Lidhje


A po kryen punë bllokada detare e SHBA-së ndaj Iranit?

 

Për të ushtruar trysni ndaj Iranit për pranimin e një marrëveshjeje për paqe, Shtetet e Bashkuara e vendosën më 13 prill një bllokadë detare ndaj porteve dhe anijeve të vendit të Lindjes së Mesme.

 

Derisa bllokada e ka rritur trysninë mbi ekonominë tashmë të dëmtuar të Iranit, ajo nuk ka arritur deri tani ta detyrojë Teheranin të bëjë lëshime për t’i dhënë fund luftës që nisi para rreth dy muajve, thonë ekspertët.

 

Irani nuk po pranon të ulet në tryezën e bisedimeve pa u hequr bllokada detare nga SHBA-ja, qëllimi i të cilës është t’ia ndalë Teheranit të ardhurat fitimprurëse nga nafta.

 

Uashingtoni ka këmbëngulur se bllokada do të përfundojë vetëm kur të nënshkruhet një marrëveshje paqeje.

 

Kjo bllokadë amerikane erdhi si përgjigje ndaj vendimit të Iranit për ta mbyllur të Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me energji dhe për transportin ndërkombëtar detar, dhe është në fuqi që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.

 

Ky veprim ka tronditur tregjet ndërkombëtare, ka përmbysur ekonominë globale dhe i ka dhënë Teheranit një levë të re në luftë.

 

“Nëse qëllimi kryesor i bllokadës është të ndalojë trafikun detar drejt dhe nga Irani, dhe mbi të gjitha rrjedhën e eksporteve iraniane të naftës, atëherë bllokada ka qenë e suksesshme”, tha Nader Itayim, ekspert për energjinë në Lindjen e Mesme.

 

“Por, nëse Uashingtoni pret që bllokada ta vendosë shpejt Iranin në një pozicion ku nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të negociojë, atëherë mund të zhgënjehet”, shtoi Itayim, i cili punon në Argus Media me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

 

“Rënia e qartë” e eksporteve iraniane të naftës

 

Irani eksportonte rreth 1.8 milionë fuçi naftë në ditë në mars. Por, kjo shifër ka rënë ndjeshëm në ditët e fundit, duke u kthyer në një “rrjedhë minimale” ndërsa efektet e bllokadës janë rritur, tha Itayim.

 

Megjithatë, ai tha se republika islamike duhet të jetë në gjendje ta përballojë bllokadën edhe për dy muaj të tjerë, duke theksuar se deri në 130 milionë fuçi naftë iraniane ndodheshin në det para se bllokada të hynte në fuqi.

 

Për ta zbatuar bllokadën, marina amerikane e sulmoi dhe e kapi një anije iraniane më 19 prill në Gjirin e Omanit. Dy ditë më vonë, ushtria amerikane kapi një anije tjetër, një cisternë e dyshuar për kontrabandë nafte, në Oqeanin Indian.

 

Forcat amerikane gjithashtu “kanë urdhëruar 31 anije të kthehen mbrapsht ose të rikthehen” në portet iraniane si pjesë e bllokadës, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.

 

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka shpallur bllokadën si “sukses të jashtëzakonshëm” dhe ka përsëritur se nuk do ta heqë embargon derisa të arrihet një “marrëveshje përfundimtare” me Iranin.

 

Ushtria amerikane ka pretenduar se e ka “ndalur plotësisht” tregtinë iraniane.

 

Megjithatë, dhjetëra cisterna të lidhura me Iranin kanë arritur ta anashkalojnë bllokadën, sipas grupit për vëzhgimin e ngarkesave, Vortexa.

 

Vortexa tha se të paktën 34 cisterna të lidhura me Iranin e kanë shmangur bllokadën, duke shtuar se rreth 10.7 milionë fuçi naftë iraniane kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe kanë dalë nga zona e bllokuar nga marina amerikane midis 13 dhe 21 prillit.

