Lidhje


Kosova: shumicë myslimane, por raport më i ulët i objekteve të kultit për besimtar

 

Myslimanët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së regjistruar në Kosovë. Megjithatë, krahasimi me vlerësimet e publikuara për objektet e kultit sugjeron se komunitetet e krishtera kanë më shumë objekte në raport me numrin e besimtarëve. Shifrat kërkojnë kujdes, pasi të dhënat demografike dhe inventarët e objekteve u përkasin periudhave të ndryshme.

 

Sipas tabelës së përkatësisë fetare të ReKos 2024, nga 1.585.566 banorë të regjistruar, 1.482.276 janë deklaruar myslimanë, ose 93,49%. Ortodoksët numërojnë 36.683 persona, ndërsa katolikët 27.815, përkatësisht 2,31% dhe 1,75%. Kategoritë e tjera, personat pa besim dhe ata që nuk janë përgjigjur përbëjnë së bashku rreth 2,45%.

 

Për numrin e xhamive, një raportim i vitit 2021, që citon përfaqësuesin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Fatmir Ilijazi, jepte vlerësimin prej rreth 830 objektesh. Në këtë numër përfshiheshin xhamitë aktive, ato në ndërtim ose rindërtim, si dhe objektet pasive për shkak të dëmtimeve apo zbrazjes së vendbanimeve.

 

Ndërkohë, botimi Republic of Kosovo – Facts and Figures 2020, i fondacionit Konrad Adenauer dhe partnerit të tij ekonomik gjermano-kosovar, përmend 150 kisha ortodokse, 50 katolike dhe 24 protestante, duke iu referuar statistikave të vitit 2017. Këto janë të dhëna të mëhershme, që kërkojnë përditësim për të përcaktuar gjendjen aktuale.

 

Duke bashkuar këto vlerësime, katër kategoritë arrijnë në 1.054 objekte: rreth 78,75% xhami dhe 21,25% kisha. Ky total është një përllogaritje nga burime të viteve të ndryshme, jo një inventar i unifikuar i të gjitha objekteve fetare.

 

Raporti për banor e bën më të dukshëm ndryshimin. Nëse përdoren 830 xhami dhe numri i myslimanëve të regjistruar, rezultojnë rreth 5,6 xhami për çdo 10.000 myslimanë. Për ortodoksët dhe katolikët së bashku, 200 kishat e vlerësuara kundrejt 64.498 personave të regjistruar japin rreth 31 kisha për çdo 10.000 pjesëtarë të këtyre dy komuniteteve.

 

Shifra prej 21,6 kishash për çdo 10.000 të krishterë, që qarkullon në këtë krahasim, nuk mbështetet nga llogaritja e paraqitur. Përdorimi i gjithë popullsisë jomyslimane si emërues do të përfshinte edhe persona pa besim dhe pa përgjigje.

 

Një kufizim tjetër është mbulimi i regjistrimit: ASK sqaron se tabela e përkatësisë fetare nuk përfshin vlerësimet për banorët e paregjistruar të katër komunave veriore. Prandaj, krahasimi mbetet orientues; një tablo përfundimtare kërkon numërim të përditësuar të objekteve, mbulim të njëjtë territorial dhe dallim mes ndërtesave aktive, monumenteve historike dhe ambienteve të përshtatura për rite.

 


Protesta e së shtunës, arrestohen 6 persona, 3 procedohen penalisht

 

Gjashtë persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë proceduar penalisht dhe dy janë shpallur në kërkim, pas akteve të dhunës gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, protestuesit kundërshtuan efektivët duke i goditur me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov si dhe bllokuan qarkullimin dhe dogjën koshat e mbeturinave.

 

Mësohet se, mes të arrestuarve janë edhe dy të mitur dhe një shtetas i huaj. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi bomba molotov, të cilat iu gjetën dy prej të arrestuarve. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

NJOFTIM: 

Tiranë / Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 6 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë dhe shpallen në kërkim 2.

