Lidhje


Izraeli në ngërç politik pas zgjedhjeve, 4 skenarët për daljen nga kriza.

 

Izraeli mund të përballet me javë, madje edhe muaj të tërë pasigurie politike, pasi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve tregojnë se nuk ka një fitues të qartë.

Asnjëri prej dy blloqeve kryesore politike, njëri i udhëhequr nga partia e djathtë Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe tjetri nga partia e qendrës Yashar, e drejtuar nga rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 mandatesh për të formuar qeverinë në parlamentin izraelit me 120 vende.

 

Por si mund të formohet qeveria e re?

Sigurisht, kjo nuk duket e lehtë. Ndarjet e thella politike dhe ideologjike e bëjnë pothuajse të pamundur krijimin e një koalicioni që në pamje të parë mund të dukej i realizueshëm.

 

Megjithatë, kjo mbetet e mundur, edhe nëse rezultati do të ishte një aleancë e brishtë, e cila mund të qëndronte në pushtet vetëm për pak më shumë se një vit. Nëse drejtuesit e partive nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje brenda 12 javëve që kanë në dispozicion, izraelitët do t'u drejtohen sërish kutive të votimit.

CNN ka listuar katër skenarët e mundshëm që mund të shmangin zgjedhjet e parakohshme.

 

Skenari 1: Një qeveri e opozitës

Në teori, rruga më e sigurt për opozitën për të larguar Netanyahun nga pushteti kalon përmes bashkëpunimit mes partive hebraike dhe arabe. Por pikërisht kjo përbën pengesën më të madhe.

 

Dy prej drejtuesve të partive të djathta në bllokun opozitar, ish-kryeministri Naftali Bennett dhe ish-ministri i Mbrojtjes Avigdor Liberman, kundërshtojnë çdo qeveri që varet nga mbështetja e dy partive arabe në parlament. Lista e Përbashkët dhe Raam, qoftë si pjesë e koalicionit, apo si mbështetëse të jashtme të një qeverie të pakicës.

 

Të dy liderët i kanë ashpërsuar qëndrimet e tyre pas sulmit të 7 tetorit 2023, të udhëhequr nga Hamasi.

Vetëm një qeveri në historinë e Izraelit ka përfshirë plotësisht një parti arabe. Raam ishte pjesë e një koalicioni me tetë parti, i cili arriti ta largonte Netanyahun nga pushteti në vitin 2021, por qeveria u rrëzua pak më shumë se një vit pas formimit.

 


“Sekret shtetëror” urdhri për transferimin e Veliajt në burgun e Fierit/ Klodiana Lala: Klasifikimi ngre dyshime, vendimi mund të shkojë përtej Drejtorisë së Burgjeve

 

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka komentuar transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit, duke ngritur dyshime mbi arsyet dhe rrethanat e kësaj vendimmarrjeje.

Sipas Lalës, transferimi i një personi të paraburgosur është kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kryhet mbi bazën e një analize risku, duke marrë parasysh nivelin e sigurisë së institucioneve penitenciare dhe rrezikshmërinë e personit.

 

“Ekskluziviteti për një të paraburgosur i përket Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Kjo bëhet mbi bazën e një analize risku. Për shkak të mënyrës se si funksionon Drejtoria e Burgjeve, ndahen në burgje të sigurisë së lartë, të zakonshme ose të ulët. Për shkak të funksionit, Veliaj është vendosur në atë që njihet si burgu i zyrtarëve, në paraburgimin e Durrësit”, u shpreh Lala.

 

Gazetarja solli në vëmendje edhe rastin e ish-presidentit Ilir Meta, duke theksuar se ai ka qenë ndër të paktët funksionarë të lartë të mbajtur në institucionin e paraburgimit 313 në Tiranë.

Ajo shpjegoi se vendimi për transferimin e Veliajt është marrë nga drejtuesja e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mbi bazën e një analize risku. Megjithatë, sipas saj, një nga problematikat kryesore lidhet me mungesën e aktit të transferimit dhe klasifikimin e urdhrit si sekret shtetëror.

