Lidhje


Studentët i fusin tmerrin Ramës: Tirana në shtetrrethim, policë, civilë, autobotë e dronë në çdo cep

 

Dita e 19-të e protestës së studentëve ka vënë në lëvizje një numër të madh forcash policore në Tiranë. Mbi 2 mijë efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për protestën e sotme, ndërsa kryeqyteti është blinduar me forca të shumta sigurie.

 

Në mbështetje të studentëve ka dalë sot edhe Partia Demokratike, e cila zhvillon tubimin e saj të dytë kombëtar që prej nisjes së revoltës studentore.

Forcat e policisë janë pozicionuar kryesisht në pjesën e pasme të godinës, ndërsa në gatishmëri janë vendosur edhe autobotët me ujë me presion dhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisur me mjete speciale.

 

Në operacion janë përfshirë forcat “Shqiponja”, FNSH-ja, efektivë të komisariateve të Tiranës dhe agjentë civilë. Situata do të monitorohet gjithashtu nga ajri përmes dronëve.

Protestuesit do të jenë nën vëzhgim edhe përmes kamerave të sigurisë me rezolucion të lartë, ndërsa autoritetet synojnë identifikimin dhe dokumentimin e çdo shkeljeje të mundshme.

 

Protesta zhvillohet gjithashtu nën hijen e aktit të ri normativ për protestat, i cili i jep kompetenca shtesë Policisë së Shtetit dhe parashikon gjoba nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë për shkelje të ndryshme, përfshirë mosbindjen ndaj urdhrit për shpërndarjen e tubimit dhe mbulimin e fytyrës.

Ndërsa studentët hyjnë në ditën e 19-të të revoltës së tyre, përgjigjja e pushtetit duket të jetë një prani masive policore, autobotë me ujë dhe monitorim me kamera e dronë.


Rama: Fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00

 

Kryeministri Edi Rama ka njoftu

ar një ndryshim në orarin e qëndrimit të fëmijëve në shkollë, duke bërë të ditur se nga viti 2027 ata do të qëndrojnë në ambientet shkollore deri në orën 17:00.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama tha se për këtë qëllim është parashikuar edhe një buxhet, me synimin për t'u dhënë mundësi prindërve të vijojnë punën, ndërsa fëmijët të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të orarit mësimor.

 

Sipas kryeministrit, koha shtesë do të shfrytëzohet për aktivitete sportive, kulturore dhe artistike, si piktura, fotografia, zejet dhe veprimtari të tjera që synojnë zhvillimin dhe socializimin e fëmijëve.

 

“Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, u shpreh Rama.


Kosova dhe Shqipëria, diferenca kur Policia dështon

 

Gazmend Hoxha jep dorëheqjen nga drejtimi i Policisë së Kosovës, në një kohë kur vendi është tronditur nga vrasja e Arlinda Zekajt dhe dyshimet për neglizhencën e institucioneve që duhej ta mbronin. Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar kërkesën e tij për largim nga detyra, ndërsa 11 zyrtarë policorë janë pezulluar pas rekomandimit të Inspektoratit Policor. Në vend të Hoxhës është caktuar Fehmi Hoti si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm. Një vendim që rikthen në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e drejtuesve të institucioneve përballë dështimeve që kushtojnë jetë njerëzish.

 

Një panoramë krejt tjetër paraqitet në Shqipëri, ku përgjegjësia në nivelet e larta të Policisë së Shtetit rrallë shoqërohet me dorëheqje për dështimet institucionale. Përkundrazi, reagimi politik shpesh është mbështetja publike dhe vlerësimi për uniformat blu, edhe në situata kur ngjarje të rënda ngrenë pikëpyetje mbi funksionimin e policisë.

 

Dallimi është te standardi i llogaridhënies. Në Kosovë, pas një tragjedie që ngre dyshime për mosveprim institucional, drejtuesi më i lartë i policisë largohet nga detyra, ndërsa përgjegjësitë po hetohen në disa nivele. Në Shqipëri, qytetarët shpesh përballen me një realitet tjetër, kritikat ndaj policisë trajtohen si sulme politike, ndërsa mbështetja e qeverisë bëhet më e dukshme se kërkesa për përgjegjësi. Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja, kush mban përgjegjësi kur institucionet që duhet të garantojnë sigurinë e qytetarëve dështojnë? Sepse besimi te uniformat blu nuk ndërtohet me duartrokitje nga qeveria, por me drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie.


