Lidhje


REPORTAZHI/ Qytet për milionerë? Tirana me çmime 4,500 €/m² ndërsa shqiptarët largohen

 

Në një reportazh të detajuar të publikuar nga VoxEurop, gazetarët Francesca Barca dhe Federico Caruso përshkruajnë një Tiranë që po transformohet me ritme marramendëse: një qendër e mbushur me lëvizje, me arkitekturë nga epoka të ndryshme që bashkëjetojnë, por ku dominimin vizual e kanë rrokaqiejt e rinj – imponues, të guximshëm dhe të projektuar nga emra të njohur ndërkombëtarë të arkitekturës.

 

Në orët e pikut, shkruan VoxEurop, është e vështirë të perceptosh gjerësinë e bulevardeve për shkak të dendësisë së njerëzve, makinave, biçikletave dhe skuterëve. Në këtë mozaik urban dallohen projektet e “archistar”-ëve si Stefano Boeri, i njohur për “Pyllin Vertikal” në Milano, Marco Casamonti, studioja holandeze MVRDV dhe studioja belge 51N4E. Emra prestigjiozë që përfaqësojnë arkitekturë inovative dhe, sipas promovimit zyrtar, të ndërgjegjshme për mjedisin.

 

Sipas gazetarit Erblin Vukaj nga media e pavarur Citizens, këta emra përdoren nga Kryeministri Edi Rama për t’i dhënë legjitimitet valës së zhvillimeve të fundit. Reportazhi e vendos skenën në zonën e Bllokut, mes Rrugës “Brigada e VIII” dhe Rrugës “Vaso Pasha”, ku bashkëjetojnë vila të periudhës socialiste (1944–1991), ndërtesa të tranzicionit dhe struktura të reja si Blloku Cube i Boerit, selia e Credins Bank e projektuar nga Atelier 4, si dhe dy kulla të tjera në ndërtim nga studioja e Casamontit. Në mes të këtij peizazhi urban, një pankartë e madhe kundër politikave të ndërtimit varet nga një ndërtesë e vjetër, ndërsa një tjetër godinë pritet të shembet për t’i hapur rrugë një kulle të re. Mungesa e hapësirave të gjelbra dhe e pistave të biçikletave është e dukshme.

 

Por pas kësaj fasade arkitekturore, VoxEurop thekson një paradoks të thellë: sipas INSTAT, në vitin 2023, një në tre apartamente në Shqipëri ishte i pabanuar. Në vitin 2024, gazetarja Ola Xama raportoi mbi 85,000 shtëpi bosh në qarkun e Tiranës, prej të cilave 52,000 në kryeqytet. Me ritmet aktuale të rritjes së popullsisë, do të duheshin 45 vjet për t’i mbushur këto apartamente. Në censusin e vitit 2011, shifra ishte një në pesë (21.6%). Mes viteve 2011 dhe 2023, Shqipëria humbi afro 500,000 banorë.

 

 

Megjithatë, ndërtimi vazhdon. Në vitin 2015 u dhanë leje për ndërtesa banimi me sipërfaqe prej 50 km²; në vitin 2022 kjo shifër u rrit mbi 40 herë, në 2,071 km², dhe trendi ka vijuar. Logjikisht, rritja e ofertës me rënie të kërkesës do të duhej të ulte çmimet, por ka ndodhur e kundërta.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, në Tiranë çmimet e banesave u rritën me 5.1% në gjashtëmujorin e parë të 2025 dhe me 32.6% në bazë vjetore. Në vitin 2011, çmimi për metër katror në zonat qendrore varionte nga 700 deri në 2,500 euro; sot ai luhatet nga 2,500 në 4,500 euro për m². Një apartament me dy dhoma me qira nën 600 euro është pothuajse i pamundur për t’u gjetur.

 

VoxEurop e lidh këtë “boom” me politikat e nisura gjatë mandatit të Edi Ramës si kryebashkiak (2000–2011), të vazhduara nga pasardhësi i tij Erion Veliaj, aktualisht në burg me akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Në vitin 2017 u miratua plani urban Tirana 2030, i projektuar nga Stefano Boeri Architetti, që synonte zhvillim vertikal për të liruar hapësira të gjelbra dhe për të përmirësuar trafikun përmes transportit publik dhe pistave të biçikletave. Realiteti, sipas reportazhit, është shumë larg vizatimeve.

