Danimarka ndalon përdorimin e celularëve në shkolla

Qeveria daneze ka vendosur të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkollat fillore dhe të mesme shtetërore, në përpjekje për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve. Ky vendim, i mbështetur nga Komisioni për Mirëqenien e Popullsisë, do të prekë nxënësit e moshës 7 deri 17 vjeç dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit mendor të tyre.
Vendimi është marrë në shumë shtete në Europë, që po miratojnë masa për të kufizuar aksesin e fëmijëve në teknologji dhe rrjete sociale, duke synuar rritjen e ndërveprimit social dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre. Komisioni i krijuar nga kryeministrja Mette Frederiksen në 2023, ka analizuar lidhjen mes përdorimit të tepruar të telefonave dhe ndjesisë së vetmisë te të rinjtë.