Lidhje


Ahmetaj nxjerr AUDIO-PËRGJIMET: Miku i Ramës, izraeli Ron Yeffet, trafik armësh nga Shqipëria

Në intervistën e tij nga Zvicra për gazetarin Çim Peka, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar audiopërgjime që, sipas tij, zbulojnë një skemë të dyshuar të abuzimit me fondet publike, grabitjes së aseteve shtetërore dhe trafikut ndërkombëtar të armëve. Në qendër të denoncimeve të tij janë biznesmeni Ron Yefet, kompania Timak Defense dhe ajo që Ahmetaj e quan ‘koncepti KAYO’.

 

Pjesë nga intervista ekskluzive:

ÇIM PEKA: Jemi rikthyer në pjesën e dytë me Arben Ahmetajn, jemi live nga Zvicra. E kam prezantuar, po flitet shumë për dëshminë e re të cilën zoti Ahmetaj e posedon dhe ka marrë përsipër ta bëjë publike.

 

Bëhet fjalë për një audiopërgjim. Ahmetaj, nuk dua t'ju pyes siç pyesin çdo gazetar në Shqipëri çfarë do bëjë e çfarë s'do bëjë, se kryesisht gazetarët e regjimit pyesin ‘nga e gjete’, por kjo nuk më intereson fare. Çfarë do të thotë për ju ky audiopërgjim?

 

ARBEN AHMETAJ: Mund të më pyesësh ku e gjeta, përgjigjja ime do të ishte që s'jam i autorizuar, po ju s'më pyetët, kështu që unë nuk po ju përgjigjem.

ÇIM PEKA: As nuk më duhet. Rëndësi ka që është autentik, nuk kontestohet dot.

 

ARBEN AHMETAJ: Mund të marrin qindra e qindra specialistë. Ka dhe një interceptim tjetër në Monako, tre orë, ku kreu i organizatës është kryefjala.

ÇIM PEKA: Domethënë bëhet fjalë për vazhdimin e...

 

ARBEN AHMETAJ: Jo për këtë sot, për vazhdimin. Sot do mjaftohemi tek e para. Këta personazhe kanë dhe një interceptim tjetër. Patjetër, dhe aty pastaj është një serial tjetër, film me krim të organizuar.

ÇIM PEKA: Pra, edhe unë si Beni po i drejtohem publikut. E kuptova që ka dhe gjashtë.

 

ARBEN AHMETAJ: Bëhet fjalë për audiopërgjimin, se s'dua t'i mbaj në suspensë askënd, se nuk është ky qëllimi. Bëhet fjalë për personazhin shumë të njohur në Shqipëri tashmë, amerikano-izraelito-shqiptarin Ron Yefet. Çfarë është Ron Yefet? Ron Yefet është parë në Shqipëri në vitin 2008 dhe ka një marrëdhënie të hershme me kreun e organizatës.

 

ÇIM PEKA: Është izraelit?

ARBEN AHMETAJ: Është amerikano-izraelit edhe shqiptar. Pra, i ka të treja pasaportat, mos gabohem, pastaj se s'kanë ndonjë vlerë. Është personi që unë kam denoncuar, që ka kërkuar kreu i organizatës t'i mbyllë borxhin e Shqipërisë. Ky është pikërisht personi që Ditmir Bushatit i është kërkuar t'i dorëzohet ambasada e Nju Jork-ut tonë, për ndërtim, për Ron Yefetin. Dhe sot ka shumë elementë.

 

Po dua përpara të shpjegoj. Ron Yefeti është zotëruesi 49% i kompanisë Timak sh.p.k. Timak sot zotëron 80% të kompanisë Timak Defense, ndërsa 20% zotërohen nga KAYO. Pra, ne e kemi denoncuar konceptin KAYO. Do dëgjoni në audiopërgjim, koncepti KAYO si koncept kriminal shtrihet sot në të gjithë damarët financiarë të shtetit në mënyrë kriminale.

