Lidhje


Kryeministri Kurti flet për gazetarin francez: Nuk duam një Republikë Srpska të re në Kosovë

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka kundërshtuar sërish formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në formën që kërkohet nga Beogradi, duke paralajmëruar se një strukturë e tillë mund të cenonte shtetësinë dhe funksionalitetin e Kosovës.

Në një intervistë për podcastin gjeopolitik “Quartier Général”, Kurti deklaroi se nuk është kundër bashkëpunimit ndërmjet komunave, por se një mekanizëm i tillë duhet të funksionojë brenda rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të synojë përmirësimin e shërbimeve publike.

 

 

“Ne tashmë e kemi një asociacion të komunave. Por ajo që Serbia e quan asociacion, në të vërtetë nuk është për komunitetin serb, por kundër pavarësisë së Kosovës”, tha Kurti.

Sipas tij, Prishtina synon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe normalizim të plotë me Serbinë, por në kuadër të një procesi që përfshin edhe njohjen reciproke.

Çështja e Asociacionit është një nga pikat kryesore të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Formimi i saj është kërkuar vazhdimisht nga Beogradi, ndërsa Prishtina ka refuzuar një asociacion me kompetenca ekzekutive.

 

 

Kurti iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila në vitin 2015 konstatoi se parimet e atëhershme për Asociacionin nuk ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën.

Kryeministri në detyrë argumentoi se problemi, sipas tij, nuk qëndron te komuniteti serb në Kosovë, por te politika e Beogradit, të cilën e akuzoi për një “nxitje hegjemoniste” dhe për mospranimin e faktit që serbët mund të jenë pakicë në shtete të tjera.

Prishtina ka paralajmëruar prej vitesh se nuk do të pranojë një strukturë që do të mund të merrte kompetenca të ngjashme me ato të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, duke e konsideruar këtë si rrezik për funksionimin e institucioneve dhe shtetësinë e Kosovës.

 

 

Në anën tjetër, Beogradi e konsideron krijimin e Asociacionit një nga detyrimet kryesore të Prishtinës që rrjedhin nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Çështja vazhdon të mbetet një nga pengesat më të mëdha në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi. 


Artileria izraelite shënjestron periferinë perëndimore të Damaskut

Media shtetërore e Sirisë raportoi se “forcat pushtuese izraelite kanë hedhur katër predha drejt zonës përreth kodrës Bat al-Warda, pranë qytezës Beit Jinn, në periferinë perëndimore të Damaskut”.

Forcat izraelite të enjten kanë hedhur katër predha në zonën përreth kodrës Bat al-Warda, pranë Beit Jinnit, në periferinë perëndimore të Damaskut, raportoi media shtetërore siriane.

 

 

Televizioni Alikhbaria raportoi se “forcat pushtuese izraelite kanë hedhur katër predha drejt zonës përreth kodrës Bat al-Warda, pranë qytezës Beit Jinn, në periferinë perëndimore të Damaskut”.

Nuk ka pasur raportime të menjëhershme për viktima ose dëme materiale nga bombardimet, ndërsa autoritetet siriane nuk kanë bërë deklaratë lidhur me incidentin.

Kodra Bat al-Warda ishte shënjestruar në mënyrë të ngjashme të shtunën, disa ditë pasi një delegacion sirian i kryesuar nga ministri i Jashtëm Asaad al-Shaibani u takua me një delegacion izraelit në Jordani, nën ndërmjetësimin e ShBA-së, sipas agjencisë zyrtare siriane të lajmeve, SANA, e cila citoi një burim diplomatik në Ministrinë e Jashtme.

 

 

Burimi tha se takimi u zhvillua “si pjesë e përpjekjeve për uljen e tensioneve pas bombardimeve të fundit izraelite në territorin sirian dhe përshkallëzimit të tensioneve në jug të Sirisë”.

Pjesë të jugut të Sirisë kanë përjetuar inkursione dhe sulme pothuajse të përditshme izraelite, veçanërisht në provincat Kuneitra dhe Dara, përfshirë bastisje, kontrolle, arrestime dhe ngritjen e pikave të kontrollit ushtarak.