Shpërthimi i godinës i mori jetën 3 shqiptarëve: Arrestohet bashkombasi, grabiti tubat e gazit

 

Shqiptari Kolian Ilia është një nga tre personat e arrestuar në Greqi, të dyshuar për përfshirjen në shpërthimin e fuqishëm që tronditi lagjen Plaka të Athinës më 25 shtator, ku humbën jetën gjashtë persona, tre prej të cilëve shqiptarë.

 

Së bashku me Ilian janë arrestuar edhe dy shtetas grekë, përkatësisht 37 dhe 55 vjeç. Sipas dyshimeve të hetuesve grekë, tre personat kanë ndërhyrë në sistemin e furnizimit me gaz të një ndërtese, me qëllim vjedhjen e tubave të bakrit.

Kjo ndërhyrje dyshohet se ka dëmtuar tubacionin, duke shkaktuar rrjedhjen e gazit natyror. Gazi është grumbulluar brenda godinës dhe, disa orë më vonë, ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, ku shpërthimi shkaktoi shembjen e ndërtesës dhe la pas gjashtë viktima.

Mes tyre ishin edhe tre shqiptarët Florin Hoxha, motra e tij Florida Hoxha dhe Eris Cani, bashkëshortja e Florinit e cila ishte shtatëzënë.

 

Tre të arrestuarit pritet të dalin gjatë ditës së sotme para gjykatës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre.

Ata përballen me akuza të rënda, mes të cilave zjarrvënie, shkaktim të shpërthimit me pasoja fatale dhe vrasje me dashje eventuale. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që u mori jetën gjashtë personave, mes tyre edhe tre shqiptarëve.


Igli Tare “porositi” vilën, 3 muaj pasi Balluku “llastohej” me pishinën, roli i çiftit Arbër Abazi-Lorela Reçi

 

Ish-futbollisti Igli Tare këmbëngul se ai është pronar i vilës në Palasë, për të cilën Prokuroria e Posaçme dyshon se është në pronësi reale të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, dhe e fshehur në bazë të veprimeve fiktive.

 

Detajet e lexuara në dosjen hetimore tregojnë se argumentat e ish-lojtarit të Kombëtares çalojnë në mënyrë të dukshme.

 

Tare ka deklaruar para grupit hetimor se vilën 188/1 në kompleksin rezidencial “Green Coast” e ka porositur me kontratën e datës 26 nëntor 2020. Për të argumentuar qëndrimin e tij, Igli Tare ka paraqitur edhe një kopje të kontratës, duke argumentuar se ai i ka pasur të gjitha mundësitë financiare për të blerë godinën, në shumën paraprake 250 mijë euro.

 

Por, dokumentat e paraqitura nga Tare bien ndesh me një tjetër gjetje të Prokurorisë së Posaçme.

Në datë 14 Shtator 2020, pra rreth 3 muaj përpara se Igli Tare thotë se ka nënshkruar kontratën e porosisë me kompaninë investiture, arkitekti Alban Eftimi i dërgon një e-mail Belinda Ballukut, e cila në atë kohë ishte numri dy i qeverisë dhe Ministre e Infrastrukturës.

 

“Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që, edhe nëse një ditë vendos ta japësh me qera, përdoruesit të mund të ndihen “të llastuar”, njësoj si në hotel”.

Më tej, në mesazhin elektronik, arkitekti i prezanton Ballukut edhe një mori detajesh të tjera teknike, që lidhen me shkallët, vaskat, sallonin, tarracën e të tjera pjesë të godinës.

 

“Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinës janë veshur me teak për një feeling pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të përfundojmë edhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi te mermeret blu”.

 

Në vijim të këtij argumenti, SPAK-u evidenton edhe foljet e përdorura në mesazhin e Eftimiut, drejtuar Ballukut. “Nëse vendos ta japësh”, “…Shihe…”, “…Nëse s’të ngjit” tregojnë se komunikimi zhvillohet ndërmjet këtyre dy personave dhe jo personazheve të tretë.

 

Si hyn në “lojë” Arbër Abazi

Diku nga fillimi i vitit 2023, kur Igli Tare kishte kryer “formalisht” një pjesë të kësteve për vilën në Palasë, mes palëve investitore dhe porositëse pati një “ngërç”, i cili, për Prokurorinë e Posaçme, është gjithashtu i sajuar.

 

“Porositësi”, pra Igli Tare, pretendonte se punimet në vilë nuk ishin sipas kushteve të rëna dakord. Për këtë arsye, në lojë hyn kompania “Alko Impeks General Construction”, në pronësi të Arbër Abazit.