 

Ushtria amerikane i hodhi poshtë këto të dhëna.

 

Kompania e të dhënave detare, Lloyd’s List, tha se të paktën 26 anije të flotës “në hije” të Iranit e kanë kaluar bllokadën.

 

“Lloyd’s List Intelligence tregon një rrjedhë të qëndrueshme të trafikut të flotës në hije brenda dhe jashtë” Gjirit Persik, tha ajo më 20 prill.

 

“Krahasuar me numrin e anijeve që kalonin para bllokadës – rreth gjashtë ose shtatë anije në ditë – tani numri është qartazi më i ulët”, tha Rosemary Kelanic, drejtoreshë e Programit për Lindjen e Mesme në Defense Priorities, një institut kërkimor në Uashington.

 

“Por. problemi më i madh për SHBA-në është se nuk ka mënyrë për ta bërë një bllokadë ndaj një vendi kontinental plotësisht hermetike. Irani prapëseprapë mund të zhvillojë tregti të konsiderueshme përmes tokës, përfshirë naftën, megjithëse në sasi më të vogla sesa përmes detit”, shtoi ajo.

 

Trump ka pretenduar se bllokada po i kushton Iranit rreth 500 milionë dollarë në ditë. Por, ekspertët thonë se është e vështirë llogaritja e kostove.

 

Vlerësimet tregojnë se Irani merrte rreth 45 miliardë dollarë të ardhura vjetore nga eksportet e naftës para luftës, që përbënin rreth 10 për qind të PBB-së së vendit.

 

“Edhe nëse bllokada e ndërpret të gjithë tregtinë e naftës – gjë që nuk do të ndodhë – dëmi maksimal mund të jetë një humbje prej 10 për qind të PBB-së”, tha Kelanic. “Kjo është një humbje e madhe në kohë paqeje, por jo aq e rëndë duke pasur parasysh se Irani është në luftë”.

 

Sa për krahasim, Ukraina ka humbur 20 për qind të PBB-së së saj pas pushtimit të plotë nga Rusia në vitin 2022, tha ajo. Kjo nuk i ka ndalur forcat ukrainase ta luftojnë Rusinë po thuajse kokë më kokë.

 

“Prandaj, jam skeptike që kostot e vendosura nga bllokada e Trumpit do ta thyejnë vendosmërinë e Iranit për të vazhduar rezistencën ndaj kërkesave të SHBA-së”, tha Kelanic.

 

“Irani mund ta rinisë luftën”

 

Fushata e bombardimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i ka shkaktuar humbje të mëdha materiale Iranit, duke shkatërruar ushtrinë e tij, duke shfarosur një pjesë të madhe të udhëheqjes dhe duke shkatërruar infrastrukturë kritike.

 

Megjithatë, Teherani ende beson se po e fiton përballjen që ka zgjatur disa javë. Ky perceptim i fitores është pasqyruar edhe në tryezën e bisedimeve, ku synon t’i japë fund luftës sipas kushteve të veta.

 

Raundi i parë i bisedimeve për paqe në Pakistan përfundoi më 11 prill pa marrëveshje. Megjithatë, Trump e zgjati në mënyrë të njëanshme armëpushimin që pritej të skadonte më 22 prill, dhe palët janë në bisedime të tërthorta për ta zhvilluar një rund të dytë negociatash në Islamabad.

 

“Trysnia ekonomike e vetme nuk do ta shtyjë Iranin drejt lëshimeve që nuk i ka bërë tashmë nën presion ushtarak”, tha Hamidreza Azizi, studiues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri.

 

“Nëse ndodh ndonjë gjë, Irani mund ta rifillojë luftën”, shtoi ai. “Irani e sheh këtë situatë pa luftë dhe pa paqe si skenarin më shkatërrues”.