 

ÇIM PEKA: I çfarë viti është audiopërgjimi?

ARBEN AHMETAJ: Është i janarit 2026. Të këtij viti. Pra, Ron Yefeti ka Timak Special Vehicles që i ndërrojnë emrin nga MAN në Land Cruiser, ia ndërrojnë në shkëmbi, Timak Defense e të tjera. Qesharake. Edhe kuptohet që aktori kryesor është kreu i organizatës, se do shikojmë pastaj në disa dokumenta shumë interesantë kontributin e Ron Yefetit këtu.

 

Pastaj ka UNO 18 me Arjeta Puca që kanë edhe këtë Advanced Arms Technology që praktikisht në audiopërgjim do kesh elementë të trafikut të armëve. Do kemi dhe Ermal Raketën. Ermal Nufin, sepse sot pseudonimin në Ministrinë e Mbrojtjes e ka Ermal Raketa.

 

ÇIM PEKA: Ministri aktual i Mbrojtjes?

ARBEN AHMETAJ: Ministri aktual i Mbrojtjes do ta them pak më vonë. Pastaj ke këto Timak Aviation me Arjeta Puca. Kush është Arjeta Puca? Do t'ia lëmë Plugut, se ka drejtues shumë interesantë tek Plugu.

Dhe pastaj ke Timak Horse Club, se sigurisht që kur vjedh paratë e buxhetit të shtetit, të duhen që të kalosh te jahtet, te avionët, te golfi, tek fërkimi nëpër hotelet në Itali me 10,000 euro apo 80,000 dollarë të katër bileta, apo nga një biznesmen 12 fluturime me charter, se s'ke ku të shkosh. Ky është kreu i organizatës.

 

Pra, pa dashje të gjithë përplasen nganjëherë dhe te Ekosi. Ku koordinatori ka bërë atë që ka bërë. Unë Ron Yefetin sot e quaj Ergys Agasi anglishtfolës. Ky personazh është identik Gysi Agasi ndërkombëtar. Identik.

Tani vijmë tek audiopërgjimet. Sigurisht që regjia është përgatitur. Këtu kam ofruar gjashtë raunde për të mos i marrë kohë shqiptarëve. Raundi i parë.

 

ÇIM PEKA: Pra, publiku i ka ndjekur dhe nëpërmjet ekranit të titruar në shqip. Tani sqaro pak çfarë është?

ARBEN AHMETAJ: Është interesante. Është midis Ron Yefetit dhe dy qytetarëve, ukrainishtfolës dhe rusishtfolës. Njëri prej tyre e ka emrin Igor, por këta nuk janë fokusi im.

 

Bëhet fjalë për grabitjen e Delvinës me të njëjtin koncept, konceptin KAYO. Shqiptarët duhet ta dinë që kreu i organizatës së bashku me plaçkitësen kanë më shumë se 9-10 muaj që tentojnë të grabisin Delvinën për t'ia dhënë Ron Yefetit.

 

Koncepti KAYO është: shteti krijon një kompani, siç ka krijuar KAYOn. Dhe pastaj këtu fillojnë gjithë vemjet, joint venture, me 80% vemjet dhe 20% shteti i shkretë. Devijojnë paratë e buxhetit të shtetit dhe shërbimet pa tender në mënyrë kriminale tek kompanitë bija të KAYOs. Dhe vemjet nuk hedhin asnjë cent.

 

Do ta shikojmë tek Timak Defense. Këto janë krijesa të Edi Ramës. I lutem deputetëve të partisë time që votuan ligjin e KAYO-s, të mos e ulin kokën, se po ju vjen ligji tjetër në shëndetësi. Është i njëjti koncept KAYO me izraelitin tjetër Sani, që e paska deklaruar dhe në grup, ka thënë ‘ministrja iku se nuk firmosi’. Le ta mohojë sa ta dojë, se nga brenda grupit më ka ardhur, por ka thënë se, ne do bëjmë një gjë fantastike pa tender me izraelitin në Shëndetësi. Prandaj ka ikur ministria.