Sekuestrohen bomba molotov.

 

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe 2 shtetas të mitur.

 

Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.

 

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

 


Kostot e një pakete fiskale të hartuar me nxitim, sa goditet biznesi i vogël nga TVSH

 

Në një kohë kur rritja e çmimeve dhe pakënaqësia qytetare për shtrenjtimin e kostos së jetesës janë në rritje, qeveria ka propozuar një paketë të re fiskale me 9 masa, me efekte të ndryshme në buxhetin e shtetit.

Gjashtë prej masave parashikohet të kenë efekt pozitiv në të ardhurat buxhetore, me një rritje prej 23,8 miliardë lekësh, ndërsa tri masat e tjera llogaritet të sjellin një reduktim të të ardhurave prej 19,7 miliardë lekësh.

 

Efekti neto i paketës së re fiskale vlerësohet në rreth 4 miliardë lekë të ardhura shtesë, apo rreth 42,3 milionë euro.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se përmes këtyre masave synohet të zbutet efekti social i shtrenjtimit të kostos së jetesës për familjet shqiptare dhe të reduktohet informaliteti në ekonomi.

 

Por a do të arrijë ky kombinim masash të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve, të ruajë qëndrueshmërinë e të ardhurave buxhetore për financimin e shërbimeve dhe investimeve publike, si dhe të garantojë konkurrueshmërinë e bizneseve të mëdha, dhe të mos rrisë kostot për bizneset e vogla?

Propozimi për uljen, për herë të parë të TVSH-së për shportën ushqimore nga 20% në 6%, që pritet të zbatohet për 54 produkte, vlerësohet nga qeveria si një instrument nxitës për zbritjen e çmimeve.

 

Sipas relacionit të projektligjit, zbatimi i kësaj mase pritet të reduktojë të ardhurat buxhetore me 12,8 miliardë lekë.

Ndërkohë, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% synon të kompensojë një pjesë të efektit negativ në të ardhurat buxhetore që vjen nga aplikimi i normës së reduktuar për produktet ushqimore.

 

Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacionet përkatëse, kombinimi i këtyre dy masave, së bashku me rritjen e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10%, pritet të ketë një efekt neto pozitiv prej rreth 1,6 miliardë lekësh në buxhet.

Sipas kontabilistit Sotiraq Dhamo, kombinimi i ndryshimeve në normat e TVSH-së mund të sjellë fillimisht efekte negative për konsumatorët, përmes shtrenjtimit të mallrave që nuk përfshihen në kategorinë e produkteve ushqimore të përjashtuara nga rritja e normës standarde, si dhe të një sërë shërbimesh.

 

“Rritja e TVSH-së me një pikë përqindjeje, pra kalimi nga 20% në 21%, sigurisht që do të reflektohet në rritjen e çmimeve, minimalisht me 1%, sepse praktika ka treguar se, kur rriten taksat, çmimet mund të rriten në një masë më të madhe se vetë rritja e normës tatimore.

Pra, mund të rriten çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tilla si energjia elektrike, karburantet, uji, materialet e ndërtimit, veshjet etj., ndërkohë që pagat nuk rriten domosdoshmërisht në të njëjtën masë”, shprehet ai.

 

Ulja e TVSh-së për ushqimet, masë pozitive, por a do të ketë efekt?!

Ulja e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore, një kërkesë e përsëritur nga prodhuesit dhe importuesit, vlerësohet si masë pozitive nga kontabilisti Sotiraq Dhamo.

Megjithatë, ai thekson se ulja e tatimit nuk do të thotë se çmimet do të ulen automatikisht në të njëjtën masë. Sipas tij, ndryshimi i normës tatimore duhet të shoqërohet me një analizë të plotë të kostove të bizneseve që ndikojnë në formimin e çmimeve.