 

Arkitektja dhe studiuesja Dorina Pllumbi thekson se plani “e ka hapur qytetin ndaj dendësimit ekstrem”. Nga një kufi prej shtatë deri nëntë kate, sot ndërtesa më e lartë është Downtown One me 40 kate, ndërsa projekte të miratuara kalojnë 70 kate. Ndërtesat historike, sipas saj, nuk janë mbrojtur. Vukaj e përkufizon këtë si një projekt egoje për të ndryshuar fytyrën e qytetit, duke e lidhur edhe me lehtësimin e pastrimit të parave.

 

 

Një raport i Friedrich Ebert Foundation, i titulluar “Pastrimi i parave në pasurive të patundshme; impakti në jetën social-ekonomike të Shqipërisë”, vlerëson se korrupsioni dhe evazioni fiskal gjeneruan 8.168 miliardë euro në periudhën 2015–2024, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Raporti thekson se rritja e çmimeve, pavarësisht rritjes së ofertës, tregon deformim të marrëdhënies kërkesë–ofertë–çmim.

 

Reportazhi vendos një paralele historike me planin urban të vitit 1925, të hartuar nga arkitektë italianë si Armando Brasini dhe Gherardo Bosio gjatë periudhës fashiste. Sot, sipas Pllumbit, kemi një formë të re “kolonialiteti pushteti” dhe një “inferioritet të brendësuar” ndaj perëndimorëve. Një shembull është pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias 2025, i kuruar nga studiuesja zvicerane Anneke Abhelakh, pa kontribute nga arkitektë shqiptarë.

 

Aktivisti Armen Sula nga shoqata Tek Bunkeri shpreh frikën se hapësira e tyre kulturore mund të shembet për një ndërtesë më të lartë. Me ironi të hidhur, ai thotë se e vetmja shpresë është “që kryeministri të shkojë në burg për të paktën pesë vjet” që ndërtimi të ndalet.

 

 

Në fund, VoxEurop e lidh debatin urban me perspektivën e anëtarësimit në BE në vitin 2030. Antropologu Nebi Bardhoshi thekson se shqiptarët nuk janë naivë për dobësitë e BE-së, ndërsa Pllumbi paralajmëron se BE mund të jetë një mundësi demokratike, por edhe një tjetër formë imponimi pushteti. Çështje si drejtësia tranzitore dhe korrupsioni masiv mbeten pengesa.

 

Artikulli, pjesë e projektit PULSE, në bashkëpunim me Il Sole 24 Ore, Obc Transeuropa dhe El Confidencial, përfundon me një pyetje të heshtur: a po ndërtohet një qytet për qytetarët, apo një terren loje për arkitektë, investitorë dhe kapital të dyshimtë?


INVESTIGIMI/ Pas Ekuadorit, shqiptarët “pushtojnë” Senegalin – Rruga e re e kokainës për në Evropë

 

Një investigim tronditës i gazetës franceze Le Monde ekspozon një zhvendosje të rrezikshme në hartën globale të trafikut të drogës: Senegali po kthehet në një pikë kyçe të korridorit të ri të kokainës, të njohur si “Autostrada 10”, i përdorur nga rrjetet kriminale ballkanike për të transportuar sasi masive droge nga Amerika Latine drejt Evropës. Sipas reportazhit, porti i Dakarit dhe prania e koordinatorëve shqiptarë në terren dëshmojnë për një infiltrimi të thellë të mafias ballkanike në Afrikën Perëndimore.

 

Le Monde e vendos Senegalin në zemër të këtij sistemi kriminal. “Porti i Dakarit ka lidhje me vendet evropiane, përfshirë Spanjën, Belgjikën dhe Francën”, thekson investigimi. Pikërisht kjo lidhje e drejtpërdrejtë me Evropën e bën Senegalin një platformë ideale për trafikantët, që kërkojnë rrugë më pak të ekspozuara ndaj kontrolleve të ashpra që aplikohen për ngarkesat që vijnë drejtpërdrejt nga Amerika Latine.

