Lidhje


Jep dorëheqjen Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala

Pas një viti në detyrë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka paraqitur dorëheqjen nga posti që mbante

 

Sala e ka dhënë dorëheqjen pak para se të nis mbledhja e Ramës e thirrur me ministrat dhe zëvendësministrat në “Vilën e Kuqe”.

 

Deri tani nuk ka një reagim zyrtar dhe asnjë emër që mund ta zëvendësojë.


Mars-korrik/ Shqiptarët shpenzuan 80 milionë euro më shumë për të blerë naftë, për konsum të njëjtë

Në teori, kur çmimi i karburantit rritet, drejtuesit e mjeteve priren të kufizojnë përdorimin e makinës. Në Shqipëri, kjo lidhje duket shumë më e dobët. Mungesa e alternativave të zhvilluara të transportit publik, sidomos jashtë Tiranës dhe për lëvizjet ndërqytetëse, teksa Shqipëria është vendi i vetëm në Europë pa trena, e bën përdorimin e automjetit një nevojë që vështirë se mund të reduktohet edhe kur çmimi i naftës rritet fort.

 

 

Të dhënat e importeve për periudhën mars-korrik 2026 e tregojnë këtë qartë. Në pesë muaj u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante, vetëm 1.2% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur sasia ishte rreth 309.6 mijë tonë.

Rënia e lehtë e importeve erdhi kryesisht nga prilli dhe maji, kur sasitë e futura në vend ishin përkatësisht 14.3% dhe 7.3% më të ulëta se një vit më parë. Në mars, importet u rritën me 2.8%, ndërsa tendenca ndryshoi ndjeshëm në verë.

Read more ...


Përplasjet gjatë protestës së djeshme para Kryeministrisë, arrestohen 14 persona

Protesta e 94-të kundër qeverisë u mbyll me tensione dhe përplasje fizike mes tubuesve dhe efektivëve të policisë para Kryeministrisë. Sipas policisë, 14 persona u arrestuan në flagrancë, ndërsa tre të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Incidentet nisën rreth orës 20:00, kur një grup protestuesish u zhvendos në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë. Sipas policisë, ata bllokuan hyrje-daljet e godinës, ndërsa brenda ndodheshin personalitete të larta shtetërore.

 

 

Forcat e rendit krijuan një kordon sigurie për të penguar depërtimin e mëtejshëm të protestuesve. Tubuesit qëndruan për rreth 30 minuta pranë hyrjes së Kryeministrisë, pavarësisht thirrjeve të policisë për lirimin e rrugës dhe shpërndarjen.

 

 

Situata degradoi edhe në përplasje fizike. Sipas autoriteteve, protestuesit kundërshtuan me forcë efektivët, ndërsa gjatë incidenteve mbeti i lënduar edhe një punonjës policie. Të arrestuarit janë Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.


Del jashtë kontrollit zjarri në Ulëz të Matit, përparon me shpejtësi. Evakuohen disa familje

Prej katër ditësh, situata nga zjarri në Njësinë Administrative Ulëz, në Bashkinë Mat, vijon të jetë kritike. Flakët kanë përfshirë qindra hektarë pyje me pisha, dushqe dhe bimësi të tjera, duke u përhapur në zonat e Lundres, Trodhenes dhe Madheshit.

 

 

Zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe po përparon me shpejtësi, ndërsa tymi i dendur dhe flakët e bëjnë  të pamundur ndërhyrjen nga toka. Gjatë mbrëmjes së kaluar, për shkak të flakëve, janë evakuuar disa familje nga Madheshi. Zjarri ka rrezikuar edhe banesa dhe në stane me bagëti. Sot forca të shumta janë nisur drejt Madheshit për izolimin  vatrave te zjarrit. 

 

 

Në terren ndodhen punonjës të Bashkisë Mat, zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe forca të ushtrisë, të cilët prej katër ditësh po përpiqen për izolimin e flakëve. Për shuarjen e zjarrit është përdorur edhe një helikopter, i cili prej tre ditësh punon për shuarjen e flakëve.

XS
SM
MD
LG