MITI SERB I KOSOVËS/ Disfata sllave e vitit 1389 e cila i "dha jetë" popullit shqiptar

Nga Enver MEHMETI / Koalicioni i popujve të Ballkanit në Betejën e Kosovës të vitit 1389, siç është e njohur historikisht pëson disfatë të rëndë. Kjo ngjarje e madhe historike e përballjeve të dy botëve, e përballjeve të dy civilizimeve, në kujtesën kolektive të popujve ballkanikë do të lërë gjurmë të pashlyeshme dhe me kohë do të marrë përmasa të një sage ballkanike. Shumica e popujve të Ballkanit, por sidomos shqiptarët dhe serbët, në krijimtarinë e tyre gojore do të thurrin legjenda dhe këngë të shumta për këtë ngjarje të rëndësishme. Sipas dëshmive historike në traditën serbe Beteja e Kosovës dhe kulti i knjaz Llazarit, gjegjësisht, miti i Kosovës për herë të parë përmenden në fund të shek. XVI, saktësisht më 1598 në një letër në të cilën një grup kallugjerësh – murgjish serbë ia dërgojnë Papatit.