Lidhje


Marco Rubio e pranon më në fund: Goditëm Iranin për Izraelin!

 

Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme parandaluese ndaj Iranit pasi mësuan se Izraeli ishte gati të godiste — dhe trupat amerikane në rajon përballeshin me një kërcënim të menjëhershëm hakmarrjeje. Këtë e deklaroi të hënën Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

 

Rubio e bëri zbulimin në Capitol Hill, ku informoi një grup të vogël drejtuesish të Kongresit mbi ofensivën e përbashkët SHBA–Izrael.

 

“Absolutisht kishte një kërcënim të menjëhershëm,” deklaroi Rubio. “Kërcënimi ishte se ne e dinim që nëse Irani do të sulmohej — dhe besonim se do të sulmohej — ata do të vinin menjëherë pas nesh. Ne nuk do të rrinim duke pritur të goditeshim përpara se të përgjigjeshim.”

 

Rubio tha se Departamenti i Luftës arriti në përfundimin se një qëndrim thjesht mbrojtës pas një sulmi izraelit do ta ekspozonte SHBA-në ndaj më shumë viktimave. Deri tani, pesë ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në luftime.

 

“Vepruam në mënyrë proaktive, në një qasje mbrojtëse, për t’i penguar ata të shkaktonin dëme më të mëdha,” tha ai.

 

Sipas tij, nëse SHBA nuk do të kishte vepruar paraprakisht, do të kishte pasur seanca dëgjimore në Kongres përse administrata e dinte se çfarë do të ndodhte dhe nuk ndërhyri për të parandaluar më shumë viktima dhe humbje jete.

 

Deklaratat e Rubios shkaktuan reagime të forta si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët.

 

“Fjalët e Sekretarit Rubio tregojnë se Izraeli i vuri forcat amerikane në rrezik duke këmbëngulur të sulmonte Iranin,” reagoi në rrjetin X kongresmeni Joaquin Castro. “Dhe administrata u bë bashkëfajtore — duke iu bashkuar luftës së tyre në vend që ta frenonte atë.”

 

Komentatori konservator Matt Walsh shkroi: “Ai po na thotë hapur se jemi në luftë me Iranin sepse Izraeli na detyroi. Kjo është ndoshta gjëja më e keqe që mund të kishte thënë.”

 

Rubio pretendoi se Irani kishte pozicionuar tashmë raketat e tij dhe i kishte vendosur në gatishmëri të plotë. Ai nuk specifikoi se cilat ishin objektivat e mundshëm amerikanë apo se ku ishin drejtuar raketat.

 

“Brenda një ore nga sulmi fillestar ndaj kompleksit të udhëheqjes, forcat raketore në jug dhe në veri ishin aktivizuar për lëshim. Në fakt, ato ishin parapozicionuar,” tha ai.

 

Grupi i vogël i ligjvënësve që u informua të hënën njihet si “gang of eight” dhe përbëhet nga drejtuesit e dy partive në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, si dhe kryetarët dhe anëtarët kryesorë të komisioneve të inteligjencës.

 

Në këtë grup përfshihen: Kryetari i Kongresit Mike Johnson, lideri i pakicës në Kongres Hakeem Jeffries, lideri i shumicës në Senat John Thune, lideri i pakicës Chuck Schumer, kryetari i Komisionit të Inteligjencës në Dhomë Rick Crawford dhe anëtari kryesor Jim Himes, si dhe kryetari i Komisionit të Inteligjencës në Senat Tom Cotton dhe anëtari kryesor Mark Warner.

 

Edhe javën e kaluar, ky grup ishte informuar para se të ndërmerreshin sulmet.

 

Megjithatë, demokratët në të dyja dhomat e Kongresit kanë kritikuar administratën Trump për mosinformimin e një numri më të madh ligjvënësish përpara veprimit ushtarak kundër Iranit.

 

“Nuk ka asnjë ligj që na detyron ta bëjmë këtë,” u tha Rubio gazetarëve. “Ligji thotë se duhet t’i njoftojmë brenda 48 orëve pas fillimit të armiqësive. Ne e kemi bërë këtë.”

