Dosja voluminoze e SPAK: Gëzim Begeja, Xhimi, i kërkon llogari dhëndrit të Berishës për gati 24 milionë euro

Një vend të rëndësishëm në dosjen prej 500 faqesh të SPAK për aferën Partizani e zë dhe hetimi për Gëzim Begejan, alias Xhimi Begeja. Ky i fundit është kushëriri i parë nga ana e mamasë i dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi. Gëzim Begeja është një nga nismëtarët e projektit të marrjes së tokave të ish-klubit Partizani dhe bashkë me Fatmir Bektashin, Jamarbër Malltezin është një prej 3 ortakëve të firmës Homeplan sh.p.k e ngritur pikërisht me qëllimin e realizimit të marrjes së tokës dhe godinave në ish-klubin Partizani, ndryshimin e destinacionit të atyre terreneve dhe godinave përmes korrupsionit të administratës shtetërore dhe favorizimeve të drejtpërdrejta të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ndërtimin më pas të 19 kullave me dhjetëra apartamente për të përfituar nga shitja e tyre shuma të konsiderueshme monetare. Gëzim Begeja, alias Xhimi, është personi, i cili për shumë vite ka mbuluar aktivitetin e Jamarbër Malltezit për ish-klubin Partizani, duke kryer të gjitha veprimet, deri në daljen në skenë zyrtarisht të dhëndrit.