Kjo shoqëri mori përsipër të kryente punimet në vilën 188/1 në Green Coast. Igli Tare thotë se lidhjen e tij me Arbër Abazin e ka kryer Belinda Balluku.

 

“Unë me Belindën njihemi që në vitin 1988 dhe kemi një raport shumë të ngushtë miqësor. Ajo më lidhi me Arbër Abazin për të kryer punimet në vilë, pasi bashkëjetuesja e biznesmenit, Lorela Reçi, është vajzë e tezes e Ballukut”, ka shpjeguar Tare gjatë një seance pyetjesh në Prokurorinë e Posaçme.

 

Nga ai moment, Lorela Reçi mori kontrollin për të gjithë proceset e rregullimit të vilës. Ajo mbante komunikime me firma të ndryshme që do të kryenin punime për dritaret, dyert, muret e të tjera detaje teknike.

Vlera e punimeve, sipas llogaritjeve të kryera nga ekspertët e SPAK-ut, arrin nga 288 mijë euro deri në 410 mijë euro.

Në çdo rast, Lorela Reçi përmendente termin “klienti porosit…” ose “klienti sugjeron…”, pa e specifikuar në asnjë rast emrin e tij apo të saj.

Prokuroria e Posaçme ka krijuar bindjen se “klienti” ishte Belinda Balluku dhe jo ai që kishte nënshkruar kontratën e porosisë, Igli Tare.

 

Grupi hetimor ka konstatuar se, ndërkohë që kryheshin rregullimet në vilë, Igli Tare nuk rezulton të jetë interesuar asnjëherë se çfarë po ndodhte me punimet.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme kishte zbuluar një aferë të dyshuar korruptive mes Ballukut dhe Arbër Abazit. Pak para se Abazi të merrej me punimet në vilë, kompania e tij, “Alko Impeks General Construction” ishte pjesë e Bashkimit të Operatorëve që kishin fituar tenderin për ndërtimin e “Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës”, me fond limit 2.3 miliardë lekë të reja ose rreth 25 milionë euro.

 

Kjo procedurë u zhvillua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, një strukturë nën kontrollin e Ministrisë së Infrastrukturës, së drejtuar nga Belinda Balluku. ARRSH, në atë kohë, drejtohej nga Evis Berberi, i arrestuar për “shkelje të barazisë në tendera”, përfshirë edhe procedurën për Lotin 7 të Unazës së Madhe, të fituar nga Arbër Abazi dhe kompania e tij, “Alko Impeks General Construction”.

 

Gjatë hetimeve për tenderat e ARRSH-së, Prokuroria e Posaçme ka siguruar të dhëna të shumta, të cilat tregojnë se “shtetasja BelindaBalluku, nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, kanë ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurëne prokurimit, që në fazën përgatitore, gjatë zhvillimit të procedurës, në fazën e dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, me qëllim favorizimin e operatorite konomik fitues të kësaj procedure prokurimi, bashkimin e operatorëve ekonomikë“Alko-Impex General Construcion”dhe “2T” sh.p.k”.

 

Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Posaçme arriti të krijonte bindjen për një trekëndësh, të përbërë nga Igli Tare, Arbër Abazi dhe Lorela Reçi, ku secili ka pasur rolin e tij për të mbuluar vilën në pronësi reale të Belinda Ballukut.

 

Në përmbledhjen e tij, SPAK-u thotë se Igli Tare ka kryer kontratë fiktive për të porositur vilën në kompleksin turistik, të paktën 3 muaj pasi Belinda Balluku diskutonte me arkitektin Alban Eftimi për detajet e pishinës së vilës dhe të tjera teknikalitete të ndërtesës.

 

Arbër Abazi fitoi tender 25 milionë euro për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe, në shkelje flagrante të ligjit dhe në favorizim të plota nga Balluku. Pas fitimit të tenderit, kompania e tij, “Alko Impeks General Construction” merr përsipër të gjitha punimet ndërtimore në vilën “e porositur” nga Igli Tare, por që dyshohet se është e Ballukut.

 

Lorela Reçi, bashkëjetuese e Arbër Abazit dhe njëkohësisht vajzë e tezes së Belinda Ballukut, menaxhon të gjithë punimet në vilën 188/1 në Green Coast.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për Ballukun, duke e akuzuar zyrtarisht për “shkelje të barazisë në tendera” në 9 raste, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

 

Belinda Balluku është hetuar në gjendje të lirë. Në Mars 2026, shumica parlamentare socialiste, nën urdhërimin e kryeministrit Edi Rama, refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin për arrestimin e deputetes Balluku.

 

XS
SM
MD
LG