Lidhje


Avionët zjarrfikës, premtimi politik përballë realitetit të kontratës

Teksa kryeministri Edi Rama i ka paraqitur avionët zjarrfikës si një kapacitet të gatshëm për përballimin e situatave të zjarreve, dokumentet e kontratës ngrenë pikëpyetje serioze mbi atë se sa operacional është realisht ky kapacitet.

 

Sipas të dhënave të bëra publike nga Boldnews, kontrata me vlerë rreth 11.8 milionë euro lidhet me një proces ku avionët janë ende në fazën e trajnimit. Kjo krijon një hendek të qartë mes mënyrës se si është komunikuar publikisht gatishmëria e tyre dhe statusit real të përgatitjes.

 

Çështja nuk është thjesht teknike, por lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përdoren paratë publike dhe me përgjegjësinë për të garantuar që një investim i tillë të jetë funksional pikërisht kur nevojitet. Nëse një pjesë e kapaciteteve të paguara me miliona euro nuk është ende plotësisht e gatshme për ndërhyrje, atëherë pyetja që kërkon përgjigje është e thjeshtë: çfarë u është premtuar qytetarëve dhe çfarë është dorëzuar realisht?

 

Në situata zjarresh, ku koha është kritike, diferenca mes “të disponueshëm” dhe “plotësisht operacional” nuk mund të trajtohet si një detaj komunikimi politik.

 

Për këtë arsye, kontrata prej 11.8 milionë eurosh meriton transparencë të plotë: afatet e trajnimit, kriteret e pranimit të avionëve, pagesat e kryera, detyrimet e operatorit dhe momenti kur kapaciteti konsiderohet zyrtarisht operacional. Qeveria duhet të sqarojë publikisht nëse avionët ishin realisht në gatishmëri kur u shpallën të tillë dhe, nëse jo, pse u krijua kjo përshtypje.

 

Në një vend ku zjarret kanë kosto të drejtpërdrejtë mbi jetën, pronën dhe mjedisin, një investim milionësh nuk duhet të vlerësohet nga deklaratat politike, por nga një kriter shumë më i thjeshtë: a janë avionët gati të fluturojnë dhe të ndërhyjnë kur qytetarët kanë nevojë për ta?


Abazi i bëri vilën pasi mori tenderin nga Balluku, ajo e regjistroi në emër të Tares

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbuluar fakte të reja penale në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, duke vendosur sekuestron preventive mbi një vilë luksoze në kompleksin "Green Coast" në Palasë, e cila rezulton në pronësi faktike të të pandehurës Belinda Balluku.

 

Sipas SPAK, vila është përfituar përmes një skeme korruptive në këmbim të favorizimit të tenderit për "Ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7", me fond limit mbi 2.3 miliardë lekë.

 

Skema e fshehjes së pronës dhe rolet e përfshira:

  • Belinda Balluku: Akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe refuzim/fshehje të deklarimit të pasurisë. Ajo fshehu pronën dhe mori përfitime të parregullta në formë investimesh.

  • Arbër Abazi ("Alko Impex General Construction"): Akuzohet për korrupsion aktiv. Pasi u shpall fitues i tenderit, ai mori përsipër dhe financoi punimet e vilës në një vlerë prej 288,616 deri në 410,526 euro.

     
  • Igli Tare: Akuzohet për pastrim parash. U përdor si person i dytë përmes veprimeve dhe kontratave fiktive të sipërmarrjes e shitjes për të regjistruar pronën në emër të tij.

  • Zyrtarë të tjerë: Në abuzimin me tenderin janë përfshirë edhe ish-kreu i ARRSH Evis Berberi, si dhe anëtarë të njësisë së prokurimit e KVO-së.

Të dhënat e objektit të sekuestruar:

 

  • Vendndodhja: Vila 2F nr.188/1, Nukli 27, Green Coast, Palasë (ZK 1739, Pasuria 68/87/73).

  • Sipërfaqja: 478 m² truall dhe 142.6 m² ndërtesë (me dy kate dhe dy hapësira parkimi 20.1 m² e 40.2 m²).

Vendimi për sekuestro u caktua nga Gjykata e Posaçme më 9 shtator 2026, ndërsa hetimet po vijojnë.


Protesta, Dervishi: Policia është arbitër që duhet t’i ruajë të gjithë, jo të bëhet palë!