 

ÇIM PEKA: Është tjetër izraelit ky?

ARBEN AHMETAJ: Është tjetër izraelit ky. Është influenca e Ron Yefetit. Këtu bëhet fjalë që të grabitet Delvina, madje aty i thotë: ‘Nuk keni nevojë për para, ndërtoni pak pjesën teknike se s'ka hedhur asnjë cent’.

 

Dhe sigurisht që Ermal Raketa, që atë ditë ka qenë zëvendëssekretar i përgjithshëm, që u bë kryetar i bordit të KAYOs, u bë ministër i Mbrojtjes. E mbani mend që zoti Peka, në intervistën e fundit, kam thënë që është ndërruar komandanti i forcave tokësore me qëllim.

 

Tani do shohim transfertat, paratë e shqiptarëve si u shkojnë miqve, klientëve dhe kreut të organizatës. Unë brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste shoh që nuk ndjehet njeri për plaçkitësen, votojnë këtë ligj kriminal për të vënë duart në kokë.

 

ÇIM PEKA: Po pse i quajtur Ermal Raketa?

ARBEN AHMETAJ: Ermal Raketa është pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre. Nga brenda më ka ardhur. Kur kreu i organizatës i ka thënë: ‘Ermal, ti po më zhgënjen’, Ermali çohet në këmbë dhe i thotë: ‘Unë për ty bëj dhe raketë!’. E firmos. Dhe Forcat e Armatosura tash kanë filluar i thonë Ermal Raketa.

 

Kalojmë tek episodi i dytë.


“Tigrat” e Vlorës që hanë miliona pa prodhuar energji: ERE pezullon licencën

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dhënë një goditje të fortë projektit të dy TEC-eve lundruese në Vlorë, duke pezulluar zyrtarisht procedurën për licencimin e tyre. Përmes një vendimi të marrë më 3 shtator, ERE bëri të ditur se ky pezullim do të mbetet në fuqi derisa Agjencia Kombëtare e Mjedisit të sqarojë përfundimisht nëse këto impiante gëzojnë një leje mjedisore të vlefshme.

 

Lëvizja e rregullatorit vjen pas kërkesës së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) të datës 6 korrik 2026 për ri-licencimin e veprimtarisë së prodhimit të energjisë nga “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Portin e Triportit, duke vënë sërish në pikëpyetje të ardhmen e dy platformave që rëndojnë mbi financat publike.

 

Të ankoruara që prej shtatorit të vitit 2022 me premtimin e ish-ministres Belinda Balluku se do të mbulonin 15% të nevojave të vendit, dy platformat me kapacitet 110 MW po rezultojnë një barrë e papërballueshme:

 -Prodhimi minimal: Që nga nisja e punës në shtator 2024 e deri sot, kanë prodhuar vetëm 110 mijë MW energji, një sasi e papfillshme për pikun e verës. 
 
 -Kostoja e çmendur: Një megavat i prodhuar prej tyre kushton plot 170 euro.
 
 -Qira dhe shërbime ditore: Shteti paguan 90 mijë dollarë në ditë (60 mijë për amerikanët e “Excelerate Energy” dhe 30 mijë për italianët e “Renco”). Deri më tani,       faturat e qirasë e mirëmbajtjes kapin 65 milionë dollarë, ndërsa mbi 15 milionë euro janë shpenzuar vetëm për lëndë djegëse.
 
 -Importet emergjente: Për të mbuluar boshllëkun, KESH ka shpenzuar së fundmi 21.4 milionë euro në 4 ankande ndërkombëtare (me çmime deri në 169 €/MW),
  duke e çuar faturën totale të importit në 63 milionë euro.

Përveç kostove marramendëse, projekti po spikat për procedurat e dyshimta prokuruese. Së fundmi, KESH i drejtuar nga Vjola Haxhiademi shpalli fituese kompaninë “LA PETROLIFERA ITALO ALBANESE” për një kontratë 5.2 milionë eurosh me objekt depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse. Procedura u zhvillua me negocim pa njoftim paraprak (e rezervuar vetëm për urgjenca), ku operatori i vetëm fitues ofroi 99.94% të fondit limit.

