Lidhje


Ministri i Jashtëm i Turqisë diskuton luftën SHBA-Iran me homologun kinez Wang Yi

 

Hakan Fidan dhe Wang Yi bisedojnë në telefon, theksojnë se lufta në Lindjen e Mesme duhet të përfundojë

 

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me homologun e tij kinez, Wang Yi, ku diskutuan situatën më të fundit në rajon, njoftuan burime diplomatike turke.

 

Gjatë telefonatës, të dy ministrat theksuan se lufta në Lindjen e Mesme duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe diskutuan përpjekjet në këtë drejtim.

 

Ata nënvizuan se funksionimi i pandërprerë i rrugëve të transportit, furnizimi me energji dhe zinxhirët e furnizimit janë thelbësorë.

 

Të dyja palët diskutuan gjithashtu çështje të agjendës dypalëshe, veçanërisht marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, si dhe investimet e ndërsjella./AA


Kryeministri spanjoll: Qëndrimi për Ukrainën dhe Grenlandën të vlejë edhe për Gazën dhe Libanin!

 

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka bërë thirrje për konsistencë në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, duke paralajmëruar kundër standardeve të dyfishta në reagimet ndaj konflikteve globale, transmeton Anadolu.

 

Sanchez theksoi se vendet nuk mund të dënojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia apo të mbrojnë integritetin territorial të Grenlandës, por të qëndrojnë të heshtura për shkeljet në vende të tjera.

 

"Ajo që nuk mund të bëjmë është të dënojmë pushtimin e Ukrainës dhe të duartrokasim sulmet e Iranit", tha ai në Dhomën e ulët të Parlamentin të Spanjës, duke shtuar: "Nuk mund të kërkojmë respekt për integritetin territorial të Grenlandës dhe të mbetemi të heshtur kur integriteti territorial shkelet në Gaza apo Liban".

 

Ai theksoi se mbrojtja e rendit ndërkombëtar kërkon koherencë dhe qëndrueshmëri, duke paralajmëruar se reagimet selektive e minojnë besueshmërinë e tij.

 

Sanchez gjithashtu akuzoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se po përpiqet të përsërisë në Liban "të njëjtin shkatërrim dhe vuajtje të shkaktuar në Gaza".

 

Kryeministri spanjoll kritikoi atë që e përshkroi si pasojat më të gjera të luftës në Lindjen e Mesme.

 

"Sipas mendimit tim, ata kanë arritur këto, së pari, kanë minuar të drejtën ndërkombëtare, kanë destabilizuar Lindjen e Mesme, kanë nxitur konflikte në Irak dhe Liban dhe e kanë varrosur Gazën nën rrënoja, jo këtë herë nën rrënoja betoni, por nën harresë dhe indiferencë", tha ai.


Shefi i OKB-së Guterres: Lufta me Iranin është “jashtë kontrollit”!

 

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se lufta me Iranin ka dalë përtej çdo kufiri, duke e cilësuar konfliktin si “jashtë kontrollit” dhe duke paralajmëruar se bota po ballafaqohet me rrezikun e një përplasjeje shumë më të gjerë, transmeton Anadolu.

 

“Pas më shumë se tri javësh, kjo luftë është jashtë kontrollit”, u tha Guterres gazetarëve në një konferencë për media në selinë e OKB-së në Neë York, duke shtuar se “konflikti ka kaluar përtej kufijve që edhe vetë liderët i mendonin të mundshëm”.

 

“Bota po përballet me rrezikun e një lufte më të gjerë, me një rritje të vuajtjeve njerëzore dhe me një goditje më të thellë ekonomike globale”, tha ai, duke theksuar se situata “ka shkuar shumë larg”.

 

Duke bërë thirrje për t’i dhënë fund përshkallëzimit ushtarak, Guterres tha: “Është koha të ndalojmë ngjitjen në shkallën e përshkallëzimit dhe të fillojmë ngjitjen në shkallën e diplomacisë, si dhe të rikthehemi në respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare”.

 

Duke iu referuar palëve kryesore të përfshira në luftë, ai tha: “Mesazhi im për SHBA-në dhe Izraelin është se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës, ndërsa vuajtjet njerëzore po thellohen, viktimat civile po shtohen dhe ndikimi ekonomik global po bëhet gjithnjë e më shkatërrues”.

 

Guterres i bëri thirrje gjithashtu Iranit që të ndalojë sulmet ndaj vendeve të Gjirit, duke theksuar se ato “nuk janë palë në konflikt”.

 

Duke theksuar efektet ekonomike të luftës, ai tha: “Mbyllja e zgjatur e Ngushticës (së Hormuzit) po pengon lëvizjen e naftës, gazit dhe plehrave kimike në një moment kritik të sezonit global të mbjelljeve”.

 

Shefi i OKB-së u ndal edhe te Libani, duke thënë: “Izraeli duhet të ndalojë operacionet dhe sulmet ushtarake në Liban, të cilat po godasin më së shumti civilët”. Ai shtoi se “Modeli i Gazës nuk duhet të përsëritet në Liban".


AP: Bisedimet për armëpushimin SHBA-Iran në rrugë të drejtë! Teherani kërkon garanci për të ndaluar sulmet

 

Bisedimet indirekte për armëpushim midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po bëjnë përparime të konsiderueshme.

 

Sipas Associted Press bisedimet të lehtësuara nga udhëheqja politike dhe ushtarake e Pakistanit, po ecin “qetësisht, por me shpejtësi.

 

Analisti Syed Muhammad Ali gjatë intervistës së tij shtoi se kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif, shefi i ushtrisë Asim Munir dhe zyrtarë të lartë pakistanezë të përfshirë në përpjekjet diplomatike po luajnë një rol të rëndësishëm për arritjen e një dakordimi për t’i dhënë fund luftës..

 

Sipas vlerësimit të tij, Teherani mund të bjerë dakord për bisedime të drejtpërdrejta në Pakistan vetëm nëse merr garanci të qarta nga Shtetet e Bashkuara se sulmet do të ndalen, një element i konsideruar thelbësor për ndërtimin e një klime besimi dhe promovimin e një marrëveshjeje të mundshme armëpushimi.


“Reuters”: Turqia dhe Pakistani, “mikpritësit” e mundshëm për bisedimet SHBA-Iran

 

Pakistani dhe Turqia konsiderohen si dy vendet që mund të jenë “mikpritësit” e bisedimeve SHBA-Iran.

 

Sipas “Reuters”, këto dy vendos shihen si më të përshtatshme, ndonëse situata është ende e paqartë, dhe mundësitë që Teherani të marrë pjesë apo të marrë në konsideratë iniciativa diplomatike janë të pakta.

 

Siç shkruan Reuters, Turqia po kontribuon në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

 

Në të njëjtën kohë, çmimet e naftës ranë dhe tregjet ndërkombëtare u rimëkëmbën pas informacionit se SHBA-të i dërguan planin 15-pikësh Iranit , ndërsa investitorët shpresojnë për një fund të luftës që ka zgjatur pothuajse katër javë, e cila ka lënë mijëra viktima dhe ka trazuar tregun global të energjisë.

XS
SM
MD
LG