Lidhje


Greqia nis mbylljen e xhamive dhe dëbimin e hoxhallarëve: A po kërcënohet liria e besimit?

Në një lëvizje që ka shqetësuar thellë komunitetet myslimane në mbarë botën, në fillim të muajit shkurt Greqia ka nis procesin ligjor të mbylljes së disa xhamive që i konsideron “të palicensuara”. Këto mbyllje, të shoqëruara me dëbimin e disa administratorëve të huaj, janë paraqitur nga qeveria greke si një zbatim i thjeshtë i rregullave të lejeve.

 

 

Megjithatë, nga një tjetër këndvështrim, kjo lëvizje po shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë për lirinë e tyre fetare. Shumë myslimanë besojnë se nën petkun e përputhjes administrative, qeveria greke po veçon vendet e adhurimit myslimane dhe po i bën besimtarët të ndihen të shënjestruar.

 

 

Organizata e Bashkëpunimit Islamik ka shprehur shqetësimin e saj, duke i bërë thirrje Greqisë të respektojë të drejtat fetare të pakicës së saj myslimane. Për shumë myslimanë, kjo zhvillim është një kujtesë e hidhur se sfidat për të ushtruar lirisht besimin e tyre ende vazhdojnë në disa pjesë të botës.


Vendim që trondit Kosovën: Kushtetuesja kundër Kurtit për Listën Serbe

Lëvizja Vetëvendosje reagoi ashpër të mërkurën ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke e akuzuar atë se ka tejkaluar kompetencat dhe se po formëson një “pol pushteti paralel” jashtë vullnetit të sovranit. Sipas LVV-së, aktgjykimi i fundit për çështjen e Listës Serbe cenon rendin kushtetues dhe krijon precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve.

 

Reagimi i LVV-së vjen pas vendimit të Kushtetueses, e cila ka theksuar se njëri nga deputetët e Listës Serbe duhet të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Gjykata ka sqaruar se e drejta për propozimin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb i takon subjektit që përfaqëson shumicën e deputetëve serbë në Kuvend, në këtë rast Lista Serbe.

 

Në aktgjykim thuhet se mekanizmi i shortit nuk mund të aktivizohet për sa kohë që Lista Serbe nuk ka refuzuar shprehimisht të bëjë propozime dhe se procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë duke respektuar këtë parim kushtetues. Gjykata ka nënvizuar se ky interpretim vlen për rastet e ardhshme dhe synon të shmangë bllokada institucionale përmes shkeljes së të drejtave të përfaqësimit komunitar.

 

Çështja e nënkryetarit nga komuniteti serb ka qenë burim tensionesh politike që nga konstituimi i legjislaturës së kaluar, ndërsa vendimi i fundit i Kushtetueses ka rihapur debatin mbi rolin e gjykatës, kufijtë e saj dhe raportin mes vullnetit politik dhe interpretimit kushtetues. Në këtë klimë, përplasja mes LVV-së dhe Gjykatës Kushtetuese po shihet si një nga konfliktet më serioze institucionale në Kosovë në muajt e fundit.


Presidenca e Kosovës kundër gazetarit gjerman: Padi për shkrimin ndaj Osmanit?

Vjosa Osmani ka reaguar ndaj shkrimit të gazetarit gjerman Michael Martens nga Frankfurter Allgemeine Zeitung, i cili e kritikoi atë duke e përshkruar si kandidate për një mandat të dytë presidencial duke përdorur “kartën amerikane”. Këshilltari i presidentes, Rinor Nuhiu, tha se pretendimet e gazetarit përbëjnë shpifje, fyerje dhe përhapje dezinformimi, të cilat sipas tij janë të ndëshkueshme sipas ligjit gjerman dhe se Osmani i hedh poshtë kategorikisht ato, duke i cilësuar si dëmtuese për institucionin e Presidencës dhe për shtetin e Kosovës.

 

Nuhiu njoftoi se presidentja ka filluar konsultime me avokatë në Gjermani për të shqyrtuar të gjitha masat ligjore të mundshme me qëllim mbrojtjen e integritetit të institucionit dhe interesit të vendit. Reagimi vjen pas debatit publik që u shkaktua nga shkrimi i gazetarit gjerman, i cili pretendonte se Osmani po tenton të sigurojë një mandat të dytë duke u paraqitur si “kandidati i Donald Trump”


Rama mundësoi takimin e Osmanit me Trump? FAZ zbulon prapaskenat e pushtetit në Kosovë

Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka analizuar pozicionimin politik të Vjosa Osmani, duke e interpretuar takimin e saj me Donald Trump si një lëvizje të orientuar kryesisht nga ambicia personale për një mandat të dytë. Sipas FAZ-it, Osmani po përpiqet të ndërtojë imazhin e saj si figurë e afërt me rrethin e Trumpit, në një kohë kur mbështetja e brendshme parlamentare në Kosovë për rizgjedhjen e saj mbetet e pasigurt.

 

Gazeta thekson se takimi me Trumpin nuk solli ndonjë rezultat konkret diplomatik apo institucional për Kosovën, por u përdor nga Osmani si kapital simbolik politik. FAZ vlerëson se kjo strategji synon të kompensojë dobësinë e saj në skenën e brendshme politike, duke zhvendosur fokusin nga mungesa e votave në Kuvend te narrativa e lidhjeve të forta me SHBA-në dhe veçanërisht me ish-presidentin amerikan.

 

Në këtë kontekst, Edi Rama përmendet nga FAZ si figurë kyçe ndërmjetësuese në krijimin e këtij kontakti. Sipas gazetës gjermane, Rama dyshohet se ka ndihmuar në afrimin e Osmanit me rrethin e Trumpit, jo vetëm për ta forcuar pozicionin e saj personal, por edhe si pjesë e një llogarie më të gjerë politike rajonale, ku Osmani shihet si kundërpeshë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. FAZ e përshkruan këtë trekëndësh Osmani–Trump–Rama si produkt të interesave politike dhe rivaliteteve, më shumë sesa të një agjende shtetërore të mirëfilltë.


U rrah barbarisht nga policia serbe - I riu humb jetën, rasti që po revolton Sanxhakun

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Pazarit të Ri (Novi Pazar), ku Samir Dolovac, një banor lokal, ka humbur jetën pas një përplasjeje me policinë speciale serbe.

 

Dolovac dhe një tjetër person u ndaluan nga policia më 30 tetor të vitit të kaluar nën arsyetimin e zhurmës së lartë nga muzika në një lokal. Sipas dëshmive, kontrolli i thjeshtë u shndërrua në dhunë fizike: policia i rrëzoi, i goditi dhe i shkelmoi, madje i lidhi dhe i mbajti në paraburgim për dy ditë.

 

Pas lirimit, Dolovac u rikthye në shtëpi me lëndime serioze, përfshirë plagë në kokë. Gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi dhe ai u shtrua në spital, ku mjekët konstatuan gjakderdhje në tru. Pas rreth tre muajsh në gjendje të rëndë, Dolovac ndërron jetë më 21 janar.

 

Rasti ka shkaktuar revoltë dhe kërkesa për drejtësi në Sanxhak. Autoritetet vendase kërkojnë hetim të plotë, ndërsa prokuroria ka urdhëruar autopsi. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se hetimi vazhdon, por deri tani asnjë polic i përfshirë nuk është suspenduar

XS
SM
MD
LG