 

 

Izraeli ka pushtuar pjesën më të madhe të Lartësive të Golanit që nga viti 1967. Pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit më 8 dhjetor 2024, Izraeli e shpalli të pavlefshme marrëveshjen e vitit 1974 për ndarjen e forcave dhe pushtoi zonën tampon siriane dhe pozicione të tjera, përfshirë anën siriane të malit Hermon.

Më 26 korrik, presidenti sirian Ahmad al-Sharaa tha se qeveria e tij po punon me disa vende për të arritur një marrëveshje sigurie me Izraelin, duke shtuar se një marrëveshje e suksesshme “do t’i hapë rrugën paqes gjithëpërfshirëse, pa hequr dorë nga e drejta e Sirisë mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit”.


“Policia inskenoi aksident për të arrestuar Ergys Agasin” Klodiana Lala zbardh detajet: Policëve u tha “Ju s’më arrestoni dot mua!”

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Opinion”, ka dhënë detaje lidhur me operacionin që çoi në arrestimin e Ergys Agasit, duke deklaruar se ai ishte mbajtur nën vëzhgim për rreth dy javë përpara ndërhyrjes së autoriteteve.

Sipas Lalës, gjatë kësaj periudhe janë monitoruar bazat dhe banesat ku dyshohej se qëndronte Agasi, ndërsa policia dhe prokuroria kanë kryer përgjime dhe vëzhgime në distancë ndaj personave të përfshirë.

 

 

Gazetarja tregoi se një episod i rëndësishëm kishte ndodhur edhe më herët, kur përfaqësues të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kishin shkuar për të verifikuar “Equos Resort”. Aty, sipas saj, ishte konstatuar një automjet luksoz i shpallur në kërkim dhe për këtë arsye ishin njoftuar agjentët e BKH-së.

Lala tha se për automjetin ka pasur përplasje dhe debat të fortë dhe se mjeti është mbajtur më pas nën sekuestrim. Sipas informacioneve të saj, dyshohet se për këtë situatë ka reaguar edhe vetë Agasi.

Gazetarja deklaroi gjithashtu se pak ditë përpara arrestimit, Shpataraku kishte shkuar në një pikë me automjete me qera dhe kishte marrë makinën në të cilën ndodhej në momentin kur u arrestua.

 

 

Sipas Lalës, policia e ka konstatuar automjetin në Elbasan. Duke qenë se qyteti ka disa akse hyrëse dhe dalëse, autoritetet kanë ndjekur me kujdes lëvizjet e tij. Kur automjeti ka marrë drejtimin për nga Rrogozhina, duke ekzistuar edhe mundësia që të lëvizte në drejtim të Belshit, janë angazhuar patrullat policore për realizimin e ndërhyrjes. Lala tha se policia kishte shmangur vendosjen e patrullave në rrethrrotullime dhe kishte zgjedhur një tjetër mënyrë për ta detyruar automjetin të ulte shpejtësinë. Sipas saj, efektivët inskenuan një aksident rrugor, duke krijuar kushtet që makina të ngadalësonte dhe policia të ndërhynte.

Gazetarja deklaroi se gjatë arrestimit Agasi ka reaguar ashpër ndaj efektivëve, duke përdorur edhe fjalor të papërshtatshëm dhe fyes. Sipas saj, ai u është drejtuar policëve me fjalët: “Ju s’më arrestoni dot mua!”.

Lala foli gjithashtu për debate të Agasit me prokurorët, të cilët, sipas saj, ai i ka akuzuar se u japin informacione gazetarëve. Gazetarja tha se Agasi pretendon të kontrollojë mënyrën se si raportohet dhe narrativën publike rreth çështjeve që lidhen me të.

 

 

Në fund, Klodiana Lala ngriti pikëpyetje mbi personat me të cilët Ergys Agasi mund të jetë takuar gjatë periudhës kur mbahej nën vëzhgim.

