroi.

 

Ai ka thënë se duhet të ketë poashtu pritshmëri të arsyeshme që deri në një vlerësim kushtetues përfundimtar të pezullohet zbatimi i dekretit me masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. “Kuvendi i Kosovës duhet të vazhdojë ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese dhe përmbushjen e obligimeve që i takojnë sipas Kushtetutës”, ka shkruar ai.

 

Presidentja Osmani ka thënë se për nxjerrjen e dekretit është mbështetur në nenet 82 e 86 të Kushtetutës. Neni 82 cek se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh, nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, presidenti nuk zgjidhet. E ai 86, se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

 

Osmanit mandati i përfundon më 4 prill./Koha.net


Qeveria kundër Rashiqit për tokën e Manastirit të Deçanit: “Vendimi u mor vetëm për anëtarësimin në Këshillin e Evropës”

 

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili kishte pohuar se vendimi për bartjen e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit u mor pas këmbënguljes së tij personale. Përmes një reagimi publik, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka sqaruar se vendimi nuk ka qenë rezultat i ndikimit individual, por lidhej drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

 

Manxhuka theksoi se çështja ishte shpjeguar qartë që në momentin kur u mor vendimi nga ekzekutivi.


“Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, vendosjes si kusht nga Këshilli i Evropës, përgjatë procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në vitin 2024 është sqaruar qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për media pas saj, në kohën kur ishte marrë ai vendim”, deklaroi ai.

 

Sipas Qeverisë, zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është bërë ekskluzivisht në kontekstin e përpjekjeve për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.


“Zbatimin e aktgjykimit, tashmë të marrë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë vetëm në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër”, theksoi Manxhuka.

 

Ai rikujtoi gjithashtu se në prill të vitit 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte votuar fuqishëm në favor të Kosovës. Me 131 vota pro dhe 29 kundër, ajo i rekomandoi Komitetit të Ministrave që Kosova të ftohej të bëhej anëtare e plotë e organizatës.

 

Në këtë kontekst, Manxhuka përmendi edhe raportin e raportueses së Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, e cila në mars të vitit 2024 konfirmoi se Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara.


Sipas tij, pas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, raporti i Bakoyannis konstatonte se vendi kishte plotësuar parakushtet për anëtarësim dhe duhej të ftohej të bëhej anëtar pa kërkesa shtesë.

 

Zëdhënësi i Qeverisë nënvizoi gjithashtu se kërkesa për zbatimin e këtij aktgjykimi kishte ekzistuar prej vitesh. Ai kujtoi se që nga fillimi i mandatit të qeverisë Kurti në mars të vitit 2021, përfaqësues të vendeve të Quint-it dhe vetë ministri Rashiq kishin kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, sipas tij, kjo u realizua vetëm në momentin kur u lidh drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, tre vjet më vonë, në mars të vitit 2024.

 

Në reagimin e tij, Manxhuka hodhi poshtë edhe interpretimin e bërë nga Rashiq për ndikimin e tij në këtë proces, duke thënë se ministri ka ngatërruar çështje të ndryshme.


“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë.

 

Debati për pronësinë e 24 hektarëve tokë rreth Manastirit të Deçanit është një nga çështjet më të ndjeshme politike dhe juridike në Kosovë. Vendimi për regjistrimin e tokës në emër të manastirit buron nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, i cili për vite me radhë nuk ishte zbatuar nga institucionet lokale dhe qendrore. Zbatimi i tij në vitin 2024 u lidh drejtpërdrejt me përpjekjet e Kosovës për të avancuar procesin e integrimit në Këshillin e Evropës.


“Do ta bëjmë për ty!” – Rashiq zbulon bisedën me Kurtin për tokën e Manastirit të Deçanit, shpërthejnë reagimet në Kosovë

 

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka deklaruar se vendimi për bartjen e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit u realizua pas këmbënguljes së tij personale. Në një intervistë për Radio Gorazhdec, Rashiq tha se kryeministri Albin Kurti i kishte thënë para mbledhjes së qeverisë: “Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd.”

 

Deklarata e ministrit ka shkaktuar reagime të forta politike në Kosovë. Ish-kryeministri Avdullah Hoti tha se kjo dëshmi “e zhvesh nga retorika politike” Kurtin, duke kujtuar se për vite vendimi për tokën e manastirit ishte cilësuar si “tradhti”, ndërsa në pushtet u miratua pa hezitim.

 

Edhe figura të tjera të opozitës reaguan ashpër. Daut Haradinaj nga AAK deklaroi se nëse Kurti nuk e mohon këtë version, çështja mund të konsiderohet “më shumë se tradhti kombëtare”. Ndërsa deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra tha se drama politike e viteve të kaluara rezulton të ketë qenë “shumë më e thjeshtë sesa u paraqit publikisht”.

 

Vendimi për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit u zbatua në mars 2024 nga qeveria e Kosovës, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Kryeministri Kurti atëherë deklaroi se zbatimi i këtij vendimi ishte i rëndësishëm për procesin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse anëtarësimi nuk u realizua.

XS
SM
MD
LG