“Ligji thotë që personi i paraburgosur duhet të ketë në dispozicion aktin e transferimit, përse transferohet dhe kur do të dërgohet. Në rastin konkret, Veliaj nuk e ka pasur në dispozicion këtë akt të transferimit”, deklaroi gazetarja.

 

Lala theksoi se, në pamje të parë, procedura mund të duket e rregullt, por fakti që urdhri është klasifikuar sekret shtetëror ngre pikëpyetje mbi arsyet që kanë çuar në transferimin e kryebashkiakut.

“Në pamje të parë, transferimi i Veliajt duket i rregullt, por mendoj se do të tejkalojë Drejtorinë e Burgjeve, pasi tha se urdhri i transferimit klasifikohet sekret shtetëror. Kjo bëhet vetëm kur personi ka hetim të hapur dhe, për shkak të përgjimit apo formave të tjera të dokumentacionit, ka të dhëna dhe indicie që mund t’i shërbejnë një hetimi penal. Nuk e dimë nëse jemi përpara një rasti të tillë”, u shpreh ajo.

 

Sipas gazetares, në rastet kur Prokuroria ka një hetim të hapur dhe disponon të dhëna për veprimtari të mundshme kriminale, dokumentacioni përkatës mund të klasifikohet. Megjithatë, ajo sqaroi se nuk ka informacion nëse transferimi i Veliajt lidhet me një situatë të tillë.

Lala e lidhi gjithashtu kohën e transferimit me qëndrimet e fundit publike të kryebashkiakut të Tiranës, duke theksuar se reagimet e tij lidhur me protestën dhe kritikat indirekte ndaj kryeministrit Edi Rama i kanë shtuar dyshimet për motivet e vendimit.

 

“Fakti që erdhi në një moment kur Veliaj reagoi për protestën dhe ishte kritik me Ramën në mënyrë indirekte, më kanë lindur dyshime se nuk është një transferim normal”, deklaroi Lala.

Duke shpjeguar procedurat që ndiqen pas transferimit të një të paraburgosuri, gazetarja tha se personi nuk vendoset menjëherë në një ambient me të dënuarit, por fillimisht mbahet në një dhomë vëzhgimi, ku vlerësohet gjendja e tij fizike, mendore dhe shëndetësore.

 

Sipas Lalës, pas përfundimit të këtij procesi dhe vlerësimit të rreziqeve të mundshme, autoritetet vendosin për sistemimin e të paraburgosurit në qeli.

Ajo theksoi se, për shkak të funksionit publik që Veliaj ka ushtruar, institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa të veçanta sigurie, jo për ta favorizuar, por për të shmangur çdo rrezik të mundshëm ndaj tij.

 

“Kur ato binden se nuk ka rrezik potencial për shtetasin Veliaj, Drejtoria e Burgjeve e vendos në qeli të veçantë. Për shkak të funksionit që ka pasur, duhet të trajtohet ndryshe, jo për ta favorizuar, por kur ka funksionarë që mund të bëhen objekt urrejtjeje e me radhë, duhet të qëndrojnë në një qeli më vete”, tha Lala.

 

Gazetarja u ndal edhe te profili i personave që mbahen në burgun e Fierit, duke deklaruar se në këtë institucion ndodhen persona të përfshirë në çështje të rënda kriminale, përfshirë drejtues të dyshuar të organizatave kriminale, persona të dënuar apo të akuzuar për përdhunime dhe trafik droge.

 

“Në burgun e Fierit ka personazhe që nga krerët e organizatave kriminale, te përdhunuesit, trafikantët e drogës, e me radhë”, u shpreh ajo.

Lala përmendi gjithashtu se në këtë institucion është transferuar edhe Ergys Agasi, ndërsa mes personave që ndodhen aty përmendi ish-zyrtarë të lartë të policisë, Julian Shpatarakun, persona të lidhur me dosjen “Plumbi i Artë”, si dhe me grupet kriminale të Shkodrës.

 

Sipas saj, prania e personave me profile të tilla e bën edhe më të rëndësishëm hartimin e një raporti të detajuar sigurie për kryebashkiakun e Tiranës.

Në përfundim, gazetarja theksoi se transferimi i Veliajt nga një institucion paraburgimi në një tjetër nuk përbën domosdoshmërisht një veprim të pazakontë. Megjithatë, ajo nënvizoi se klasifikimi i urdhrit të transferimit si sekret shtetëror është elementi kryesor që i ngre dyshime.

