Lidhje


SHBA shoqëron 40 anije me naftë në Hormuz, operacioni rekord zhvillohet mes sulmeve me Iranin

Tensionet në Ngushticën e Hormuzit janë përshkallëzuar sërish, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një operacion të gjerë për të garantuar lëvizjen e anijeve tregtare në një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

 

 

Rreth 40 anije tregtare, që transportonin afërsisht 18 milionë fuçi naftë, u shoqëruan nga forcat amerikane gjatë kalimit përmes ngushticës të martën. Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga CNN, bëhet fjalë për nivelin më të lartë të naftës së transportuar nën eskortë ushtarake që prej nisjes së konfliktit. Operacioni u zhvillua në një situatë të tensionuar, teksa SHBA-ja dhe Irani shkëmbyen sulme të reja. Forcat amerikane përdorën avionë, mjete detare dhe kapacitete hapësinore për të mbrojtur anijet tregtare, ndërsa përballuan edhe sulme me dronë dhe neutralizuan raketa kundër anijeve.

 

 

Në të njëjtën kohë, ushtria amerikane goditi rreth 60 objektiva ushtarake iraniane në zonën përreth Hormuzit. Objektivat përfshinin sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë, mjete detare, pajisje për vendosjen e minave dhe infrastruktura komunikimi.

Rëndësia e operacionit lidhet drejtpërdrejt me peshën që ka Ngushtica e Hormuzit për tregun botëror të energjisë. Para konfliktit, përmes kësaj rruge kalonin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë. Sasia e transportuar gjatë operacionit të fundit përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të fluksit normal ditor.

 

 

Megjithatë, pavarësisht eskortës amerikane, kompanitë e transportit dhe të energjisë vijojnë të përballen me rreziqe të mëdha. Trafiku tregtar në ngushticë mbetet shumë më i ulët se përpara luftës, ndërsa sulmet dhe kërcënimet ndaj anijeve kanë rritur pasigurinë në tregjet ndërkombëtare.


Reagon sërish Grenell: Në Kosovë po shkelet hapur Kushtetuta

Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell vijon ta mbajë gjithnjë njërin sy te zhvillimet në Prishtinë. Në 24 orët e fundit ai ka komentuar në rrjetet sociale për atë që po ndodh pas përçarjes në LDK për emrin e Presidentit të ri të Kosovës.

 

 

Në një reagim në X, Grenell u del në krah 6 deputetëve të LDK-së që nuk pranuan emrin e Bekim Sejdiut për President sipas marrëveshjes Kurti Abdixhiku. 

Grenell publikoi një fotografi të Avdullah Hotit, Hykmete Bajramit, Arben Gashit, Armend Zemajt, Kujtim Shalës dhe Janina Ymerit, duke i cilësuar ata si "miq të mëdhenj të Amerikës".

"Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës", - shkroi Grenell.

 

 

Disa orë më pas bëri një tjetër koment duke akuzuar indirekt Kurtin se po shkel Kushtetutën. 

“Kush në Kosovë po e mbron Kushtetutën e tyre? Kushtetuta është e qartë: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Është dita e 50-të” – shkroi Grenell.

 

 

Edhe pak javë më parë, Grenell ia atribuoi Kurtit përgjegjësinë për krizën politike në vend, duke deklaruar se kryeministri në detyrë "nuk di si të qeverisë" dhe se ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Në të njëjtën deklaratë, Grenell u shpreh edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se Perëndimi dëshiron ta shohë të lirë dhe të rikthyer në Kosovë për të kontribuar në udhëheqjen e vendit


“Shtet prej lecke”: Shpëton turistët me helikopter, lë të vdesin gratë shtatzëna

Një postim i ministrit Ermal Nufi, ku ai njofton me krenari ndërhyrjen e helikopterit të Ushtrisë për shpëtimin e një turisti, ka hapur një debat të fortë mbi mënyrën se si shteti menaxhon emergjencat dhe jetët e qytetarëve të tij.

Sepse pyetja që sot shumë njerëz po bëjnë është e thjeshtë dhe e dhimbshme:

Pse për një turist gjendet helikopteri, ndërsa për një grua shqiptare shtatzënë, në muajin e shtatë, gjithçka vonohet deri në tragjedi?

Read more ...


Xhaxhai e ftoi në ditëlindjen e gruas, nipi me shokë i vjedhin 27 mln lekë e bizhuteri

Një hetim i zhvilluar gjatë muajit gusht nga efektivët e Komisariatit nr. 6 dhe Prokuroria e Tiranës ka zbardhur një grabitje të ndodhur në banesën e një kasapi në kryeqytet. Në qendër të hetimit është 26-vjeçari Leonardo Sinani, nipi i të dëmtuarit, i cili dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar grabitjen.

Sipas hetimeve, në banesë janë marrë rreth 27 milionë lekë të vjetra, ndërsa autorët kanë vjedhur edhe bizhuteri floriri, përfshirë ora, byzylykë dhe varëse, me vlerë rreth 5 milionë lekë.

 

 

Për këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Leonardo Sinanin, Mark Hilën dhe Kleand Tomën. Ndërkohë, Antonio Budini, nga Lezha, është shpallur në kërkim.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e 14 gushtit 2026. Durim Sinani ndodhej në një lokal në zonën e Ibës, ku po festonte ditëlindjen e bashkëshortes së tij. Në festë kishte marrë pjesë edhe nipi Leonardo.

Sipas dosjes hetimore, ndërsa ishte në festë, Leonardo Sinani dyshohet se po koordinonte grabitjen me tre bashkëpunëtorët e tij. Hetuesit dyshojnë se ai u kishte dhënë informacionet e nevojshme për banesën dhe kohën kur familja do të mungonte.

 

 

Durim Sinani ka deklaruar se gjatë mbrëmjes kishte vënë re përmes telefonit se kamerat e sigurisë së shtëpisë nuk po funksiononin. Në një prej pamjeve kishte parë edhe një person pranë portës, por nuk kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje.

 

Kur familja u kthye në shtëpi, rreth orës 01:00, gjeti banesën të përmbysur. Dyert ishin hapur me forcë, sirtarët ishin kontrolluar dhe nëpër dhoma kishte sende të shpërndara. Nga kontrolli rezultoi se ishin marrë paratë dhe bizhuteritë e familjes.

Grabitësit kishin marrë edhe pajisjen DVR ku ruheshin pamjet e kamerave të jashtme. Megjithatë, dy kamera të tjera të vendosura brenda banesës kishin regjistruar tre persona të maskuar, me kapuçë dhe doreza, duke kontrolluar ambientet e shtëpisë.

“...në total më kishin vjedhur shumën 27 milion lekë dhe bizhuteri floriri në vlerën 5 milion lekë...”, ka deklaruar në polici Durim Sinani.

Dyshimet për rolin e nipit janë shtuar edhe pas dëshmisë së djalit të të dëmtuarit. Ai ka treguar se para se të shkonin në festë, Leonardo e kishte pyetur nëse shtëpia kishte mbetur bosh dhe nëse kishte njeri brenda.

Gjatë mbrëmjes, sipas dëshmisë, 26-vjeçari qëndronte shpesh në telefon, dilte jashtë lokalit dhe në disa raste largohej me makinë, për t'u kthyer më pas. Rreth orës 22:45 ai është larguar nga festa.

Sipas hetuesve, pas largimit nga lokali, Leonardo Sinani dyshohet se është bashkuar me tre personat e tjerë dhe së bashku kanë realizuar grabitjen e banesës së xhaxhait të tij.

Tashmë, tre të arrestuarit ndodhen në masën “Arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rolit të secilit person në këtë ngjarje.

XS
SM
MD
LG