Gazetari Lufti Dervishi ka komentuar rolin e Policisë së Shtetit gjatë protestave, ku ka pasur akuza për dhunë,  duke theksuar se uniformat blu janë arbitër dhe nuk duhet të jenë palë.

 

“Policia nuk është palë, policia është arbitër. Pra policia ka për detyrë të sigurojë mbarëvajtjen dhe integritetin e punës së Kuvendit dhe të deputetëve, dhe nga ana tjetër të sigurojë edhe protestën”, tha Dervishi në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli.

 

Ai shtoi se policia nuk mund të përdorë dhunën, por forcën proprocionale në përputhje me ligjin. 

 

"Policia nuk ka pse shqetësohet pse njerëzit kanë dalë me kërkesa për rrëzimin e qeverisë, sepse kjo është krejt normale, sepse nuk është se qeveria s’e ka mbushur kupën dhe u çmendën njerëzit, se kemi një qeveri të mrekullueshme, transparente, që ka bërë të mirat e dynjasë dhe njerëzit janë dalldisur dhe u ka zënë e mira sytë. Policia nuk mund të përdorë dhunë, policia përdor forcë proprocionale në përputhje me ligjin”.


Mjeku: Duhet një grup përfaqësues që të artikulojë zgjidhjet, protesta duhet të maturohet

Mjeku dhe aktivisti Ermal Pashaj, thotë se lëvizja qytetare duhet të kalojë në një fazë tjetër organizimi dhe përfaqësimi. Sipas Pashajt, protesta duhet të maturohet jo vetëm në drejtim të përshkallëzimit të qëndresës, por edhe përmes artikulimit të qartë të alternativave dhe zgjidhjeve.

 

“Ka ardhur momenti që edhe protesta duhet të maturohet, jo vetëm sa i përket përshkallëzimit të qëndresës në shesh, por po ashtu si kundër edhe maturimit sa i përket ngritjes piramidale. Ka ardhur koha që tezat që janë artikuluar si zgjidhje të artikulohen gjerësisht, nga një përfaqësi e protestuesve”, tha Pashaj.

 

Nga ana tjetër, ai propozoi gjithashtu krijimin e një grupi përfaqësues të protestës, i cili, sipas tij, duhet të marrë përsipër artikulimin e zgjidhjeve.

 

”Të formohet një grup përfaqësues i protestës, i cili duhet të fillonte të artikulonte zgjidhjen e ankesave. Ka pasur punime në këtë kontekst, dhe këto punime duhet të shfaqen tanimë, pa hezitim, dhe pa patur ndroje se do të anatemohen, apo se do të krijojnë një pol të atakueshëm nga politika shqiptare”.


Rama mbron Luarasin: Protestues të neveritshëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj protestuesve që tentuan dje të pengonin hyrjen e deputetëve në Kuvend, duke e cilësuar sjelljen e tyre si “të neveritshme”. Në një postim në rrjetet sociale, Rama u është drejtuar edhe mbështetësve të protestës, duke i ironizuar si “demokratë dembelë” dhe duke pyetur nëse “nuk u vjen turp” që dhunën dhe abuzimet verbale ndaj deputetëve t’i paraqesin si “mospajtim demokratik”.

 

Reagimi i kryeministrit erdhi pasi protestuesit u përplasën me deputetët jashtë Kuvendit, ndërsa sipas Ramës ndaj parlamentarëve pati sharje, vezë dhe madje gurë të hedhur. Rama publikoi edhe pamje ku disa protestuese ndiqnin deputeten Iris Luarasi drejt Parlamentit, duke e akuzuar atë si “hajdute” dhe duke i thënë se “nuk i përfaqësonte gratë”. Kryeministri e përdori rastin për të sulmuar ashpër mënyrën e protestimit, duke e cilësuar atë si shumë larg standardeve të një proteste demokratike.

 

Rama nuk kurseu as ironinë ndaj kritikëve europianë që kishin mbështetur protestat dhe kishin denoncuar ndërhyrjen e policisë. “Për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë”, shkroi ai, duke argumentuar se Shqipëria është “një vend vërtet i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë”. Sipas Ramës, protestuesit dhe mbështetësit e tyre po përpiqen ta shesin si “mospajtim demokratik” një sjellje që përfshin fyerje dhe dhunë ndaj deputetëve.

XS
SM
MD
LG