Qeveria hungareze e Orbanit lë të pastrehë refugjatët ukrainas
Fëmijë të vegjël që flenë mbi çanta. Gra të ulura buzë rrugës mbi valixhe, karrige të palosshme ose thjesht në tokë. Fytyra të lodhura dhe të pafuqishme, një polic kujdeset që fëmijët të mos vrapojnë në rrugë. Këto pamje po qarkullojnë aktualisht në mediat hungareze. Ato janë fotografi nga qyteti Kocs, në veriperëndim të Hungarisë. Të mërkurën në mëngjes (21 gusht 2024), pothuajse 100 refugjatë ukrainas, pothuajse të gjithë gra dhe fëmijë, u detyruan të braktisin strehimin e tyre dhe u gjendën në rrugë, papritmas të pastrehë. Ata e kaluan natën jashtë. Punonjësit e organizatave joqeveritare hungareze kërkuan më kot strehim urgjent të mërkurën dhe vazhduan kërkimet e tyre të enjten.