 

Ai shtoi se është e pamundur të njoftohen të 535 anëtarët e Kongresit, për shkak të rrezikut ndaj sigurisë operative të një veprimi të fshehtë ushtarak.

 

Ndërkohë, në Dhomë dhe në Senat janë hartuar rezoluta mbi kompetencat e luftës — legjislacion që synon të kufizojë autoritetin e presidentit për të urdhëruar sulme në mënyrë të njëanshme.

 

Megjithatë, Kongresi i kontrolluar nga republikanët nuk i ka miratuar këto rezoluta, pavarësisht mbështetjes së gjerë nga demokratët dhe disa republikanë.

 

Rubio tha se, edhe nëse do të miratoheshin, ato me gjasë do të përballeshin me sfida ligjore, pasi asnjë administratë presidenciale — republikane apo demokrate — nuk e ka pranuar ndonjëherë se një rezolutë e tillë është plotësisht kushtetuese.

 

“Ne kemi respektuar ligjin 100 për qind dhe do të vazhdojmë ta respektojmë,” përfundoi


Spanja nuk lejon përdorimin e bazave të saj për sulme ndaj Iranit, 15 avionë amerikanë largohen

 

Pesëmbëdhjetë avionë ushtarakë amerikanë janë ngritur nga bazat Rota dhe Morón në jug të Spanjës, pas sulmeve të fundit të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit. Lëvizjet janë regjistruar nga platforma e ndjekjes së fluturimeve FlightRadar24 dhe janë raportuar nga media ndërkombëtare.

 

Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, deklaroi se Madridi nuk do të lejojë që bazat e operuara bashkërisht me Shtetet e Bashkuara të përdoren për sulme kundër Iranit. Ai theksoi se këto baza mbeten nën sovranitetin spanjoll dhe çdo përdorim i tyre duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe të drejtën ndërkombëtare.

 

Qeveria spanjolle ka dënuar publikisht sulmet ndaj Iranit dhe ka riafirmuar se territori i saj nuk do të shërbejë për operacione ushtarake që nuk janë të autorizuara në kuadër të angazhimeve ligjore të vendit.

 

Zhvillimi vjen në një moment tensioni të shtuar në Lindjen e Mesme, ndërsa lëvizjet e avionëve amerikanë nga bazat spanjolle sinjalizojnë ripozicionim operacional në kontekstin e situatës së re ushtarake.

 

 


Akuza tronditëse nga brenda ushtrisë amerikane: Lufta me Iranin po paraqitet si “plani i Zotit”?

 

Një raportim i gazetarit të pavarur Jonathan Larsen ka ngritur polemika të forta në SHBA, pasi sipas tij, disa komandantë të njësive luftarake amerikane po e paraqesin luftën kundër Iranit si pjesë të një “plani hyjnor”.

 

Sipas raportimit, një komandant i një njësie ushtarake amerikane u ka thënë nënoficerëve se konflikti me Iranin është pjesë e “God’s divine plan” (planit hyjnor të Zotit), duke pretenduar se Presidenti Donald Trump ishte “anointed by Jesus” (i vajosur nga Jezusi) për të ndezur Armagedonin.

 

Ankesa është depozituar pranë organizatës Military Religious Freedom Foundation (MRFF) dhe, sipas saj, është një nga mbi 110 ankesa të regjistruara brenda 48 orëve nga mbi 40 njësi ushtarake në të paktën 30 baza dhe instalime.

 

Ankuesit – mes tyre të krishterë, një mysliman dhe një hebre – kanë kërkuar të mbeten anonimë për shkak të frikës nga hakmarrja. Deri në momentin e raportimit, Pentagoni nuk kishte dhënë një reagim zyrtar.

 

Pretendimet sipas MRFF

 

Presidenti i MRFF-së, Mikey Weinstein, ka deklaruar se shumë pjesëtarë të forcave të armatosura raportojnë një “unrestricted euphoria” (eufori të pakufizuar) në segmente të zinxhirit komandues, ku sulmi ndaj Iranit paraqitet si i sanksionuar biblikisht dhe i lidhur me profecitë e kohëve të fundit të përshkruara në Librin e Zbulesës (Book of Revelation).