 


Kush financoi dy apartamentet dhe investimet mbi 1 milion euro të Faktoje.al? Pyetjet pa përgjigje për organizatën që kontrollon lajmet në Facebook

 

Nga Desada Metaj

Rreth 1.4 milionë euro kontribute të raportuara në pesë vjet, dy apartamente të blera në vitin 2024, qindra mijëra euro të investuara në letra me vlerë dhe kursime bankare. Këto janë të dhënat që dalin nga analiza e pasqyrave financiare të Faktoje.al, organizatës shqiptare që verifikon përmbajtjet në Facebook në kuadër të bashkëpunimit me Meta-n. Por kush i ka financuar këto pasuri dhe investime? Çfarë parashikojnë marrëveshjet me donatorët? Dhe përse organizata nuk u është përgjigjur tri kërkesave për informacion të VNA.al?

 

Faktoje.al është një portal dhe organizatë jofitimprurëse shqiptare që, në kuadër të bashkëpunimit me kompaninë Meta, kryen verifikimin e fakteve (fact-checking) për përmbajtje të publikuara në rrjetet sociale.

Më 16 tetor, në kulmin e protestave studentore në Tiranë, VNA.al u përball me kufizime në publikimin e videove në Facebook. Shkaku lidhej me dy lajme ndërkombëtare që Faktoje.al i kishte vlerësuar si përmbajtje të pavërteta. Njëri kishte të bënte me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa tjetri me kompaninë e njohur të modës Gucci.

 

Pas reagimit tim publik në Facebook, një përfaqësuese e Faktoje.al më kontaktoi, me njëfarë vonese, për të më shpjeguar procedurën rutinë që duhej ndjekur në raste të tilla.

Profesionalisht, e mirëkuptoj shqetësimin e një organizate shqiptare për vërtetësinë e lajmeve që lidhen me Zelenskyn apo për informacionet që prekin interesat e kompanisë Gucci. Por po kaq profesionalisht më lind e drejta të bëj një pyetje: si ka mundësi që një OJF shqiptare të ketë një rol kaq përcaktues në një mekanizëm që mund të kufizojë aksesin e mediave online në rrjetet sociale?

 

Deri më sot, këtë atribut ia kemi veshur zakonisht kryeministrit. Por, me sa duket, në Shqipëri ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në atë se çfarë arrin apo nuk arrin të publikojë një media.

Dhe pyetjet nuk mbarojnë këtu.

 

A e ka drejtuar ndonjëherë Faktoje.al vëmendjen te mediat online shqiptare kur ato denigrojnë figura publike, publikojnë fotografi dhe video private të individëve apo familjarëve të tyre, përfshirë të mitur? Po në rastet edhe më flagrante, kur portale të caktuara shndërrohen në instrumente sulmi dhe targetojnë drejtpërdrejt gazetarë investigativë? A janë trajtuar këto raste me të njëjtën vëmendje dhe rigorozitet?

 

Me gjasë, një pjesë e këtij realiteti i ka shpëtuar syrit të Faktoje.al, që ndërkohë është shqetësuar për dy lajme ndërkombëtare të publikuara nga VNA, një media relativisht e re, e cila duket se i ka tërhequr mjaftueshëm vëmendjen.

 

Dhe rastësia është interesante: kufizimi i publikimit të videove ndodhi pikërisht në një ditë protestash në Tiranë, kur informacioni dhe pamjet nga terreni kishin rëndësi të veçantë për publikun. Natyrisht, përputhja në kohë nuk provon se kufizimi lidhej me protestat, por mbetet e paqartë përse Faktoje.al nuk kontaktoi fillimisht VNA.al për të kërkuar korrigjimin apo sqarimin e lajmeve të kontestuara, ndërkohë që adresa elektronike dhe numri i telefonit të redaksisë janë publikë dhe lehtësisht të aksesueshëm.

 

Këto pyetje marrin rëndësi edhe më të madhe kur shqetësime për kufizime të ngjashme janë ngritur edhe nga media të tjera online.