 

Ndërsa ambientatistët, avokatët dhe inxhinierët vijojnë kundërshtimet për shkak të ndotjes masive në Gjirin e Vlorës, reagimet janë përshkallëzuar edhe në planin politik. Përdorimi i procedurave pa garë, i përsëritur edhe në vitin 2023 me një tender prej 7.2 milionë eurosh, teksa në proces është edhe një tjetër kontratë 20 milionëshe, ka përforcuar aludimet se ardhja e dy centraleve nuk lindi nga nevoja energjetike, por si kompromis politik mes Belinda Ballukut dhe ish-ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim.

 

E ndërsa ERE pezullon procedurat, pyetja që kërkon përgjigje është se sa gjatë do të vazhdojnë taksapaguesit shqiptarë të paguajnë miliona euro për dy “tigra” sehirxhinj që djegin para pa prodhuar energji.


I dërguari i Trump hyn në debatin për shtetin Bektashi: “Të vendosë populli shqiptar”

 

I dërguari presidencial amerikan për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë, ku u takua me Baba Mondin dhe foli për marrëdhëniet SHBA–Shqipëri, bashkëjetesën fetare dhe projektin për krijimin e një shteti sovran bektashi. Zampolli e cilësoi Shqipërinë një aleate dhe mike të rëndësishme të SHBA-së, duke thënë se marrëdhënia mes dy vendeve është e shkëlqyer dhe mund të forcohet më tej.

Read more ...


Alarm për Rivierën: Turistët po zgjedhin më tepër Shqipërinë malore, larg detit

 

Nëse Shqipëria do ta gjykonte sezonin turistik vetëm nga fotografitë në Instagram, vera e vitit 2026 do të dukej thuajse e përsosur.

 

Ujë i kaltër në Ksamil, kroçiere përpara Sarandës, tavolina buzë detit në Himarë dhe një lumë makinash që zbriste çdo fundjavë drejt Jugut. Por turistët e sotëm kanë një zakon: pasi bëjnë foton e radhës, shkruajnë edhe vlerësimin. Dhe vlerësimet e korrikut dhe gushtit tregojnë një Shqipëri disi tjetër.

 

Në Reddit dhe Tripadvisor, turistët vazhdojnë të jenë pothuajse të njëzëshëm për një gjë: Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur.

 

Por ata janë shumë më pak unanimë për mënyrën se si po shitet kjo bukuri. Në bregdet, sidomos në Ksamil dhe Sarandë, lavdërimi për natyrën shoqërohet gjithnjë e më shpesh me ankesa për mbipopullim, shezlongë, beton, muzikë, trafik dhe çmime.

 

Në Berat, Gjirokastër dhe Theth, ndërkohë, përshtypjet ndryshojnë. Turistët flasin për histori, ushqim, familje, autenticitet, male dhe mikpritje. Kështu, paradoksi i kësaj vere është i thjeshtë: turistët erdhën në Shqipëri për detin, por një pjesë e tyre duket se u dashurua me gjithçka që ndodhet larg tij.

 

Deti nuk humbi, bregdeti po rrezikon ta humbasë

 

Është e rëndësishme të bëhet dallimi që turistët nuk po kritikojnë Jonin ku është edhe fokusi më i madh i komenteve në raport me Adriatikun. Për Ksamilin, një vizitor i korrikut shkruan se “uji është i ngrohtë dhe i pastër si kristal”.

 

Një tjetër e përshkruan detin të bukur, por përfundon me vetëm dy fjalë për eksperiencën përreth tij “Shumë kaotike”.

 

Kjo mund të jetë përmbledhja më e saktë e problemit të Rivierës Shqiptare.