 

Sipas hetimit, të paktën një e treta e kokainës së konsumuar në Evropë kalon sot tranzit përmes Afrikës Perëndimore, përgjatë paralelit të 10-të verior – rrugë që ka marrë emrin simbolik “Autostrada 10”. Logjika e trafikantëve është e qartë: një kontejner që mbërrin nga Senegali në portet evropiane është më pak i dyshimtë sesa një kontejner që vjen nga Brazili. Ky diferencim perceptimi shfrytëzohet për të maskuar dërgesa që përmbajnë tonelata kokainë.

 

Një pjesë kyçe e hetimit bazohet në zbërthimin e komunikimeve të koduara në aplikacionin Sky ECC. Policia franceze analizoi më shumë se 1 miliard mesazhe mes trafikantëve, duke nxjerrë në pah biseda që flasin qartë për lidhjet në Senegal. Një prej mesazheve është domethënës: “Vëlla, atje lart në Senegal, ne kemi lidhje të mira.” Sipas Le Monde, kjo fjali nuk është thjesht një shprehje e zakonshme, por një tregues i korrupsionit dhe i depërtimit të rrjeteve kriminale në strukturat lokale. Një burim i cituar në hetim pranon se këto organizata “arrijnë lehtësisht të marrin atë që duan nga disa prej autoriteteve tona”.

 

Investigimi përshkruan një mekanizëm të sofistikuar të ngritur nga mafia ballkanike në territorin senegalez. Shqiptarët e pranishëm atje, sipas gazetës, monitorojnë vazhdimisht zhvillimet politike dhe gjyqësore në vend, si dhe aktivitetin e oficerëve të policisë në patrullim. Kjo mbikëqyrje e vazhdueshme u jep trafikantëve avantazh strategjik: ata përshtaten me situatën, zgjedhin momentin e duhur dhe realizojnë trafikimin ose kontrabandën me rrezik minimal. Koordinatorët në terren janë të paktë, por jashtëzakonisht të informuar dhe thelbësorë për funksionimin e rrjetit.

 

Hetimi e çon fillin e historisë në qershor 2020, kur 1 ton kokainë e pastër u sekuestrua në portin e Antverpit, Belgjikë, e fshehur në një ngarkesë kakaoje. Droga kishte origjinë nga Sierra Leone, vend fqinj me Senegalin, dhe kishte ndjekur të njëjtën rrugë të Afrikës Perëndimore. Ky sekuestrim çoi hetuesit drejt Radosh Vicker, i identifikuar si kreu i klanit malazez “Cavac”, për të cilin ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Mesazhet e deshifruara zbuluan një sistem të strukturuar: fshehje e drogës në kontejnerë me mallra të zakonshme si kakao, banane, ananas apo çimento, korrupsion në zinxhirin e furnizimit dhe koordinim nga Ballkani.

 

Sipas Le Monde, Afrika Perëndimore ofron kushte që e bëjnë këtë rrugë veçanërisht tërheqëse për organizatat kriminale: institucione të brishta, raste korrupsioni dhe kontrolle portuale të pamjaftueshme. Vetëm 2% e kontejnerëve inspektohen, ndërsa më shumë se 11 milionë kontejnerë kalojnë çdo vit tranzit nëpër portet e rajonit. Ky disproporcion mes volumit të tregtisë dhe kapaciteteve të kontrollit krijon një terren ideal për trafik masiv droge.

 

Ekspertët e cituar nga gazeta franceze paralajmërojnë se rruga afrikane mund të shndërrohet shumë shpejt në korridorin kryesor të kokainës drejt Evropës. Rritja e prodhimit në Amerikën Latine që nga vitet 2010 dhe shtimi i kontrolleve në rrugët tradicionale kanë detyruar organizatat kriminale të kërkojnë alternativa më pak të ekspozuara. Senegali, me portin e Dakarit të lidhur me qendrat kryesore evropiane dhe me praninë e dokumentuar të rrjeteve kriminale, shfaqet kështu si një nyje qendrore e një sistemi transnacional të orkestruar nga mafia ballkanike, në bashkëpunim me ’Ndrangheta-n italiane dhe PCC-në braziliane.

 

Investigimi i Le Monde nuk përshkruan thjesht një rrugë të re trafiku, por një arkitekturë të re të krimit të organizuar global, ku Afrika Perëndimore po shndërrohet në trampolinë për tonelata kokainë që përfundojnë në tregjet evropiane.