Pikërisht për të kuptuar këtë marrëdhënie, iu drejtova zyrtarisht Faktoje.al, duke kërkuar informacion mbi kushtet e kontratës së saj me kompaninë Meta, mënyrën e funksionimit të bashkëpunimit, si dhe financimet dhe donatorët e organizatës.

 

Pas gati dy javësh dhe tri kërkesash, nuk kam marrë përgjigje për këto çështje. Korrespondenca e publikuar bashkë me këtë shkrim tregon kërkesat e përsëritura për informacion, përfshirë komunikimin e fundit të datës 27 tetor, kur e njoftova organizatën se po përgatisja një investigim mbi aktivitetin dhe financimet e saj.

Foto e emaileve dërguar organizatës me pyetje.

 

Por një gazetar nuk mjaftohet me pyetjet që mbeten pa përgjigje. Ai kërkon dokumentet. Për këtë arsye, hyra në faqen zyrtare të Faktoje.al, ku gjeta të publikuara pasqyrat financiare të organizatës. Dhe pikërisht aty, pyetjet bëhen shumë më konkrete.

Ndërsa konstatohen mungesa të informacioneve formale që kërkon ligji, siç janë numri i punonjësve, autoriteti i regjistrimit, ndryshimi i adresës, etj., vëmendjen ta tërheq fakti se për një periudhë 5-vjeçare, qendra ka raportuar kontribute prej rreth 1.4 milionë eurosh.

 

Nga analiza e dokumentacionit financiar për periudhën 2021–2025 rezultojnë kontribute të raportuara në vlerën totale prej 142 milionë lekësh, ekuivalente me rreth 1.4 milionë euro sipas kursit të këmbimit të periudhave përkatëse. Në vitin 2021 janë raportuar 13.5 milionë lekë, në vitin 2022 18 milionë lekë, në vitin 2023 35.5 milionë lekë, në vitin 2024 46.6 milionë lekë dhe në vitin 2025 28.4 milionë lekë.

 

Këto fitime në dokumentacionin financiar paraqiten të lira dhe të pakufizuara, por qendra paraqet vetëm përfitime nga grantet. Përfitimet nga grantet janë të kufizuara nga kushtet në kontratat e projekteve apo shërbimeve që financojnë, ndërsa fitimet e pakufizuara kryesisht rezultojnë nga kontribute pa kushte. Ligji kërkon që fondet e kufizuara dhe të pakufizuara të paraqiten të ndara dhe me informacione shpjeguese mbi origjinën e tyre, por ky informacion mungon në dokumentacionin financiar.

 

Por pjesa më interesante e dokumentacionit lidhet me mënyrën se si janë vendosur fondet e organizatës. Sipas analizës së pasqyrave financiare, më 31 dhjetor 2025 rezultojnë 64.1 milionë lekë, ose rreth 700 mijë euro sipas vlerësimit të përdorur në analizë, të investuara në letra me vlerë, si bono thesari, obligacione apo instrumente të ngjashme financiare.

 

Ndërkohë, 46.8 milionë lekë, ose rreth 520 mijë euro, janë evidentuar për dy apartamente të blera në vitin 2024, për të cilat dokumentacioni tregon edhe përmirësime të kryera gjatë dy viteve. Organizata rezulton të ketë gjithashtu 30 milionë lekë, ose rreth 330 mijë euro, gjendje në llogari bankare.

 

Pra, sipas këtyre të dhënave, në fund të vitit 2025 organizata rezulton të ketë rreth 141 milionë lekë të shpërndara mes investimeve financiare, pasurive të paluajtshme dhe likuiditeteve bankare. Vetëm apartamentet dhe letrat me vlerë përfaqësojnë një vlerë të raportuar prej 110.9 milionë lekësh, ose mbi një milion euro sipas konvertimit të përdorur në analizën financiare.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja qendrore e këtij investigimi: kush është donatori që i ka dhënë Faktoje.al rreth një milion euro për të blerë dy apartamente dhe për të investuar në bono thesari?

 

A ekziston një donator i tillë, apo këto investime janë financuar nga kontributet e disa donatorëve? Kush janë ata? A kanë dhënë para për gazetari dhe verifikim faktesh, apo për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe investime financiare? A kanë qenë në dijeni të mënyrës se si janë përdorur fondet?

