Lidhje


Trump hap faqen e “Bordit të Paqes”, Shqipëria dhe Kosova mes anëtareve – Evropa distancohet

 

Pas ceremonisë inauguruese të mbajtur më 19 shkurt në Washington, Bordi i Paqes ka lançuar faqen e tij zyrtare në internet, ku publikohen dokumentet themeluese, misioni dhe lista e vendeve pjesëmarrëse. Në mesin e 28 shteteve të përfshira figurojnë edhe Shqipëria dhe Kosova.

 

Faqja online përmban Kartën e Bordit, Planin e Paqes për Gazën, dokumentacionin shoqërues si dhe informacion mbi takimet e zhvilluara deri më tani. Po ashtu, aty renditen edhe anëtarët aktualë të Bordit Ekzekutiv.

 

Ndër shtetet e listuara si anëtare përfshihen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.

 

 

Në Kartën themeluese paraqiten parimet mbi të cilat mbështetet iniciativa. Dokumenti thekson se paqja e qëndrueshme kërkon qasje pragmatike dhe guxim për të lënë pas modele që kanë dështuar, se stabiliteti ndërtohet kur komunitetet marrin përgjegjësi për të ardhmen e tyre dhe se vetëm partneritete të bazuara në angazhime të ndërsjella dhe rezultate konkrete mund të garantojnë sukses afatgjatë. Po ashtu, kritikohet varësia e krijuar nga disa mekanizma tradicionalë të ndërtimit të paqes, duke nënvizuar nevojën për një strukturë ndërkombëtare më efikase dhe më dinamike. Në përfundim, shtetet pjesëmarrëse miratojnë zyrtarisht Kartën e Bordit të Paqes.

 

Në platformë është publikuar edhe një deklaratë e ish-presidentit Donald Trump lidhur me këtë iniciativë, ku ai shprehet se Bordi ka potencialin të shndërrohet në një nga strukturat më vepruese të krijuara ndonjëherë.

 

Faqja përfshin gjithashtu fotografi të liderëve të vendeve anëtare, ku kryeministri Edi Rama shfaqet përkrah Trump.

 

 

Sipas informacioneve zyrtare, Shtëpia e Bardhë ka dërguar ftesa për rreth 60 shtete. Deri më tani, 35 liderë kanë shprehur interes, ndërsa 26 vende janë konfirmuar si anëtare themeluese; të tjerat pritet të marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesit. Ndërkohë, disa prej fuqive kryesore evropiane – përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjën – kanë zgjedhur të mos i bashkohen nismës. Megjithatë, Bashkimi Evropian do të përfaqësohet në takim nga komisionerja për Mesdheun, Dubravka Suica, në rolin e vëzhgueses.


SPAK kërkon 13 vite burg për Rezart Taçin - Pastronte milionat e "Cosa-Nostra"

 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 13 vite burg për biznesmenin Rezart Taçi, i akuzuar për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në lidhje me një shumë prej rreth 18.3 milionë eurosh që dyshohet se i përkisnin mafias italiane “Cosa Nostra”.

 

Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurori Klodian Braho kërkoi gjithashtu konfiskimin përfundimtar të shumës së bllokuar në bankat shqiptare, e cila sipas SPAK ishte destinuar të pastrohej përmes transaksioneve të lidhura me kompani të sektorit të naftës.

 

Taçi po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet në arrati që prej vitit 2021. Për katër shtetasit italianë të dyshuar në këtë skemë, Francesco Zummo, Ignazio Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, çështja është veçuar dhe po trajtohet nga autoritetet italiane.

 

Sipas SPAK, fondet në vlerë rreth 18.4 milionë euro u bllokuan fillimisht në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021 dhe më pas u konfiskuan. Hetimet kanë ngritur dyshime se paratë do të transferoheshin përmes disa bankave në vende të ndryshme, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre, ndërsa biznesmeni shqiptar do të përfitonte një komision prej 16% të shumës së transferuar.

 

Në dosje përmenden edhe Artur Balla dhe Bledar Lilo, të cilët sipas akuzës kanë ndihmuar shtetasit italianë në hapjen e llogarive bankare dhe kryerjen e transfertave. Për këtë çështje, Lilo është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Balla me 7 vjet e 4 muaj.

 

Seanca e radhës ndaj Rezart Taçit është caktuar më 3 mars, kur pritet të paraqitet mbrojtja dhe të shpallet vendimi.


Belinda Balluku kapet me video intime - Media austriake PLAS SKANDALIN!

 

Shqipëria po përballet me një klimë të nxehtë politike, ku dyshimet për korrupsion, tensionet institucionale dhe qarkullimi i materialeve komprometuese po ndërthuren në një çështje që, sipas medias austriake Exxtra24.at dhe gazetarit Richard Schmitt, rrezikon të prekë thellë strukturat e pushtetit.

 

Në epiqendër të zhvillimeve ndodhet zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila vijon të jetë në detyrë ndërkohë që procedurat ligjore ndaj saj po avancojnë. Situata është komplikuar nga qarkullimi në rrjet i një videoje të dyshuar me përmbajtje intime, autenticiteti i së cilës nuk është konfirmuar zyrtarisht. Megjithatë, përhapja e saj ka shtuar presionin publik dhe politik.