DOKUMENTI/ Portet pa garë? – Projektligji i ri i PS u fal investitorëve strategjikë portet e Shqipërisë me VKM

 

Një projektligj i ri, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, synon të ndryshojë mënyrën se si ndërtohen dhe operohen portet turistike në vend, duke krijuar një përjashtim të drejtpërdrejtë nga procedurat konkurruese për investitorët që kanë marrë statusin “investitor strategjik”. Sipas dokumentit zyrtar të projektligjit dhe relacionit shpjegues, propozimi është firmosur nga deputetja socialiste Zamira Sinaj dhe është depozituar në Kuvend me protokoll nr. 540, në shkurt 2026. Projektligji parashikon një shtesë në ligjin nr. 9710, datë 10.4.2007 “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

Çfarë ndryshon konkretisht?

 

Ndryshimi konsiston në shtimin e një paragrafi të ri në nenin 6 të ligjit ekzistues. Sipas formulimit të propozuar, nëse një subjekt ka përfituar statusin “Investim/Investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë” nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), dhe porti turistik është pjesë përbërëse e atij investimi strategjik të miratuar, atëherë ndërtimi dhe operimi i portit përjashtohet nga procedura e përgjithshme konkurruese ose koncesionare.

 

 

 

 

Në këto raste, porti do të ndërtohet dhe operohet drejtpërdrejt nga vetë investitori strategjik. Procedurat, dokumentacioni dhe rregullat e lidhjes së kontratave do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Kjo do të thotë se për një kategori të caktuar investimesh, portet turistike – që përbëjnë infrastrukturë me rëndësi ekonomike dhe publike – nuk do të kalojnë në një garë të hapur publike.

 

Argumentimi i relacionit shpjegues

 

Relacioni shpjegues i bashkëlidhur projektligjit argumenton se ndryshimi synon harmonizimin e ligjit për portet turistike me ligjin për investimet strategjike. Sipas tij, aktualisht ekziston një mbivendosje mes dy kuadrove ligjore: ligji për portet kërkon procedura konkurruese ose koncesionare, ndërsa ligji për investimet strategjike parashikon procedura të posaçme administrative për projekte me interes publik.

 

 

Sipas dokumentit, kjo mbivendosje krijon vonesa, paqartësi kompetencash dhe pengesa në realizimin e projekteve strategjike turistike. Për këtë arsye, projektligji synon të garantojë “unitetin e projektit”, përshpejtimin e proceseve administrative dhe rritjen e sigurisë juridike për investitorët.

 

 

Relacioni thekson se ndryshimi mbështet zhvillimin e turizmit elitar, rritjen e investimeve me ndikim të lartë ekonomik e social dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar. Po ashtu, deklarohet se projektligji nuk ka efekte shtesë buxhetore dhe se është në përputhje me Kushtetutën.

 

A ka debate publike?

 

Raportimet e para mediatike të para kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe konkurrencën. Debati fokusohet kryesisht në faktin se ndryshimi përjashton procedurat e hapura konkurruese për një aset me rëndësi publike si portet turistike, duke zhvendosur vendimmarrjen drejt ekzekutivit përmes VKM-ve. Socialistët e shohin këtë si instrument për të shmangur zvarritjet burokratike dhe për të siguruar realizimin e projekteve komplekse turistike pa fragmentim institucional.

 

Kritikat ndaj këtij argumenti vijnë si pasojë e faktit që heqja e garës publike mund të kufizojë transparencën, rritet diskrecioni i qeverisë në përzgjedhjen e investitorëve por edhe se statusi i shumëdiskutuar “investitor strategjik” shndërrohet në një mekanizëm që anashkalon rregullat e zakonshme të konkurrencës.

 

Në planin juridik, projektligji përfaqëson një përjashtim të qartë nga parimi i konkurrencës së hapur për një kategori specifike investimesh. Edhe pse mbështetet në ligjin për investimet strategjike, ky ndryshim forcon më tej modelin e centralizuar të vendimmarrjes në duart e ekzekutivit.

 

Portet turistike nuk janë vetëm struktura private shërbimi; ato prekin hapësira detare, infrastrukturë publike dhe interes të përgjithshëm ekonomik. Përjashtimi nga gara publike, edhe në emër të investimit strategjik, krijon një precedent që mund të zgjerohet edhe në sektorë të tjerë.