 

Sipas një nënoficeri që ka paraqitur ankesë, kjo retorikë po dëmton moralin dhe po cenon betimin kushtetues të ushtarakëve, veçanërisht për trupat në status Ready-Support, të cilët mund të dislokohen në çdo moment.

 

Kontroversia vjen në një kohë kur Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sipas raportimit, ka zgjeruar programe evangjeliste brenda Pentagonit, përfshirë sesione lutjesh dhe studime biblike të lidhura me një teologji të fortë pro-Izraelit.

 

Weinstein pretendon se disa komandantë amerikanë shfaqin entuziazëm për një përballje të ashpër ushtarake, duke e lidhur zhvillimin e ngjarjeve me një narrativë fundamentaliste të krishterë për fundin e kohërave.


Alarmon ambasada e SHBA në Jerusalem: Nuk garantojmë siguri për largimin nga Izraeli

 

 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jerusalem ka publikuar një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar shtetasit amerikanë se qeveria amerikane nuk mund të garantojë sigurinë e tyre nëse vendosin të largohen nga Izraeli në kushtet aktuale të tensioneve në rajon.

 

Në njoftimin zyrtar thuhet se informacioni mbi opsionet e largimit po jepet “si një shërbim për ata që dëshirojnë të largohen”, por autoritetet amerikane nuk mund të ofrojnë garanci për sigurinë gjatë udhëtimit apo kalimit kufitar.

 

Sipas përditësimit, personat që dëshirojnë të kalojnë drejt Jordanisë mund të përdorin shërbimet e autobusëve (shuttle) drejt qytetit Eilat dhe më pas të vazhdojnë në mënyrë të pavarur, për shembull me taksi, drejt pikës kufitare Yitzhak Rabin.

 

Autobusë do të vendosen në pika të ndryshme takimi në territorin e Izraelit, përfshirë:


– Herzliya (Parking i Stacionit të Trenit)
– Haifa (Yad HaShmona Train Station Parking Lot)
– Jerusalem (Teddy Stadium, East Parking Lot)
– Tel Aviv (Savidor Center Train Station Parking Lot)

 

Ambasada thekson se këto informacione publikohen për lehtësim orientimi dhe nuk përbëjnë një operacion evakuimi të organizuar nga SHBA. Paralajmërimi vjen në një moment përshkallëzimi të situatës së sigurisë në rajon, ku disa vende kanë lëshuar njoftime të ngjashme për shtetasit e tyre.

 

Autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin rregullisht njoftimet zyrtare dhe të marrin vendime të kujdesshme lidhur me lëvizjen dhe largimin nga zona.


Analiza/ Sa do të zgjasë lufta në Lindjen e Mesme?

 

Sa do të zgjasë lufta kundër Iranit? Pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei dhe shumë zyrtarëve të lartë të Republikës Islamike, konflikti po tregon shenja të përhapjes edhe shumë përtej Iranit. Përvoja na mëson se kur Donald Trump bën parashikime për afatet, është më mirë t’i marrim ato me një dozë rezervë. Sidoqoftë, versioni i fundit i presidentit amerikan, sipas Daily Mail është se operacioni “Epic Fury” do të zgjasë “4 javë ose më pak” (ose ndoshta “4 ose 5 javë”, siç i tha New York Times).

Në një intervistë me “The Atlantic”, Trump theksoi se iranianët “duan të flasin” dhe ai është i gatshëm ta bëjë këtë. Prandaj, mund të gjendet një zgjidhje diplomatike, por nuk është e qartë se kur, sepse lëvizja drejt dialogut “duhet të kishte ndodhur më herët”. Duke folur më parë për “Axios”, Trump nuk e përjashtoi mundësinë e “vazhdimit për një kohë të gjatë dhe marrjes së kontrollit të gjithçkaje”.

Pastaj është edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili dje njoftoi mobilizimin e gati 100 000 rezervistëve dhe duket shumë më i vendosur se Trump për të ecur përpara me luftën për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë asaj që ai e quajti “regjimi terrorist” i ajatollahëve.

