Lidhje


Veliaj bllokon pagat e Bashkisë së Tiranës, punonjësit ngelen “thatë”

Një situatë e pazakontë është krijuar në Bashkinë e Tiranës, ku bllokimi i procedurave për pagesat e punonjësve ka ngritur shqetësime për funksionimin normal të institucionit.

Pas përplasjeve të fundit për drejtimin e bashkisë, procesi i firmosjes së pagave ka mbetur pezull, duke rrezikuar që punonjësit e administratës të përballen me vonesa në marrjen e pagave.

 
 

Kritikët e kësaj situate pretendojnë se bllokimi i funksionimit të bashkisë mund të jetë një mënyrë për të krijuar presion institucional dhe për të ndikuar në proceset që lidhen me të ardhmen e drejtimit të institucionit.

 

 

Ndërkohë, Erion Veliaj vijon të mbajë postin e kryebashkiakut, pavarësisht se ndodhet në paraburgim, ndërsa përplasjet ligjore dhe administrative për Bashkinë e Tiranës vazhdojnë.

Situata ka shkaktuar shqetësim te punonjësit dhe qytetarët, pasi çdo ngërç në funksionimin e bashkisë mund të ndikojë në shërbimet dhe administrimin e kryeqytetit.


Urgjenca pranon dështimin: Deda dhe Preka vdiqën sepse ambulanca kishte defekt

Pas protestës së banorëve të Vaut të Dejës për vonesën e ambulancës në ngjarjen tragjike ku humbën jetën David Deda dhe Sokol Preka, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka pranuar se ambulanca e zonës ishte jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Sipas Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, telefonata e parë është regjistruar në orën 18:03, ndërsa ambulanca e nisur nga Shkodra ka mbërritur në orën 19:44, pra rreth 1 orë e 41 minuta më vonë. Institucioni argumenton se viktima ishte në arrest kardiak dhe se, pavarësisht reanimimit, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan.

 
 

Sqarimi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si është menaxhuar shërbimi i urgjencës në një zonë ku ambulanca lokale rezultonte jashtë funksionit. Përballë kësaj situate, përgjegjësia politike bie edhe mbi Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministren e Shëndetësisë Evis Sala, e cila duhet t’u japë përgjigje banorëve se përse një ambulancë e urgjencës nuk ishte në gatishmëri dhe pse alternativa e dërguar nga Shkodra kërkoi kaq shumë kohë për të mbërritur. Një defekt teknik nuk mund të mbyllë debatin mbi gatishmërinë e shërbimeve jetike dhe masat që ishin marrë për të garantuar mbulimin e zonës.

 

 

Ngjarja e 29 gushtit mbetet një tragjedi e rëndë, por pranimi i vonesës nga vetë Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore e bën edhe më të domosdoshëm një hetim të plotë mbi përgjegjësitë institucionale. Familjarët dhe banorët e Vaut të Dejës kërkojnë të dinë nëse një reagim më i shpejtë do të kishte ndryshuar fatin e viktimave, ndërsa Ministria e Shëndetësisë duhet të sqarojë publikisht se çfarë ndodhi me ambulancën lokale, sa kohë kishte jashtë funksionit dhe pse nuk u garantua menjëherë një mjet zëvendësues.


Policia hap dyert për më shumë kandidatë, ndryshon kufiri i moshës: Deri në 40 vjeç për profesionistët me arsim të lartë

Policia e Shtetit zgjeron kriteret e pranimit për kandidatët që duan t’i bashkohen strukturave të saj. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për rishikimin e kufirit të moshës, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë, profesionistët me arsim të lartë dhe punonjësit që vijnë nga struktura të tjera të sigurisë.

Sipas urdhrit të ri, kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë mund të aplikojnë për t’u pranuar në Policinë e Shtetit deri në moshën 35 vjeç. Kjo kategori përfshin edhe personat që synojnë të angazhohen në role zbatuese, përfshirë shërbimin në Patrullën e Përgjithshme, përmes ndjekjes së Kolegjit Bazë.

 

 

Kufiri 35 vjeç zbatohet gjithashtu për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin programin Bachelor në Akademinë e Sigurisë dhe më pas të integrohen në strukturat e Policisë në rolin e parë drejtues, me gradën nënkomisar.

Ndryshimi prek edhe profesionistët me arsim të lartë. Personat që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare në profile të përshtatshme, mes tyre ekonomi, financë dhe teknologji informacioni, mund të pranohen deri në moshën 40 vjeç në rolin e parë drejtues, pas përfundimit të kursit të specializuar për nënkomisarë.

 

 

Një tjetër lehtësi parashikohet për punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë. Nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara dhe kalojnë procedurat e pranimit, këta kandidatë nuk do t’i nënshtrohen një kufiri moshe.

Ministri Besfort Lamallari tha se ndryshimi synon të krijojë mundësi më të barabarta për kandidatët, duke marrë në konsideratë jo vetëm moshën, por edhe arsimin, kualifikimet dhe përvojën profesionale.

“Kjo është një vendimmarrje e drejtë, e cila ofron mundësi të barabarta në raport me angazhimin dhe përvojën e gjithsekujt, pa u penalizuar nga kritere të ngurta të aplikuara njëtrajtshëm për kandidatë me nivele të ndryshme arsimore dhe profesionale”, deklaroi Lamallari.

 

 

Sipas ministrit, zgjerimi i kritereve synon të ndihmojë në rifreskimin e strukturave policore dhe në rritjen e profesionalizmit, duke afruar në Polici edhe kandidatë me përvojë dhe specializime të ndryshme.

Ndryshimet pritet t’u japin mundësi për të aplikuar edhe personave që deri më tani kanë qenë të përjashtuar nga gara për shkak të kufirit të moshës.


Shqipëria “fshat i madh”? Vetëm 6 bashki klasifikohen kryesisht si qytete

TIRANË – Shqipëria vijon të karakterizohet nga një polarizim i fortë territorial, ku vetëm një numër i kufizuar bashkish kanë një strukturë të mirëfilltë urbane, ndërsa pjesa më e madhe e territorit mbetet me karakter rural.

Sipas Raportit Përfundimtar për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, i cili përdor metodologjinë DEGURBA dhe të dhënat e Censit 2023, vetëm 6 bashki në vend klasifikohen kryesisht si “qytet”. Ndërkohë, 13 bashki klasifikohen si “qytezë dhe periferi”, ndërsa 42 bashki, rreth dy të tretat e sistemit vendor, kanë karakter mbizotërues rural.

Read more ...

XS
SM
MD
LG