 

“Ulja e TVSH-së për mallrat e shportës në 6% është një masë në drejtimin e duhur dhe mund e duhet të ishte ndërmarrë edhe më parë. Në fakt, më shumë sesa bizneset, këtë kërkesë e kanë bërë qytetarët dhe forcat politike.

Megjithatë, përvoja e vendeve të tjera, por edhe e Shqipërisë, si dhe studimet e kryera nga studiues vendas dhe të huaj, kanë evidentuar se ulja e normave të taksave indirekte, siç është TVSH-ja, nuk reflektohet në uljen e çmimeve në të njëjtën masë me reduktimin e normës tatimore.

 

Pra, nëse TVSH-ja për mallrat e shportës ulet nga 20% në 6%, kjo nuk do të thotë se çmimet e këtyre mallrave do të ulen me 14%”, argumenton z. Dhamo.

Sipas tij, ulja e çmimeve është e pritshme, por jo domosdoshmërisht në të njëjtën masë me reduktimin e TVSH-së. Kjo lidhet me disa faktorë, përfshirë mënyrën se si bizneset e reflektojnë uljen e taksës në çmime, kostot e transportit dhe energjisë, si dhe ndryshimet në taksimin e mallrave dhe shërbimeve të tjera që ndikojnë në zinxhirin e furnizimit.

 

“Një pjesë e bizneseve mund të përpiqen të përthithin një pjesë të kësaj uljeje në marzhin e tyre të fitimit. Ndërkohë, mund të ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si rritja e TVSH-së për mallrat dhe shërbimet e tjera që lidhen me produktet e shportës. Për shembull, mund të rriten kostot e transportit dhe të energjisë.

Prandaj, në analizën e kostove që përcaktojnë çmimin ndikojnë shumë faktorë dhe jo vetëm norma e TVSH-së”, pohon ai.

 

Ndërsa eksperti i politikave fiskale Sajmir Laçej vlerëson pozitivisht uljen e TVSH-së për efektin rënës te çmimet e produkteve ushqimore.

“Kjo është një masë e kërkuar me të drejtë prej vitesh. Justifikimi se çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta dhe se masa mund të mos ketë ndikim nuk qëndron. Fakt janë çmimet e këtyre produkteve në vendet përreth nesh, të cilat e aplikojnë me sukses këtë skemë prej shumë kohësh”, shprehet ai.

 

Bizneset e vogla me TVSH, ekspertët paralajmërojnë rritje kostosh dhe çmimesh

Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë në aktivitetin ekonomik të bizneseve të vogla do të jetë ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.

 

Sipas relacionit të projektligjit, ndryshimet në skemën e TVSH-së synojnë formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, zgjerimin e bazës së tatueshme dhe përafrimin me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe politikat e Bashkimit Europian.

Efekti i parashikuar në të ardhurat buxhetore është rreth 4,5 miliardë lekë.

 

Bizneset që aktualisht operojnë jashtë skemës së TVSH-së, por që do të përfshihen për shkak të pragut të ri, do të duhet të përshtatin procedurat e faturimit, mbajtjes së evidencave dhe deklarimit tatimor.

Sipas ekspertëve, ndryshimet do të kërkojnë gjithashtu rishikimin e kontratave me furnitorët dhe përcaktimin e mënyrës së trajtimit të mallrave që kanë në gjendje në momentin e kalimit në skemë.

 

Eksperti fiskal Sajmir Laçej i konsideron kostot administrative që do të përballojnë bizneset e vogla si një lloj “takse të fshehtë”. Ai propozon që administrata tatimore të ofrojë shërbime falas për deklarimet fiskale, veçanërisht për bizneset e reja dhe ato të vogla.

“Përmbushja e detyrimeve të deklarimit është një kosto që duhet të konsiderohet si një ‘taksë e fshehtë’ që paguan biznesi për zyrat kontabël, veçanërisht bizneset që janë të detyruara të deklarojnë TVSH-në.