 

Irani është tashmë nën sanksione të rënda amerikane dhe bllokada ka kufizuar edhe më tej burimet ekonomike të vendit. Ajo gjithashtu e ka penguar Iranin të vendosë tarifa ndaj transportit ndërkombëtar nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit, një tjetër burim të ardhurash që nga fillimi i luftës.

 

Irani qëlloi me zjarr mbi tri anije dhe i kapi dy prej tyre në Ngushticën e Hormuzit më 22 prill, duke lënë të kuptohet se Teherani është i gatshëm të përdorë forcë për t’i dhënë fund bllokadës amerikane.

 

“Kjo gjendje nuk është e pranueshme për republikën islamike”, tha Azizi. “Si rrjedhojë, do të prisja që ata të veprojnë ushtarakisht”./ REL


FSK dërgon ekip në Gaza, kryhet rikonicioni për misionin paqeruajtës

 

Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka udhëtuar drejt Gazës për të realizuar rikonicionin e zonës ku pritet të dislokohen trupat e saj në kuadër të misionit paqeruajtës ndërkombëtar.

 

Sipas njoftimit, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar ekipin me qëllim vlerësimin paraprak në terren dhe koordinimin e aktiviteteve për dislokimin e kontingjentit kosovar, i cili do të veprojë në kuadër të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza.

 

Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar takime me autoritetet përgjegjëse për administrimin e Gazës, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së.

 

Në këto takime është diskutuar procesi i integrimit të kontingjentit të FSK-së, mënyra e zhvillimit të operacioneve të përbashkëta dhe koordinimi i mbështetjes logjistike gjatë misionit.

 

FSK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke forcuar partneritetet strategjike dhe duke vepruar në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe paqes.


Trump zbulon arsyen e anulimit të udhëtimit të delegacionit amerikan në Pakistan

 

Presidenti Donald Trump tha të shtunën se Irani “ofroi shumë, por jo mjaftueshëm”, pasi njoftoi se nuk do të dërgonte më një delegacion në Pakistan për një raund tjetër bisedimesh këtë fundjavë që synonin një marrëveshje.

 

Presidenti amerikan, Donald Trump përsëriti kohën e gjatë të udhëtimit si një arsye kryesore për anulimin e udhëtimit të planifikuar të të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Pakistan për një raund të dytë bisedimesh me iranianët. Sipas tij këto negociata mund të zhvillohen nëpërmjet telefonit.

 

Ai gjithashtu pretendoi se mori një ofertë më të mirë nga Irani vetëm pak minuta pas anulimit.

 

“Ata na dhanë një dokument që duhej të kishte qenë më i mirë, dhe çuditërisht, menjëherë, kur e anulova, brenda 10 minutash, morëm një dokument të ri që ishte shumë më i mirë”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One.

 

Kur u pyet nga gazetarët për më shumë detaje mbi atë që u ofrua, Trump tha se ata ofruan shumë, por jo mjaftueshëm.

 

Më herët sot, Trump anuloi një udhëtim të planifikuar të Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Islamabad.

 

Ai theksoi se nuk ia vlen që delegacioni amerikan të bëjë fluturimin 18-orësh për në Pakistan kur SHBA-të kanë të gjitha kartat në konfliktin me Iranin. Ai shtoi se iranianët mund të telefonojnë SHBA-në në çdo kohë që duan.


HISTORIKE! Gjermania shpall riarmatimin më të madh pas L2B - 460 mijë ushtarë dhe dominim ushtarak në Evropë

 

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, prezantoi të mërkurën strategjinë e parë gjithëpërfshirëse ushtarake të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, një dokument historik që përcakton drejtimin strategjik të ardhshëm të Bundeswehr-it dhe mënyrën se si ushtria gjermane do t’u përgjigjet kërcënimeve të reja ndërkombëtare. Strategjia mban titullin “Përgjegjësia për Evropën” dhe shënon një kthesë të fortë në doktrinën e mbrojtjes së Berlinit.

Read more ...

XS
SM
MD
LG