 

Natyra vazhdon të prodhojë atë që reklamat premtojnë. Industria turistike e ngritur mbi të, jo gjithmonë. Në Ksamil, komentet e korrikut dhe gushtit përmendin plazhe të mbushura me shezlongë, hapësirë të kufizuar publike, muzikë të lartë, parkim të kushtueshëm dhe çmime që ndryshojnë sipas rreshtit të çadrave apo ditës së javës.

 

Një vizitore, duke parë ritmin e zhvillimit, shkruan: “Po ndërtohet kudo”. Deti, shton ajo, mbetet transparent dhe peizazhi i bukur. Pikërisht ky kontrast e bën kritikën më domethënëse.

 

Një tjetër turist vëren diçka që deri pak vite më parë do të dukej e çuditshme për një destinacion që tregtohej si alternativa e lirë dhe e paprekur e Mesdheut: në një pjesë të Ksamilit, sipas tij, nuk kishte mundësi të shtrije thjesht peshqirin, duhej marrë një shezlong me pagesë.

 

Kështu, Shqipëria po përballet me një problem tipik të destinacioneve që bëhen të famshme më shpejt se sa mësojnë të menaxhojnë famën. Askush nuk ankohet se deti është tepër i bukur. Ankesa është se gjithnjë e më shumë pengesa po hasen midis turistit dhe detit.

 

Një Rivierë që po shet gjithnjë e më shumë, por jo domosdoshmërisht po bind

 

Për shumë vite, avantazhi që reklamohej mbi vendin tonë ishte i qartë: bukuri mesdhetare me çmime jomesdhetare, pra ekonomike. Në verën e vitit 2026, ky ekuacion duket më i pasigurt.

 

Turistët vazhdojnë të gjejnë çmime të leverdishme, por jo domosdoshmërisht aty ku fama turistike është më e madhe. Në Ksamil ka komente për çadra që kushtojnë nga 1,000 deri në 3,500 lekë. Në një beach club tjetër, një vizitor raporton 4,000 lekë për një çadër madje ka edhe shifra shumë më të kripura se kaq. Ka edhe përvoja shumë pozitive, me staf të sjellshëm dhe çmime të mira, gjë që tregon se problemi nuk është universal. Por paqëndrueshmëria e eksperiencës është vetë një problem.

 

Një turist në Reddit, pasi vizitoi Sarandën dhe Himarën në gusht, e përshkruan udhëtimin si “një miks gjendjesh”. Deti dhe restorantet e mira e bindën, përvoja e përgjithshme shumë më pak. Kjo nuk do të thotë se turistët po braktisin Rivierën. Përkundrazi, turma tregon të kundërtën.

 

Por turizmi nuk matet vetëm me numrin e njerëzve që vijnë. Matet edhe me numrin e atyre që duan të kthehen. Dhe pikërisht këtu bregdeti shqiptar duhet të jetë më pak i kënaqur me vetveten.

 

Kur turisti largohet nga deti

 

Mjafton të ngjitesh drejt Beratit që gjuha e komenteve të ndryshojë. Një vizitor i korrikut e quan qytetin “një nga vendet tona të preferuara në Shqipëri”. Përshkrimet flasin për karakter, histori, rrugë të vjetra, shtëpi tradicionale dhe pamje. Një tjetër vizitor ngjitet në kala në mbrëmje dhe habitet se brenda mureve gjen një “micro village” (një fshat të vogël), me banorë, restorante dhe jetë reale.

 

Ky është një detaj i vogël, por me rëndësi. Turisti modern nuk duket se kërkon vetëm atë që është e bukur. Ai kërkon atë që duket sikur i përket vendit ku ndodhet.

 

Berati e ka ende këtë avantazh. Kalaja nuk është thjesht monument. Është lagje. Shtëpitë nuk janë dekor i ndërtuar për turistin.

 

Historia nuk është një skenografi e vendosur sezonalisht në korrik. Në një Europë ku shumë qendra historike i ngjajnë njëra-tjetrës, të njëjtat dyqane suveniresh, të njëjtat menu, të njëjtat apartamente me qira, kjo lloj papërsosmërie autentike si në Berat bëhet një produkt turistik shumë i çmuar.