 

Ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë në vit shoqërohet me kosto, për të cilat administrata tatimore duhet të ofrojë shërbime pa pagesë”, argumenton z. Laçej.

Edhe për disa ekspertë të ekonomisë dhe anëtarë të Këshillit Tatimor, ky ndryshim mund të krijojë vështirësi për bizneset e vogla dhe të ndikojë në planet e tyre për investime. Shqetësimi lidhet veçanërisht me zbatimin e menjëhershëm të masës dhe mungesën e kohës së nevojshme për përshtatje.

 

Kontabilisti Sotiraq Dhamo paralajmëron se përfshirja e më shumë bizneseve në skemën e TVSH-së mund të sjellë kosto shtesë administrative dhe rritje çmimesh për konsumatorët. Sipas tij, në disa, rritja e çmimit mund të jetë e konsiderueshme, në varësi të mënyrës se si bizneset e përthithin ose e transferojnë te konsumatori barrën e re tatimore.

“Ulja e kufirit të TVSH-së në 5 milionë lekë do të ketë efekte për bizneset, por edhe për konsumatorët.

 

Bizneset që aktualisht operojnë pa TVSH, deri në kufirin prej 10 milionë lekësh, do të duhet të përfshihen në skemë, të mbajnë evidenca, të kryejnë deklarime dhe të ndryshojnë kontratat e furnizimit.

Këto detyrime sjellin kosto shtesë të vazhdueshme. Gjithashtu, bizneset do të duhet të zgjidhin mënyrën e trajtimit të mallrave që kanë aktualisht në gjendje”, shprehet z. Dhamo.

 

Sipas tij, përfshirja në skemën e TVSH-së mund të çojë në rritje çmimesh, pasi disa tregtarë mund të zgjedhin ta transferojnë te konsumatori një pjesë të barrës së re tatimore, në vend që ta përthithin atë përmes marzhit të fitimit.

“Një njësi e vogël tregtare që deri tani ka shitur pa TVSH mund të rrisë çmimin pas përfshirjes në skemë. Në disa raste, rritja mund të jetë deri në 20%, ndërsa në raste të tjera mund të jetë më e ulët. Kjo varet nga struktura e kostove, marzhi i fitimit dhe mënyra se si biznesi e përballon ndryshimin”, argumenton ai.

 

Nga ana tjetër, mund të rritet numri i bizneseve që rezultojnë me TVSH të kreditueshme. Nëse skema e rimbursimit nuk funksionon në kohë dhe nuk bëhet më efikase, kjo mund të krijojë probleme likuiditeti për bizneset e vogla.

Z. Dhamo nuk parashikon që masa të çojë domosdoshmërisht në mbylljen apo falimentimin e bizneseve, por vlerëson se disa subjekte mund të përballen me vështirësi të veçanta financiare dhe administrative.

 

Për këtë arsye, ai rekomandon që ulja e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë të realizohet në mënyrë graduale, duke u dhënë bizneseve kohën e nevojshme për t’u përshtatur me detyrimet e reja fiskale.

“Mendoj se momenti dhe koha kur po bëhet kjo ndërhyrje nuk janë të duhurat dhe se procesi po ndiqet me nxitim. Ulja e pragut të TVSH-së duhet të realizohet me faza.

 

Fillimisht, pragu mund të ulet nga 10 milionë në 8 milionë lekë, me zbatim në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm ose pas një periudhe përgatitore prej një viti”, argumenton z. Dhamo.

Sipas tij, zbatimi gradual do ta bënte më të lehtë administrimin e ndryshimit dhe do t’u jepte sipërmarrjeve kohën e nevojshme për t’u përgatitur.

 

“Kjo do të ishte më e lehtë për t’u menaxhuar, pasi numri i bizneseve që do të përfshiheshin në fazën e parë do të ishte më i vogël, ndërsa sipërmarrjeve do t’u lihej koha e nevojshme për t’u përshtatur me detyrimet e reja.