Sepse këtu nuk flasim për shuma të vogla apo për shpenzime të zakonshme administrative. Flasim për dy apartamente, qindra mijëra euro në letra me vlerë dhe një organizatë jofitimprurëse që ka marrë përsipër të kontrollojë vërtetësinë e informacionit të publikuar nga mediat.

 

Në emër të kujt janë regjistruar apartamentet? Për çfarë përdoren? Kush e ka miratuar blerjen e tyre? Dhe çfarë parashikojnë marrëveshjet me donatorët për përdorimin e fondeve?

Blerja e pasurive të paluajtshme apo investimi në letra me vlerë nga një organizatë jofitimprurëse nuk përbën automatikisht shkelje ligjore. Por ligjshmëria dhe përshtatshmëria e këtyre veprimeve varen nga burimi i fondeve, kufizimet e donatorëve, statuti i organizatës dhe mënyra e administrimit të pasurisë.

 

Nuk bëhet fjalë për të paragjykuar një organizatë apo për të shpallur të paligjshëm një investim. Bëhet fjalë për të zbatuar të njëjtin standard verifikimi që Faktoje.al kërkon nga mediat e tjera.

 

Për një organizatë që operon në emër të transparencës dhe verifikimit të fakteve, identifikimi i donatorëve dhe shpjegimi i përdorimit të fondeve nuk duhet të jenë çështje të vështira. Janë pyetje që kërkojnë dokumente dhe përgjigje.

 

Deri tani, VNA ka kërkuar informacion. Përgjigjet mungojnë.

Investigimi vijon.


PD merr në mbrojtje Lali Erin

 

Në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku ajri rëndohet nga aromat e parfumeve të shtrenjta të paguara ose jo me para korrupsioni, sot u luajt një nga skenet më groteske të teatrit tonë politik. Në letër, rendi i ditës dukej si një nga ato arritjet e zakonshme propagandistike: miratimi i 1500 kredive të buta për familjet që ëndërrojnë një strehë. Por në realitet, siç e pranojnë me ironi vetë këshilltarët, këta 1500 aplikues fitues do të marrin letrat e miratimit, por zor se do të shohin ndonjëherë një çelës shtëpie në duart e tyre, në një qytet ku çmimet e apartamenteve kanë kapur qiellin.

 

Sidoqoftë, spektakli i vërtetë nuk kishte të bënte fare me hallet e qytetarëve, por me "dhimbjen" e papritur për fatin e Erion Veliajt. Pasi u zhvendos nga qelia drejt burgut të Fierit, Këshilli Bashkiak si socialist ashtu dhe demokrat u shndërrua papritur në një sallë gjyqësore e procedurale se si po trajtohet kryebashkiaku i izoluar. Me një kapërcim surreal nga akuzat e zakonshme, opozita u ngrit të pyeste me shqetësim se si ka mundësi që Veliaj u "rrëmbye" pa dokument zyrtar, thjesht për shkak të një statusi në Facebook që nuk i pëlqeu shefit të qeverisë.

 

Është vërtet mahnitëse të shohësh se si shqetësimi kryesor i politikanëve tanë nuk janë më , por nëse po zbatohet me përpikmëri etiketa e protokollit gjatë dërgimit të kryebashkiakut në Fier.


Krahasimi i taksave në Europën Lindore, Shqipëria po merr kryesimin

 

Shqipëria do të vijojë të ketë një nga nivelet më të larta të taksimit të fitimit dhe dividendëve në Ballkanin Perëndimor, edhe pas tërheqjes së qeverisë nga propozimi për rritjen e tatimfitimit nga 15% në 17%. Paketa e re fiskale për vitin 2027 parashikon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, vendosjen e një shkalle të re tatimi prej 30% për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj dhe rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%. Shqipëria do të vijojë të ketë tatimfitim më të lartë se Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe shumica e bizneseve në Mal të Zi, ndërsa do të mbetet në të njëjtin nivel me Serbinë. Përfaqësuesit e biznesit kanë paralajmëruar zhvendosjen e aktivitetit dhe investimeve drejt vendeve fqinje.