 

Gjirokastra dhe ekonomia e një pjate me fërgesë

 

Nëse Berati shet histori, Gjirokastra duket se po shet diçka edhe më të fortë: ndjesinë se turisti nuk është thjesht klient. Komentet e restoranteve tradicionale gjatë korrikut dhe gushtit janë të mbushura me referenca ndaj ushqimit familjar, çmimeve të arsyeshme dhe pronarëve që shërbejnë vetë.

 

Në Tryezën e Ali Pashait, një vizitor e përshkruan gatimin si “ushqim i jashtëzakonshëm tipik shqiptar i gatuar në shtëpi”. Një familje prej tre vetash raporton një faturë prej 3,500 lekësh për disa pjata, ujë, birra dhe kafe, së bashku me pamjen mbi qytet dhe kala.

 

Në një restorant tjetër tradicional, një turist shkruan se ushqimi i kujton gatimin e gjyshes dhe se biznesi familjar e bën përvojën edhe më të veçantë. Një tjetër përshkruan pronarët si një çift që “nuk mund të kishin qenë më të këndshëm”.

 

Në një lokal tjetër, dy turistë raportojnë se hëngrën për vetëm 10.40 euro dhe, përveç porosisë, morën edhe pjata të vogla për të provuar specialitete të zonës. Ky është modeli i turizmit që po merr notat më të mira këtë verë. Jo domosdoshmërisht restoranti më i shtrenjtë. Jo objekti me investimin më të madh.

 

Jo vendi me muzikën më të fortë. Por tryeza ku dikush të shpjegon çfarë po ha, të sjell pak mjaltë nga familja dhe të ofron një ëmbëlsirë pa e përfshirë në faturë. Një model turistik i vështirë për t’u ndërtuar me rregullore e standarde, por tepër i lehtë për t’u shkatërruar nga mania e komercializimit të tepërt që po vjen me rritjen e interesit turistik për Shqipërinë.

 

Thethi, aty ku Shqipëria ende nuk ka nevojë të shtiret

 

Në Veri, avantazhi bëhet edhe më i dukshëm. Në Theth, turistët nuk kanë shumë nevojë për marketing. Malet e bëjnë punën vetë. Një vizitore në korrik e përshkruan një bujtinë si “shtëpia larg shtëpisë”, duke lavdëruar njëkohësisht peizazhin e maleve, familjen që e drejton dhe ushqimin.

 

Një tjetër bujtinë vlerësohet për gatimet lokale me çmime të arsyeshme dhe staf “jashtëzakonisht miqësor dhe i gjindshëm”. Natyrisht, as Thethi nuk është i imunizuar ndaj kritikave. Ka edhe komente për staf jo miqësor apo probleme me akomodimin.

 

Por dallimi me bregdetin është domethënës. Në Veri, kur turisti ankohet, zakonisht ankohet për një bujtinë. Në Ksamil, shpesh duket sikur po ankohet për modelin e destinacionit dhe pikërisht këtu duhet të nisë reflektimi.

 

Shqiptarët, mes mikpritjes dhe industrisë së shërbimit

 

Edhe perceptimi për shqiptarët është i ndarë në dy Shqipëri. Në Gjirokastër, Berat dhe bujtinat e Veriut, fjalët “miqësorë”, “mikpritës”, “familjare” shfaqen vazhdimisht.

 

Në bregdet dhe qytetet më të ngarkuara, tabloja është më e paqëndrueshme. Një turist çek që vizitoi Tiranën dhe Vlorën në gusht e vlerësoi udhëtimin vetëm 5 nga 10 dhe shkroi se shpesh ndihej sikur “nuk ishim të mirëpritur”. Ky nuk është një përfundim për karakterin e shqiptarëve. Komentet e tjera thonë pikërisht të kundërtën.

