Historia e vërtetë e “La casa de papel”/ Pengmarrja për 37 orë e Bankës së Barcelonës

Më 23 maj 1981, banka qendrore e Barcelonës u mbajt peng për 37 orë nga 11 persona të armatosur. Atë ditë brenda bankës ishin 300 persona. Nuk dihen ende arsyet e vërteta të sulmit. Flitet për një motiv thjesht ekonomik, flitet për qëllime politike, por ekziston edhe hipoteza se e gjitha ishte e orkestruar nga njerëz në pushtet me qëllim vjedhjen e dokumenteve konfidenciale në lidhje me tentativën për grusht shteti të 23 shkurtit të kryer nga disa ushtarë spanjollë.
Të hënën e 23 shkurtit 1981, një grup i madh i Gardës Civile spanjolle, i udhëhequr nga nënkoloneli Antonio Tejero, sulmoi “Palacio de las Cortes” në Madrid, gjatë votimit për emërimin e Leopoldo Calvo-Sotelo si President i ri i Qeverisë.