 

“Monitor” ka krahasuar normat kryesore tatimore në vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe në Slloveni, Kroaci, Hungari, Rumani, Greqi, Turqi dhe Moldavi, ekonomi që aplikojnë modele të ndryshme të taksimit të fitimit, të ardhurave personale dhe konsumit.

Krahasimi tregon se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina aplikojnë një normë standarde tatimfitimi prej 10%, ndërsa Mali i Zi e nis tatimin nga 9%, duke e rritur në mënyrë progresive deri në 15%. Serbia aplikon një normë prej 15%, të njëjtë me Shqipërinë, pas tërheqjes së qeverisë nga propozimi për rritjen në 17%.

 

Në vendet e tjera të përfshira në krahasim, Hungaria ka normën më të ulët të tatimit mbi fitimin, prej 9%, ndërsa Moldavia aplikon 12% dhe Rumania 16%. Kroacia ka dy norma, 10% dhe 18%, sipas të ardhurave të biznesit. Sllovenia dhe Greqia aplikojnë nga 22%, ndërsa Turqia 25%, me normë më të lartë për sektorin financiar.

 

Diferenca është edhe më e madhe në tatimin mbi të ardhurat personale. Shqipëria aktualisht aplikon një sistem progresiv, me norma 13% dhe 23% për pjesën e të ardhurave të tatueshme mbi pragjet përkatëse, ndërsa paketa e re parashikon një shkallë të tretë prej 30% për pjesën e pagës bruto që tejkalon 700 mijë lekë në muaj. Në draftin fillestar ishte propozuar norma 32%, por ajo u rishikua në prezantimin e paketës më 28 tetor.

 

Në Kosovë, norma më e lartë e tatimit mbi të ardhurat personale është 10%, po aq sa në Maqedoninë e Veriut. Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi pagat është 10% në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe në Distriktin e Bërçkos, ndërsa në Republikën Srpska është 8%. Mali i Zi aplikon norma prej 0%, 9% dhe 15%, ndërsa Serbia taton pagat me 10%, krahas një tatimi vjetor shtesë për individët që tejkalojnë kufijtë e përcaktuar të të ardhurave.

 

Në vendet e tjera të krahasuara, Sllovenia aplikon norma progresive të tatimit personal nga 16% në 50%, Greqia nga 9% në 44% dhe Kroacia norma të diferencuara sipas bashkive. Turqia ka norma progresive deri në 40%, ndërsa Hungaria aplikon normë të sheshtë prej 15%, Moldavia 12% dhe Rumania 10%.

 

Tatimfitimi mbetet 15%, dividendi 15%, pagat e larta deri në 30%

Paketa fiskale për vitin 2027 parashikon ndryshime në taksat mbi të ardhurat dhe fitimet, megjithëse qeveria është tërhequr nga rritja e tatimfitimit e përfshirë në draftin fillestar.

 

Drafti fillestar parashikonte rritjen me 2 pikë përqindjeje të tatimit mbi fitimin e korporatave, nga 15% në 17%, një masë nga e cila priteshin rreth 5 miliardë lekë të ardhura shtesë. Por më 28 tetor kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria nuk do ta rrisë tatimfitimin për biznesin e madh, duke e lënë normën në 15%.

 

Ndërkohë, tatimi mbi dividendin propozohet të rritet nga 8% në 15%, duke sjellë sipas përllogaritjeve fillestare të Ministrisë së Financave rreth 3 miliardë lekë të ardhura shtesë. Qeveria nuk është tërhequr nga kjo masë.

Kjo do ta çonte tatimin mbi dividendin në Shqipëri në të njëjtin nivel me atë të Serbisë, Malit të Zi dhe Hungarisë, kur krahasohen normat e përgjithshme për individët rezidentë.

 

Në Kosovë, dividendët janë të përjashtuar nga tatimi. Maqedonia e Veriut aplikon normën 10%. Në Bosnjë-Hercegovinë, trajtimi i dividendëve ndryshon sipas entitetit dhe rezidencës së përfituesit; për pagesat ndaj kompanive jorezidente, norma e përgjithshme e mbajtjes në burim është 5% në Federatë dhe 10% në Republikën Srpska, me mundësi ndryshimi sipas marrëveshjeve tatimore.