 

Është më tepër një tregues i një industrie që po rritet më shpejt sesa mundësitë e saj. Shqipëria ka një kulturë të fortë mikpritjeje private. Sfida është ta përkthejë atë në mikpritje profesionale pa e kthyer në buzëqeshje fasadë të një hoteli. Bizneset e vogla familjare duket se e bëjnë këtë më mirë se shumë struktura turistike më të mëdha.

 

Autenticiteti po bëhet luksi i ri

 

Për shumë vite, fjala kyçe e turizmit shqiptar ishte “e lirë”. Tani duhet të jetë “ndryshe”. Sepse Shqipëria nuk mund të fitojë një garë të pafundme ndërtimi me Greqinë, Kroacinë, Turqinë apo Spanjën. Ato kanë më shumë resorte, më shumë marina dhe infrastrukturë më të konsoliduar.

 

Ajo që Shqipëria ka dhe konkurrentët e saj e kanë shumë më pak është një territor i vogël ku, brenda disa orësh, një turist mund të kalojë nga një plazh jonian në një qytet historik, nga një vresht familjar në një luginë alpine.

 

Një darkë pak kilometra jashtë Gjirokastrës përshkruhet nga një vizitore si “pika kulmore e udhëtimit tonë në Shqipëri”, rrush mbi tavolinë, pula në oborr, verë nga vreshti përreth dhe perëndim dielli. Në gjuhën e industrisë së turizmit, kjo quhet “udhëtim i bazuar te përvojat” dhe është një nga segmentet që po shënon interesin më të madh të turistëve.

 

Në Shqipëri, kjo quhej dikur thjesht jetë e zakonshme dhe avantazhi ynë më i madh do të ishte ta ruanim atë.

 

Çfarë e fitoi verën e vitit 2026?

 

Deti mbetet një prej magneteve më të fuqishme të vendit. Pa të, Shqipëria vështirë se do të kishte parë këtë shpërthim interesi ndërkombëtar që po përjeton viteve të fundit.

 

Por komentet e turistëve të korrikut dhe gushtit sugjerojnë se deti po sjell klientin, ndërsa brendësia po krijon eksperiencën dhe kujtimet. Në Ksamil, fotografia më e mirë mund të jetë ajo e ujit të kaltër.

 

Në Gjirokastër mund të jetë darka në një oborr familjar. Në Berat, një mbrëmje mes gurëve të kalasë. Në Theth, mëngjesi përballë maleve. Dhe në turizëm, kujtimi është më i vlefshëm se fotografia.

 

Fotografia sjell “like” (pëlqime). Kujtimi sjell kthimin apo rikthimin e një turisti. Kjo është arsyeja pse fituesi i vërtetë i kësaj vere mund të mos jetë Riviera. E fitoi natyra, por sidomos ajo pjesë e Shqipërisë që ende nuk është ndërtuar posaçërisht për turistin.

 

Bregdeti ofroi peizazhin më të famshëm dhe të promovuar të vendit, por gjithnjë e më shpesh edhe problemet e një destinacioni që po rritet me shpejtësi: çmime të paqëndrueshme, trafik, zhurmë, beton, shezlongë dhe presion mbi hapësirën publike.

 

Brendësia ofroi diçka më të thjeshtë: ushqim, histori, male, familje dhe një ndjesi vendi. Për momentin, turistët duket se po votojnë për të dytën. Dhe ky duhet të jetë një paralajmërim për të gjithë palët. Shqipëria nuk ka nevojë të ndërtojë një version më të lirë të Rivierës franceze apo ishujve grekë.

 

Nëse përpiqet, çmimet do të afrohen me konkurrentët shumë përpara se infrastruktura dhe shërbimi t’i arrijnë ata. Produkti më i vlefshëm që Shqipëria ka për të shitur apo marketuar është pikërisht ajo që turistët po gjejnë pasi largohen nga plazhi: Shqipërinë e vërtetë./ Monitor

XS
SM
MD
LG