Në Uashington, sipas asaj që raporton korrespondentja e “Corriere Della Sera”, Viviana Mazza, “pak veta në rrethin e ngushtë të Trump duan një luftë të zgjatur. Zv.Presidenti J.D. Vance, i cili mishëron tendencat më izolacioniste, ka siguruar se nuk do të zgjasë shumë. Gjenerali Dan Caine, Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e mungesës së municioneve, veçanërisht raketave të mbrojtjes ajrore.

Ka pasur disa kritika nga kampi MAGA, i njohur si kundërshtar i sulmeve në tokë të huaj (Tucker Carlson e quan ndërhyrjen “të neveritshme”, Marjorie Taylor Greene thotë se kjo nuk është Amerika e Para, por një shërbim ndaj Izraelit). Të tjerë kanë pranuar një operacion ushtarak, nëse është i shpejtë. “Le të digjet në ferr… Ndryshimi i regjimit u krye… Të gjithë të shkojnë në shtëpi”, – shkroi Steve Bannon në X.

Në bisedën afërsisht 6-minutëshe me “New York Times”, Trump ofroi disa pikëpamje në dukje kontradiktore se si pushteti mund të transferohet në një qeveri të re, të menaxhohet nga struktura ekzistuese apo nëse autoritetet iraniane mund të përmbysen.

Presidenti amerikan ka thënë se është i hapur për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit nëse udhëheqja e re provon se do të jetë një partner pragmatik, por ai refuzoi të sqaronte se si ose nëse administrata e tij do ta mbronte popullin iranian nëse do të rrëzonte qeverinë aktuale. “Nuk po marr një angazhim në një mënyrë apo në një tjetër; është shumë herët.”
Është e qartë se, për momentin, pyetja se sa do të zgjasë lufta e re në Lindjen e Mesme ka shumë përgjigje.

Fatkeqësisht, përgjigjja e kësaj pyetjeje çon në shumë të tjera. E para: sa i lartë do të jetë numri i të vrarëve? Sa masakra të tjera si ajo në shkollën e vajzave në Minab në Iranin jugor, me të paktën 120 viktima dhe sa hakmarrje raketore iraniane si ato që deri më tani kanë rezultuar në 11 vdekje civile izraelite (9 prej tyre në një strehë nën një sinagogë në Beit Shemesh) dhe 3 ushtarë amerikanë, plus 3 civilë të tjerë në Kuvajt dhe 1 në Emirate?
Sërish, sa mund të përhapet konflikti, nëse do të zgjatet?

Përplasjet, që po shkaktojnë viktima dhe të plagosur, gjatë protestave në Irak dhe Pakistan kundër ndërhyrjes izraelito-amerikane po ngjallin frikë se zjarri mund të përhapet. E njëjta gjë vlen edhe për sulmet iraniane kundër vendeve të tjera të Gjirit, për t’i ndëshkuar ato për mbështetjen e tyre të heshtur ose të hapur për SHBA-në, ose për kthimin e Hezbollahut në lëshimin e raketave nga Libani drejt Izraelit.

Guido Olimpio shpjegon se hakmarrja ishte më e gjerë se sa pritej. Ajo nuk po bën dallim mes bazave ushtarake dhe vendeve civile. Harta është e gjerë: hotele dhe aeroporti në Dubai, doke të përdorura nga Marina Franceze në Abu Dhabi, një bazë amerikane në Erbil (Irak), një anije cisternë nafte në Gjirin Persik, porti omanian i Duqm, zyrat e Marinës Amerikane në Bahrein, objektiva në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Katar.

Hapësira ajrore siriane dhe jordaneze është shkelur dhe dronë janë dërguar drejt Mesdheut Lindor (konkretisht, drejt një baze ushtarake britanike në Qipro).

“Strategjia”, thekson Olimpio, “bazohet në një plan të saktë, por nuk është e sigurt se plani do të ketë sukses. Teherani dëshiron të destabilizojë monarkitë sunite, të minojë sistemin e tyre ekonomik, Duke i bërë ata të paguajnë një çmim të rëndë duke bllokuar bizneset, turizmin, vizitat dhe transportin.