 

Çështja thelbësore që lind është balanca mes zhvillimit ekonomik dhe transparencës. A është përshpejtimi i investimeve një arsye e mjaftueshme për të kufizuar konkurrencën? A mjafton statusi “investitor strategjik” si filtër për të garantuar interesin publik?

 

Projektligji ka potencialin të ndryshojë arkitekturën e administrimit të porteve turistike në Shqipëri dhe, për këtë arsye, pritet të jetë objekt debati të fortë politik dhe institucional në vijim.


Italianët: Turizmi dentar italian drejt Shqipërisë, mbi 500 milionë euro humbje për ne

Tregu italian i stomatologjisë arrin mbi 10 miliardë euro në vit nga shpenzimet private të familjeve, duke e vendosur pas barnave si sektori i dytë më i madh i shpenzimeve shëndetësore nga xhepi. Megjithatë, një pjesë në rritje e pacientëve po kërkon trajtime jashtë vendit, kryesisht për implantet dhe protezat, duke shpenzuar mbi 500 milionë euro në vit jashtë Italisë. Shqipëria ka dalë si destinacioni kryesor, duke ofruar kosto deri 70% më të ulëta se në Itali, ndërsa Kroacia ka humbur avantazhin e saj për shkak të rritjes së çmimeve pas hyrjes në BE.

Read more ...


"100 vite për të varfrit!” – Raporti i Vjenës trondit iluzionin e hyrjes së Shqipërisë në BE

 

Projeksionet e fundit të Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare (WIIW) mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, kanë zbuluar një hendek të madh kohor midis rritjes ekonomike dhe mirëqenies sociale në vendin tonë. Të dhënat sugjerojnë se, në skenarin më optimist, Shqipërisë mund t’i duhen rreth tri dekada për të arritur mesataren e PBB-së për frymë të BE-së. Megjithatë, lufta kundër varfërisë duket se i përket një shekulli tjetër, pasi kërkon më shumë se 100 vite. Kjo tregon se rritja e të ardhurave për frymë nuk po përkthehet në një jetë më të mirë për shtresat më të varfra të popullsisë. Konvergjenca e të ardhurave për frymë me ato të BE-së parashikohet të ndodhë më shpejt, pasi PBB-ja është një mesatare e thjeshtë që fryhet nga performanca e mirë e pak sektorëve specifikë. Për shembull, rritja ekonomike mund të stimulohet nga sektori i ndërtimit apo energjisë, por nëse një pensionist apo një familje në fshat vazhdon të ketë të njëjtat të ardhura, niveli i varfërisë mbetet i palëkundur. Madje, statistika e PBB-së duket sikur rritet me shpejtësi edhe për shkak të efektit negativ të tkurrjes së popullsisë. Për sa kohë që pasuria në vendin tonë mbetet e përqendruar në majën e një piramide njerëzish, ajo e ka të pamundur të ndikojë në përmirësimin e jetesës së shtresave të tjera, sidomos të atyre më të varfra. Nga ana tjetër, ky raport dëshmon një ndarje rajonale: ekonomia e qendrës së vendit dhe zonat bregdetare po i afrohen më shpejt nivelit të BE-së, ndërsa zonat rurale dhe qytetet periferike mbeten të bllokuara në një cikël varfërie të vazhdueshme. Analiza tregon se, ndonëse rritja ekonomike mund të përshpejtohet përmes integrimit tregtar, shpërndarja e mirëqenies dhe reduktimi i varfërisë janë procese strukturore shumë më të ngadalta. Edhe në skenarin më optimist të anëtarësimit të plotë, Shqipërisë do t’i duheshin mbi 100 vite për të eliminuar hendekun e varfërisë me vendet e BE-së. Pa reforma rrënjësore në sistemin e pensioneve, në pagën minimale dhe pa politika për të mbyllur pabarazinë ekstreme, rritja e PBB-së do të shërbejë vetëm si një fasadë statistikore. Konvergjenca sociale rrezikon të mbetet një mision i pamundur, duke lënë pas breza të tërë në pritje të një mirëqenieje që në letër duket afër, por në realitet mbetet e paarritshme./Monitor.al

XS
SM
MD
LG