Lidhje


E PADËGJUAR! “Diella” padit Ramën në Gjykatën Administrative – 1 milion euro dëmshpërblim!

 

Aktorja e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Anila Bisha, ka depozituar më 9 shkurt një padi në Gjykatën Administrative, duke kundërshtuar përdorimin e imazhit dhe zërit të saj për krijimin e ministres virtuale “Diella”. Në kërkesëpadinë e saj, ajo kërkon ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të të dhënave personale, si edhe një dëmshpërblim në vlerën 1 milion euro për cenim të imazhit.

 

Çështja ka tërhequr vëmendjen edhe të medias ndërkombëtare, përfshirë agjencinë Reuters, ku ka reaguar avokati i saj, Aranit Roshi. Sipas tij, legjislacioni shqiptar parashikon gjoba që mund të arrijnë deri në 21 milionë euro për institucionet publike në rast të shkeljes së të dhënave personale, ndaj kërkesa për 1 milion euro konsiderohet e arsyeshme dhe proporcionale.

 

Bisha ka deklaruar se nuk ka dhënë asnjëherë pëlqim që pamja e saj të përdorej për një funksion të tillë, duke theksuar se situata i ka sjellë shqetësime serioze, përfshirë komente dhe ngacmime në rrjetet sociale, si edhe vëmendje të padëshiruar në jetën e përditshme. “Në fillim mendova se ishte një shaka. U habita dhe buzëqesha. Tani njerëzit më thërrasin Diella dhe më trajtojnë si një ministre të qeverisë. Ata që nuk e pëlqejnë kryeministrin, e shprehin pakënaqësinë edhe ndaj meje”, është shprehur ajo për Reuters.

 

Nga ana tjetër, qeveria i ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar të pabazuara. Zyra e shtypit ka deklaruar se padia është “pa kuptim”, por ka nënvizuar se çështja do të zgjidhet në rrugë gjyqësore. Ndërkohë, imazhi i “Diellës” shfaqet në faqen zyrtare të qeverisë në rreshtin e parë të kabinetit, krahas fotografive të kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

 

Në dokumentin e depozituar në gjykatë, aktorja pretendon se përdorimi i imazhit të saj për rolin e “Diellës” përbën shkelje të kontratës, pasi marrëveshja, sipas saj, ishte lidhur vetëm për rolin e asistentes virtuale të shërbimeve në platformën “e-Albania”. Në padi përfshihen si palë të paditura Këshilli i Ministrave, kompania “Apel shpk”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si edhe vetë kryeministri Rama. Ajo ka theksuar se u ndje e befasuar kur në shtator 2025, gjatë prezantimit zyrtar të “Diellës” nga kryeministri, konstatoi se avatari ishte ndërtuar mbi tiparet e saj.


Presion i fortë amerikan - Dorëhiqet Mirlinda Karçanaj, në krye të AKSHI-t emërohet Igli Tafa

 

 

Jep dorëheqjen nga detyra e kreut të AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

 

Ajo ndodhet në ‘arrest shtëpie’ pas skandalit te Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, masë e kërkuar nga SPAK.

 

Mësohet se në krye të AKSHI-t është emëruar Igli Tafa, që drejtonte Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

 

Kujtojmë se Karçanaj është nën akuzë nga SPAK për abuzime me tenderat e agjencisë që drejtonte dhe në arrest shtëpie me vendim të GJKKO. Që prej arrestit shtëpiak, Karçanaj funksionet ia kishte deleguar vartëses së saj, Romina Kostanit, drejtoreshë e Drejtorisë së Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe projekteve e-Gov me Fondet e Huaja.


E PAPRITUR! Paradite në SPAK – Rama shkarkon Engjëll Agaçin pas 13 vitesh! Ja emri që e zëvendëson

 

Administrata e lartë e Këshillit të Ministrave ka pësuar një ndryshim të menjëhershëm brenda pak orësh. Engjëll Agaçi nuk do të jetë më Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, duke mbyllur një cikël 13-vjeçar në këtë funksion, që prej vitit 2013, kur Edi Rama mori drejtimin e qeverisë. Largimi i tij vjen menjëherë pas paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku gjatë paradites së sotme ai u mor në pyetje për rreth tre orë lidhur me hetimet për inceneratorin e Tiranës. Në dalje nga SPAK, Agaçi deklaroi se mbetet në dispozicion të drejtësisë, por pak kohë më vonë u konfirmua dorëheqja e tij nga posti që mbante prej më shumë se një dekade.

 

Burime mediatike bëjnë të ditur se pasardhësja e tij është prezantuar nga vetë Kryeministri gjatë mbledhjes së qeverisë. Në krye të Sekretariatit të Përgjithshëm është emëruar Elsonida Rama, e cila vjen nga strukturat teknike të legjislacionit. Më herët, ajo ka shërbyer në Drejtorinë e Kodifikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë, një sektor kyç për hartimin dhe përpunimin e legjislacionit dhe akteve normative. Agaçi konsiderohej si një prej bashkëpunëtorëve më jetëgjatë të Kryeministrit Rama, duke luajtur rolin e hallkës lidhëse mes vendimmarrjes politike dhe zbatimit ligjor të akteve qeveritare. Zëvendësimi i tij me një profil teknik shënon një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e brendshme të Kryeministrisë, në një moment kur hetime të ndryshme po prekin nivele të larta të administratës shtetërore.


3 orë në SPAK: Çfarë di vërtetë Engjëll Agaçi për inceneratorin e Tiranës?

 

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, është paraqitur sot për herë të fundit në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje me hetimet rreth dosjes së inceneratorëve të Tiranës, çështje kjo që ka zgjatur për vite dhe ka përfshirë zyrtarë të lartë dhe kontrata publike të kontestuara. Ai ka qëndruar për disa orë para prokurorëve dhe, në dalje përpara mediave, ka thënë se u thirr si person “që ka dijeni për inceneratorin e Tiranës”, duke shtuar se kjo nuk duhet të konsiderohet si një lajm i papritur dhe se të gjithë duhet të jenë në “dispozicion dhe funksion të organeve të drejtësisë”.

 

“U thirra për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se tashmë ky nuk duhet të krijojë një lajm. Të gjithë duhet të jemi në dispozicion dhe funksion të organeve të drejtësisë. Faleminderit!”, u shpreh ai për gazetarët, duke shmangur komentet konkrete për çështjet e hetuara dhe duke u shprehur se bashkëpunimi me drejtësinë është i domosdoshëm. Sipas mediave, emri i Agacit është përmendur në kontekstin e hetimeve që lidhen me procedurat dhe dokumentacionin e miratimit të kontratave të inceneratorëve, ndërsa opozita e ka akuzuar atë në disa raste si një prej personave kyç në këtë dosje.


Shqipëria drejt plakjes masive: Vdekjet mposhtin lindjet në shumicën e qarqeve!

 

Megjithë rënien e fortë të lindjeve, shtesa natyrore e vendit mbeti në territor pozitiv në vitin 2025 pasi vdekjet pësuan tkurrje më të fortë.

 

Shifrat e fundit të INSTAT mbi shtesën natyrore të popullsisë (lindjet minus vdekjet) dëshmojnë për një krizë demografike që po godet më fort qytetet jashtë aksit Tiranë-Durrës.

 

Edhe pse në nivel kombëtar shtesa natyrore paraqitet me një trend rritës, ky rezultat është tërësisht i kushtëzuar nga pesha e madhe që zë kryeqyteti, ndërkohë që në pjesën më të madhe të vendit vdekjet i kanë tejkaluar lindjet.

 

Tirana mbulon krizën e rretheve

 

Qarku i Tiranës vazhdon të jetë i vetmi bastion i fuqishëm demografik në vend, me një shtesë natyrore pozitive prej 3,803 lindje më shumë se vdekje vitin e kaluar. Në kryeqytet është përqendruar popullsia në moshë riprodhuese të ardhura nga qarqet e tjera për mundësi më të mira pune dhe arsimimi.

 

Pas saj, renditet Durrësi me një shtesë modeste prej 501 personash, i ndjekur nga Kukësi (+213) dhe Dibra (+125), zona këto që historikisht kanë pasur norma më të larta lindshmërie, megjithëse edhe atje rritja po ngadalësohet.

 

Lezha ndodhet në pragun kritik të qëndrueshmërisë me një shtesë pothuajse zero (+4).

 

Juglindja dhe Jugu në “infarkt” demografik

 

Situata në lidhje me shtesën natyrore ndryshon rrënjësisht kur analizohet pjesa tjetër e vendit. Shumica e qarqeve kryesore të Shqipërisë, 7 prej tyre, rezultojnë me shtesë natyrore negative, duke konfirmuar se vdekshmëria po mposht lindshmërinë.

 

Qarku i Korçës mban rekordin negativ me -742 lindje se vdekjet, shifër që tregon një plakje të shpejtë të popullsisë. Fieri, dikur një nga qarqet më të populluara, vijon me shtesë natyrore negative -497. Qyteti bregdetar i Vlorës regjistron një humbje natyrore prej -454, ndërsa Berati ndodhet në kuotën -348 lindje më pak se vdekje.

 

Gjirokastra po shkon drejt një tkurrjeje të pandalshme me shtesë natyrore negative -323, ndërsa Shkodra, pavarësisht madhësisë së saj, shënon -247. Edhe qyteti industrial i Elbasanit ka kaluar në territor negativ me -120. Emigrimi masiv i të rinjve ka lënë pas një popullsi të moshuar, ku vdekshmëria është e lartë dhe vullneti për të krijuar familje të reja është i ulët për shkak të pasigurisë ekonomike në periferinë e vendit.

 

Nëse ky trend vazhdon, brenda dekadës së ardhshme, shumë prej këtyre qarqeve do të përballen me mungesë akute të krahut të punës dhe me një rënie të mëtejshme të shërbimeve bazë, duke e kthyer Tiranën në qytet-shtet në një vend që po shuhet në mënyrë natyrale./Monitor.al

XS
SM
MD
LG