Më pas, në vitin 2029, pragu mund të ulet në 5 milionë lekë, madje mund të shqyrtohet edhe mundësia e një uljeje të mëtejshme”, shprehet ai.

 

Rritja e dividendit me 7% për bizneset e mëdha, a do të vendosë në pikëpyetje investimet

Paketa e re fiskale parashikonte fillimisht rritjen e tatimit mbi fitimin e korporatave nga 15% në 17%, por qeveria është tërhequr nga kjo masë, duke e mbajtur normën në 15%. Ndërkohë, propozohet rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, me të ardhura shtesë të parashikuara prej rreth 3 miliardë lekësh.

 

Me këtë ndryshim, Shqipëria do të barazohej me Serbinë, Malin e Zi dhe Hungarinë për sa i përket normës së tatimit mbi dividendin. Përfaqësues të biznesit, në mbledhjen e Këshillit Tatimor, paralajmëruan se rritja mund të ndikojë në investime dhe të nxisë zhvendosjen e kapitalit drejt vendeve me taksim më të favorshëm.

“Rritja e tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi fitimin e korporatave rrezikon ta bëjë Shqipërinë një vend me norma të larta taksimi në rajon.

 

Kompanitë e huaja, kur shqyrtojnë mundësitë për të investuar, analizojnë edhe nivelin e taksave. Me rritjen e këtyre normave, Shqipëria rrezikon të bëhet më pak tërheqëse për investitorët, ndërsa bizneset e vendeve të tjera të rajonit mund të fitojnë avantazh konkurrues ndaj bizneseve shqiptare.

Rritja e taksave për TVSH-në, dividendin dhe tatimin mbi fitimin rrezikon të ndikojë në çmimet e produkteve dhe ta bëjë Shqipërinë më pak tërheqëse për investimet.

 

Këto ndryshime mund të nxisin zhvendosjen e një pjese të aktivitetit ekonomik drejt vendeve të tjera të rajonit”, paralajmëroi një përfaqësues i biznesit në mbledhjen e Këshillit Tatimor.

 

Efektet e ndryshimit të taksës së qarkullimit

Një tjetër masë që u prezantua papritmas ishte edhe zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve.

Kjo masë parashikohet të rrisë të ardhurat e kësaj kategorie me 26,6 miliardë lekë. Të ardhurat aktuale nga taksimi i automjeteve llogariten në 7,2 miliardë lekë, ndërsa pas ndryshimit parashikohet të arrijnë në 33,8 miliardë lekë.

 

Efekti neto i kësaj mase llogaritet me rënie të ardhurash prej 5 miliardë lekë nga Ministria e Financave. Ndërsa çmimi i karburanteve llogaritet të bjerë 32,3 lekë për litër.

Eksperti fiskal Sajmir Laçej vlerëson se, pavarësisht peshës së konsiderueshme që ka pasur në buxhet, heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet pritet të sjellë efekte pozitive për individët, turistët dhe, veçanërisht, zinxhirin e prodhimit dhe të furnizimit.

 

Sipas tij, kjo taksë ka ndikuar në rritjen e kostove të transportit dhe ka dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve vendas kundrejt atyre të rajonit.

Megjithatë, sipas tij, efekti përfundimtar do të varet nga mënyra se si ndryshimi reflektohet në çmimin e karburanteve dhe nga barra e re që do të krijojnë taksat vjetore të automjeteve.

 

Laçej: Ndryshimet fiskale të kenë një vit konsultim, bizneset kanë nevojë për parashikueshmëri

Eksperti fiskal Sajmir Laçej rekomandon që ndryshimet fiskale të mos hyjnë në fuqi menjëherë, por bizneseve t’u lihet të paktën një vit kohë për t’u përgatitur. Sipas tij, parashikueshmëria e politikave tatimore është e rëndësishme për planifikimin financiar dhe marrëdhëniet kontraktuale të sipërmarrjeve.