 

Pretendimet për burimin e videos mbeten të paqarta. Disa burime sugjerojnë se ajo mund të jetë shpërndarë nga ish-bashkëshorti i ministres, por deri tani nuk ekzistojnë prova të verifikuara. Paralelisht, raportime anonime flasin për ambiente private në Tiranë dhe zona bregdetare, ku dyshohet se janë zhvilluar takime me pjesëmarrjen e figurave politike dhe biznesmenëve. Nuk është e qartë nëse këto aludime mbështeten në fakte apo janë pjesë e një përplasjeje me prapavijë politike.

 

 

Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) po përqendrohen në prova digjitale, përfshirë një USB me rreth 6.500 mesazhe dhe dokumente, të cilat dyshohet se hedhin dritë mbi manipulime në të paktën 11 tenderë publikë. Mes projekteve të përmendura janë rruga Thumanë–Kashar (245 milionë euro), Porto Romano–Durrës (12 milionë euro) dhe kontrata për mirëmbajtjen e akseve veriore.

 

Sipas hetuesve, ekzistojnë dyshime për përfitime të paligjshme përmes pasurive të regjistruara në emra të tretë, si dhe për përdorim mjetesh luksoze. Çështja përfshin edhe pretendime për ushtrim presioni ndaj vartësve dhe bashkëpunim të një anëtari komisioni prokurimi me organet e drejtësisë. USB-ja me materialet është depozituar në Kuvend dhe konsiderohet kyçe për vendimmarrjen mbi imunitetin e ministres.

 

Për kryeministrin Edi Rama, kjo situatë shton presionin politik në një moment delikat për qeverinë. Ende mbetet për t’u parë nëse akuzat do të provohen në gjykatë apo do të rezultojnë pjesë e një beteje politike. Megjithatë, çështja ka rikthyer në fokus debatin mbi integritetin institucional dhe besimin publik.


Lumi Shkumbin shemb pistën e Formula 1 – Skandal në Elbasan: 11 milionë euro nën ujë!

 

Një tjetër vepër infrastrukturore është shembur këtë të martë, 24 shkurt. Lumi ka marrë me vete një pjesë të pistës së Formula 1 në Elbasan.

 

Siç shihet nga pamjet e siguruar nga Syri, pista e Formula 1 u trumbetua si jjë sukses sportiv nga Rama për të përthithur garat me makina në Shqipëri, por që tanimë më atë e ‘ka marrë lumi’.

 

Ndërsa kryeministri Edi Rama nuk i jepte zgjidhje trafikut të rënduar nga Elbasani drejt juglindjes, si pasojë e mungesës së një unaze në qytet, i kishte përqendruar investimet në pistën e Formula 1, pa dobi për një rajon të tërë.

 

Tashmë dhe këtë investim miliona euro ka përfunduar i gërryer nga lumi Shkumbin, çka ka bërë që zona e auto-motoparkut në Elbasan të shembet.

 

Sakaq për ngritjen e infrastrukturës mbështetëse është investuar 5 milion euro në funksion të kompleksit multi-funksional për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të motorizimit, Auto-Moto Park, në Bashkinë Elbasan, Loti 2, ndërsa është investuar gjithashtu dhe 6 milion euro për argjinaturën mbrojtëse të Lumit Shkumbin, një total prej 11 milionë euro.


Prej 3 ditësh në kufi pa bukë e pa rrugë: Dhjetëra kamionë turq të bllokuar në Qafë Thanë

 

Rreth 50 mjete të tonazhit të rëndë kanë mbetur të bllokuara prej tre ditësh në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, për shkak të problemeve në segmentin rrugor në zonën e njohur si Ura e Arrave. Pjesa më e madhe e kamionëve vijnë nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut dhe janë në pritje të hapjes së rrugës për të vijuar itinerarin.

 

Drejtuesit e mjeteve shprehen se situata u ka shkaktuar vështirësi të mëdha ekonomike dhe personale. Ata tregojnë se po qëndrojnë prej ditësh në kabinat e kamionëve, pa kushte bazike, pa restorante apo dyqane pranë dhe me mungesë ushqimi e furnizimesh. Një prej shoferëve turq tha se gjendja e rrugës është e rënduar dhe se automjetet dëmtohen sa herë kalojnë në këtë aks, duke shtuar kostot e servisimit. “Prej tre ditësh presim. Flemë në kamion dhe nuk kemi ku të hamë. Jemi të detyruar të presim hapjen e rrugës”, u shpreh ai.

 

Një tjetër drejtues mjeti deklaroi se furnizimet e tyre kanë mbaruar dhe se sipas informacioneve të marra, rruga mund të hapet në provë të premten. Përpjekjet për të gjetur alternativa përmes Kosovës nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi, sipas tij, dokumentacioni nuk po përpunohet atje.

 

Pika kufitare e Qafë Thanës përballon çdo ditë hyrje-dalje të mbi 200 mjeteve të tonazhit të rëndë, ku një pjesë e konsiderueshme transportojnë mallra nga Turqia dhe Maqedonia, ndërsa në dalje dominojnë eksportet e fermerëve nga fusha e Myzeqesë. Bllokimi i rrugës ka krijuar kështu jo vetëm vështirësi për shoferët, por edhe pasoja për zinxhirin e transportit dhe tregtisë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG