Lidhje


Reuters: Rama ndryshon ligjin për të mbrojtur ministrat e tij nën hetim

 

Nga Reuters

 

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se qeveria e tij do të ndryshojë ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi gjatë kohës që janë nën hetim penal, duke nxitur opozitën ta akuzojë se po përpiqet të mbrojë veten dhe po dëmton pavarësinë e drejtësisë.

 

Një gjykatë pezulloi zëvendëskryeministren e Ramës, Belinda Balluku, në nëntor, pas ngritjes së aktakuzës ndaj saj nga prokurorët shqiptarë kundër korrupsionit, të njohur si SPAK, lidhur me dyshime për ndërhyrje në një tender për projekte infrastrukturore, akuza që ajo i mohon.

 

Rasti ka shkaktuar një përplasje mes SPAK-ut, i cili i ka kërkuar parlamentit t’i heqë imunitetin Ballukut për të mundësuar arrestimin e saj, dhe Ramës, i cili është ankuar për tejkalim kompetencash nga drejtësia, veçanërisht në lidhje me paraburgimet para gjyqit.

 

Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por blloku ka theksuar se vendi duhet të bëjë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

 

Partia Socialiste e Ramës, e cila vitin e kaluar siguroi një mandat të katërt radhazi, gëzon një shumicë të rehatshme parlamentare dhe mbetet e paqartë nëse dhe kur Kuvendi do t’i heqë imunitetin Ballukut, e cila ka shërbyer gjithashtu si ministre e Infrastrukturës dhe konsiderohet një aleate e ngushtë e kryeministrit.

 

“Në momentin që shkarkohet një ministër, nuk shkarkohet vetëm një person, por e gjithë puna e atij institucioni,” u tha Rama deputetëve të partisë së tij të hënën, duke njoftuar planin për ndryshimin e ligjit.

 

Opozita ka organizuar një seri protestash në muajt e fundit në kryeqytetin Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e Ballukut. Të hënën, ajo deklaroi se Rama po përpiqet të kontrollojë procedurat gjyqësore në favorin e tij përmes ndryshimeve të propozuara.

 

“Kjo nuk është asgjë më shumë se një përpjekje e Ramës për të mbrojtur veten, duke minuar si pavarësinë e gjyqësorit ashtu edhe ndarjen e pushteteve... sepse pas Ballukut dhe veprimeve të saj të gabuara qëndron Rama,” thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike për Reuters.


Heshtën kur shpërthyen rastet e fruthit, Shqipëria humb statusin si vend pa fruth, tani thirrje për vaksinim

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik si rrallë herë janë angazhuar të sqarojnë popullatën në lidhje me raportimet e medias për qarkullimin e fruthit në vend. Përmes një videoje të regjistruar dhe shpërndarë nga zyra e shtypit në Ministrinë ë Shëndetësisë, epidemiologu Artan Simaku deklaron se aktualisht nuk ka raste pozitive me fruth dhe as vatra aktive të tij.

 

Në të njëjtën ditë përgjegjësja e programit te vaksinimit Rovena Daja ka dalë në një deklaratë për mediat duke theksuar rëndësinë e vaksinimit, ndërsa mes rreshtave theksoi se 2018 ishte viti më i keq nga shpërthimet e fruthit ku dhe  humben jetën tri foshnja. Edhe pse aktualisht nuk ka raste me fruth sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik.

Read more ...


Rama nis vizitën zyrtare në Kosovë - Takime me Osmanin dhe Kurtin

 

Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën zyrtare në Kosovë në kuadër të 18-vjetorit të pavarësisë, e cila festohet më 17 shkurt. 

 

Shefi i qeverisë shqiptare ka mbërritur në Prishtinë, ku është pritur nga presidentja Vjosa Osmani, me të cilën ka zhvilluar një takim kokë më kokë. Zyra e shtypit e kryeministrit Rama ka publikuar fotografi nga takimi i mbajtur në zyrën e presidentes Osmani.

 

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Kosovës, pas takimit me presidenten Osmani, Rama pritet të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.

 

Në agjendën e vizitës së tij përfshihet gjithashtu pjesëmarrja në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si dhe mbajtja e një leksioni të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.


“Rama mbi ligjin?” Berisha shpërthen: Akt kriminal që mbyll dyert e BE-së dhe garanton vjedhjen pa pezullim!

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se nisma ligjore e paraqitur të hënën nga Partia Socialiste, e cila ndalon pezullimin e funksioneve kushtetuese, përbën sipas tij goditjen më të rëndë ndaj shtetit ligjor.

 

Në një prononcim për mediat pas paraqitjes në SPAK, në zbatim të masës “Detyrim paraqitje”, Berisha e cilësoi këtë hap si aktin më të rëndë, më kriminal dhe më poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë.

 

“Me këtë akt të pashembullt në historinë e botës Edi Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale, ministrat, qëndrojnë mbi ligjin dhe mbi çdo gjë tjetër në këtë vend. Nuk mund të hetohen dhe do të vjedhin dhe do vazhdojnë të vjedhin. Ky është morali dhe e vërteta e këtij amendamenti që ata paraqesin sot”, tha Berisha.

 

Sipas tij, kjo nismë përfaqëson mbrojtjen më të fortë të sistemit të korrupsionit që, sipas opozitës, është ngritur nga mazhoranca.

 

“E paralajmëroj Edi Ramën se do të paguajë çmimin më të shtrenjtë me këtë akt dhe se po u fakton shqiptarëve dhe botës se çfarë hajduti është. Ky njeri i kapur në flagrancë me afera të mëdha korruptive tani do të bëjë ligjin që të vjedhë sa të mundet dhe të mos mund ta pezullojnë”, tha Berisha.

 

Kreu i PD-së theksoi gjithashtu se pezullimi është një e drejtë e qartë ligjore, e parashikuar për prokurorët dhe gjykatësit.

 

“Pezullimin e ka miratuar plotësisht pas ekspertizës që i kanë bërë ligjit të procedurës penale të Kosovës edhe Komisioni i Venecias, i cili është shprehur se pezullimi nuk bie ndesh me parimet e Kushtetutës dhe pushteteve të tjera”, tha Berisha.

 

Në përfundim, Berisha deklaroi se me këtë akt, sipas tij, kryeministri Edi Rama po i mbyll dyert e integrimit europian Shqipërisë.


Kuvendi mblidhet më 23 shkurt për Ballukun. Rama paralajmëron se nuk do ta lëshojë!

 

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend do të mblidhet më 23 shkurt 2026, ora 10:00, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja vjen në një moment tensioni të lartë politik, pas vendimeve të mëparshme gjyqësore për pezullimin e saj nga funksionet publike.

 

Paralelisht me këtë zhvillim, kryeministri Edi Rama reagoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, duke mbrojtur nismën për ndryshimet ligjore lidhur me pezullimin e funksionarëve të lartë. Rama deklaroi se:

 

“Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse.”

 

Ai theksoi se kush e lidh ndryshimin me rastin konkret “bën gabim”, duke shtuar se rasti i Ballukut “ka rrugën e vet” dhe se mazhoranca do të refuzojë çdo “ndërhyrje në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv” përmes masës së pezullimit. Rama u shpreh se “askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse”, por njëkohësisht siguroi se këto masa nuk cenojnë mbështetjen e PS për pavarësinë e drejtësisë.

 

Çështja pritet të thellojë përplasjen mes mazhorancës dhe SPAK, ndërsa vendimi i Këshillit të Imunitetit do të jetë vendimtar për hapat e mëtejshëm proceduralë në Kuvend.

XS
SM
MD
LG