Lidhje


Rama sfidon GJKKO: Balluku më ka dhënë 3 herë dorëheqjen, nuk ia kam pranuar!

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka paraqitur dorëheqjen tri herë, por ai nuk e ka pranuar. Sipas Ramës, Balluku ka ofruar dorëheqjen një herë në momentin kur iu komunikuan akuzat, një herë pas vendimit për pezullim dhe një herë tjetër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri theksoi se nuk do ta pranojë dorëheqjen e saj, duke e konsideruar çështjen si një betejë parimore dhe jo personale.

 

 

Rama argumentoi se pezullimi i një ministri nga detyra përmes masës së sigurisë cenon funksionimin normal të pushtetit ekzekutiv dhe krijon një precedent të rrezikshëm për balancën mes pushteteve. Ai tha se çështja nuk lidhet vetëm me rastin Balluku, por me nevojën për të saktësuar kufijtë ligjorë të ndërhyrjes së gjyqësorit në funksionet kushtetuese.

 

 

Në këtë kuadër, kreu i qeverisë ka dorëzuar ndryshime ligjore që synojnë të kufizojnë kompetencën e GJKKO për të pezulluar ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë gjatë hetimeve. Drafti u diskutua në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste , e zhvilluar në orën 09:00.

 

 

Mazhoranca e konsideron nismën si një ndërhyrje të domosdoshme për të garantuar stabilitet institucional dhe ndarjen e pushteteve, ndërsa opozita pritet ta kundërshtojë fort, duke e cilësuar si përpjekje për të dobësuar mekanizmat e drejtësisë. Debati për ndryshimet pritet të ndizet në Kuvend në ditët në vijim.


Një çati mbi kokë po kthehet në luks, inflacioni “goditi” familjet shqiptare në janar

Kostoja e jetesës në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme në fillim të vitit 2026, duke e bërë mbijetesën ekonomike gjithnjë e më të vështirë për shtresat e mesme dhe ato në nevojë. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, inflacioni në vend ka arritur në 2,3% gjatë muajit janar, një rritje kjo krahasuar me nivelin prej 1,9% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe pse në dukje shifrat lëvizin me hapa të vegjël, presioni real po ndihet në xhepat e qytetarëve, kryesisht për shkak të shtrenjtimit galopant të qirave dhe kostove të banesës.

Read more ...


SPAK do arrestimin e Ballkukut. Peleshi vendos të hënën për mbledhjen e Këshillit të Mandateve

 

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, pritet të publikojë të hënën urdhrin për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në dokument do të përcaktohen data dhe ora e zhvillimit të mbledhjes, si dhe çështjet që do të përfshihen në rendin e ditës, në përputhje me kompetencat e këtij organi parlamentar.

 

Mbledhja e Këshillit vjen një javë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila shkarkoi nga funksionet publike zv/kryeministren Belinda Balluku.

 

Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve, i drejtuar nga Niko Peleshi, do të marrë në shqyrtim edhe kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të zhvillimeve të fundit ligjore që lidhen me këtë çështje.


Rama provokon qytetarët e Durrësit? "Prishje do të ketë – Projekti TID nuk do të ndalet!"

 

Kryeministri Edi Rama u takua sot në Bashkinë e Durrësit me banorët që preken nga projekti TID, një nismë e qeverisë që synon transformimin e zonës arkeologjike të qytetit në një park të madh urban dhe pjesë e bulevardit historik të qytetit. Takimi, i cili zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, u zhvillua në mes të tensionit dhe protestave të banorëve para ambienteve të bashkisë, të cilët shprehën shqetësime të forta lidhur me prishjen e banesave dhe ndikimin në jetën e tyre.

 

Pas bisedimeve me përfaqësues të familjeve të prekur nga projekti, Rama theksoi qartë se zbatimi i projektit TID nuk do të ndalet. Ai tha se u arrit dakordësi me rreth 34 familje, ndërsa pjesa tjetër e protestuesve sipas tij nuk përfaqëson qytetarët, por krijon tensione politike. Për mediat, kryeministri u shpreh se ndërkohë që projekti do të vazhdojë normalisht, do të kryhen verifikime të detajuara për disa objekte që dyshohet se kanë vlera të trashëgimisë kulturore.

 

“Me 34 qytetarë të Durrësit, përfaqësues të familjeve, kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme… Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet…” — u shpreh Edi Rama nga Durrësi.

 

Rama gjithashtu theksoi se do të shqyrtohen edhe disa banesa që, megjithëse kanë qenë prej vitesh në ato vende, nuk figurojnë të regjistruara në hipotekë, duke shtuar se edhe këto raste do të trajtohen me kujdes sipas procedurave përkatëse.

 

Nga ana e banorëve dhe pjesëmarrësve në protestë u shprehën kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe projektit. Disa prej tyre deklaruan se janë të pakënaqur nga rezultatet e takimit, duke thënë se autoriteteve u është bërë e qartë se projekti do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve të tyre. Përfaqësuesja e banorëve tha se u është komunikuar se duhet të pranojnë zbatimin e projektit, ndërkohë që ata kërkojnë rishikim të detajuar dhe diskutim më të gjerë për pasojat sociale dhe ekonomike të prishjeve të banesave.

 

Protestat dhe debatet rreth projektit TID nuk janë të reja. Qytetarë të Durrësit kanë protestuar edhe më herët, duke kërkuar dialog dhe transparencë mbi pasojat e projektit në zonën historike të qytetit.

 

Ndërkohë, autoritetet lokale kanë paralajmëruar se banorët duhet të lirojnë vullnetarisht banesat deri më 16 shkurt, për të mundësuar vijimin e punimeve dhe fazat e tjera të projektit.


Fond i ri për artin dhe sportin: 1/3 e kursimeve shtetërore do të shkojë për kulturën!

 

Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj që parashikon krijimin e një fondi të posaçëm për mbështetjen e artit, kulturës dhe sportit. Sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nisma vjen si përgjigje ndaj mungesës prej vitesh të mekanizmave alternativë financimi për projekte dhe investime me interes publik, të cilat nuk përfshihen në programet aktuale buxhetore.

 

Në relacionin shoqërues të draftit theksohet se financimi ekzistues është i copëzuar, i kufizuar në kohë dhe i lidhur me programe të ngurta buxhetore që nuk trashëgohen, ndërsa shpesh rezulton i pamjaftueshëm për të përballuar nevoja emergjente, iniciativa ndërsektoriale apo projekte me ndikim të gjerë. Dokumenti nënvizon se sektori i artit, kulturës dhe sportit përballet ende me vështirësi strukturore dhe financiare që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e profesionalizmit dhe veçanërisht përfshirjen e të rinjve.

 

Sa i takon burimeve të financimit, neni 7 i projektligjit përcakton disa kanale konkrete. Fondi Kombëtar për Artin, Kulturën dhe Sportin do të ushqehet fillimisht nga kursimet e realizuara përmes procedurave të prokurimit publik nga institucionet e administratës shtetërore qendrore, të cilat konsolidohen në Buxhetin e Shtetit. Konkretisht, një e treta (1/3) e kursimeve financiare të evidentuara në nivel qendror, në përputhje me ligjin e buxhetit, do të alokohet për këtë fond. Në përkufizimin e kursimeve përfshihen edhe ato që rrjedhin nga procedurat e prokurimit të përqendruar të zhvilluara nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP). Gjithashtu, fondi mund të pasurohet nga donacione, sponsorizime dhe grante, sipas legjislacionit në fuqi.

XS
SM
MD
LG