Lidhje


Një vepër që dëshmon përkushtimin e sinqertë ndaj kombit dhe shtetit shqiptar – Nga Hoxhë Bekir Halimi

Elhamdulilah, dje përfundova së lexuari këtë libër (Në gjurmët e shtegtimit tim, Burhan Al Din Sejdi Fili), të pasur me informacione, dëshmi dhe ngjarje tejet interesante. Çdo faqe e tij të afron me një periudhë të rëndësishme të historisë sonë dhe të njeh me një angazhim të jashtëzakonshëm, të mbështetur mbi dije, sakrificë dhe përgjegjësi të lartë morale.

Leximi i kësaj vepre nuk të jep vetëm njohuri historike. Ai të bën të reflektosh për mundin e madh që kërkohet për mbledhjen, sistemimin dhe dokumentimin e gjithë këtij materiali. Pas çdo informacioni, dëshmie dhe ngjarjeje të paraqitur në libër qëndrojnë vite kërkimi, përkushtimi dhe pune të palodhshme.

 

 

Allahu e shpërbleftë hoxhën tonë për çdo mund dhe angazhim të tij! Një përpjekje kaq të madhe dhe një shërbim kaq të çmuar vetëm Allahu mund t’ia shpërblejë ashtu siç e meriton. Qoftë i bekuar në këtë botë dhe në botën tjetër! Allahu e dashtë dhe qoftë i kënaqur me të, i dhëntë shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe ia mbushtë vitet me vepra të mira e të dobishme!

Ajo që të lë mbresa të veçanta gjatë leximit është përkushtimi altruist dhe jashtëzakonisht i sinqertë për rimëkëmbjen e shtetit shqiptar. Në këto faqe shfaqet një njeri që vuri në shërbim të këtij qëllimi të gjithë potencialin e tij intelektual, moral, shoqëror dhe financiar. Ai nuk u mjaftua me fjalë dhe deklarata, por veproi konkretisht, duke ofruar dijen, përvojën, lidhjet, autoritetin dhe mundësitë e tij materiale për të ndihmuar ngritjen e vendit.

 

 

Kjo sakrificë bëhet edhe më domethënëse kur kujtojmë se bëhej për një shtet që më parë ishte përpjekur ta tjetërsonte, ta pengonte dhe madje ta shpallte armik. Megjithatë, ai nuk e lejoi padrejtësinë e përjetuar ta shndërronte në një njeri të mbushur me mllef dhe hakmarrje. Përkundrazi, kur shteti shqiptar ndodhej në çastet vendimtare të rikthimit në binarët e duhur, ai u gjend pranë tij, duke bërë gjithçka që ishte në mundësinë e vet për ta ringritur dhe për ta kthyer drejt zhvillimit normal.

Këtu qëndron madhështia e vërtetë e kësaj figure. Ai arriti ta dallonte shtetin nga padrejtësitë e pushtetarëve dhe atdheun nga gabimet e një sistemi politik. Dëmet që i ishin shkaktuar personalisht nuk e penguan ta shihte interesin e përgjithshëm të popullit të vet. Mbi plagët personale vendosi përgjegjësinë kombëtare, ndërsa mbi hidhërimin e së kaluarës ngriti përkushtimin për një të ardhme më të mirë.

 

 

Kjo është një formë e rrallë e atdhedashurisë: t’i shërbesh vendit tënd edhe pasi je lënduar prej institucioneve të tij; ta ndihmosh të ngrihet edhe pasi një sistem i padrejtë është përpjekur të të rrëzojë; dhe t’ia ofrosh të gjitha kapacitetet e tua, pa kërkuar hakmarrje, privilegje apo shpërblim personal.

Libri dëshmon se dashuria e sinqertë ndaj atdheut nuk matet vetëm me fjalime dhe parulla, por me gatishmërinë për të punuar, për të sakrifikuar dhe për ta vendosur interesin e përbashkët mbi dhimbjen personale. Pikërisht në momentet më të vështira dallohet se kush e do me të vërtetë vendin e vet dhe kush e përdor atë vetëm për interesa personale.

 

 

Në një kohë kur kontributet e njerëzve shpesh harrohen, minimizohen ose paraqiten në mënyrë të cunguar, botimi i veprave të tilla është një shërbim i madh ndaj kujtesës sonë kolektive. Dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm kthim i një borxhi ndaj figurave që sakrifikuan, por edhe një amanet për brezat e ardhshëm.