Që nga mbrëmja e së shtunës, mijëra të huaj janë gjetur të bllokuar në Gjirin Persik, të paaftë të largohen për shkak të një prej pezullimeve më të mëdha të fluturimeve në histori (5,000 të anuluara). Pasojat në tranzitin detar janë po aq të rënda, me qindra cisterna nafte të bllokuara në të dy anët e Ngushticës së Hormuzit, të cilën iranianët po kërcënojnë ta bllokojnë.

“Ekziston edhe një shqetësim tjetër në kryeqytetet arabe. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhte në rast të rënies së Republikës Islamike. Kaos, shkëputje e rajoneve separatiste, opozita e ndarë dhe e fragmentuar, rreziku i përplasjeve. Një revolucion i dytë, s’ka një strukturë të aftë për ta udhëhequr atë”, përfundon Olimpio.

Kohëzgjatja e konfliktit do të përcaktojë gjithashtu pasojat e tij ekonomike, nga çmimet e naftës dhe gazit deri te ndikimi në tregjet globale të aksioneve. Shumë analistë parashikojnë se nafta bruto mund të rritet nga 73 dollarë javën e kaluar në mbi 100 dollarë, por askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo rritje (dhe gazi mund të jetë edhe më keq). Sa u përket tregjeve të aksioneve, tregu i Tokios ra me 1.5%.

Fati i regjimit

Pyetja tjetër e madhe pa përgjigje është: a do të jetë goditja, e cila ishte fatale për Udhëheqësin Suprem Khamenei (dhe ndoshta edhe për ish-Presidentin Mahmoud Ahmadinejad, megjithëse vrasja e tij nuk është e sigurt), gjithashtu fatale për Republikën Islamike? Miliona iranianë, në vend dhe në mbarë botën, shpresojnë kështu. Megjithatë, mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të vajtuar Khamenein dhe për t’u zotuar për besnikëri ajatollahëve.

Megjithëse sipas disa vlerësimeve, vetëm 20% e iranianëve ende e mbështesin regjimin, “në konfuzionin e luftës, një gjë është e qartë: nën zjarrin e kryqëzuar të bombave amerikane dhe izraelite, udhëheqësit e Republikës Islamike po përpiqen të pikturojnë një pamje të normalitetit kushtetues. Sikur vdekja e Khameneit të ishte thjesht një formalitet, sikur ata kishin nevojë të tregonin se teokracia është në të vërtetë e qëndrueshme”.

Ali Larijani – kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare – njoftoi se triumvirati që mbikëqyr tranzicionin është mbledhur tashmë. Ai përbëhet nga Presidenti Masoud Pezeshkian, Kryetari i Gjyqësorit Gholam-Hossein Mohseni-Ejei dhe anëtari i Këshillit të Gardës Alireza Arafi, të dy këta të fundit janë kandidatë potencialë për trashëgiminë.

Do t’i takojë Asamblesë së Ekspertëve – 88 juristë islamikë të zgjedhur nga populli çdo 8 vjet, por të filtruar nga Këshilli i Gardës të emërojë pasardhësin. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi njofton se institucionet dhe “procedurat kushtetuese” mund të përfundojnë së shpejti: “Mund të shihni zgjedhjen e një udhëheqësi suprem brenda 1 ose 2 ditësh”.

Ndër emrat që po merren në konsideratë për pasardhës është Mojtaba Khamenei, 57 vjeç, djali i dytë dhe djali i preferuar i Liderit Suprem. Pastaj është Gholam-Hossein Mohseni Ejei, 70 vjeç, një “skifter gjyqësor”. Ashtu si Khamenei kur u zgjodh Lider Suprem, ai është gjithashtu një hojatolislam, që do të thotë se ende nuk është një ajatollah. Ai është një nga fytyrat më të errëta të drejtësisë iraniane, pasi u bë kreu i Gjykatës Supreme në vitin 2021, i emëruar nga vetë Lideri. Një tjetër emër që po përmendet është Arafi, 57 vjeç, i cili ka qenë pjesë e triumviratit për dy ditë. Ai ia detyron ngritjen e karrierës së tij babait të tij, një mik i Khomeinit dhe Khameneit, i cili e emëroi atë në Këshillin e Gardianëve në vitin 2019. Ai është një skifter anti-SHBA.