“SPAK duhet të na thotë se kë ka takuar gjatë dy javëve që është mbajtur në vëzhgim”, ishte në thelb kërkesa e ngritur nga gazetarja, duke e konsideruar këtë një element të rëndësishëm për të kuptuar të gjithë dinamikën e hetimit dhe të operacionit që përfundoi me arrestimin e tij.


Pasi katandisi Shëndetësinë, dorëhiqet ‘kukulla’ e Allajbeut, Evis Sala

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, raportohet se ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Sipas mediave pranë pushtetit, gjatë mbledhjes së qeverisë ajo ka deklaruar se do të vijojë projektet e saj akademike. Largimi i saj vjen pas një periudhe të shoqëruar me diskutime dhe kritika për situatën në sistemin shëndetësor.

Rastet më të fundit ku Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse janë vdekja e nënës shtatzënë nga Pogradeci si pasojë e mosdhënies në kohë të ndihmës së parë dhe shërbimit me helikopter në drejtim të Tiranës dhe humbja e dy djemve në Vaun e Dejës si pasojë e vonesës së ambulancës së dëmtuar.

 

 

Vetëm gjatë muajve të fundit, JOQ Albania ka publikuar disa denoncime që lidhen me problematika në spitale. Në janar, JOQ raportoi për ndërprerjen e energjisë në Reanimacionin e QSUT-së, ndërsa në dhjetor publikoi pamje nga Onkologjiku ku pacientë, mes tyre të moshuar, prisnin në kushte të vështira. Në një tjetër rast, u ngritën pikëpyetje mbi deklaratën e ministres se në QSUT nuk mungonte asnjë ilaç, duke sjellë në vëmendje raportime për pacientë që përballeshin me vështirësi në sigurimin e trajtimeve.

Një nga denoncimet më të fundit të JOQ lidhet me QSUT-në dhe listën e pajisjeve që, sipas publikimit, mungonin në spital, përfshirë respiratorë, defibrilatorë dhe monitorë pacientësh, me vlerë të raportuar rreth 3.4 milionë euro. Po ashtu, JOQ ka raportuar edhe për problematika të tjera në sistemin shëndetësor dhe ka ngritur shqetësime mbi mënyrën e menaxhimit të shërbimeve dhe investimeve.

 

 

JOQ ka ngritur edhe akuza dhe pikëpyetje për marrëdhëniet mes drejtuesve të shëndetësisë dhe biznesmenit Klodian Allajbeu i cili e përdorte herë pas here si kukull ministreshën e Shëndetësisë, si dhe për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat, pra spitalit Amerikan në menaxhimin e shërbimeve publike shëndetësore, veprime që arrinin deri në pushimin e mjekëve nga spitalet publike për t'i zëvëndësuar me ata të privatit.

Denoncimet kanë vënë në fokus edhe raste të mungesës, vonesave apo defekteve të ambulancave, si dhe problematika të shërbimeve spitalore në zona të ndryshme të vendit. Nëse dorëheqja e Salës zyrtarizohet, pritet që të bëhet e ditur edhe se kush do ta pasojë atë në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ministrja Sala e mori detyrën më 11 shtator të vitit të kaluar, në vend të Albana Koçiut.


Policia e Vlorës reagon për konfliktin me armë mes biznesmenëve, por s’guxon të përmend emra

Ngjarja e rëndë e regjistruar në zonën e Radhimës, ku dyshohet se janë përfshirë në një konflikt të armatosur biznesmenët Vasil Bedini dhe Luan Muça, ka nxjerrë edhe një herë në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të Policisë së Shtetit: një strukturë që dridhet përpara emrave të fuqishëm dhe që reagon vetëm kur nuk ka më asnjë rrugë tjetër se si ta fshehë të vërtetën.

Vetëm pas publikimit të lajmit në media, Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht për këtë ngjarje që tronditi bregdetin. Por mënyra se si uniformat blu zgjodhën të "informonin" publikun është një fyerje e hapur për inteligjencën e çdo qytetari. Në njoftimin e saj paraprak, Policia e Vlorës u kujdes me pedantizëm që të mos bënte publik emrin e asnjë prej personave të përfshirë në ngjarje.

Read more ...

XS
SM
MD
LG