 

“Duhet të aplikohet një rregull që asnjë ndryshim të mos hyjë në fuqi pa kaluar të paktën një vit nga data e prezantimit zyrtar për konsultim publik. Në këtë mënyrë, bizneset përgatiten për rishikimin e marrëdhënieve kontraktuale”, argumenton z. Laçej.

Ai thekson se rritja e taksave duhet të shoqërohet me analiza të thelluara për të matur ndikimin real në ekonomi, përtej përllogaritjeve teorike të të ardhurave buxhetore.

 

“Ministria e Financave nuk mund të mjaftohet me llogaritjen matematikore të efekteve teorike të rritjes së një takse apo tatimi, por duhet të kryejë simulime të thelluara ekonometrike për të matur ndikimin real në buxhet, duke marrë parasysh edhe sjelljen e konsumatorëve dhe efektet te bizneset”, shprehet ai.

Përtej masave të propozuara në paketën fiskale, z. Laçej kërkon ndërhyrje të tjera për uljen e kostove të sipërmarrjeve, përfshirë përjashtimin nga akciza të lëndëve djegëse të përdorura në proceset teknologjike të prodhimit.

 

“Është një parim i parashikuar në direktivën përkatëse të Komisionit Europian, por edhe në Ligjin e Akcizës, zbatimi i të cilit është kufizuar me akte nënligjore. Nëse duam të jemi konkurrues në rajon dhe në Bashkimin Europian në të ardhmen, duhet të zbatohen rregulla të barabarta loje për prodhuesit edhe në Shqipëri”, thekson ai.

 

Një tjetër propozim është heqja e detyrimit për pagesën e TVSH-së në momentin e importit, për shkak të ndikimit që parapagimi ka në likuiditetin e bizneseve.

“Parapagimi i TVSH-së lehtëson shpenzimet buxhetore, por përbën një kosto për biznesin, pasi ndikon në fluksin e parasë (cash flow). Për më tepër, ndërhyrjet arbitrare të Doganës në vlerën e transaksionit mund të krijojnë kosto edhe më të larta për biznesin”, argumenton z. Laçej.

 

Ai kërkon gjithashtu që bizneset e vogla të kategorizohen sipas tipologjisë dhe aktivitetit, duke rishikuar kriteret e TVSH-së së zbritshme për të shmangur kostot e panevojshme, veçanërisht për bizneset që ofrojnë shërbime.

Një tjetër propozim i z. Laçej lidhet me rishikimin e tatimit mbi fitimin kapital nga shitja e banesës së parë, kur ajo përdoret për qëllime personale dhe jo tregtare.

 

“Taksimi i individëve që shesin shtëpinë ku kanë jetuar për disa vite, për qëllime jotregtare, është një deformim që nuk aplikohet në asnjë vend të BE-së e jo vetëm. Ky korrigjim do të çlironte tregun dhe do ta bënte të panevojshëm rivlerësimin periodik me nivel taksimi të reduktuar”, shprehet ai.

Efektet e parashikuara të masave fiskale

 

1.Rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% parashikohet t’i shtojë buxhetit të shtetit 3 miliardë lekë të ardhura.

2.Rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% parashikohet të shtojë 10,6 miliardë lekë të ardhura.

3.Ulja e TVSH-së për shportën ushqimore në 6% pritet të ketë efekt negativ në buxhet prej 12,8 miliardë lekësh.

 

4.Ulja e pragut të regjistrimit në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore parashikohet të shtojë 4,5 miliardë lekë të ardhura.

5.Rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% parashikohet të sjellë 593 milionë lekë të ardhura shtesë.

6.Rritja e akcizës për produktet e duhanit dhe ndryshimi i taksimit për gazoilin e përzier me biodizel parashikohen të sjellin një efekt prej 4,1 miliardë lekësh në buxhet.

