Akuzat e Ramës për 21 janarin/ Ç’tregon justifikimi i prokurorisë

Nuk priti dot asnjë ditë pas sulmeve të kryeministrit dhe prokuroria e pavarur e Tiranës është justifikuar publikisht se po i bën detyrat për zbardhjen e dosjes së 21 janarit. Pasi në një takim me familiarët e viktimave Edi Rama e quajti organ pa shtyllë kurrizore dhe kërkoi që kjo çështje të hetohet nga SPAK, organi i akuzës së kryeqytetit ka reaguar gjoja me justifikimin se po i përgjigjet interesimit të mediave. “Në datën 02.04.2021, është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika, si dhe Hekuran Deda, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.100, të shpallur në dt.07.02.2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit Agim Llupo, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda”, thuhet në një paragraf të këtij sqarimi.