 

Në vendet e tjera të krahasuara, Greqia ka normë prej 5% mbi dividendët, Moldavia 6%, Kroacia 12%, Rumania 16% dhe Sllovenia 25%.

Në Shqipëri, ndryshimi i propozuar për tatimin mbi pagat përmban dy masa me efekte të kundërta. Rritja nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj e pragut mbi të cilin zbatohet norma 23% do të ulë barrën tatimore për një pjesë të punëmarrësve, me një kosto të vlerësuar buxhetore prej 1.98 miliardë lekësh.

 

Por për pagat mbi 700 mijë lekë bruto në muaj është njoftuar vendosja e një norme të re marxhinale prej 30%, në vend të 32% të draftit fillestar. Kjo normë do të zbatohet vetëm mbi pjesën e pagës që tejkalon pragun përkatës. Relacioni fillestar parashikonte rreth 970 milionë lekë të ardhura shtesë në vit nga norma 32%; ky efekt kërkon rivlerësim.

Norma e re maksimale prej 30% do të ishte dukshëm më e lartë se normat e zakonshme të tatimit mbi pagat në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndonëse ajo prek vetëm një pjesë të kufizuar punëmarrësish.

 

Krahasimi i TVSH-së

Ndryshimet e propozuara në Shqipëri prekin edhe tatimin mbi vlerën e shtuar.

Për herë të parë, paketa parashikon vendosjen e një norme të reduktuar prej 6% për produktet ushqimore bazë, nga 20% që aplikohet aktualisht. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, kjo masë do të kishte një kosto prej 12.8 miliardë lekësh në buxhet.

 

Por paralelisht, norma standarde e TVSH-së propozohet të rritet nga 20% në 21%, me një efekt të pritshëm prej 10.6 miliardë lekësh të ardhura shtesë, me një diferencë prej rreth 2.2 miliardë lekësh midis dy masave.

Paketa parashikon gjithashtu uljen e pragut të regjistrimit në TVSH në 5 milionë lekë xhiro vjetore, masë nga e cila priten 4.5 miliardë lekë të ardhura shtesë, si edhe rritjen e propozuar të TVSH-së për hotelerinë nga 6% në 10%, me përjashtim të agroturizmit, me efekt të vlerësuar fillimisht rreth 600 milionë lekë.

 

Në këtë mënyrë, lehtësimi i propozuar për produktet ushqimore shoqërohet me zgjerimin e bazës së TVSH-së dhe rritjen e normës standarde për mallrat e shërbimet e tjera.

Në vendet e rajonit, TVSH-ja e reduktuar për ushqimet aplikohet prej kohësh, megjithëse produktet që përfitojnë ndryshojnë sipas legjislacionit kombëtar.

 

Serbia ka një normë standarde prej 20% dhe normë të reduktuar prej 10% për produktet bazë. Kosova aplikon 18% dhe 8%, ndërsa Maqedonia e Veriut ka normë standarde 18% dhe normë të reduktuar 5% për kategori ushqimore të përcaktuara.

Në Mal të Zi, norma standarde është 21%, ndërsa për produkte të caktuara ushqimore zbatohet norma 7%. Bosnjë-Hercegovina ka një normë të vetme prej 17%, pa TVSH të reduktuar për ushqimet.

 

Kroacia aplikon normë standarde të TVSH-së prej 25% dhe norma të reduktuara prej 5% dhe 13%. Sllovenia ka normë standarde prej 22%, si edhe norma të reduktuara prej 9.5% dhe 5%. Greqia aplikon normë standarde 24%, me norma të reduktuara 6% dhe 13%; Turqia ka normë standarde 20%, ndërsa Moldavia 20%, me norma të reduktuara për kategori të caktuara.

 

Edhe Rumania e rriti normën standarde të TVSH-së nga 19% në 21% në gusht 2025, por aplikon normë të reduktuar 11% për shumicën e produkteve ushqimore, me përjashtime të përcaktuara me ligj.

Hungaria, ndonëse ka normën standarde më të lartë, prej 27%, aplikon norma të reduktuara prej 5% dhe 18% për kategori të caktuara ushqimore.

 

XS
SM
MD
LG