Lidhje


Gaza, vajza e vogël palestineze nën rrënoja u përpoq ta qetësojë motrën e saj duke lexuar Kuran

Vajza palestineze Mariya Ahmed Abu Safi e cila u shpëtua pas 4 ditësh nga rrënojat me motrën e saj në Gaza, tha se për të qetësuar motrën e saj nën rrënoja ka lexuar Kuran por që kur dëgjonte tanket e ulte zërin sepse kishte frikë nga bombardimet izraelite.

 

Mariya, e cila bashkë me motrën e saj qëndroi për 4 ditë nën rrënoja pasi Izraeli bombardoi shtëpinë tyre në qytetin Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, në një prononcim për Anadolu shpjegoi përjetimet e saj gjatë këtyre 4 ditëve.

 

Mariya dhe motra e saj Lana pasi u shpëtuan u dërguan në spitalin "Dëshmorët e Al-Aksa"-së në Deir al-Balah.

 

Vajza e vogël në fytyrën e së cilës mund të lexohet lodhja dhe rraskapitja, theksoi se "Qëndrova për 4 ditë pa ushqim dhe pa ujë në një vend shumë të ngushtë mes gurësh dhe rrënojash. Këmbët e motrës sime u bllokuan nën rrënoja dhe ajo bërtiste nga dhimbja. Ajo qëndroi në atë mënyrë për 3 ditë deri sa nxori këmbët".

 

"Ulja zërin tim kur dëgjoja tanket"

 

Duke thënë se përpiqej ta ngushëllonte dhe qetësonte motrën e saj që kishte dhimbje, duke lexuar ajete (pjesë) nga Kurani, Mariya tha se motra e saj Lana fillonte të bërtiste kur i shtohej dhimbja.

 

"Derisa lexoja Kuran, e ulja zërin tim sapo dëgjoja tanket për shkak se kisha frikë nga bombardimet izraelite", tregon vajza palestineze.

 

Më tej Mariya shpreh se herë-herë dëgjonte forcat izraelite që hapnin zjarr dhe se motra e saj kishte vështirësi të flinte për shkak të dhimbjeve. "Sa herë që Lana pyeste për nënën, babanë dhe anëtarët e tjerë të familjes, unë përpiqesha ta qetësoja, ta ngushëlloja. Pasi e zinte gjumi, sa herë që zgjohej pyeste për nënën", thotë Mariya.

 

Ajo tha se ekipet e shpëtimit fillimisht nxorën nga rrënojat Lanan dhe më pas atë. Mariya theksoi se me motrën e saj fillimisht u transportuan me një karrocë me kalë dhe më pas me një automjet u dërguan në spitalin ku u trajtuan.

 

Burimi:AA


"Mjekët pa Kufij" i bëjnë thirrje Izraelit të ndalojë bombardimin pa bërë dallim në Gaza

Organizata "Mjekët pa Kufij" i bëri thirrje Izraelit të ndalojë bombardimet "pa bërë dallim" ndaj Gazës dhe ritheksoi nevojën për një armëpushim.

 

"Për herë të parë dje, numri i njerëzve të vrarë që mbërritën në spitalin Al-Aksa të mbështetur nga Mjekët pa Kufij e tejkaloi numrin e të plagosurve. 115 njerëz të vrarë në 24 orë", tha organizata humanitare në X, duke shtuar: "Spitali është i stërmbushur, morgu është i stërmbushur".

 

OJQ-ja u kërkoi gjithashtu forcave izraelite të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën civile.

 

Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

 

Të paktën 16.248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43.616 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore ndaj enklavës së bllokuar që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

 

Burimi: AA


Blinken: Humbjet civile në Gaza "zemërthyese"

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken lidhur me humbjet civile në sulmet e Izraelit ndaj Rripit të Gazës tha se "Për të gjithë ne janë zemërthyese".

 

I ftuar në një transmetim të drejtpërdrejtë në CNN, Blinken vuri në dukje rëndësinë e mbrojtjes së civilëve në Gaza. Lidhur me këtë prezantuesi tha: "I nderuar sekretar, çështja e mbrojtjes së civilëve duket se nuk po shkon shumë mirë sepse po vdesin civilë, përfshirë mijëra fëmijë".

 

"Po, për të gjithë ne janë zemërthyese", u përgjigj Blinken.

 

Ai rikujtoi vizitën që zhvilloi në Izrael javën e kaluar për çështjen e mbrojtjes së civilëve. "Izraelitëve u theksova se ajo që ka ndodhur në veri të Gazës në aspektin e humbjeve civile nuk duhet të përsëritet në jug. Potencova nevojën se duhet të sigurohet dërgimi i ndihmës humanitare si ushqime, ujë dhe strehim për ata që kanë nevojë dhe janë të pashpresë", tha Blinken.

 

Duke mbrojtur idenë e tij se Izraeli ka formuar "zona të sigurta" në disa rajone, Blinken tha: "(Mbrojtja e civilëve) Shohim se Izraeli ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për këtë çështje".

 

Burimi: AA


UNRWA: Nuk ka absolutisht asnjë zonë të sigurt në Rripin e Gazës

Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini tha se në Rripin e Gazës të cilin Izraeli që dy muaj e bombardon nuk ka zonë të sigurt.

 

Lazzarini bëri vlerësime për mediat në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, lidhur me situatën humanitare në Rripin e Gazës.

 

 

Ai tha se që nga 7 tetori kur shpërtheu konflikti midis Izraelit dhe Hamasit, rreth 80 objekte të UNRWA-së në Gaza kanë qenë cak i sulmeve ajrore. Sipas tij, këto objekte të UNRWA-së, në mesin e të cilëve ka patur edhe strehë për civilët janë shënjestruar në mënyrë direkte ose indirekte.

 

 

Lazzarini bëri të ditur se në këto sulme kanë humbur jetën 130 punonjës të UNRWA-së dhe mbi 220 palestinezë.

 

 

"Nuk ka absolutisht asnjë zonë të sigurt në Rripin e Gazës. Duhet të hapet një hetim i pavarur në të ardhmen për mospërfilljen dhe sulmet flagrante ndaj objekteve të OKB-së", u shpreh ai.

 

 

Burimi: AA


Vriten 2 ushtarë tjerë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza

Ushtria izraelite njoftoi se 2 ushtarë të saj u vranë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës.

 

Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se rreshteri 22-vjeçar Amit Bonzel nga brigada e parashutistëve u vra dje në përleshjet në qendër të Rripit të Gazës.

 

Dje është vrarë edhe rreshteri 22-vjeçar Alemnew Emanuel Feleke nga brigada komando, i cili mbeti i plagosur në përleshjet në jug të Gazës më 5 dhjetor.

 

Në deklaratë thuhet se në luftimet ku humbi jetën Bonzel, u plagosën rëndë 3 ushtarë tjerë rezervë të njësisë së zbulimit të brigadës së parashutistëve.

 

Pas sulmit tokësor të nisur nga ushtria izraelite, numri i ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës është rritur në 86.

 

Burimi: AA

 

XS
SM
MD
LG