Emrat e Ahmad Khatami, një konservator me ndikim; Hassan Khomeini, nip i themeluesit të Republikës Islamike; dhe Mohammad Mehdi Mirbagheri, një i linjës së ashpër nga Asambleja e Ekspertëve, po qarkullojnë gjithashtu.

 

Teksa presim disa përgjigje ka më shumë pyetje pa përgjigje. Drejtori i Corriere della Sera, Luciano Fontana shkruan: “Askush nuk mund të ndiejë simpati për një regjim fetar dhe autokratik që mbyti popullin e tij, mohoi lirinë dhe çdo të drejtë themelore, vrau dhe burgosi mijëra vajza dhe djem iranianë. Askujt nuk do t’i mungojë një figurë të tmerrshme si Khamenei.

 

Shumë të rinj po e thonë këtë, duke falënderuar Trump për goditjen që i shkaktoi regjimit. Ana tjetër e medaljes, megjithatë, është shumë shqetësuese. Fillimi i një lufte të re në Lindjen e Mesme, që shtrihet në shumë vende në zonë, do të thotë të shkaktosh një spirale me rezultate të paparashikueshme. Më shumë vdekje dhe shkatërrim, më shumë destabilizim dhe kaos.”

 

Ursula von der Leyen bën thirrje për përpjekje për një “tranzicion të besueshëm” në Iran. “Nëse duam shpresë të re për popullin iranian, duhet të sigurohemi që e ardhmja u përket atyre”, – tha presidentja e Komisionit Evropian.

 

“Ky është një moment vendimtar në historinë e Iranit. Çfarë do të ndodhë është e pasigurt”, përsëriti Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.


Në një deklaratë të përbashkët, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar thanë se ishin gati për “veprime mbrojtëse të nevojshme dhe proporcionale” në përgjigje të sulmeve hakmarrëse iraniane që “kanë synuar aleatët tanë të ngushtë dhe kërcënojnë personelin tonë ushtarak dhe civilët në rajon”.

 

Kryeministri britanik Keir Starmer shtoi: “SHBA-të mund të përdorin bazat tona për sulme”.


Por është e qartë se, edhe një herë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë vepruar pa e marrë fare parasysh Evropën. Antonio Polito shkruan në editorialin e tij se “shkalla e paligjshmërisë së Evropës ndaj Lojës së Madhe që po ndryshon ekuilibrin global demonstrohet nga habia që Ministri ynë i Mbrojtjes patën kur udhëtuan për në Dubai pikërisht kur po shpërthente konflikti”.

 

Nga kjo rrethanë e fundit ministri Crosetto mundi të kthehej vetëm me një fluturim ushtarak të paguar nga xhepi i tij. Ai është vënë në qendër të sulmeve të opozitës se “qeveria nuk mund të mbetet e shtypur nga administrata amerikane; miqësia që ajo pretendon me Trump nuk e pengoi atë të mos e paralajmëronte për sulmin”, – tha sekretarja e Partisë Demokratike Elly Schlein. Giuseppe Conte dhe Matteo Renzi gjithashtu e mbështetën këtë ide. Gjenerali Roberto Vannacci tha se “i vetmi ministër i mbrojtjes që shkon me pushime në një zonë lufte pa e ditur”.

 

Papa Leoni XIV kërkoi “ndalimin e spirales së dhunës përpara se të bëhet një humnerë e pariparueshme”. Presidenti rus Vladimir Putin, në një mesazh ngushëllimi dërguar Presidentit iranian Massoud Pezeshkian, vlerësoi Khamenein si një “burrë shteti të jashtëzakonshëm” dhe e quajti “vrasjen” e tij “një shkelje cinike të të gjitha normave të moralit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare”.

 

Në fund të fundit, siç thekson Paolo Valentino, Putin tani mund t’i mbrojë aleatët e tij satrapë vetëm me fjalë, siç ndodhi me Bashar Assad të Sirisë dhe Nicolás Maduro të Venezuelës./ Marrë me shkurtime nga Corriere della Sera, përshtati në shqip LAPSI.al

XS
SM
MD
LG