 

7.Rritja e pragut për zbatimin e normës 23% të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, nga 200 mijë në 300 mijë lekë të ardhura bruto, parashikohet të reduktojë të ardhurat me 1,9 miliardë lekë.

8.Vendosja e një norme të tretë margjinale prej 30% për të ardhurat bruto mujore mbi 700 mijë lekë parashikohet të shtojë 700 milionë lekë të ardhura.

 

9.Zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve parashikohet të rrisë të ardhurat e kësaj kategorie me 26,6 miliardë lekë. Të ardhurat aktuale nga taksimi i automjeteve llogariten në 7,2 miliardë lekë, ndërsa pas ndryshimit parashikohet të arrijnë në 33,8 miliardë lekë. Efekti neto i kësaj mase llogaritet me rënie të ardhurash prej 5 miliardë lekë nga Ministria e Financave.

 

 


Ekskluzive/ Edi Rama shpall Erjon Veliajn puçist "Financoi protestat e dhunshme"

 

Pas rusëve, iranianëve, Antifës dhe krimit të organizuar, Edi Rama ka zbuluar edhe armikun e brendshëm që kërkon ta rrëzojë nga pushteti, Erion Veliajn, duke u kujdesur që askush në Partinë Socialiste të mos guxojë ta mbrojë.

 

Edi Rama ka dalë hapur dhe e ka shpallur Erion Veliajn puçist, pjesë të komplotit për rrëzimin e tij nga pushteti dhe, pasi e syrgjynosi në burgun e Fierit, ka vendosur t’u mbyllë gojën edhe atyre pak socialistëve që guxuan të kërkonin shpjegime për trajtimin e kryebashkiakut të Tiranës.

 

Lapsi.al ka mësuar se në mbledhjen e zhvilluar me ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve, kryeministri i ka vënë kapak një herë e mirë debatit që sa po çelte brenda Partisë Socialiste pas transferimit të papritur të Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit.

 

Për Ramën, çështja nuk ka më të bëjë me të drejtat e një të paraburgosuri apo me ligjshmërinë e vendimit për transferimin e tij, por me një komplot kundër pushtetit, në krye të të cilit ai ka vendosur tashmë ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë.

 

“Kam marrë informacione të sakta dhe të verifikuara që Erjon Veliaj ka dashur të më rrëzojë nga pushteti dhe se ai ka financuar grupe njerëzish për të dalë në protestat e javëve të fundit” mësohet t’u ketë thënë Rama të pranishmëve në mbledhje.

 

Në sallë e kanë dëgjuar në heshtje. Disa prej tyre aspak të surprizuar për atë që po dëgjonin. Mësohet se Rama nuk u zgjat në fjalën e tij, se çfarë informacionesh ka marrë, kush ia ka siguruar dhe përse ato nuk janë bërë publike, por atyre që e dëgjonin u kërkoi heshtjen e plotë mbi këtë çështje.

“Nuk dua të dëgjoj më se ka të drejta apo se nuk ka të drejta Veliaj për trajtimin e tij në burgje” ka thënë Rama, sipas burimeve “Kush merret me atë, është me atë” u ka vënë ai kapak diskutimeve, me një kërcënim që nuk linte shumë vend për interpretime.

 

Mesazhi ka qenë i shkurtër, por i qartë. Kush guxon të kërkojë shpjegime për Veliajn më tej, kush ngre dyshime për mënyrën se si po trajtohet, rrezikon të përfundojë në të njëjtën listë armiqsh.

Burimi që i përcolli Lapsi.al këto deklarata të kryeministrit tha se pas fjalëve të Ramës nuk pati asnjë diskutim të mëtejshëm. Edhe miqtë e dikurshëm të Veliajt preferuan të heshtnin në vend se të flisnin për puçistin e saposhpallur, Erjon Veliaj.