Të rinjtë duhet ta njohin këtë dimension të historisë sonë: se në çastet më të vështira ka pasur njerëz të dijes, të fesë dhe të ndërgjegjes kombëtare, të cilët kanë vënë në dispozicion gjithçka që kanë pasur për të mirën e popullit dhe të shtetit shqiptar. Ata nuk e kanë parë fenë dhe atdhedashurinë si dy rrugë kundërshtuese, por si dy përgjegjësi që e plotësojnë njëra-tjetrën.

 

 

Prandaj, kjo vepër meriton të lexohet me kujdes dhe të promovohet gjerësisht. Ajo është më shumë se një libër me informacione dhe ngjarje interesante. Është një dëshmi historike, një mësim për besnikërinë ndaj parimeve dhe një kujtesë se veprat e sinqerta lënë gjurmë shumë më të thella se fjalët.

Elhamdulilah që pata mundësinë ta lexoja dhe të njihesha nga afër me gjithë këtë përpjekje. Nga faqja e parë deri tek e fundit, libri të bind se përkushtimi i sinqertë, puna e palodhshme dhe sakrifica për të mirën e përgjithshme nuk humbasin kurrë. Edhe kur njerëzit nuk arrijnë t’i vlerësojnë siç duhet, ato mbeten të njohura tek Allahu, ndërsa gjurmët e tyre ruhen në histori.

 

 

Allahu e shpërbleftë autorin për këtë punë madhore dhe e bëftë këtë vepër sadaka rrjedhëse për të! E ruajttë, e begatoftë dhe i dhëntë mundësi që edhe më tej, përmes dijes dhe veprimtarisë së tij, t’i shërbejë fesë, popullit dhe së vërtetës.

Bekir Halimi


“Arkia” zbulon prapaskenën: Dhuna e një pasagjeri në kufi la 50 izraelitë në Shqipëri


Një fluturim i zakonshëm nga Podgorica drejt Tel Avivit përfundoi në një udhëtim të pazakontë me autobusë përmes kufirit malazezo-shqiptar dhe me rreth 50 turistë izraelitë të mbetur në Tiranë.

Avioni i kompanisë “Arkia”, që duhej të mbërrinte nga Tel Avivi për të marrë pasagjerët në Podgoricë, nuk u lejua të ulej për shkak të një problemi të cilësuar si “operacional” nga aeroporti malazez. Për pasojë, ai u devijua drejt Rinasit dhe udhëtarët u transportuan me autobusë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

 

Read more ...


Gjykata franceze lë në qeli Ermal Beqirin: Nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur

Drejtësia franceze ka vendosur të mbajë në paraburgim biznesmenin shqiptar Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve të SPAK për tenderat e AKSHI-t. Gjykata ka rrëzuar kërkesën e tij për lirimin, ndërsa në Francë vijon procedura për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij. Prokuroria franceze ka kundërshtuar lirimin, duke argumentuar se pasuria dhe mundësitë e tij për të udhëtuar, përfshirë licencën e pilotit, krijojnë rrezik largimi nga territori francez.

 

 

Gjatë seancës, Beqiri ka deklaruar se ka lidhje të forta me Francën, ku sipas tij ka mbërritur që në moshën 16-vjeçare. Ai ka pretenduar se nuk kishte arsye të fshihej dhe, me tone ironike, është shprehur se nëse do të kishte dashur të largohej, mund të kishte zgjedhur edhe vende të tjera. “Arrita në Francë në moshën 16 vjeç, kam familjen time të dytë këtu. Mund të kisha shkuar kudo, madje edhe në Dubai, por e dua Francën”, ka deklaruar ai.

 

 

Çështja e Beqirit në Francë lidhet edhe me një incident gjatë një fluturimi, për të cilin më 27 korrik ai pranoi se kishte gabuar në lartësinë e fluturimit, ndërsa po kalonte mbi një central dhe po fliste në telefon. Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me 7 mijë euro gjobë. Pavarësisht përfundimit të kësaj procedure, ai nuk është liruar nga burgu i Beauvais, për shkak të kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij. Në Shqipëri, Beqiri akuzohet për vepra që lidhen me mashtrimin dhe grupin e strukturuar kriminal, në kuadër të hetimeve për dyshime mbi manipulimin e procedurave të prokurimit të AKSHI-t. Tashmë, vendimi për fatin e tij do të lidhet edhe me ecurinë e procedurës së ekstradimit.


50% të grupeve ushqimore i paguajmë më shtrenjtë se Europa/ LISTA

Shqipëria ka një nga peshat më të larta të bujqësisë në ekonomi në Europë, me gati 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt afërsisht 2% mesatarisht në Bashkimin Europian dhe më pak se 8% në vendet e tjera të rajonit.

 

Por pesha e lartë e bujqësisë nuk po përkthehet në ushqime më të lira për konsumatorët. Përkundrazi, shqiptarët i paguajnë një pjesë të produkteve bazë më shtrenjtë se mesatarja europiane dhe dukshëm më shtrenjtë se fqinjët. Avantazhi që teorikisht duhet të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë familjet.

Të dhënat e krahasueshme të nivelit të çmimeve, ku mesatarja e Bashkimit Europian është 100, e vendosin Shqipërinë në indeksin 103.8 për ushqimet dhe pijet joalkoolike për vitin 2025.

 

Pra, niveli i çmimeve është 3.8% mbi mesataren e BE-së dhe më i larti ndër vendet e rajonit. Serbia, që është vendi i dytë më i shtrenjtë, ka indeksin 97.1, Mali i Zi 86.5, Bosnjë-Hercegovina 85.8 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 74.8.

Në krahasim direkt, ushqimet dhe pijet joalkoolike kushtojnë në Shqipëri rreth 7% më shumë se në Serbi, 20% më shumë se në Malin e Zi, 21% më shumë se në Bosnjë-Hercegovinë dhe gati 39% më shumë se në Maqedoninë e Veriut.

 

Diferenca mbetet pothuajse e njëjtë edhe nëse nga grupi hiqen pijet dhe krahasohen vetëm ushqimet. Shqipëria ka indeksin 102.9, ose 2.9% mbi mesataren europiane, kundrejt 96.6 në Serbi, 84.6 në Bosnjë-Hercegovinë dhe Malin e Zi dhe 74.3 në Maqedoninë e Veriut.

Ushqimet në Shqipëri rezultojnë rreth 6.5% më të shtrenjta se në Serbi, 22% më të shtrenjta se në Bosnjë dhe Malin e Zi dhe gati 39% më të shtrenjta se në Maqedoninë e Veriut.

 

50% e grupeve ushqimore (ndër më të domosdoshmet) janë më të shtrenjta se në BE

Nga 12 grupe të detajuara ë raporton Eurostat, për 6 prej tyre, apo gjysmën, çmimet janë më të lartat sesa mesatarja europiane. Këtu futen produkte bazë, si qumështi e nënproduktet, vajrat dhe yndyrnat, ndërsa dhe mishi e peshku janë shumë afër niveleve të BE-së.

Diferenca më e fortë për produktet bazë është te qumështi, produktet e bulmetit dhe vezët. Shqipëria ka indeksin 135.6, ose 35.6% mbi mesataren e BE-së.
Në Serbi indeksi është 107.1, në Malin e Zi 95, në Bosnjë-Hercegovinë 92 dhe në Maqedoninë e Veriut 89.6.

 

 

Shqiptarët i paguajnë këto produkte rreth 27% më shtrenjtë se serbët, 43% më shtrenjtë se malazezët dhe mbi 50% më shtrenjtë se konsumatorët në Maqedoninë e Veriut.

Edhe ushqimet e gatshme dhe produktet e tjera ushqimore janë dukshëm më të shtrenjta. Indeksi për Shqipërinë arrin në 128.2, ose 28.2% mbi mesataren e BE-së. Serbia është në 111.2, Mali i Zi 108, Bosnja 95.5 dhe Maqedonia e Veriut 80.9. Shqipëria është rreth 15% më e shtrenjtë se Serbia dhe afro 59% më e shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.

Për sheqerin, ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë, çmimet në Shqipëri janë 23.1% mbi mesataren e BE-së, me indeks 123.1. Në këtë kategori Serbia është pak më e shtrenjtë, me 125.3, ndërsa Mali i Zi ka indeksin 120.5. Bosnja është në 104.2 dhe Maqedonia e Veriut në 92.5.

 

 

Te pijet joalkoolike, Shqipëria rikthehet si vendi më i shtrenjtë i rajonit, me indeks 114.3, ose 14.3% mbi mesataren europiane. Mali i Zi është në 105.9, Serbia 103.2, Bosnja 97.7 dhe Maqedonia e Veriut 79.9. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, pijet joalkoolike kushtojnë rreth 43% më shumë në Shqipëri.

Edhe vajrat dhe yndyrnat janë mbi mesataren e BE-së, me indeks 112.5. Në këtë kategori Shqipëria nuk është më e shtrenjta në rajon: Serbia ka indeks 128.4 dhe Mali i Zi 119.4. Bosnja është pranë mesatares europiane me 99.2, ndërsa Maqedonia e Veriut në 95.

Te mishi dhe produktet e kafshëve të therura, Shqipëria ka indeksin 98, pra pak më poshtë mesatares së BE-së. Por në raport me rajonin mbetet vendi më i shtrenjtë. Serbia ka indeks 86.1, Bosnja 83, Maqedonia e Veriut 77.6 dhe Mali i Zi vetëm 71.

 

 

Ndonëse Shqipëria është një vend me shumë burime ujore, ajo është e dyta më e shtrenjtë në rajon, duke lënë pas vetëm Serbinë, pa det. Te peshku dhe produktet e detit, Shqipëria ka indeksin 96.5. Serbia është më e shtrenjtë, me 106.7, ndërsa Mali i Zi ka 90.2, Bosnja 88.3 dhe Maqedonia e Veriut 80.5.

Paradoksi i një vendi me peshë të lartë të bujqësisë është i dukshëm edhe te produktet që prodhohen gjerësisht në vend.

Për frutat dhe arrat, Shqipëria ka indeksin 92.1, nën mesataren europiane, por shumë mbi shumicën e rajonit. Serbia është pak më e shtrenjtë, me 95.9, ndërsa Mali i Zi ka 77.9, Bosnja 71.2 dhe Maqedonia e Veriut vetëm 52.4. Krahasuar me Maqedoninë e Veriut, niveli i çmimeve në Shqipëri është rreth 76% më i lartë.

Për perimet, zhardhokët, bananet e gatimit dhe bishtajoret, Shqipëria ka indeksin 91.2, praktikisht të njëjtin nivel me Serbinë, 91. Por është rreth 20% më e shtrenjtë se Bosnja, 22% më e shtrenjtë se Mali i Zi dhe 27% më e shtrenjtë se Maqedonia e Veriut.

 

Edhe te drithërat dhe produktet e drithërave, ku indeksi shqiptar është 84, çmimet janë më të larta se në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Vetëm Serbia, me indeks 87.3, është më e shtrenjtë.

Produkti më i shtrenjtë në Shqipëri janë pijet alkoolike. Shqipëria ka indeksin 159, ose plot 59% mbi mesataren e Bashkimit Europian. Asnjë vend tjetër i rajonit nuk afrohet me këtë nivel. Mali i Zi ka indeks 128.8, Serbia 116.3, Maqedonia e Veriut 99 dhe Bosnjë-Hercegovina 92.6.

Në kategorinë më të gjerë “pije alkoolike, duhan dhe narkotikë”, Shqipëria ka indeksin 81.7. Ndonëse nën mesataren e BE-së, është sërish niveli më i lartë në rajon, përpara Serbisë me 72.5, Malit të Zi me 69.7, Bosnjës me 63.6 dhe Maqedonisë së Veriut me 58.5.

 

 

Të dhënat nxjerrin në pah një kontrast të fortë për ekonominë shqiptare: bujqësia zë rreth 15% të PBB-së, një peshë shumëfish më të lartë se në Bashkimin Europian, por konsumatori shqiptar përballet me çmime ushqimore që në shumë kategori janë jo vetëm më të lartat në rajon, por edhe mbi mesataren europiane.

Avantazhi që teorikisht duhet të sillte një bazë e gjerë prodhuese bujqësore nuk po reflektohet në çmimet që paguajnë familjet. Produkti më i lirë në Shqipëri është duhani, që normalisht është i dëmshëm për shëndetin!


Euro prek minimumin historik/ Zhvlerësohet në 92.44 lekë, rënia përshpejtohet gjatë 2026

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun nuk po e ndal rënien as këtë javë dhe ka prekur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të martën me 92.44 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

 

 

Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.9%. Të dhënat tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpejtuar sidomos gjatë vitit 2026.

Oferta e lartë e valutës e lidhur me sezonin veror e ka thelluar akoma një tendencë rënëse të Euros që ishte shfaqur qysh në tremujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë e shpjegon këtë tendencë kryesisht me përmirësimet e Bilancit të Pagesave.

 

 

Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.

XS
SM
MD
LG