 

Paranoja e armiqve të brendshëm

Që Rama po po udhëheq përmes paranojave politike që karakterizojnë autokratët që ndiejnë se pushteti po u rrëshqet nga duart, kjo u duk nga mënyra se si ai i përshkruante pjesëmarrësit e protestatve javëve të fundit. Kryeministri gjeti armiq në të katër anët e botës, por edhe brenda vendit.

 

Në komplot ai përfshiu rusët e nxitur nga Putini, iranianët e republikës khomeiniste, Antifa që ka vënë të gjithë Europën në vështirësi, krimin e organizuar që sulmoi policinë, por edhe analistët e darkë, mediat, partitë e opozitës etj.

Erion Veliaj është thjesht personazhi i fundit i kësaj historie, në një listë që zgjatet sa herë që protestat marrin përmasa më të mëdha.

Sjellja e Ramës është tipike ajo e autokratëve paranojakë që nisin ta shohin çdo pakënaqësi si komplot, ndërsa njerëzit i ndajnë veçse në dy kategori; besnikë dhe armiq.

Zërat që pëshpërisin në veshin e Ramës

Por si të gjithë paranojakët e pushtetit, Rama ka edhe një veçori tjetër. Në jermin e tyre politik, ata kanë nevojë për dikë që u pëshpërit në vesh, që ua ushqen dyshimet, u tregon intrigën dhe u shërben si busull në betejat kundër komplotistëve. Këtë rol, në rrethin e ngushtë të Ramës, duket se e ka konsoliduar tashmë Belinda Balluku.

Kemi raportuar më parë se Rama kaloi disa ditë rresht në shoqërinë e Belinda Ballukut, në takime kokë më kokë te Vila 31 në Tiranë. Këto takime që u zhvilluan në ditët e fundit të protestave, morën një domethënie të veçantë pas qëndrimit publik të Erion Veliajt në mbështetje të revoltës studentore, duke marrë shkas nga zhvillimet politike në Serbi dhe rënia e Aleksandër Vuçiçit.

 

“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate”, shkruajti Veliaj në Facebook.

Këto fjalë mjaftuan për ta rreshtuar Veliajn në radhët e tradhtarëve që po përpiqeshin ta rrëzonin nga pushteti. Teksti i shkurtër i shërbeu Ramës si një konfirmim për të gjitha thashethemet mbi lojën pas shpine të lali Erit që refuzonte ta lëshonte Bashkinë e Tiranës.

 

Jo më kot, Erjon Veliaj u zhvesh nga të gjitha privilegjet dhe u transferua me urgjencë, pa asnjë arsye zyrtare në një qeli në Fier, aty ku i qëndruan pranë disa të dënuar me burgim të përjeshtëm.

 

Dikur një prej njerëzve më të rëndësishëm të pushtetit socialist, një prej njerëzve më të përkëdhelur nga Edi Rama, ai nuk meritonte asnjë trajtim tjetër veçse atë që u përket grupeve puçiste. Dhe socialistët, admiruesit e zellshëm të partisë që deri dje i duartrokisnin të dy udhëheqësit në tribuna, sot duhet të bëjnë kujdes kur i përmendin emrin.


Prishtina sërish në protestë për Arlinda Zekajn, qytetarët kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale

 

Qytetarët kanë dalë sërish në protestë këtë të shtunë në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, e vrarë të dielën e kaluar në Vitomiricë të Pejës. Marshimi nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, me thirrje për më shumë mbrojtje për gratë që përballen me dhunën dhe më shumë përgjegjësi nga institucionet.

 

Mes kërkesave të protestuesve janë sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, një veting i pavarur në sistemin e drejtësisë dhe legalizimi i sprejit për vetëmbrojtje për gratë. “Drejtësi për Arlindën!” dhe “Drejtësi për gratë e vrara!” ishin disa nga thirrjet që shoqëruan marshimin. Pas ndalesës para godinës së Qeverisë, protestuesit janë drejtuar drejt Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku kanë vijuar kërkesat për përgjegjësi institucionale.

XS
SM
MD
LG